Imzot Frano Illia, njeriu që i kushtoi jetën kishës, kombit dhe kulturës

0
1085

Dossier nga Kastriot Marku

Duke e parë furinë e tërbimit mizor komunist, për t’a shpëtuar nga harresa një pjesë të historinë tonë, Imzot Frano Illia, pinjolli i breznisë së fundme të klerikëve katolikë shqiptarë, besnikë të binomit “Fe e Atdhe”, fatmirësisht na e ka lënë të administruar punën e tij.

Ai do ta paguante kushtimin e tij meshtarak, atdhedashurinë dhe punën e tij kërkimore e shkencore me dënimin me vdekje, që më pas ju kthye në 25 vjet burg, prej të cilave kreu 20 vjet. Në vijim do të shihet më së miri dashuria e madhe e tij prej meshtari, patrioti e dijetari për grigjën e vet njerëzore, fetare dhe kulturore.

Imzot Frano Illia, njëri prej prelatëve më të njohur të Kishës katolike shqiptare gjatë shekullit të shkuar, lindi në fshatin Juban të Nënshkodrës, më 21 shkurt 1918 nga prindërit Rrok Hil Illia dhe Shore (Roza) Mark Dema nga Gajtani.

U pagëzua ditën mbrapa më 22 shkurt të atij viti nga Dom Pashk Zojzi, ku edhe mori emrin Franush, e që do të thirrej shkurtazi Nush. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje ku edhe mori mësimet e para në qelën e Jubanit me mësues Karlo Shirokën. Duke qenë se daja i tij Dom Pjetër Dema, asokohe famullitar i Milotit, e donte fort, falë edhe faktit se kishte marrë një edukim fetar solit, i lindi thirrja meshtarake.

Hidhërimi dhe varfëria që la pas vetes Lufta e Parë Botërore, Franos së vogël i dhanë edhe më shumë forcën e thirrjes së brendshme meshtarake. Dom Pjetër Dema, e merr vesh dëshirën e të nipit, ndaj këshillon prindërit e tij, që edhe pse e kishin djalë të vetëm, i cili do të duhej të trashëgonte familjen, të mos e pengonin në zgjedhjen e tij. Dom Pjetri bëhet dorëzanë që nipin e tij ta dërgojë në Shkodër tek dy të afërm të tij, në mënyrë që të ndjekë kështu shkollën, duke marrë përsipër edhe një pjesë të shpenzimeve për shkollimin.

Studimet i nisi në Shkodër, fillimisht tek Kolegji Saverian i Etërve Jezuitë, ku edhe kreu klasën e dytë dhe të tretë fillore. Në vitin 1932, prindërit e tij shpërngulën nga Jubani në Shkodër, ku edhe marrin një shtëpi me qira. Franoja kreu klasën e katërt fillore duke gëzuar të qëndruarit në shtëpi së bashku me prindërit e tij punëtorë (babai si punëtor krahu dhe lulishtar, ndërsa nëna si endëse e pëlhurës), të cilët investuan gjithë mundin për fëmijën e tyre të vetëm, lindur mbas dy vajzave që kishin vdekur të njoma.

Më 4 nëntor 1932, Franoja nisi studimet në Seminarin Papnor të këtij qyteti, i regjistruar si rishtar i dioqezës së Zadrimës nëpërmjet ipeshkvit të saj Imzot Zef Gjinalit, ngaqë dioqeza e Durrësit, ku ai pati dëshirë të studionte nuk kishte vend. Këtu pati profesorë intelektualët më të njohur të qytetit të Shkodrës ndër të cilët edhe Dom Ndre Mjedën, si profesor të gjuhës shqipe, me këshillimin e të cilit në vitin 1935 mori emrin Frano. Aty fillon të studiojë vullnetshëm fillimisht gjuhën italiane, veçanërisht me një libër më titullin: Apparecchio alla morte të Alfonso Maria de Liguori-t, poezitë e Giacomo Leopartit etj. Në këtë kohë bashkë me seminaristë të tjerë themelojnë revistën e seminarit me titullin “Aurora Consurgens“.

Nga një artikull i revistës “La Civiltà Cattolica“ përkthen një jetëshkrim mbi jetën e Maria Goretti-t, artikull të cilin fillimisht e boton tek revista Kumbona e së Diellës, e më pas si botim më vete, duke shënuar kështu fillimit e veprimimtarisë të tij përkthimore, letrare e studimore. Në vitin e pestë gjimnaz më 26 dhjetor 1936, eprorët e seminarit i kërkojnë dajës së tij Dom Pjetër Demës që ta merrte Franon në Milot për ta mbajtuar afër e nën kujdes, për shkak të disa problemeve shëndetsore të dyshuara për turbekuloz dhe bazuar në këto dyshime, në prillin e vitit pasardhës e përjashtojnë nga Seminari me këtë arsyetim.

Me ndërmjetësim dhe kujdesin e dajës dhe në dakortësi me Arqipeshkvin e Durrësit me rezidencë në Delbnisht Imzot Pjetër Gjurën, Dom Pjetri merr përsipër t’i japë privatisht mësime filozofie dhe më 20 tetor 1938 jep provimin para komisionit të përbërë nga Imzot Pjetër Gjura, At Pashko Gjadrit S.J, e Dom Anton Zogajt. Imzot Gjura ishte interesuar dhe kishte gjetur gjatë kësaj kohe një bursë studimi për në Kolegjin Bringole Sale Negroni në Genova (Collegio Brignole Sale Negroni), Seminar Ndërkombëtar i Etërve Lazaristë dhe në fund të vitit 1938, Franoja vendoset në Gjenova. Aty gjen si studentë të teologjisë bashkëkombasit e vet Mark Gjani, Mark Bibaj e Zef Shpani si dhe Ndoc Ndojën në vitin e fundit të teologjisë, i cili sapo u shugurua meshtar u kthye në Shqipëri.

Ndërsa studionte në Genova, Shqipëria pushtohet nga pushtuesit italianë dhe ai së bashku me një grup studentësh shqiptarë e kundërshtuan këtë akt, gjë që bëhet shkak që ai të largohej si i padëshirueshëm, edhe pse studentët shqiptarë ishin ndër më të mirët në atë kolegj. I mbetur sërish pa mundur të studiojë rregullisht sipas thirrjes, kthehet në Shkodër dhe i drejtohet Kryeipeshkvit të Shkodrës Imzot Gaspër Thaçit dhe rektorit të Seminarit At Felice Chiesa me kërkesën që të lejohet të vijojë studimet. I thonë se për këtë gjë duhet të vendosë Delegati Apostolik Imzot Giovanni Nigris, i cili si proitalian që ishte, nuk dëshironte të jepte lejen për të ndjekur seminarin edhe pse Dom Frano shkon dhe e takon vetë personalisht.

I shkon në një takim famulliarit të Shkodrës Dom Mikel Koliqit, i cili me të marrë vesh problemin e pranon si ndihmës në zyrën e tij famullitare, dhe bash në këtë kohë sëmuret katekisti i shkollave fillore Dom Ernest Çoba, i cili e merr si asistent të vetin në përgatitjen e të rinjve për të marrë sakramentetet. I shfaqet ndërkohë sëmundja e syve të cilën ia identifikon përgjatë mësimeve profesori i Matemamatikës Injac Zamputi dhe detyrohet të vendosë syze. Vetëm pas kërkesës së përsëritur me ndërhyrjen e At Felice Chiesa dhe të dajës së tij, Imzot Leone Nigris bindet dhe lëshon lejen përkatëse për të ndjekur seminarin, lajm të cilin ia komunikon Imzot Frano Gjini, Ipeshkvi Abat i Mirditës.

Kryen një vit tjetër, duke rimarrë edhe një herë filozofinë, leksionet e së cilës ia jepnin At Mark Harapi S.J. dhe At Giovanni Fausti (Rektor i Seminarit), dhe vitin pasardhës hidhet në vitin e dytë teologji, duke iu njohur kështu studimet e kryera në Genova. Gjatë gjithë kësaj periudhe studimore, Dom Frano pati si at shpirtëror të tij At Giacomo Gardini S.J. Në verën e vitit 1943, shkon dhe asiston dajën e vet Dom Pjetrin në përgatitjen e kandidatëve për krezmim në Famullinë e Milotit dhe më 18 dhjetor 1943, mbasi kishte studiuar në shkolla të ndryshme fetare, duke kapërcyer pengesa të shumta shëndetsore dhe administrative u shugurua meshtar përmes duarve të Imzot Vinçenc Prennushit O.F.M, Kryeipeshkëv i Durrësit, në Kishën e Seminarit në Shkodër, që do të pasohet më pas me kremtimin e meshës së parë po në këtë qytet.

Më 28 tetor 1944 në kulmin e luftës së Tiranës, emërohet nga Imzot Prennushi në cilësinë e zëvendësfamullitarit pranë famullisë së kryeqytetit ku asokohe famullitar ishte Dom Shtjefën Kurti. Për një kohë të shkurtër gjatë bombardimeve të luftës ai u strehua në bodrumin hospicit të kishës së Shën Antonit, ku ishte rektor At Viktor Volaj O.F.M, i cili jetonte fshehurazi nga përndjekja e komunistëve për shkak se kishte qenë sekretar i regjentit At Anton Harapit O.F.M. Aty në bodrum përktheu në gjuhën shqipe „Ungjillin sipas Markut“. Më 04 maj 1945, përveçse si ndihmësfamullitar, emërohet mësues i besimit për gjashtëmbëdhjetë shkollat fillore të Tiranës.

Imzot Frano Ilia në gjyqin komunist

Po atë vit Imzot Prennushi e emëron famullitar në Shna Prende të Kurbinit, dikur Selia e Dioqezës së Arbnit dhe më pas Selia e Arkidioqezës së Durrësit. Më 11 tetor niset në atë famulli, nga ku i duhej të mbulonte me shërbim meshtarak Gallatën, Famullinë e Shna Vlashit në Skuraj me tre lagjet e saj (Mshet, Ferrë-Skuraj, Shkopet); Malin e Bardhë, Daulën, Selitën, Kuqnën dhe Lesterin. Me dekretin e ripërtërirë të datës 27 korrik të vitit 1949, nga vikari Imzot Pjetër Dema i vihet në ngarkim edhe mbarështimi i Delbnishtit. Në Shna Prende do ta ndiqnin, për të mos u ndarë kurrë edhe të dy prindërit e tij, të cilët lanë Shkodrën për t’i bashkuar djalit tyrë të vetëm. Dom Frano kryente shërbimin meshtark rregullisht në të gjithë fshatrat sidomos ndër festa të mëdha si për Pashkë, Këshndella e të Shuma.

Mësimet katekistike i jepte gjatë periudhës pranverë-verë. Në verën e vitit 1947, organet qeveritare vendore të Krujës i sekuestruan të gjitha pasuritë e tundshme personale dhe ato të ish-seminarit të Shna Prendes (karrige, banka, tavolina, tufën e dhive, si dhe një orë muri të cilën ia kishte bërë dhuratë Dom Erbesto Çoba, kumbari i meshtarisë ditën e shugurimit e që komunistët e Krujës pasi e morën e vendosën në Komitetin e tyre në Krujë), duke ia vështirësuar jetesën vetë i pestë (përveç dy prindërve kishte në ngarkim edhe një rrogëtar dhe një person jetim me aftësi të kufizuara). Pas tetë vjetësh shërbim baritor në Shna Prende, në një territor gjeografik mjaft të hapur e të vështirë, në të cilin fillimisht iu desh të udhëtonte më një kalë të huazuar nga Dom Pal Gjini deri sa do të blinte një mushkë të veten. Në vitin vitin 1952, Imzot Pjetër Dema e emëron famullitar të Milotit. Miloti, Skuraj, Gallata e Delbnishti mbeten sërish vendbanimi i tij.

Gjatë kësaj kohe kryen edhe detyrën e sekretarit të Kurjes Kryeipeshkvore të kryesuar nga Imzot Pjetër Dema, detyrë të cilën e kreu edhe kur detyrën e ipeshkvit e mbulonin kapitullarët Dom Luigj Gashi, famullitar i Gurëzit, Dom Zef Bici, famullitar i Tiranës, dhe kur ky u burgos Dom Ndoc Sahatçia. Gjatë kohës që ishte famullitar në Shna Prende dhe Milot, Dom Frano në shembullin e pararendësit të tij në Kurbin, At Shtjefën Gjeçovit O.F.M. nis mbledhjen e dokumentacionit historik të botuar dhe atij arkivor kryesisht nëpër regjistrat kishtarë që kishin shpëtuar si Status Animarum, por edhe në terren si copëza tregimesh historike, gojëdhëna, mikrotoponiminë (toponiminë e imtë) dhe etnoniminë, traditën zakonore juridike të zonës, me një fjalë ai mblodhi të gjithë pasurinë e kulturës tradicionale të krahinës së Kurbinit.

Imzot Frano Ilia në gjyqin komunist

Punën më të madhe e kreu në mbledhjen e “Zakonit të Kurbinit”, të cilën e kreu me nxitjen e etnografit Rrok Zojzi, asokohe punonjës në Sektorin e Etnografisë, pranë Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, i cili e ftoi Dom Franon si bashkëpunëtor të jashtëm. Veprën në fjalë erdhi duke e zgjeruar dhe i dha titullin Kanuni i Skënderbeut , me mbi 700 faqe, të cilën pasi e përfundoi e dorëzoi pranë Institutit në fjalë. Vepra e shtypur u shumëfishua në shtatë kopje dhe u shqyrtua nga një komision ekspertësh të atij instituti i përbërë nga Ismet Elezi, Emil Tedeskini dhe Vangjel Meksi dhe bazuar në vërejtjet përkatëse u gjykua dhe u vlerësua për botim, gjë që nuk u realizua, por që nuk iu kthye as autorit mbasi ky i fundit u arrestua.

Për më tepër dorëshkrimi u përvetësua pa ju njohur e drejta e autorësisë, pa u paguar puna e kryer dhe u shfrytëzua si literaturë dorëshkrimore pa u cituar kurrë autori i tij. Gjatë kësaj kohe (1953-1967), ai shkroi një historik të Kurbinit, historikun e famullisë së Milotit si dhe përktheu nga latinishtja pjesën më të madhe të vëllimit të VII të veprës Illyricum Sacrum (1817) të Daniele Farlati-t, që kishte subjekt territoret e dioqezave kishtare shqiptare brenda kufirit zyrtar të shtetit shqiptar, posaçërisht pjesën: Shkodra me sufraganet e saj dhe Durrësin me sufraganet e tij, me idenë që të përkthehej edhe pjesa tjetër e të njëjtit vëllim; Tivari me dioqezat sufragane si dhe një pjesë e vogël e volumit VIII, pjesa për Arqipeshkvinë e Shkupit.

Përgjatë kohës kur nga ana e regjimit komunist imponohej miratimi i Statusit të Kishës Katolike, i cili e parashihte domosdoshmërisht organizimin e hierarkisë kishtare brenda vendit, të pavarur nga Selia e Shenjtë, („Kisha katolike shqiptare nuk mban me Papën asnjë marrëdhënie organizative, ekonomike ose politike“, shih: „Statuti i Kishës Katolike të Shqipërisë“, Neni 1), Dom Franoja në diskutimet rreth kësaj çështjeje kishte qenë deklaruar kundërshtar i kësaj ideje e cila natyrisht binte në kundërshtim me unitetin e kishës, sikurse e kishte projektuar qeveria e regjimit të Tiranës.

Imzot Frano Ilia në gjyqin komunist

Të detyruar përballë presionit të jashtëzakoshëm të qeverisë, Dom Frano vetë i 64-ti e firmosën me shpirt ndër dhëmbë këtë Status të pprecedentë më 26 qershor 1951. Po ashtu një element shtesë për të cilin Dom Franoja ishte vazhdimisht i mbikëqyrur dhe i mbajtur nën vëzhgim ishte fakti se ai jetonte e punonte në Kurbin, krahinë e cila ishte e pabindur ndaj regjimit komunist. Në verën e vitit 1946 ishte arratisur gjeneral Prenk Pervizi (1897-1977), dhe listës prej 17 të arratisurve dhe dhjetëra të tjerëve që kishin dalë në mal nga fshatrat që ishin nën juridiksionin e famullisë së tij, regjimi u frikësohej jashtë mase, ndaj Dom Frano mund të ishte një pikë referimi tek i cili ata do të kërkonin bashkëpunim.

Për fat të mirë kundërshtarët e regjimit e dinin këtë fakt, ndaj nuk iu afruan famullitarit për të mos lënë ndonjë shkak që ai të vuante për shkak të tyre e në këtë mënyrë ata edhe e mbrojtën. Por nuk qe e mjaftueshme as kjo. Më 19 shkurt 1967, kremtoi meshën e fundit dhe 2 ditë më pas, të martën më 21 shkurt, atë ditë kur mbushte 49 vjeç, Dom Franoja pa me sy derdhjen e tërbimit komunist në kishën famullitare. Më në fund do t’i vinte radha edhe atij vetë. U arrestua të paraditën e së shtunës më 23 shtator të vitit të kobshëm 1967.

Në vendimin për arrestimin përkatës, arrestimi i lëshuar nga prokurori i përgjithshëm i Republikës Popullore të Shqipërisë, Lefter Gega si dhe si dhe në venndimin përkatës për fillimin e çështjes penale të lëshuara në të njëjtën datë, më 22 shtator 1967 hetuesi i Ministrisë së Brendshme Ilo Papa konstatonte se Frano Illija “…duke qenë element armik i pushtetit popullor ka agjituar dhe propaganduar per kunder pushtetit popullor në persona të ndryshëm, duke kryer kështu krimin e parashikuar nga neni 73/I i Kodit Penal.”

Materialet hetimore depozitohen në dosjen me numër 575 të hapur enkas e që mban të shkruar mbi kapak “Materialet e të pamndehurit Frano Illiaj”. Në kontrollin e personal, sipas proces-verbalit përkatës të mbajtur me datën 23 shtator 1967, iu gjetën dhe iu morën.

  1. 530 (pesëdìqind e tridhjetë) lekë
  2. Një orë dore e markës “Langines” me fushë të bardhë, trup të bardhë, me rryp të zi, e përdorur.
  3. Një çakmak vendi ngjyra e bardhë
  4. Një pasaportë personale me Nr. 017461
  5. Një krehër “perlen”
  6. Një portofol meshini ngjyrë vishnje
  7. Një rryp mesi lëkurë e zezë i përdorur
  8. Një stilograf blu i përdorur në majën e të cilit shkruhet fjala “aurora”
  9. Një shami duarsh ngjyrë blu me kuadrata.

Pasi është mbyllur proces-verbali me numër rendor 9, është shënuar me shkrim dore : “një palë syza së bashku me kutinë e tyre”. Proçesverbali mbyllet me nënshkrimet e të arrestuarit Frano Illisë, hetuesit Ilo Papa dhe asistuesve Elham Gjika dhe Koço Josifi, të cilët sikurse do shohim do të jenë hestuesit e tij xhelatë që do e marrrin përduarsh përgjatë gjithë procesit hetimor.

Pas kontrollit personal përpilohet një tjetër vendim për kontrollin e banesës sepse konstatohet se “dyshohet të ketë materiale të fshehura me përmbajtje armiqësore, gjetja e të cilave ndihmon në sqarimin më të mirë të çështjes dhe shërbejnë si prova materiale konform nenit 73 të Kodit Penal”. dhe menjëherë pas këtij vendimi vjen ai mbi masën për sigurimin e pasurisë, konform nenit 127 të Kodit të Procedurës Penale.

Imzot Frano Ilia me papën Gjon Pali II

Në proçesverbalin përkatës të kontrollit të banesës të mbajtur në të njëjtën datë (23 shtator), teksti i së cilit është i shkruar me shkrim dore, të nënshkruar nga hetuesi Ilo Papa asistuar nga Koço Josifi, Qemal Karamani, Selman Kasmi (ky i fundit kryetar i Këshillit popullor të katundit Milot, si dhe motrës Pelegrina Kallmeti, që paraqitet si e zonja e shtëpisë u morën sendet e poshtshënuar:

  1. Një bllok me kapak kartoni që në faqen e parë të të cilit shkruhen fjalët “kronikë, viti 1953.
  2. 3 (tre) copë blloqe me shënime të ndrysshme
  3. 6 (gjashtë) copë kartolina që i dërgohen nga persona të ndryshëm
  4. 1 (një), kalendar kishtar i vitit 1942
  5. 1(një) biografi e Zef Bicit
  6. 14 (katërmbëdhjetë) copë letra të ndryshme
  7. 1 (një) bllok shënimesh me kapak blu, prej letre, kapak fletoresh.
  8. 1 (një) album fotografik me një sasi fotografish të ndryshme. Vjon më pas po me shkrim dore inventari i materialeve dhe orendive shtëpiake të dhomës si dhe i veshjeve personale të Dom Franos, listë e cila mbyllet me numër rendor 17, materiale të cilat i lihen nën ruajtje Pelegrina Kallmetit.

Pas 8 muajsh hetuesi, shoqëruar kjo me cinizëm, fyerje, përbuzje, rrahje e turtura nga më çnjerëzoret, më 1 prill 1968 dosja hetimor në ngarkim të Dom Frano Illisë Dom Zef Bicit, Dom Mark Hasit, Dom Mark Dushit At Gegë Lumës, Alfons Radovanit dhe Kol Marlacajt, nga prokurori i rrethit Shkodër Faik Minarolli, i përcillet për gjykim Gjykatës së Qarkut Shkodër.

Më 25 prill 1968, pas 4 ditësh gjykimi në Kishën e Motrave Stigmatine në Gjuhadol në Shkodër, në pretencën e prokurorit kërkohej kjo masë dënimi: “I pandehuri Frano Ilia, për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, i kryer në formën e spiunazhit, në bazë të nenit 64-14 të Kodit Penal me vdekje me pushkatim; për krimin e agjitacionit dhe të propagandës kundër pushtetit popullor në bazë të nenit 73/1 e 14 të Kodit Penal me 10 vjet heqje lirie, duke bërë bashkimin e dënimeve, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, kërkoj dënimin e tij me vdekje me pushkatim, me konfiskim të pasurisë dhe me humbjen e të drejtave elektorale në bazë të nenit 27 të Kodit Penal për 5 vjet.”

Gjykata e Qarkut të Shkodrës e përbërë nga Nuri Resmja (kryetar), Marije Zef Gjoni (ndihmësgjygjtare) dhe Gjergj Mark Doda (ndihmësgjygjtar) e shpalli fajtor dhe nën aprovimin e duartrokitjeve e turpshme të publikut në sallë dhe pjesës tjetër jashtë saj që e ndiqte me altoparlantë të vendosur enkas vendosi:

Të pandehurin Frano Illia, për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, ie dënon me vdekje me pushkatim, me konfiskim të pasurisë së tij e me heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë, për krimin e agjitacionit e propagandës e dënon me 10 vjet heqje të lirisë.

Duke bërë bashkimin e dënimeve përfundimisht me vdekje pushkatim, me konfiskim të pasurisë dhe me heqjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.” Së bashku më të u dënuan me masat e dënimit përkatëse edhe Dom Zef Bici, Dom Mark Hasi, Dom Mark Dushi e të tjerët. Ndërsa dy të parët u ekzekutuan, Dom Frano dhe Dom Mark Hasi u dënuan me 25 vjet, ky i fundit vdiq në burg. Mjaft interes paraqesin shënimet e tij autobiografie, në të cilat janë përshkruar kujtimet plot dhimbje për shkak të dhunës dhe turturave fizike e shpirtërore të ushtruara mbi të përgjatë kalvarit.

Kur i sollën për të firmosur një kërkesën ankimore për falje të jetës, përpiluar nga zyra e ndihmës juridike ditën mbas më 26 prill 1968, ku shkruhej se gjoja prifti jubanas në këmbim të saj mohonte fenë se gjoja kjo e kishte paisur që në fëmijëri me një „edukim regresist“ i cili i kishte „ushqyer konceptet reaksionare“, dom Franja shkruan me stilolaps se „Përsa i përket besimit, jam besimtar por me ndërgjegje të pastër do t’i shërbej Atdheut“, shlyen gjithçka në fjalinë që aprovonte mohimin e fesë prej tij, duke lënë vetëm rreshtin e fundit: Lypi mëshirë.

Edhe Gjykata e Lartë „Kolegji Penal“ e përbërë nga Aranit Çela, Hajri Shehu dhe Sybhi Dedei, pas marrjes në shqyrtim të çështjes penale nr. 65 në ngarkim të të pandeurve të përmendur në seancën e hapur të datës 6 maj 1968, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 16, datë 25 prill 1968 të Gjykatës së Qarkut Shkodër. Dom Franoja do të deklaronte publikisht se “Edhe sikur të më premtojnë njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë”.

Dihej që Dom Franoja kishte punuar përplot 22 vjet pandërprerë në gjurmimin e historisë shqiptare, etnologjisë, gjuhësisë e folkloristikës, posaçërisht në Kurbin, mu në zemrën e Arbnit, ndaj dorëshkrimet e tij praqisinin interes. Për këtë qëllim, më datën 18 tetor 1967, nga punonjësi i Arkivit të Shtetit Dhimitër Andoni, mbahet prosecverbali i marrjes (konfiskimit) të bibliotekës personale të Dom Frano Illisë.

Ja teksti i procesverbalit: Proces-Verbal
I mbajtur me datën 18 tetor 1967, në qytetin e Milotit nga unë punonjësi i Arkivit të Shtetit Dhimitër Andoni, me pjesmarrjen e shokëve Elham Gjika, hetues në Ministrinë e P. të Brendshme, Xhemal Kapllani, punonjës në D. P. të Brendshme Kruje, Selman Kasmit, Kryetar i Këshillit Popullor të lokalitetit të Milotit dhe të zonjës së shtëpisë Pelegrina kallmetit, në shtëpinë e të arrestuart Frano Illija, morëm bibliotekën personale të t’ arrestuarit materialet e poshtshënuara:

  1. 5 tuba letër të milimetruar që përmbajnë skica të kishave dhe të kalave të vjetra.
  2. Një zarf me harta të ndryshme të Europës.
  3. Një dosje me studime për Kurbinin, Famullinë e Shna Prendes dhe skeda të ndryshme.
  4. Një përkthim shqip me titull “Mbi ardhjen e Elis në mbarim të botës”.
  5. Një përkthim Ungjilli
  6. Një fletore me punime të ndryshme e përkthime të Gaspër Gurakuqit.
  7. Fjalë të urta të mbledhura nga Gaspër Gurakuqi.
  8. Një zarf me një punim të Gaspër Gurakuqit me titull “Njoftime mbi Kuran e Islamizëm”.
  9. Një punim i daktilografuar mbi viset e ndryshme të Zadrimës.
  10. Një fletore me titull “Mishelanija” e Gaspër Gurakuqit.
  11. Një fletore “Studim për gjuhën shqipe nga Gaspër Gurakuqi.
  12. Një shqyrtim mbi hebrejt.
  13. Kodi i Tagrit Kanonik.
  14. Një sasi predikimesh fetare. Një fletore.
  15. Pjesë të ndryshme nga përkthimi i Farlatit, në 6 fletore.
  16. Pes fletore me kujtime të ndryshme.
  17. Një përkthim “Zoja e Lurdës”.
  18. Një fletore me shënime mbi kontrollin e kishave.
  19. Një dosje me materiale folkloristike.
  20. Një libër pagëzimesh.
  21. Një fletore me titull “Mrekulli me Fatimen”.
  22. Një dosje me kalendar fetar dhe një punim mbi Kurbinin.
  23. Një dosje me predikime fetare.
  24. Një dosje me punimin mbi zakonin e Kurbinit.
  25. Një dosje m kopje të përkthimit shqip të Letrave të Shën Pal Apostolit.
  26. 12 fletrore me shenime toponomastike për fshatra të ndryshme të rrethit të Krujës.
  27. Një dosje me disa shënime mbi origjinën e Familjes Illiaj.
  28. Një pako me skeda për fjalorë.
  29. Një fletore me kopje të letrave të Shën Palit dhe komenti i saj.
  30. 5 fletore me rregulla të ndryshme kishtare.
  31. Një dosje me korrespondencën kishtare.
  32. Një dosje me studime të ndryshme, fshatrat e Krujës.
  33. Një punim mbi famullinë e Bizës.
  34. Një zarf me dorëshkrime të vjetra Turqisht e Italisht.
  35. Një dosar me përkthimin e Historisë Kishtare të Ilirisë prej Danijel Farlatit.
  36. 20 dorëshkrime mbi studimin “Skënderbeu nëpër Kurbi”, kulti i Zott të diellit në Ilirin para kristjane etj.
  37. Një fashikull me studime të ndryshme.
  38. Një material mbi zakonin e Kurbinit.
  39. Një sasi skedash të ndryshme.
  40. Një kuti me punime të ndryshme historiko-fetare.
  41. Një punim mbi ndryshimet ndërmjet kanuneve të Skënderbeut dhe të Lek Dukagjinit.
  42. 8 copë fjalorë të ndryshëm në gjuhë të huaja.
  43. 5 copë gramatika të gjuhëve të huaja.
  44. 46 copë libra të ndryshme fetare në gjuhë të huaja.
  45. 39 copë libra dhe historikë shqip të botuara para çlirimit.

Tjetër gjë nuk u muarr nga ana jonë. Proces verbali u mbyll me numër rendor 45 dhe mbasi u lexua u firmos nga të pranishmit. Gjithashtu u pyet dhe e zonja e shtëpisë Pelegrina Kallmeti nëse kishte ndonjë ankesë dhe deklaroi se nuk kishte asnjë ankesë.

Marrësi i bibliotekës
(Dhimitër Andoni)

Të pranishmit
(Xhemal Kapllani) (Elham Gjika), (Selman Kasmi).

E Zonja e shtëpisë (Pelegrina Kallmeti).

Dom Franoja, u lirua nga burgu më 12 prill 1986, mbas një falje të papritur dhe u vendos në qelën e Milotit, ku jetonte Motër Pelegrina Kallmeti, e cila kishte ardhur në Milot që në qershorin e vitit 1960 dhe qe i vetmi person që u interesua për Dom Franon sa kohë kur ky i fundit ishte i burgosur. Mbasi përjetoj përbuzjen e komunistëve, për shkak të mosgjetjes së një banese të përshtatshme, në vitin pasues Dom Frano shkoi tek disa të afërm të tij në fshatin e lindjes në Juban, ku edhe jetoi deri më 24 shkurt 1991, sikurse edhe Motër Pelegrina, e cila shkoi të jetonte tek disa të afërm të saj në Shkodër.

Me të dalë nga burgu ai nisi fshehtas të ndajë sakramentet e shenjta; të rrëfejë, pagëzojë, lidhë në kurorë martese vajojë të sëmurë në Juban, Milot, Laç e fshatrat e Kurbinit dhe të gjitha këto i regjistronte me kujdes në fletoret e tij. Mbas meshës së parë publike të 4 Nëntorit 1990, të udhëhequr prej Dom Simon Jubanit, më 11 nëntor 1990, Dom Frano Illia kremton meshën e parë në Juban dhe në shkurt 1991, kremton meshën e parë pas 24 vjetësh në Milot, në kishën e cila ishte kthyer në shtëpi kulture, e që të rinjtë e Milotit e hapën forcërisht për të celebruar Meshën e Shenjtë. Gjatë kësaj kohe Dom Frano celebroi dy meshë të mëdha publike në varrezat e Milotit (dikur Kisha e Shën Izës) më 24 shkurt 1991 dhe më 2 nëntor 1992, në të cilat mori pjesë një masë e madhe e besimtarëve të kësaj famullie, nga qyteti dhe të gjitha fshatrat, si një dëshmi e rilindjes shpirtërore dhe si një ritakim i përmallshëm me famullitarin e vuajtur.

Gjatë vitit 1992, falë disa misionarëve të huaj vullnetmirë shkoi në Itali për të kryer disa vizita mjekësore, sepse burgimi i gjatë i kishte lënë pasojat e tij. U ndal në Brescia i ftuar prej famullitarit të Beatro Palozzolo, Dom Michelangelo Braga. Aty falë kushteve të mira, Dom Frano punoi pa pushim për të sistemuar një pjesë të materialeve të pabotuara dorëshkrimore, ndërkohë që më 24 Dhjetor 1992, natën e Krishtlindjeve, Selia e Shenjtë e emëron Ipeshkëv, për t’u shuguruar nga vetë Papa Gjon Pali II (Karol Ëoytila) në vizitën apostolike historike të bërë në Shqipëri më 25 prill të vitit 1993, për rastësi pikërisht në ditën e përvjetorit të dënimit të tij me vdekje më 25 prill 1968. Më këtë rast Imzot Frano Illia emërohet Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Dioqezës së Lezhës, Sapës dhe Abacisë së Oroshit në Mirditë.

Tashmë ishte Kryeipeshkvi i parë Metropolit i pas-diktaturës në Arkidioqezën e Shkodrës, prelati më i lartë në hierarkinë kishtare shqiptare, një ngjarje kjo me përmasa dhe rëndësi të jashtëzakonshme duke llogaritur se qe nisur të përfundonte jeta e tij, e cila shënonte ripërtërirjen me këtë akt të Selisë së Shenjtë të Hierarkisë së Kishës Katolike Shqiptare tashmë e rilindur nga Hiri dhe përbërë tashmë nga katër ipeshkëvij: Dom Frano Illia (1918-1997), Dom Robert Ashta (1918-1998), Dom Zef Simoni (1928-2009) dhe Dom Rrok Mirdita (1939-2015).

Megjithëse në këtë pozicion të lartë, Imzot Frano Illia ruajti thjeshtësinë e nji prifti katundi të një famullie periferike. Ai rrethohej vazhdimisht në mënyrë mbresëlënëse prej dashurisë së popullit të thjeshtë, për të cilin punoi dhe e kultivoi gjithë jetën më mënyrën e tij krejt origjinale. Ai priste në zyrën e Kurjes si një zotëri i vërtetë të gjithë dhe njëlloj, pa as më të voglin privilegj kortezie, si besimtarë fshatarë të ardhur nga larg, qytetarë vendas dhe autoritete vendore, arsimtarë, artistë, juristë, ateistë, ministra, deputetë e kjo ia shtonte atij popullaritetin.

Imzot Franos i shkuan në zyrë madje edhe dëshmitarë që kishin dëshmuar kundër tij e sivëllerërve të tij, e ai do të pohonte qetësisht thuajse në mënyrë proverbiale: “T’lum Ju që na s’jena si ju hakmarrës, se po të ishim si Ju nuk do të ishit gjallë sot“. Tonin Alia pohon se dëshmitari i sipërthënë kishte ardhur për t’i kërkuar ndihmë për kurim, Imzot Franos për fëmijën e djalit, dhe Imzot Franoja bëri çmos që të ndërmjetësonte përmes bamirësve të huaj që fëmija të dërgohej për kurim jashtë vendit. Më 27 nëntor 1995 merr titullin “Profesor” nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor, ndërsa bashkia e qytetit të Shkodrës pak kohë para se të ndërronte jetë i dha titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.

Dom Frano Illia ishte shembulli i meshtarit të devotshëm i bindur në zgjedhjen që kishte bërë me ndërmjetësinë e Provanisë Hyjnore, ndaj ai shërbeu me devocion dhe shpirt flijimi ndaj Zotit dhe me shumë dashuri ndaj njerëzve, në dispozicion të të cilëve vendosi të gjitha fuqitë e tij morale, njerëzore intelektuale e kulturore. Ai ishte dëshmia më e mirë, shembullore e njeriut besnik të traditave më të mira kulturore të trashëguara nga të parët, që rezistoi me një heshtje heroike përballë valës së egër të persekutimit gjatë periudhës së diktaturës komuniste e cila derdhi gjithë përbuzjen, nëpërkëmbjen, fyerjen, poshtërimin, rrahjen dhe torturat më të rënda dhe të papajtueshme me çdo normë e çdo të drejtë njerëzore, e cila e mori përpara pa as më të voglën mëshirë, që e dënoi së pari me pushkatim e mandej me burgim të përjetshëm e që u shndërrua më pas në një burgim të mundimshëm e tejet të gjatë.

Kush e ka njohur Dom Franon e kujton atë si nji burrë të urtë, të virtytshëm, të përvuajtur e punëtor i palodhur, një njeri të butë e të devotshëm. Dom Frano Illia sikurse paraardhësit e tij Imzot Lazër Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Vinçenc Prennushi, la pas vetes shembullin e apostullit të ekumenizmit, të meshtarit bashkëpunues, punëtor i paqes dhe i dialogut, që predikoi dhe faktoi me vepra vëllazërinë e sinqertë dhe ruajtjen e bashkëjetesës mes bashkësive fetare në Shkodër e në të gjithë Shqipërinë. Shembulli më i mirë për këtë ishte organizimi me nismën e tij personale të mbrojtjes së ndërtesave të kultit të qytetit verior të Shkodrës në vitin 1997, duke ftuar përfaqësuesit e bashkësisë islame të ruanin Kishat e duke nisur meshtarët e vet në mbrojtje të xhamive të qytetit. Tregon Tonin Alia, sekretari i tij në vitet 1993-1997.“Në kohën e çmendurisë së vitit 1997, kur i gjithë vendi e Shkodra shkrumonte prej flakëve, edhe pse nuk kishte shtet, kishte ende ish-sigurimsa.

Aty rreth orës shtatë të darkes, u hap fjala se duen me “hedhë në erë xhaminë”, një pretekst që kërkonte me fut vllavrasjen në ato ditë të liga. Imzot Franoja më thirri aty nga ora 9 e darkës e me thotë “ …shko e merr makinën se unë e dom Michelangelo do t’shkojmë te xhamia e do të flejmë atje. Ata që dojnë me hedhë në erë xhaminë kanë me më hedhe në ere edhe mue” E kështu u bà. Shkuam me Imzot Franon tek xhamia e qëndruem aty deri mbas mjesnate. Prania e tij aty ishte domethanëse ç’ka la me kuptue se katolikët ishin të gatshëm me mbrojtë me jetën e tyre shtëpinë e vllaznëve të tyne muhamedanë.”

Kjo ishte dhe mbetet ende edhe sot një nga ngjarjet më të veçanta të historisë së shkuar dhe asaj moderne të kombit shqiptar. Imzot Frano Illia ishte shembulli i intelektualit vizionar, edukuar me përgjegjshmërinë qytetare për t’i shërbyer Fesë, Atdheut dhe Kombit, e që ia kushtoi gjithë jetën Elterit dhe kulturës kombëtare. Imzot Frano Illia kaloi në amshim në krahët e Tonin Alisë (sekretari i dytë) ditën e mërkurë më datën 22 tetor 1997 në orën 09 e 47 minuta. Imzot Illia pati deri në fund ndihmën e sekretarit të tij besnik Don Michelangelo Bragës, italian nga Brescia-s, i cili u kujdesua për të deri në çastet e fundit të jetës së tij tokësore. Ai çiltërsisht do të deklaronte se: “shtetësinë shqiptare ma dha Dr. Berisha, ndërsa shqiptar më bëri Imzot Frano Illia”. Ishte ai që u kujdesua që disa nga veprat e tij të shihnin dritën e botimit.

Mons. Frano para së gjithash ishte meshtar i vlertë dhe po aq i tillë edhe si njeri kulture, historian, filolog, etnograf, arkeolog, poet, prozator, përkthyes etj. Këtë e dëshon vepra e tij e botuar dhe ajo e lënë në dorëshkrim e papërfunduar.

Ai shkroi dhe përgatiti për botim katekizma, libra me këngë fetare, vepra letrare, studime, përkthime të llojeve të ndryshme. Menjëherë mbas daljes nga burku, Dom Franoja interesohet përmes disa letrave tek Akademia e Shkencave, kryetari i saj Aleks Buda dhe deri tek udhëheqësi i shtetit komunist Ramiz Alia, për kthimin e dorëshkrimit të Kanunit të Skënderbeut, i cili u arrit të nxirrej që andej vetëm në vitin 1992, pas shumë pengesave e peripecive të pallogaritshme e të njëpasnjëshme së bashku me një pjesë fare të vogël të dorëshkrimeve të veta, pjesa më e madhe e të cilave gjenden të depozituara në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, ndërsa një pjesë e mirë e tyre ka humbur pa lënë asnjë gjurmë. Kanuni i Skënderbeut u botua në Breshia në vitin 1993 me ndihmën e meshtarit italian, njëkohësisht mik i Dom Franos, Miechelangelo Braga.

Ajo që vihet re në aktet e proçesverbalit të mbajtur përgjatë marrjes në dorëzim të bibliotekës personale të Dom Franos nga ana e punonjësit të Arkivit të Shtetit, krahasuar me njësitë e ruajtjes të regjistruara në këtë arkiv në fondin përkatës me numër 569, ëshët se vihet re se ka mospërputhje e si rezultat edhe mungesa.

P.sh. në dorëshkrimet e veta Imzot Frano thotë se ka grumbulluar edhe toponomastikën e Kurbinit, të cilën e kishte renditur në dorëshkrim në 12 fletrore me shënime toponomastike për fshatrat e ndryshme të rrethit të Krujës. Gjatë periudhës mes viteve 2002-2006, kur autori i këtij shkrimi ka vjelë drejtpërdrejt në terren toponomastikën e Kurbinit në gjithsej 3350 njësi, ai nuk ka mundur përgjatë kërkimeve në AQSH, të bjerë në gjurmët e dorëshkrimit të mësipërm qoftë edhe për ta përdorur si referim krahsues në respekt të punës së kryer shumë kohë para tij, ndërkohë në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë, kërkesës për një hulumtim të tillë, ju përgjigjën negativisht.

Sipas meje ekzistojnë 3 variante si mundësi sqarimi se ku kanë përfunduar: së pari disa nga dorëshkrimet i kanë vendosur në fonde të tjera gabimisht; së dyti i kanë zhvendour në fonde sipas tematikës, sikurse mund të ketë ndodhur me “Toponomastikën e Kurbinit“, e cila do të jetë transferuar në emër të dikujt tjetër në Arkivinin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë ose në rastin më të keq dikush e ka marrë për t’a lexuar/redaktuar, siç është vepruar p.sh. edhe me “Illyricum Sacrum“, dhe më pas „autori“ ka shënuar emrin e vet, dhe arkivisti është ngatërruar duke e konsiderur si punë të personit tjetër.

Dom Frano Illia ka qenë ndër të vetmit meshtarë sikurse qenë edhe At Marian Prela, At Donat Kurti, At Justin Rrota, At Viktor Volaj, Dom Mark Dushi, Dom Nikoll Mazzrreku e ndonjë tjetër, që në ato kushte përndjekje dhe terrori të pashembullt të cilët përveç sherbimit meshtark kanë bërë ç’ishte e mundur që regjistronin secili sipas mënyrës dhe tematikës së vet historinë, leksikun, toponomastikën, folklorin e të tjera visare të trashëgimisë historike e kulturore të vendit.

Veçanërisht ishte urgjente dokumentimi i historisë kishtare e cila po shkërmoqej prej harresës së qëllimshme selektive e të njëanshme nga historiografia komuniste. Është e qartë se sipas këshillimeve të Dom Zef Bicit (1920-1968), i cili prej vitit 1956 qe Ordinar i Dioqezës së Durrësit, Dom Frano Illia, Dom Mark Dushi (1920-1978) dhe At Viktor Volaj o.f.m. (1910-1995) nisën të shkruanin historikun e famullive të tyre përkatëse, gjë që do të çonte më pas tek Historiku i Arkidioqezës së Durrësit. Jo më kot Mons. Frano Illia kishte përkthyer Volumin e VII të Illiricum Sacrum, që i kushtohet krejtësisht historisë kishtare të këndej Adriatikut.

Dom Frano Illia u tregua sfidanti unik në atë gjerdan intelektualësh, i cili mori guximin e paprovuar prej askujt deri atëherë, duke shprishur edhe kufijtë e inercisë së “motit të shkuar”, duke marrë përipër të përkthente kryevepren e Daniel Farlatit “Illyricum Sacrum“. Qëllimi i Dom Franos ka qenë i qartë: të ndihmonte historianët shqiptarë duke u ofruar atyre BURIMET parësore historike të mbledhura nga etërit jezuitë hartues të korpusit 8 volumësh. Ngjan anakronike por ka kaluar më shumë se një gjysëm shekulli nga koha e realizimit të përkthimit të Dom Franos dhe asnjë institucion shtetëror apo mecenat privat nuk e ka marrë mundimin ta botojë këtë vepër e cila eshtë puthuajse e gatshme për botim, paçka se ajo citohet e stërcitohet demek nga origjinali, kur dihet fare mire se një variant i digjitalizuar i saj i dalë nga AQSH qarkullon ilegalisht, ndërkohë shkenca jonë “autonome”, për ironi të fatit të saj të mbrapshtë, përkundrejt mburrjes së saj vend e pa vend ende nuk ka arritur të formojë një përkthyes dinjitoz për Farlatin.

Vëllimi VII i Illyricum Sacrum, u përfundua së përkthyeri nga Imzot Frano Illia (1918-1997) në verën e vitit 1963, punë të cilën e kishte nisur në vitin 1956. Disa herë radhazi ai u është drejtuar institucioneve të asaj kohe përmes letrave dërguar zyrtarisht që ai përkthim të botohej, por askush nuk e mori në konsideratë. Përkthimi i tij qëndronte në tavolinën e Institutit të Kulturës Popullore dhe atë të Historisë sikurse dhe vepra tjetër Kanuni i Skanderbegut qëndronte tek Instituti i Kulturës Popullore, ku ai ishte vetëofruar si bashkëpunëtor i jashtëm. Për fat të keq këtij përkthimi i mungon pjesa e parë e këtij vëllimi, e cila ka historinë e Kryeipeshkvisë së Tivarit.

Kuptohet se për nevoja të kohës Dom Frano Illiaj ka përkthyer vetëm pjesët që i kushtoheshin dioqezave kishtare katolikë në tërësi brenda territorit të shtetit të sotëm zyrtar shqiptar. Pra përkthimi nuk përbën një përkthimi të tërsishëm të vëllimit të VII të Illyricum Sacrum. Nëse do të mbërrihej të përkthehej edhe kjo pjesë e mbetur e vëllimit VII, si dhe gjithashtu pjesa hyrëse e vëllimit VIII, që i kushtohet Kryeipeshkvisë së Shkupit, Iliria e Shenjtë në viset shqiptare do të ishte thuajse e plotë, pra do të kishim në dorë një kryevepër të historiografisë në shqip. Mendoj se një bashkëpunim mes Arkivit Qendror të Shtetit Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe sidomos Ministrisë së Kulturës e pse jo edhe titullares së kësaj ministrie, e cila vjen nga fusha përkthimore, do të ishte një ogur i mirë që t‘a vlerësojnë si duhet këtë punë, si një shërbim fort me rëndësi që i bëhet albanologjisë.

Botime të Imzot Frano Illia. Jezusi, Jetë e shkurtë e Jezu Krishtit Zot e Njeri, Shpëtimtar i Njerëzimit”, Milot 1992. Kanuni i Skanderbegut. Mbledhë e kodifikue nga Imzot Frano Illia Arqipeshkëv, Metropolit i Shkodrës. Editriçe La Rosa. Milot & Brescia, 1993. Dava, roman, Shtëpia botuese “Gjergj Fishta”, Shkodër, 1996. Jubani. Shkodër, 1997. Famullia e Milotit. (Famullia e Shën Nikollës (Milot), Famullia e Shna Prendes (Gallatë), Famullia e Shna Vlashit (Skuraj). Shkruar në Milot në vitet 1962-1967. Përgatiti, Kastriot Marku, Chaminade, Lezhë, 2006.. Me mjaft interes paraqesin shënimet e tij autobiografike, të cilat iu botuan pas vdekjes.

Botimi i veprës së tij dorëshkrimore nuk mund të jetë tjetër veçse një ngushëllim/homazh, një shpërblim i munguar për dënimin dhe vuajtjet tij të shumta e të pamerituara vetëm sepse jetoi e punoi për Fe e Atdhe.

dy.b/shqiptarja.com