ILAÇE KUNDËR MASHTRIMEVE TË DJALLIT

0
397
San Giovani Bosco

Don Bosko

Mashtrimi i parë që djalli ka zakon të përdorë për të mashtruar shpirtrat e të rinjve është SHKURAJIMI.

«Si është e mundur ˗ futet e i thotë i keqi ˗ që ti mundesh për pesëdhjetë, gjashtëdhjetë ose më shumë vite të jetosh në virtyt dhe larg nga kënaqësitë?».

Kur djalli të këshillon këtë, ti përgjigju kështu: «Kush më siguron se unë do të arrij deri në atë moshë? Jeta ime është në duart e Hyjit dhe mund të ketë gjasë që sot kjo të jetë dita e fundit e jetës sime! Sa të rinj në moshën time dje ishin të gëzuar dhe plot shëndet dhe sot tashmë janë në varr! Mos vallë nuk do të mund të më ndodhte edhe mua gjithashtu? Dhe sikur të punoja disa vite për Zotin, mos vallë nuk do të shpërblehem në mënyrë të bollshme nga një përjetësi me lavdi dhe me gëzim në Parajsë?».

Mashtrimi i dytë i djallit është të të bëjë të besosh se jeta e shenjtë të bën të biesh NË TRISHTIM.

«Ti je i ri ˗ futet e të thotë djalli ˗ dhe nëse fillon të mendosh për amshimin dhe për Ferrin do të bëhesh melankolik e mbase edhe do të çmendesh».

Këtyre ndërhyrjeve ti do t’u përgjigjesh kështu: «Është e vërtetë që mendimi për një amshim fatkeq dhe për një mundim që nuk do të mbarojë është një mendim i errët dhe i frikshëm, por nëse më bën të çmendem thjeshtë për faktin që e mendoj, çfarë do të ndodhë vallë nëse përfundoj atje? Është më mirë të mendoj tani e të mos bie në të ardhmen, sesa ta largoj tani mendimin e pastaj të bie për amshim!».

Nga ana tjetër, o i ri i dashur, nëse mendimi mbi Ferrin na mbush me terror, mendimi për Parajsën na mbush me gëzim. Shenjtërit, në fakt, megjithëse kanë menduar për amshimin e mundimeve nuk ishin të trishtuar, por të gëzuar, sepse kishin besim se do t’i shmangnin duke jetuar gjithmonë në paqe me Hyjin.

Ki, pra, guxim! Provo t’i shërbesh Zotit dhe do të shohësh sa gjë e ëmbël dhe e këndshme është Ta duash Atë me gjithë zemër!

Përktheu nga italishtja:
Nikolin Sh. Lëmezhi