INTEGRIMI DHE IDENTITETI I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

0
411
Dr. Nail Draga

Diskursi politik

Çështja e integrimit është bërë dukuri e përditshme në takimet e ndryshme bilaterale dhe multilaterale në mes përfaqësuesve politikë të vendeve të Ballkanit perëndimor tash disa dekada, duke qenë një nder temat parësore e agjendave të takimeve, me qellim për të amortizuar animozitetet dhe paragjykimet nga e kaluara e largët dhe ajo e afërt të popujt e këtij regjioni, pasojat e të cilave janë të pranishme edhe në ditët tona. Nga ky aspekt popujt e ndarë në mjediset multinacionale përballohen me sfida jetësore për të mbrojtur identitetin e tyre, sepse integrimi si retorikë bashkëkohore shpesh herë kamuflohet me konceptin e kosmopolitizmit përkatësisht të globalizmit.

Dr. Nail Draga

1. Integrimi europian – përmbushja e kritereve

Në lidhje me procesin e integrimit pushteti aktual është duke u treguar kooperativ ne lidhje me këtë çështje, sepse aspiratat qeveritare janë për tu bërë pjesë e bashkësisë europiane. Eshtë çështje tjetër se sa kanë kapacitet kadrovik strukturat e veçanta qeveritare dhe gadishmëri me u ballafaquar me kërkesat për reforma të ekzekutivit konformë standardëve europiane. Nga ana tjetër nga subjektet opozitare e sidomos nga shoqëria civile theksojnë se mungon dinamika e reformave të ekzekutivit si pasojë e rezistencës së vet pushtetit.

Por, duhet theksuar se në vlerësimet Komisioni Evropian(KE) janë pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Ndonëse Mali i Zi i ka filluar negocimet që nga qershori i vitit 2012, nga tridhjetë kapituj të obligueshëm deri me tashi ka mbyllur vetem tre prej tyre që ka te shtruar për bisedime nga del se në Mal të Zi mbetet shumë punë për të arritur harmonizimin me legjislaturën evropiane dhe në përmbushjen e kritereve.

2. Mungon integrimi i brendshëm

Nga ana tjetër, trajtimi i një çështjeje të tillë në mjediset multinacionale paraqet dilema në lidhje me pozitën dhe statusin e popujve përkatës. Pikërisht ne ketë aspekt Mali i Zi është rast specifik jo vetëm për Europën Juglindore por edhe me gjerë sepse është vendi me multinacional, andaj ekzistojnë edhe sfida të veçanta.

Andaj krahas trajtimit të çështjes së integrimit të Malit të Zi në strukturat europiane, në mënyrë të veçantë duhet të trajtohet integrimi i brendshëm i popujve në këtë mjedis.Deri me tash nuk kemi pasur rast të degjojmë për ndonjë iniciativë të tillë, e cila është domosdoshme sepse kemi animozitet të theksuar nga pjesëtaret e popujve të ndryshëm. Fillimisht duhet të hapet debati në lidhje me këtë çështje e jo të vendosë shumica parlamentare për çështjet përkatëse pa konsultimin e miratimin nga ana e opozitës parlamentare. Vetëm përmes një debati konstruktiv do të eliminoheshin dilemat duke prezentuar avantazhet e një procesi të tillë. Me një fjalë integrimi i brendshëm duhet të jetë konformë standardëve europiane për mjediset multinacionale në lidhje mbi barazinë qytetare e nacionale të popujve përkatës.Në rrethana të reja shoqërore, çështjet e tilla duhet të trajtohen me realizëm e jo me mentalitetin e monizmit, sepse pluralizmi ofron mundësi shumëplanëshe, por duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit.

Por, Mali i Zi është specifik për tërë regjionin sepse është i vetmi vend ku nuk është ndërruar pushteti nga miratimi i pluralizmit. Madje nëse e analizojmë me në detaje del se këtu pushteti nuk është ndërruar nga Lufta e Dytë Botërore, përkatësisht nga viti 1945, duke mbetur ekzemplar i llojit të vet në tërë hapësirën e vendeve të ish kampit socialist në Europën Juglindore. Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna, çështja e integrimit duhet te trajtohet me tërë kompleksitetin e vet në të gjitha fushat e veprimtarive shoqërore dhe ekonomike, që të jetë i pranueshëm për tërë qytetarët e këtij mjedisi.

3. Shqiptarët janë për integrim por me identitet

Në mozaikun nacional të popullsisë në Mal të Zi, shqiptarët janë e vetmja popullsi me prejardhje josllave, e dhënë kjo që i bën të veçantë nga pjesëtarët e popujve të tjerë. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, sepse shqiptarët si popull autokton kanë identitetin e tyre të veçantë nga të tjerët, si nga gjuha, kultura, historia e tradita. Andaj duke marrë parasysh këto veçori, me të drejtë bëhët pyetja, se si qendron çështja e integrimit të shqiptarëve në këtë mjedis. Ndonëse një temë e tillë paraqet çështje të veçantë, jemi dëshmitarë se edhe në pluralizëm ekzistojnë vështirësi të natyrave të ndryshme sa i përket integrimit të tyre në Mal të Zi, nga fakti se këtu gjithnjë është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit.

Shqiptarët nuk dëshirojnë të jetojnë në geto, përkundrazi ata dëshirojnë të integrohen, por me identitetin e tyre. Duke marrë parasysh se numërikisht janë pak, rreth 5% sipas statistikës zyrtare nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, duhet një përkujdesje e veçantë nga strukturat e pushtetit qendror për të mbrojtur identitetin kombëtar, e kjo ka të bëjë sidomos në fushën e arsimit, gjuhës, informimit, kulturës etj. Po ashtu përkujdesje duhet kushtuar edhe në investime e punësim, konformë përqindjës së pjesëmarrjës në kuadër të popullsisë së përgjithshme. Por, përvoja e deritashme dëshmon se për ndryshime cilësore në këtë aspekt duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, e jo të dëgjojmë retorikë monotone që në shumë raste i ngjanë demagogjisë.

Mbrojtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk rrezikon askend në Mal të Zi, përveç individ apo subjekte të ndryshme politike e jo politike, të cilët vuajnë nga sindromi i hegjemonizmit.Vetëm duke mbrojtur identitetin e popujve të vegjël, përkatësisht popujve të ndarë, duke mbrojtur dhe valorizuar trashëgiminë kulturore, si dëshmi e identitetit të tyre, Mali i Zi do të ishte në praktikë shtet demokratik multinacional sipas standardëve ndërkombëtare.

4. Integrimi i shqiptarëve në nivelin mbarëkombëtar

Me miratimin e pluralizmit me të drejt është pritur se pengesat ideologjike të së kaluarës do të eliminohen dhe shqiptarët do të angazhohen për integrimin e tyre mbarëkombëtar. Dhe një qasje të tillë kishin të gjithë shqiptarët, duke marrë parasysh se kemi përjetuar një periudhë ndarje dhe izolimi për pesë dekada, e cila ka lënë pasoja që janë të pranishme edhe në ditët tona. Dhe s’ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një popull të ndarë, me pamundësi komunikimi me shtetin amë. Pra kemi pasur të bëjmë me procesin e mbijetesës së shqiptarëve në Mal të Zi, çështje kjo e cila meriton një studim të veçantë sociologjik.

Por,edhe pse janë bërë ca përpjekje në çështjet integruese mbarëkombëtare nga subjekte të ndryshme dhe shoqëria civile në këtë drejtim të arriturat janë minimale. Për ndryshime pozitive në këtë drejtim bartës të këtij procesi duhet të jenë institucionet shtetërore nga shteti amë-Shqipëria, e po ashtu edhe Kosova. Këtu kemi parasysh integrimin në fushën e kulturës, artit, arsimit, informimit, botimeve, turizmit etj., të cilat mund të realizohen duke mbeshtetur projekte përkatëse. Pasi integrimi mbarëkombëtar është koncept i gjerë, fillimisht janë këto fusha ku duhet insistuar sepse janë në favor të identitetit tonë kombëtar.

Theksojmë më këtë rast pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Mali i Zi në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër(2015) që është ndër veprimtaritë e rralla në nivelin mbarëkombëtar me koordinim nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Veprimtari të ngjajshme duhet të organizohen nga institucionet shtetërore edhe në fushat e tjera ku duhet të ftohen shqiptarët nga hapësira e tyre etnogjeografike që është në favor të njohjes, këmbimit të përvojave e sidomos të bashkimit kulturor kombëtar.

Duke eliminuar paragjykimet e kaluara në pluralizëm veprimtaritë e tilla mbarëkombëtare nuk cenojnë interesat e popujve të tjerë në Mal të Zi, por janë në favor të identitetit kombëtar të shqiptarëve e si të tilla në favor të konceptit multikulturor si kudo në vendet demokratike europiane. Mbetet obligim moral, profesional dhe kombëtar që të angazhohemi në këtë drejtim me të gjitha kapacitetet sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

(Qershor, 2018)