Inatet personale, vetëvrasje kolektive për shqiptarët!

0
497
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 18.05.2020

Për dallim nga të gjithë popujt e botës, tek ne shqiptarët inatet personale barten në jetën shoqërore. Dëmet dhe pasojat e inateve personale më së keqi reflektojnë në jetën politike, duke u shndërruar nga inate personale të liderëve në urrejtje mes elektorateve politike.

Urrejtja e elektorateve partiake ka filluar të merrë permasat e një përçarje më të thellë kolektive shkaku i shprehjes së bindjeve politike në mënyrë primitive, e cila po kulmon me konflikte verbale dhe fizike.

Sikur bindjet politike të shpreheshin në mënyre civilizuese nga liderët partiak, nuk do të vinte deri tek përçarja dhe ndasitë e mëdha kolektive të shoqërisë sonë.

Mirëpo, për fatin e keq të qytetarëve, kur inatet personale të liderëve partiak e shtetëror manifestohen në mënyrën më vullgare dhe me një fjalorë rrugaçërie, reflektojnë përçarje të gjërë kolektive.

Gjuha e ashpër dhe fyese mes liderëve partiak, po përçohet negativisht tek elektoratet partiake, duke i kthyer inatet personale në një urrejtje kolektive mes kundërshtarësh politik, vetëm pse i takon një partie apo një mendimi tjetër politik.

Fyrjet e rënda mes liderëve partiak, me ose pa fakte, me ose pa arsye kanë ndikuar në polarizimin e skajshëm të shoqërisë sonë, të cilat jo rrallë kulmojnë me eskalim të situatave, me manifestim të dhunës fizike ndaj njëri-tjetrit.

Kontaminimi i skënës politike burimin e ka tek gjuha e ulët dhe denigruese e liderëve partiakë, duke i akuzuar partitë rivale si parti armike të këtij populli.

Pa depolitizimin e shoqërisë nuk hiqen polarizimet ndërpartiake!

Politizimi i shoqërisë i ardhur si produkt i polarizimeve partiake, ku si pasojë e kemi ndarjen dhe përçarjen e tmerrshme të popullatës në baza partiake dhe brenda partiake, ku secili e lufton secilin jo me idetë e veta, por sipas ideve të liderëve (liderit) partiak.

Shkaktar të këtij politizimi dhe përqarje të popullatës janë aktorët kryesor të skenës politike kosovare, të cilët kanë arritur ta shkatërrojnë bërthamën e shtetit-familjen.

Si pasojë e kësaj, sot në brendinë e së njëjtës familje, kush më pak e kush më shumë janë futur të gjitha partitë politike, duke i ndarë anëtarët e së njëjtës familje në disa parti politike.

Kësaj ndarje nuk i thuhet vlerë demokratike, por përqarje dhe katandisje deri në vetëshkatërrim të një shoqërie njerëzore.

Pra, bandat partiake kanë arritur aq thellë, ku popullatës kosovare përveq ndarjeve shoqërore, i shkaktuan edhe ndarje familjare, duke ia humbur kështu kuptimin edhe vetë jetës në Kosovë.

Politikanët pa etikë, pa integritet moral dhe njerëzor, e kanë rrënuar në themel shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve.

Distancimi qytetarë ndaj gjuhës së urrejtjes së liderëve partiak

Për ta shpëtuar shtetin nga katandisja e mëtutjeshme dhe evitimin e vetëvrasjes kolektive kërkohet një vetëdijësim i lartë qytetarë, për t’u distancuar nga gjuha e urrjetjes e liderëve partiak.

Për këtë kërkohet ndihma e intelektualëve të pavarur nga politika, për shkak se jo të gjithë qytetarët e përceptojnë realitetin në mënyrë të njejtë, varësisht prej pozicionit dhe kapaciteteve intelektuale. Nuk është se njerëzit nuk e shohin realitetin e hidhur në të cilin po jetojmë, por shkaku që nuk ju pëlqen, mundohen ta largojnë nga mendja e tyre duke imagjinuar mrekullinë edhe në zhgënjimin më të madh.

Duhet bërë çmos që arsyeja e shëndoshë ta mund urrejtjen e shkaktuar nga liderët partiak. Mendimin ndryshe të tjetrit mos ta kuptojmë ndryshe por vetëm si vlerë të demokracisë.

Secili ka të drejtë të thotë atë që e mendon pa e cenuar mendimin e tjetrit, duke i ruajtur gjithnjë raportet shoqërore, ndërfqinjësore dhe ndërvëllazërore, për shkak se partitë shkojnë e vijnë e ne duhet të mbetemi aty ku ishim para se t’na vinin këto parti dhe këta liderë partiakë, pra duhet të mbetemi një shoqëri e shëndoshë njerëzore, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit duke kultivuar traditat e bukura kulturore dhe zakonore të kombit tonë.

Vetëm kështu mund të dëshmohemi para botës se jemi njëri ndër popujt më të vjetër dhe më të civilizuar të gadishullit ballkanik.