Institucionet e reja me mentalitet të vjetër!

0
203
Vjosa - Albini

Shkruan: Florim Zeqa, 11.04.2021

Vetë fjala demokraci (demo-popull dhe kraci-rend) nënkupton qeverisjen nga një shumicë e njerëzve që ushtrojnë sovranitetin drejtëpërdrejtë përmes referendumit apo në mënyrë indirekte përmes zgjedhjes së përfaqësueseve politik. Sistemet shtetërore parlamentare me qeverisje njëpartiake vetëm emrin e kanë demokratike, por në fakt asgjë nuk i lidhë me fjalën demokraci.

Dëmtimi i imazhit të çlirimtarit

Mërgimtarët dhanë gjithçka patën për luftën çlirimtare, sa të tjerë shkuan për të luftuar, lanë gjymtyrët e trupit, derdhën gjakun dhe dhanë më të shtrenjtën-jetën e tyre për lirinë e Kosovës.

Ndihmat e pakursyera të mërgimtarëve për qëllim kishin çlirimin e vendit e jo mbushjen e xhepave të shpërdoruesve të fondeve të “3 përqindëshit” dhe “Vendlindja Thërret”, bartësit e të cilave mënjëherë pas lufte u shndërruan në milionerë dhe supermenë të politikës kosovare.

Pas lufte, me marrjen e primatit të çlrimtarit nga ata që ishin largë betejave të lavdishme të luftës çlirimtare filluan të ngatërrohen vlerat e vërteta me antivlerat, kur dezertorët dhe matrapazët, shpërdoruesit dhe hajdutët e fondeve të luftës u veshën me petkun e çlirimtarëve.

Përfshirja në listat e veteranëve të atyre që Kosovën e lëshuan të veshur me rroba grash dhe me buzëkuq të nuseve në fytyrë apo edhe të atyre që s’kanë qenë asnjëherë pjesë e luftës çlirimtare e ka dëmtuar imazhin e luftëtarëve të lirisë sonë!

“Dita e mirë shihet në mëngjes”

Ashtu sikurse pas lufte që u ngritën në majat e pushtetit një klasë politike në emrin e çlirimtarëve, edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 erdhi në pushtet një klasë tjetër e re politike përmes gjuhës populliste në emër të ç’kapjes dhe çlirimit të shtetit nga uzurpatorët, duke ua grabitur votën qytetarëve të ndershëm të këtij vendi nën premtimin për ndryshim dhe barazi qytetare.

Nëse nisemi nga maksima e vjetër popullore “Dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë mëngjesi i pushtetarëve të rinjë nuk është aq i mirë siq e kemi pritur!

Sikurse pushtetarët paraprakë, edhe këta të rinjët po vazhdojnë me mentalitetin e vjetër të nepotizmit, të emërimit në poste të larta të familjarëve të tyre dhe militantëve partiak e jo të profesionistëve dhe të merituarve nga radhët e shoqërisë civile dhe mërgata e jonë!
Ashtu siq e ndihmuan mërgimtarët ardhjen në pushtet të kësaj klase politike, mund edhe ta largojnë nëse nuk punojnë mirë për shtet dhe interesin e qytetarëve.

Shkëputja nga antivlerat dhe pabarazia qytetare

Nuk mjafton të thirresh në emër të ç’kajes së shtetit dhe barazisë qytetare duke përligjur pabarazinë në emërime dhe përzgjedhje të stafit qeveritar dhe presidencial, në emërime të stafit diplomatik, borde dhe agjensione shtetërore!

Nuk mjafton të thirresh në emër të luftës kundër nepotizmit dhe korrupsionit duke punësuar familjarë nëpër institucione shtetërore dhe publike!

Nuk mjafton të thirresh në konfiskim të pasurive të paligshme duke u pasuruar nga djersa e taksapaguesve të varfër kosovarë!
Nuk mjafton të thirresh në emër të popullit dhe të “proletariatit” me milionerë në krye të institucioneve të larta të shtetit!

Krijimi i një shoqërie me të drejta të barabarta nënkupton luftimin e çdo forme të diskriminimit dhe pabarazisë qytetare duke filluar nga barazia gjinore, racore dhe sociale ku të gjithë qytetarët ndjehen të barabartë para ligjit, në shkollim, në shëndetësi, në punësim si dhe të kenë çasje të barabartë në jetën kulturore dhe sportive të shtetit që i takojnë.

Pushtetarët e rinjë e kanë rastin historik ta bëjnë shkëputjen nga dukuritë negative dhe antivlerat. Këtë duhet ta bëjnë jo me fjalë por me vepra. Çdo vonesë në këtë drejtim do t’u kthehet në bumerang, ngase qytetarët nuk do t’i presin 20 vjet sikurse pushtetarët paraprakë, por do t’i ndëshkojnë pa hezitim në zgjedhjet e para.

Atyre që u mungojnë veprat në çlirimin e vendit, në shtetformim dhe shtetndërtim, e kanë të vështirë t’na bindin në kauzën e ç’kapjes së shtetit dhe çlirimit nga uzurpatorët pa veprime konkrete!