AV. XHABIR ZEJNUNI
Çdo parti politike që krijohet, ka nevojë që më pas edhe të legjitimohet.
Legjitimiteti, është juridik dhe politik. Juridik, është kur partia njihet nga Ministria e Drejtësisë. Politik, është kur partia pasi krijohet shpërndan programin e saj për të pasur sa më shumë përkrahës.
Por, përveç legjitimitetit, partitë kanë nevojë që të përfaqësojnë edhe juridikisht përkrahësit e tyre. Ose ashtu duket! Dhe ky përfaqësim juridik, bëhet vetëm në Parlament. Por, më parë mes partive dhe elektoratit duhet që të “lidhet” një kontratë katër vjeçare, ku partitë zotohen që të çojnë në Parlament zërin e këtij elektorati.
Me pak fjalë, është populli “sovran” ai që “punëson” disa individë (140) në Parlament në cilësinë e deputetit. Në Parlament, shkojnë ata persona që janë më bindës për elektoratin e tyre. Sistemi proporcional, që u vendos në vitin 2008 me anë të ndryshimeve skandaloze kushtetuese (neni 64, par. 1), krijoi një ngërç shumë të madh, duke ju dhënë tagrin kryetarëve të partive politike për të bërë ata listën e kandidatëve, e cila do votohej më pas nga populli “sovran”.
Pasojat i dimë tashmë të gjithë(….)!
Para disa ditësh, opozita “dogji” mandatet e saja dhe ja “dorëzoi” ato popullit “sovran”. Që do thotë se ata persona që përfaqësonin opozitën në Parlament, tani nuk janë më deputetë.
A ka atëherë tagrin juridik opozita të përfaqësojë akoma atë pjesë të elektoratit, me të cilin ajo ka lidhur një kontratë katër vjeçarë, por që më pas e prishi atë në mënyrë të njëanshme? Kjo situatë e re e krijuar, duhej të krijonte si rrjedhojë raporte të tjera të vetë opozitës me elektoratin e saj, me median, me vetë pozitën dhe me aktorët ndërkombëtarë.
Pasi bën shumë çudi kur vëren se nuk ka ndryshuar asgjë. Opozita del në rrugë dhe proteston në emër të popullit “sovran”! Edhe në media shikon se opozita akoma pretendon që të përfaqësojë akoma popullin “sovran”! Madje vëren se në ekran vihet emri i oratorit opozitar, i cili kualifikohet akoma si deputet! E si mund të jetë akoma deputet ai person, i cili ka “djegur” vetë mandatin e tij?
Nuk kuptohet pastaj arsyeja se përse opozita po merr akoma të njëjtën hapësirë dhe përkujdesje mediatike, kur ajo nuk përfaqëson tashmë juridikisht popullin “sovran”, por vetëm një grusht personash.
Po ashtu, këto ditë (dhe netë!) opozita po përpiqet që të tregojë shumë forcë, por së cilës tashmë i ka humbur legjitimiteti. A mund të japë legjitimitet rruga? Jo. Pasi nëse do ishte kështu, atëherë asnjë parti nuk do rropatej që të shkonte në Parlament.
Opozita me protestat e saj, po i ngjan asaj të dashure, e cila braktis banesën e të dashurit të saj, duke ikur nga dera, por që nga ana tjetër pretendon që të hyjë përsëri në banesë. Por, nga dritarja kësaj radhe, duke gjuajtur me gurë…
A do e pranojë vallë i dashuri të dashurën e tij (saj!) në shtëpi? Nëse po, me çfarë KUSHTI ose ÇMIMI?!