IN MEMORIAM: SHUKRI SYLEJMANI (1962-2020) SHUHET BAMIRËSI – DRITËSON BAMIRËSIA

0
261
Shukri Sylejmani

Iku edhe Shuka në amshim! Lajm i pikëllueshëm për mua, për të gjithë ata që e kanë njohur, edhe për të gjithë të tjerët që i kanë prekur e përjetuar dorëdhënie të sinqerta të Shukri Sylejmanit… Shuka nuk jetoi vetëm për vete por, Ai jetoi edhe për të tjerët… Ndryshe mund të pohojmë “ishte shpirt i huaj” në kuptimin e plotë të fjalës bamirësi. Humanist e përkrahës i përhershëm i sportit në Gjilan, i veprimtarive sportive, kulturore dhe i luftës së UÇMB-s, i luftës së UÇK-s, i skamnorëve, sponsor librash e bëma të tjera, aq sa i ndodhi ta linte keq madje edhe vetveten e familjen e vet…

Shpesh herë i penguar në ndërmarrjet e tij, i kërcënuar e rrezikuar nga rivalë të ligj, Shukriu mbeti shpirt-gjerë, duke e ruajtur gjakftohtësinë, mirësinë, nuk u luhat asnjë herë nga vlerat dhe cilësitë njerëzore, të cilat i kishte të rrënjosura në thellësitë e karakterit të tij urtar. Ishte lehtë të komunikoje me Shukriun, sepse për hyrje në shpirtin e tij njerëzor nuk kishte porta, as dyer të mbyllura, kushdo që ia mësynte mund të hynte në shtëpinë e shpirtit Tij dhe të ndjehej i mirëseardhur…

Padyshim Gjilani humbi një njeri me vlera, ngase të mirat e Tij Ai nuk i baraspeshonte me përfitime pozitash, as postesh. Ai nuk i vardisej hierarkisë politike; nuk shtyhej me bërryla, nuk përdorte taktika përfituese për ngritjen personale… Madje, pas rënies së veprimtarive prodhuese të Tija, përjetoi krizën e papunësisë, ndonëse Shuka ishte inxhinier i diplomuar dhe, pikërisht këtu shfaqet dhimbja dhe faqe-bardhësia e Tij.

Shukri Sylejmanit i rrahu fort zemra për hallet e popullit të vet, por nuk e përdori demagogjinë për t`ia shprehur ato halle, sikurse e hasim dendur në mjedisin tonë, dhe, assesi ta mposhtim si dukuri të realitetit tonë të vrazhdë e hileqarë…Shuka shkoi me të mirat e Tij, besoj se la një shëmbëlltyrë për ta ndjekur, për t`i përngjasuar, për ta përtëritur në vazhdën e rrjedhave tona të rënda jetësore të shtet-bërjes e shtet-ndërtimit… Pastë dritë të përhershme kujtimi për bamirësin Shukri Sylejmani! Patëm fatin dhe nderin ta kemi të tillë, andaj pieteti për Shukriun është i lartë!

Mehmetali Rexhepi
Gjilan, më 23 shtator 2020