Xhevdet Shehu – Dita, 21 maj 2018
Pas disa ditësh, më 26 maj Partia Demokratike ka planifikuar organizimin e një proteste masive në Tiranë, me të cilën do të kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, pas një zallamahie prej dy javësh me përgjime dhe dëshmitarë të dyshimtë që implikojnë vëllain e ministrit. Sipas një lajmi të djeshëm, protesta është menduar të zgjasë 72 orë. Ky nuk është aspak një lajm i mirë. Pra do të fillojë në mëngjesin e datës 26 dhe do të mbarojë në mbrëmjen e 28-s. Madje, “me mundësi shtyrjeje. Në fillim, protesta do të përqendrohet përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, për të kaluar më përpara Kryeministrisë.”
Jemi mësuar me protesta të kësaj opozite. Por kjo e kësaj radhe tërheq vëmendjen si për kohën që zhvillohet, ashtu dhe për skenarët ogurzinj që mbart.
Për 20-vjeçarët e sotëm 26 maji është një datë e zakonshme dhe lideri demokrat, Lulzim Basha duket se i mallëngjen disa prej tyre me retorikën karakteristike të tij. Gjithsesi data është vendosur, edhe pse preteksti që përdoret për protestën është në hetim nga prokuroria dhe çështja nuk është zbardhur ende përfundimisht.
Mirëpo nuk është aspak e rastësishme caktimi i kësaj proteste në një ditë të tillë dhe kjo ngutje e opozitës për të dalë në shesh. Dhe justifikimi për opozitën është pikërisht data 26 e cila ka një histori të dhimbshme. Mbase edhe Bashës nuk i kujton gjë, pasi ka hyrë vonë në politikë dhe nuk i kujtohet se ç’ka ngjarë në këtë datë. Por shumicës së shqiptarëve iu kujtohet shumë mirë se ç’ka ndodhur 22 vjet më parë.
Sidomos këtë datë nuk mund ta harrojë udhëheqësi real i PD-së, Sali Berisha.
Gjithsesi po ia kujtojmë Bashës dhe rioshëve të tjerë si ai: 26 maji 1996 është një ditë e kobshme për shqiptarët. Është dita e masakrës më madhe zgjedhore që ka ndodhur ndonjëherë pas vitit 1990, është atentati më i madh që iu bë lirisë së këtij vendi dhe aspiratës për demokraci.
Se ç’ngjau më 26 maj 1996 në Shqipëri, tashmë është e qartë prej të gjithëve. Përmasat e atij krimi janë ende të parrokshme tërësisht. Sepse pas 26 majit erdhi kriza e firmave piramidale të fajdeve dhe pas tyre pranvera e përgjakshme e “97-s që e çoi vendin në pragun e një lufte civile, me rënien totale të shtetit, me mijëra viktima dhe vendin e ndezur flakë në të gjitha anët. Pasi kanë kaluar 22 vjet nga ajo ngjarje e kobshme, ndërsa janë bërë analiza të shumta, nuk është e vështirë të kuptohet se vitin e zi 97 e polli 26 maji.
Dhe autorja e masakrës së 26 majit 1996 është pikërisht ajo forcë politike që pas pesë ditësh, fiks 22 vjet më pas ka planifikuar një protestë masive në Tiranë. Protesta është menduar të zhvillohet pak metra larg Sheshit “Skënderbej” të cilin ajo e përgjaku 22 vjet më parë.
Retrospektivë e shkurtër
26 maji i atij viti nuk erdhi papritmas dhe brenda ditës. Masakra që ndodhi atë ditë ishte përgatitur me shumë kujdes prej kohësh, pasi PD në atë kohë në pushtet kishte parë rrokullimën e pandalshme nga njëra disfatë në tjetrën. Më 26 maj do të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme. Duke parandjerë një humbje të frikshme sipas të gjitha sondazheve, nën dirigjimin e Sali Berishës, mori të gjitha masat, mobilizoi SHIK-un e tmerrshëm, policinë dhe ushtrinë, forcat paramilitare të saj që ta mbante me çdo kusht pushtetin. Aq të marrë ishin arkitektët e masakrës, saqë e shpallën fitoren, madje shumë të thellë qysh në orën 12 të mesditës, kur nuk kishin shkuar të votonin as 20 për qind e votuesve. Ndërsa në mbrëmje u shpall fitorja e Partisë Demokratike mbi… 120 përqind!
Prandaj është i paharrueshëm 26 maji i ‘96-s. Por veç manipulimit gjigant që iu bë zgjedhjeve të asaj dite, ajo ditë do të mbahet mend për pasojat e dhimbshme dhe të pariparueshme të saj. Kështu për shembull është fiksuar dhe ajo që ngjau më 28 maj në Sheshin Qendror të Tiranës dhe më pas.
The New York Times, gazeta më e madhe amerikane, shkroi me këtë rast:
“Dhuna e sotme (e 28 majit) ka qenë më e keqja që është ushtruar qysh nga dallgët e saj në zgjedhjet dhe vëzhguesit me përvojë të tyre kanë thënë se ishte dhuna më e keqe që kanë parë në ndonjë vend të Europës Lindore apo në ish-Bashkimin Sovjetik, qysh prej fundit të komunizmit… Berisha është duke veshur parzmoren diktatoriale të ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha.”
Më 1 qershor Departamenti Amerikan i Shtetit, në një deklaratë për zgjedhjet në Shqipëri, nënvizoi:
Fatkeqësisht, këto zgjedhje u shënuan nga parregullsi, gjë që përbën një hap të rëndësishëm prapa nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1992.
Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kongresin Amerikan më 19 qershor, ligjvënësi demokrat Tom Lantosh, duke folur për zgjedhjet në Shqipëri, kërkoi që ato të zhvillohen përsëri.
Një ditë më pas, gjashtë kongresmenë të shquar, me në krye Josef Kenedin, i shkruanin Presidentit Klinton, ku këmbëngulnin që Shtëpia e Bardhë të lëshojë një deklaratë që të dënojë shkeljet elektorale në Shqipëri dhe të bëjë thirrje për zgjedhje të reja të menjëhershme nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.
Më 28 qershor, në komentin e Qeverisë Amerikane, thuhej:
Qeveria e SHBA është e mendimit se gjatë zgjedhjeve të 26 majit në Shqipëri ka patur parregullsi të rënda për të cilat duhen zhvilluar hetime të paanshme. Për këtë qëllim SHBA do të inkurajojnë qeverinë e Shqipërisë që të pranojë një mekanizëm ndërkombëtar për rishikimin e zgjedhjeve…
Megjithatë PD dhe Berisha ishin të pandalshëm. Thirrën me urgjencë parlamentin e dalë nga ato zgjedhje.
Por, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Tiranë nuk morën pjesë më 1 korrik në ceremoninë e hapjes së punimeve të parlamentit, që doli nga zgjedhjet e 26 majit. Vendi i tyre në lozhë atë ditë ishte bosh.
Por të gjithë e kuptonin shumë mirë, domethënien e këtij gjesti diplomatik. Ai lidhej padyshim me 26 Majin, me zgjedhjet që u zhvilluan në Shqipëri, vërtetësia e të cilave u vu menjëherë në pikëpyetje pas bojkotimit që u bëri opozita për shkak të parregullsive të mëdha dhe falsifikimeve që shumë shpejt do t’i pohonin edhe vëzhguesit e huaj dhe organizma e forume të larta ndërkombëtare. Qeveria Amerikane mbajti në këtë rast një qëndrim të palëkundur, duke mos u pajtuar me shkeljet që dhunuan votën e lirë të popullit. “Për SHBA çështja e zgjedhjeve të 26 majit nuk është mbyllur”, deklaroi diplomati amerikan në Tiranë Çarls Walsh, kur e pyetën se përse nuk shkuan të merrnin pjesë në ditën e parë të punimeve të këtij parlamenti.
Instinkti për të shkuar në vendin e krimit
Pse duhej ta linte opozita protestën e saj në ditën e 26 majit? Kur fare mirë mund ta bënte fjala vjen në datën 23 maj, apo në 30? Do të dukej më e sinqertë dhe më e besueshme opozita po të mos e kishte caktuar rebelimin e saj për më 26.
Mirëpo është e njohur aksioma se kriminelët shkojnë vetvetiu te vendi i krimit. Është një tërheqje intuitive instinktive, e brendshme, që në të vërtetë i dekonspiron ata. Është një gjest prej sfidantësh me dëshirën që u buron së brendshmi për të treguar se ç’janë në gjendje të bëjnë. Është një dëshirë sadiste për të bërë kështu…
Sikurse e thamë më sipër, 26 maji i 96-s Lulzim Bashës nuk i thotë gjë, pasi ka hyrë shumë më vonë nga ajo datë në politikë. Mirëpo, dihet se ligjin në opozitën aktuale nuk e bën Basha, por tjetër kush, Sali Berisha, që i di mirë këto punët e datave dhe ngjarjeve, madje është supersticioz ndaj tyre. Këtë refleks duket se ia ka ngjitur dhe pasardhësit të tij. Përndryshe, Basha nuk do të pranonte që protestat e tij të mbaheshin aty ku vranë katër qytetarë të pafajshëm më 21 janar 2011, kur ai ishte ministër i Brendshëm dhe vazhdon të jetë një nga të akuzuarit kryesorë ende të pandëshkuar për atë krim. Nuk duhej të pranonte as një vit më parë të ngrinte çadrën e partisë së tij tek ajo pjesë e bulevardit të skuqur nga gjaku i atyre viktimave.
Dhe ja tani PD do bëjë edhe protestën e 26 majit. Ka dy opsione për vendmbajtjen e saj: aty ku vrau më 21 janar para Kryeministrisë, ose para Ministrisë së Brendshme, vetëm pak metra larg sheshit që përgjaku 22 vjet më parë.
Të dy vendet na kujtojnë ngjarje të dhimbshme. Por PD ka logjikën, instinktet dhe intuitën e saj dhe është e palëkundur në këtë vijë sjelljeje prej afro tri dekadash. Nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur në këtë rast. Çudi e madhe do të ishte po të bënte ndryshe, pra po të kthehej në normalitetin ku nuk ka qenë asnjëherë.