IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR

0
1090
Nikë Gashaj

Nikë Gashaj

Një ndër faktorët më me rëndësi të përcaktimit të identitetit kombëtar është përdorimi i gjuhës amtare (private, publike dhe zyrtare) dhe arsimimi kombëtar. Njohjet historike tregojnë se themelimi i shkollave në trojet shqiptare u bë gjatë mesjetës me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit dominikan. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV.

Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rendësi, të cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve të administratës shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek.XIV shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në mbledhjet të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.

Përdorimi i shqipes si gjuhë shkrimi për herë të parë

Një ndryshim me rëndësi shumë të madhe për historië e kulturës shqiptare shfaqet në gjysmën e parë të shek.XIV, kur dokumentohet për herë të parë se shqipja, përdorej si gjuhë shkrimi. Ky ishte një hap i rëndësishëm për identitetin kombëtar shqiptar, sepse me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi, viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të saj si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë shqipe ( Historia e Popullit Shqiptar I, Akademia e Shkencave e Shqiprisë- Instituti i Historisë, f.354, Tiranë, 2002. ).

Institucionet kryesore arsimore që u ngritën në periudhën e sundimit osman në Shqipëri, ishin shkollat e komuniteteve myslimane, me mësim në gjuhë turko-osmane dhe arabe.

Shkollat e komunitetit ortodoks, që funksiononin në Shqipëri qysh nga shek.XVI-XVII ishin nën mbrojtjen Patrikanës së Stambollit. Mësime në këto shkolla jepej greqisht, në gjuhën e kishës.

Shkollat katolike ishin nën drejtimin e kishës së Romës dhe kishin si detyrë të përgatisnin mësues-klerikë. Kur misionarët e Romës vunë re se veprimtaria e tyre në Shqipëri nuk po jepte rezultatet që priteshin, për shkak se zhvillohej latinisht ose italisht dhe jo në gjuhën e popullit. Roma filloi të përdorte edhe gjuhën shqipe në shkollat fetare katolike. Në këto rrethana u hapën disa shkolla të tilla, ku mësohej edhe gjuha shqipe dhe ku shërbenin si tekste mësimore katekizmat e hartuar nga shkrimtarët klerikë si Pjetër Budi. Këto ishin ngritur kryesisht pranë famullive dhe manastireve. Një shkollë e tillë funksiononte në vitet 1628-1675 në Pedhanë dhe po në atë kohë edhe në Blinisht(të dyja në rrethin e Lezhës ), si dhe në Kurbin ( rrethi i Krujës ).

Në 1669-1670 funksiononte një shkollë katolike në gjuhën shqipe edhe në Himarë. Në Pedhanë e në Blinisht u krijuan më vonë edhe shkolla më të larta, gjimnaze, ku përdorej gjithashtu gjuha shqipe. Këto shkolla u ngritën nga murgjit françeskanë. Shkolla të mesme shqipe katolike u hapën edhe në Janievë të Kosovës (1671), në Velje të Mirditës (1699), në qytetin e Shkodrës(1699). Në këto shkolla të mesme nxënsit, që ishin destinuar për t’u bërë klerikë, studionin teologjinë, gjuhët latine e italiane dhe disa prej tyre dërgoheshin për studime më të larta në itali.

Mësimi i gjuhës shqipe në këto shkolla, ishte në interes të popullësisë vendase, që i përkrahte ato. Kështu gjimnazi i Blinshtit u ngrit me kërkesën e krerëve të vendit dhe kur në vitin 1648 shkolla e Pëdhanës u rrafshua nga një ekspeditë ndëshkimore osmane, banorët e fshatit e rindëruan atë përsëri.

Në vitin 1622 kisha katolike krijoi institucionin me emrin”De Propaganda Fide”me qendër në Romë. Ky ngriti disa shkolla për përgatitjen e klerikëve shqiptarë, si Kolegji ilirik i Femos(1633), që drejtohej nga misionarët jezuitë, shkolla e Montorinos në Romë, nën drejtimin e misionarëve françeskan etj.

Rrethana më e favorshme për arsimin shqip u krijuan, kur në fronin e papës hipi Klementi XI, me origjinë shqiptare. Me nismën e tij u mblodh më 1703 Koncili i peshkopëve të Shqipërisë, që njihet me emrin”Koncili i Arbërit”, i cili vendosi të përhapte letërsinë fetare në gjuhën shqipe. Tetë vjet më vonë, më 1711, në shkollën e Montorinos në Romë u hap katedra e gjuhës shqipe ( Historia e Popullit Shqiptar, tomi I, Akademia e shkencave e Shqipërisë- Instituti i Historisë, faqe, 704-706, Tiranë, 2002. ).
Roli i kishës katolike në mesjetë për përhapjen arsimit dhe kulturës shqiptare

Në bazë të dhënave të lartpermendura, si dhe të njohjeve tjera historike mund të konstatohet se një rol të rëndësishëm në veprimtarin arsimore dhe kultuore në gjuhën shqipe në mesjetë tek shqiptarët e ka luajtur kisha katolike. Ajo pati në dorë përgatitjen e inteligjencës së kohës. Shumica e njerëzëve të kulturës, veçenarisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim klerikë. Në duarët e tyre ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret fetare. Në shkollat pranë manastirave, mësohej kursi tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë ) dhe cikli i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë ).

Në shek. XIV e në fillimin e shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë me origjinë qytetare ishte mjaftë i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh etj.(Historia e Popullit Shqiptar, tomi I, Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Historisë, faqe, 353, Tiranë, 2002.).

Po ashtu në atë kohë shënohej një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare. Megjithatë, që veprat letrare ishin të shkruara në një frymë teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë në trojet shqiptarte, sepse pikërisht një pjesë e këtyre është hartuar nga autorët shqiptarë.

Shkputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit, jashtë Shqipërisë.

Gjatë kohës së sundimit osman në trojet shqiptare shkollat ishin të ndara veç për popullsin myslimane dhe veç për atë të krishterë. Përveç shkollave turke, ishin hapur dhe në numer i madh i shkollave private: greke, serbe, bullgare, austriake e italiane. Në ato shkolla mësimi zhvillohej në gjuhë të huaja, ndërsa gjuha shqipe ishte e përjashtuar nga mësimdhënia, çka rrezikonte që të zhdukej pa nam e pa nishan me kalimin e kohës.

Perandoria Osmane nuk ka njohur kombësi, por vetëm komunitete fetare

Perandaoria Osmane nuk njihte në zotërimet e veta kombësi, por vetëm komunitete fetare: myslimanë, ortodoksë dhe latinë (katolikë). Rrjedhimisht edhe shqiptarët ishin grupuar në këtë tri komunitete fetare dhe nuk njiheshin si një njësi kombëtare më vete.

Përveç kësaj, komunitetet e tyre fetare ishin të varura nga tri qendra të ndryshme të huaja kishtare e kulturore. Sistemi arsimor i kohës ishte shëndërruar në një mjet të fuqishëm ndikimi politik e kulturor si të sundimit osman, ashtu edhe të shtetëve të tjera.

Një pjesë e atyre shkollave kishin një dimension të propagandave të shteteve të huaja për asimilimin e shqiptarëve. Prandaj rilindësit i trajtonin ato si një pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe kërkonin mbydhjen e tyre ose kthimin e tyre në shkolla shqipe.

Ndërkaq, rreziku i asimilimit të kombit shqiptar, diktonin si nevojë të ngutshme për hapjen e arsimit të kulturës kombëtare, e bënë atë një domosdoshmëri historike, me të cilën ishte e lidhur qenia dhe e ardhmja e Shqipërisë.

Mirëpo, përhapja e arsimit kombëtar ndeshte në vështirësi e pengesa të shumta. Pengesat kryesore i nxirrte Perandoria Osmane, e cila ishte përpjekur gjithnjë t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri. Megjithëse me reformat e Tanzimanit ishte shpallur se të gjitha kombësitë e Perandorisë do të lejoheshin të ushtronin lirisht gjuhët e tyre në institucionet arsimore e fetare.

Porta e Lartë i përjashtoi shqiptarët nga kjo e drejtë kombëtare. Duke u mbështetur në parimin mesjetar absurd të identifikimit të kombësisë me fenë, Porta e Lartë, edhe pas reformës arsimore turke të vitit 1844, nuk ua njohu shqiptarëve të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, por vijoi t’ i quante ata sipas besimit fetar”turq”, “grekë” e “latinë”.

Shkolla e parë kombëtare shqipe në Korçë

Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi Tërpo.

Çelja e shkollës në shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave atdhetare të të mërguarëve shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej e nuk financohej prej asnjë shteti a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit. Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Qysh ditën e pare në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti 200. Ajo ishte një shkollë fillore laike me fizionomi të plotë kombëtare, ku gjithë mësimet jepeshin shqip.

Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më von u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.

Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë ardheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur Mësonjëtoren e çelur në Korçë, shkruante plot frymëzim:”Hapu, hapu errësirë, /Pa jakë tëhu o dritë! /Se arriti koh’ e mirë, /U gdhi nata u bë ditë…/Lumja ti, moj Korç’o lule! /Q’i le pas shoqet e tua / Si trimi në ball’u sule, /Ta paçim për jetë hua!.

Hapja e Mësonjëtores së Korçës u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, në Rekë e në Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, në Leskovik, në Ersekë etj.

Në vitin 1889 në Prizren ishte çelur një shkollë shqipe nën kujdesin e Austro-Hungarisë. Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shk. XIX futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të administruara prej saj, në qytete e në fshatrat e Shqipërisë së Sipërme dhe të asaj Qendrore.

Përveç shkollave të përmendura, në shumë vise të Shqipërisë, si në Elbasan, në Dibër, në Krujë, në Korçë, në Berat, në Gjirokastër, në Kolonjë, në Pogradec, në Vlorë, në Përmet, në Skrapar, në Çamëri etj., u çelën dhe funkciononin pranë shtëpive private ose pranë dyqaneve kurse e shkolla të fshehta shqipe, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijve dhe të rriturve abetaren e gjuhës shqipe.

Ndryshe nga autoritetet osmane që e përkufizonin kombin mbi bazën e fesë. Intelektualët e Rilindjes kombëtare shqiptare mendonin se kombi ishte në radhë të parë gjuha. Në themel të kombit shqiptar ishte gjuha. Ajo u kishte bërë ballë të gjitha përpjekjeve për asimilim, që nga koha e pushtimit romak. Ajo duhej të ishte njëzëri gjuhë letërsie të shkruar dhe gjuhë arsimi.

Duhet thënë se, deri në mesin e shekullit XIX, librat në shqip ishin shumë të rrallë dhe se nuk kishte normë shkrimi mbi bazën e një alfabeti të veçantë. Tekstet e botura ishin nxjerrë pikësëpari për qëllime fetare dhe alfabetet e përdorura ishin grek, por edhe arab. Mungesa e një drejtshkrimi të njësuar dhe numri i paktë i botimeve në shqip shpjegohen me faktin se, qysh nga koha e pushtimit romak në shekullin e II para erës sonë, shqiptarët (ose paraardhësit e tyre ilirët, dardanë apo epirotë ) nuk kanë qenë kurrë përnjëmend zot të vetes.

Po të veçohet mënjëanë episodi i Principatës shqiptare të Gjergj Kastriotit Skënderbegut në shekullin XV, ata kanë qenë gjithmon të sunduar: nga romakët, bizantinët, sllavët dhe osmanët. Natyrisht, as që kanë mujtur m’iu kundërvu fuqive të mëdha. Andaj dhe gjuha administrative ishte një gjuhë e huaj, por edhe shqipja e përjashtuar nga liturgjia. Tek Shqiptarët qe i ngadalshëm e i vonë ndërgjegjësimi se përbëjnë një komb. Ai zuri fill nga mesi i shekullit XIX me shenjat e para të një lëvizje kulturore që u quajt Rilindja Kombëtare. Lindja e vetëdijes kombëtare lidhej me idenë se gjuha shqipe ishte një pasuri, në trashigimi prej të parëve, që ishte e udhës të mbrohej.

Rrahja e mendimeve për një normë shkrimi të shqipes, beteja për arsimin në këtë gjuhë, shpinin në një kërkim identiteti. Ndjesia e shqiptarëve se i përkisnin një populli shumë të lashtë, u përforcua nëpërmjet përcjelljes së miteve dhe kultit të heronjeve.

Patriotët e Rilindjes kombëtare punuan me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar. Mirëpo, në atë drejtim krahas pengesave të regjiimit osman, i cili ishte përpjekur gjithë një t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri, si dhe faktorvë të jashtëm, ata hasën dhe në pengesa dhe për shkak të përçarjes së shqiptarëve nga pikëpamja fetare.

Karakteri i përçarë i fesë në tri besime kryesore: islame, katolike e ortodokse, si dhe i tri shkollave fetare me ndikim financiar dhe programor nga të huajit vuri në rrezik veprimin e bashkuar të shqiptarëve në luftën e tyre për liri. Mu për këtë arsye patriotët e parë nisën të nxisnin shqiptarinë mbi të gjitha fetë. Gjatë luftës për pavarësi nga Turqia Pashko Vasa një patriot dhe poet kombëtar nga Shkodra, shkruente:”Çoniu, o shqiptarë, prej gjumi çoniu, /të gjithë si vllazën në një besë shtrëngoniu, /edhe mos shikoni kisha e xhamia, /fe e shqyptarit asht shqypria…”

Një nga udhëheqësit e shquar të Rilindjes kombëtare, Sami Frashëri, kishte shkruar më 1899: “Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i kreshtenë. Besa s’e ka ndruarë fare edhe kurrë, se kombësia ashtë përpara besës…”.

Një vazhdim të së njëjtës ide, një vjershator popullor thoshte: “Besa juaj sot/ s’është as kishë as xhami / por Nëna Shqipëri ! / Kur të fitojmë lirinë / do të kujdesi për kishën e xhaminë. Nëse kisha ka një këmbanë / njëqind të varni anembanë. / Nëse kini në fshat vetëm një xhami / ndëtoni edhe njëzet e tri. / Por feja jonë tani / është Nëna Shqipëri”.

Edhe pas fitores së pavarësisë së Shqipërisë, patriotët shqiptar kishin bindjen se e vetmja zgjidhje për dyzimin e përçarë midis islamizmit dhe krishterimit ishte zëvendësimi i tyre me shqiptarinë. Kështu, Andon Zako Çajupi në librin e tij Mëmdheu, përfshiu në të një poemë për Malin e Tomorit. Në majën e malit ndodhej një faltore, ku shqiptarët e lashtë shkonin të këshilloheshin me orakullin për të ardhmen e tyre. Poti shkruente:”Baba Tomor, kishë e Shqipërisë, /mal kryelartë, fron i Perëdisë, / tek ti kanë ardhur njerëzia që në lashtësi, /për të mësuar atë që urdhëronte Zoti”. Më tej shtonte:”… kombi juaj s’vete mbarë, / se betë u kanë ndarë. / … të krishterë e myslimanë, / gjithë një perendi kanë; / jini një gjak mor të mjerë, / se një vend kini lerë, / jini gjithë shqiptarë”.

Në pajtim me këtë atmosferë mbizotëruese elita politike e shtetit shqiptarë të kohës vëndosi që shteti të ishte asnjanës, pa fe zyrtare, dhe që ushtrimin e lirë të besimit duhet ta gëzonin të gjitha fetë. Ata vun si fe shqiptarinë, duke i quejtur nëpunësit dhe mësuesit”apostuj” dhe “misionarë”. Në tëra aktivitete shoqërore publike, si dhe në fushën e arsimit dhe kulturës shprehej një shqiptari e zjarrtë që kishte për qellim të eklipsonte dasitë fetare dhe të bashkonte popullin shqiptar.

Vonesa e shqiptarëve në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare

Shqiptarët kanë pasur një vonesë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare e cila ishte kryesisht pasojë e përçarjes fetare: nën sundimin osman, dy të tretat e popullsisë shqiptare ishin kthyer në fenë islame, ndërkohë që një e treta që mbetej ishte edhe ajo e ndarë në të krishterë katolik në Veri dhe ortodoksë të ritit grek, në Jug. Të mbëshetur në këtë përçarje autoritetet osmane e mohonin ekzistencën e një kombi shqiptar. Ata e pëkufizonin kombin në bazë të fesë – parimi i miletit ( Studiuesi Serge Metais, Histori e Shqiptarëve- nga Ilirët deri te Pavarësia e Kosovës, f. 16, Tiranë, 2006.).

Bismarku në Kongresin e Berlinit për Shqipërinë

Si pasojë e zgjimit të vonë të vetëdijes kombëtare te shqiptarët dhe të mungesës së përkrahësëve të tyre jashtë Perandorisë Osmane, Bismarku tha në Kongresin e Berlinit më 1878 se Shqipëria nuk ishte veçëse një shprehje gjeografike dhe se nuk ekziston kurrëfarë kombi shqiptar. Dhe jo vetëm Bismaku si kryesues i Kongresit por asnjë prej fuqive të mëdha nuk i njishin shqiptarë si kombë, e kjo ka qenë fatale për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Sepse si parim i njohjes dhe i formimit të shteteve europiane dhe ballkanike ishte parimi kombëtar. Shqiptarët me vonesë të madhe bëjnë përpjeke që prej horizonteve politike osmane të dalin në horizonte evropiane.

Rexhep Qosja për shqiptarët në Kongresin e Berlinit

Në lidhje me këtë çështje profesor Rexhep Qosja, ndër të tjerat shprehet:”Në Kongresin e Berlinit përfaqësuesëve shqiptarë nuk u lëjohet në marrin pjesë në cilësi zyrtare në punimet e tij, sepse në Kongresin e Berlinit trojet shqiptare trajtohen”zotërime turke”, kurse shqiptarët nënshtetas të Turqisë”! Vetëm pse rreth dy të tretat e tij e kishin pranuar fenë myslimane, shpallej kështu popullë i paqenë ! Më tutje Qosja shton: ”Shqiptarët kanë pësuar dëmtim të rëndë, tragjik, prej politikës së Fuqive të Mëdha evropiane… për arësye se dy të tretat e tij i takonin fesë myslimane dhe pse ishin nën pushtimet e një perandorie që këtë fe e kishte përhapur me shpatë dhe zjarr.

Në kohën kur për Evropën e krishterë feja dhe kombësia ishin njësh, shqiptarët e gjetur në gjirin e një perandorie, pothuaj, islamike, s’kishin se si të shikoheshin veçse si dikush që nuk i takon Evropës as me fenë, as me etninë, prandaj as me fatin, si dikush që prej Evropës trajtohej i përjashtuari i Evropës!” ( Rexhep Qosja, Studimi: Çështja Shqiptare-Historia dhe politika, faq.8 dhe 47, Instituti albanologjik, Prishtinë, 1994).

Ismail Qemali në Londër 1913

Menjëherë pasi u bë e njohur mbledhja e afërt e Konferencës së Ambasadorëve në Londër me 1913, Ismail Qemali me antarët e Delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës shkoi në Londër për takime dhe bisedime me politikantë e lartë të Anglisë me qëllim të përfitimit të përkrahjes së tyre për ruajtjen e kufijve etnik të Shqipërisë.

Mirëpo, I. Qemali largohet nga Londra me ndjenjën e misionit të pakryer. Dokumentet zyrtare tregojnë se ai hasi në një mos përfillje të përgjithshme si në qarqet zyrtare britanike ashtu edhe në Konferencën e Ambasadorëve. Ashtu që vendimet e Konfrencës së Londrës me 1913, e lanë gjysmën e tokave shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë.

Për vizitën e tij në Londër, I. Qemali do të flasë disa muaj më vonë, në një takim me gazetarë të huaj në Vlorë në shtator 1913. Ai u shpreh krejt i zhgënjyer. Ndër të tjerat I. Qemali deklaroi:” Se shkoi në kryeqytetin anglez me shpresë se do të arrinte diçka në Angli”, por u ndesh me një moskuptim të plotë nga dy krahët e politikës angleze. “Liberalët, – thotë I. Qemali, – mendonin se shqiptarët ishin të gjithë turq dhe myslimanë, ndërsa konservatorët i quanin prishës të paqës, njësoj si irlandezët”(Arben Puto, Studimi: “Shqipëria Politike 1912-1939”, faqe, 91, Tiranë, 2009).

Ngritja e memorialit turk në Tiranë, në dëm të identitetit kombëtar

Ngritja e memorialit të ashtuqujtur dëshmorëve turq në Tiranë, paraqet një skandal të madh historik të paparë të politikës shqiptare, e që është në dëm t’ identitetit kombëtar shqiptar. Kjo dëshmon se politika e shtetit shqiptar është kontradiktore. Në njërën anë, Shqipëria është antare e NATO-së dhe deklarohet se është përcaktua për integrime në Bashkësinë Europiane, kurse në anën tjetë me të madhe përqafon vlerat e një regjimit politik diktatorial të Erdoganit, për të cilin trulloset tërë bota demokratike. Andaj, njohjet nga shkencat politike tregojnë se fundamentalizmi fetar në politik është i dëmshëm për rendin shoqëror, e në veçanti është i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare.

Shteti bashkëkohor duhet të jetë në pikëpamje të religjionit neutral. Ai u takon të gjithëve, ndërsa religjioni jo. Bindjet e besimit fetar të njerëzve nuk mund t’u imponohet të gjithëve. Shteti nuk duhet të kujdeset për shpëtimin e shpirtit (J. Lock).

Natyrisht, ndarja e bashkësive fetare dhe shtetit nuk nënkupton një kundërshtim të ndërsjellët, por ajo ka të bëj me dallimin e lëmisë politike dhe asaj religjioze. Andaj, normat religjioze nuk mund të shënderrohen në norma politike. Meqënse, besimi fetar dhe politika janë dy realitete të ndryshme. Prandaj, pushteti ndahet në atë shpirtëror dhe laik, dhe secili është, ose duhet të jetë me kompetencë në fushën e vet.

Në qoftë se ndonjëra prej Bashësive fetare u përkulet tendencave të ndryshme politike, respektivisht nuk është neutrale, por ka të bëj me instrumentalizimin e përbashkët të religjionit e politikës, atëherë ajo nuk prodhon kurrgjë të mirë në drejtim të lirisë dhe barazisë njerëzore.