Ibrahim Kelmendi
Nga Revista Drini – 26 Tetor 2019
A është “Kush e vrau Jusuf Gërvallën?” pyetja që jeni përgjigjur më së shumti në jetën tuaj?
Fatkeqësisht fare pak njerëz me kanë pyetur kush i ka vra Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Por janë shumë, pjesëtarë të shërbimeve armiqësore dhe viktima injorante të tyre, të cilët, në kuadër të luftës speciale, kanë shpifë e dezinformuar, se unë jam vrasësi, gjegjësisht ndihmësi i vrasësve. Përse e bënin këtë shërbimet armiqësore të ish RSFJ-së dhe ish KSAK-së, nuk ka nevojë të jap sqarime, meqë ato shërbime edhe atë mënyrë të luftimit e praktikonin. Ndërsa injorantët, që dezinformoheshin e manipuloheshin nga ata specialistë, ishin e janë viktima të luftës speciale të atyre shërbimeve. Nga argatët viktimë, më goditës ishin Hysen e Syzana Gërvalla. Ata, si familjarë, kishin shumë ndikim dhe me shponin deri në palcë. Ishte e vështirë të demaskoheshin e diskreditoheshin si argatë të UDB-ashëve Sabri Novosella, Mehmet Hasku dhe të tjerëve që ende janë në hije.
Cili ishte roli i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe si arritën të bëhen pjesë e saj?
Hashim Thaçin duhet ta kenë penetruar në radhët e Lëvizjes shërbimet serbe në fillim të viteve të 90-ta, bile në udhëheqje qendrore. Meqë Lëvizja në Kosovë ishte Organizatë klandestine, anëtarësimi ka mund të ndodhë vetëm përmes anëtarëve më të hershëm. Për Hashimin ende nuk është konkretizuar, kush, kur, në cilin këshill popullor e ka anëtarësuar dhe sistemuar dhe si ia doli aq shpejt të katapultohet në udhëheqje qendrore. Po spekulohet se e ka angazhuar Kadri Veseli, meqë Kadriu duhet të jetë anëtarësuar përmes Kushërini të tij, Sabit Veseli, i cili ishte në Lëvizje, Nëndega në Zvicër.
Por, edhe për anëtarësim të Kadriut nuk kam informacion konkret. Unë e kam njohur Kadriun në Tiranë, përmes Vëllait tim, Qerimit, në vitin 1991. Por, e kam njohur vetëm si shokë të studimeve të Qerimit. Nuk më kanë thënë Qerimi se Kadriu ishte anëtar i Lëvizjes. Nuk më ka thënë as Kadriu. Ka rastisë të rrimë bashkë shpesh në Tiranë. Ai kishte një paraqitje të një të varfëri të skajshëm, që duhej të ndihmohej. E pata ndihmuar paksa, duke shpërdoruar mjetet financiare që m’i kishin besuar ca bashkatdhetarë, për të bërë biznes në Tiranë me botime të librave…
As pastaj, kur kanë emigruar në Zvicër, Kadriu dhe as Hashimi, nuk kanë bërë jetë organizative në Lëvizje, siç thoshim atëherë. Ishin pasivë. Hashimi pat marrë pjesë në disa mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes D.V., gjatë vitit 1994, si kuadër i sapo emigruar nga Kosova, por, ndoshta, meqë nuk mundi të imponohej si autoritet, u tërhoq. Atëherë Hashimi nuk kishte as dije, as oratori, të imponohej as të përvetësonte respekt. Tek në mars 1998, pas Epopesë në Prekaz, ai u imponua, tashmë përmes Xhavit Halitit dhe Azem Sylës.
Cili ka qene takimi i parë me Hashim Thaçin dhe cilat ishin përshtypjet e para për të?
Siç u përgjigja në pyetjen pararendëse, duhet të ketë qenë viti 1994, kur e kam takuar për herë të parë Hashimin, në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes D.j.V. Pata ndie keqardhje për te, sepse ngjante në një gjysmanalfabet, që nuk di as të flasë rrjedhshëm. Megjithatë, kisha respekt për te, sepse e prezantuan si kuadër që ishte angazhuar në përgatitje të Mbledhjes së 4-tërt të Përgjithshme, mbajtur me 26-27 korrik në Prishtinë. Prandaj kërkoja që të kooptohej edhe në Kryesi të Lëvizjes jashtë vendit. Por, po habitesha, si kishte qenë e mundur që ai të ishte kuadër udhëheqës i Lëvizjes dhe student i shkëlqyeshëm i historisë, bile edhe student prorektor, kur nuk shfaqte fare ndonjë dije intelektuale e profesionale dhe as oratori modeste.
Hashimi nuk duhet të ketë frekuentuar shumë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, meqë nuk gëzonte respektin që e dëshironte. Dhe prandaj rrojti i tërhequr, pa i ardhur keq askujt se ai po mungonte në Organizatë. Më vonë, nga marsi 1998, kur e identifikova si komplotist, fillova të dyshoj se ai përherë kishte simuluar, siç e kishin porositë dhe dresuar eprorët e tij.
A kishte UDB-ja agjentë të infiltruar brenda LPK-së dhe nëse po, kush ishin ata? Cili ka qenë roli i tyre gjatë dhe pas luftës?
Do të ishte naive të thuhet se UDB-ja nuk ka pas agjentë të saj në Lëvizje dhe në subjekte tjera. Një shërbim i ngritur edhe me trajnime profesionale dhe me financa të KGB-së, deri në vitin 1948, dhe të CIA-së nga viti 1950 deri në vitin 1998, i kishte kapacitetet për të infiltruar agjentë edhe në shërbime të fuqishme të shteteve tjera, – më shumë se mjaft ka infiltruar edhe në Sigurimin e Shqipërisë, – e jo më në Organizatën tonë, e cila në emigracion ishte tepër liberale në pranim të anëtarëve të rinj. Mjaftonte të thoshin se pranonin Programin dhe Statutin e Lëvizjes.
Duke analizuar veprimtarinë e tyre me përkushtim, ndonjëherë të tepruar, fillimisht i kam dyshuar për agjentë të shërbimeve të KSAK-së dhe RSFJ-së Sabri Novosellën dhe Xhafer Shatrin, qysh kur i kam takuar, në vitin 1982, gjegjësisht 1983. Në shkurt 1982 qe penetruar edhe oficeri i UDB-së, Abdullah Prapashica. Pastaj i kam dyshuar edhe Xhafer Durmishin, Hafiz Gagicen, Milaim Zekën, Xhevat Ramabajen, Nuhi Sylejmanin dhe ndonjë informator analfabet. Nga viti 1996 i dyshova edhe Xhavit Halitin dhe Azem Sylën, për shkak se qenë ankuar grupet embrionale të UÇK-së në Drenicë, Llap/Gollak, Dukagjin, se nuk po ndihmoheshin financiarisht nga Fondi “vendlindja thërret”, as me armatim. E ata dy kishin kapë ndihmat financiare të Fondit dhe komandimin e UÇK-së në formim. Kurse nga marsi 1998 e kam dyshuar edhe Hashim Thaçin, sepse pa e emëruar asnjë strukturë kompetente, po prezantohej si „shef“ i UÇK-së.
A e keni takuar ndonjëherë presidentin Rugova dhe cili ka qenë roli i tij sipas jush në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës?
Nuk jam takuar asnjëherë ekstra me pseudo presidentin Ibrahim Rugova. Në verë të vitit 1990, kur e ka pas “vizitën” e parë në Gjermani, është dashur ta takoja, meqë unë ia kisha aranzhuar takimet me funksionarë të qeverisë dhe të partive gjermane, por nuk e takova, sepse më penguan Bujar Bukoshi dhe Hafiz Gagica.
Pastaj, në janar të vitit 1994, e takova në Kuvendin e parë të degëve të LDK-së në emigracion, i cili që mbajt në Shtutgart. Aty ishim mysafirë, meqë na patën ftuar si përfaqësues të Lëvizjes. Në hotelin ku mbahej ai kuvend pata mundësi të shkëmbej ca biseda me IR. Bile na bënë edhe një fotografi, që po shpërndahet në internet. Pastaj, e kam takuar edhe në Bruksel, dy herë, por në ndeja publike.
Për mua Ibrahim Rugova ishte marionetë kuislinge e qeverisë serbe, i angazhuar për ta shtypë “pacifikisht” rebelimin e shqiptarëve, që kishte marrë përmasa të mëdha në fund të viteve të 80-ta. Përndryshe, nuk kemi të drejtë morale, ta akuzojmë regjimin e Millosheviqit si pushtues e kriminel, sepse ai pushtet e ka privilegjuar ekstra Ibrahim Rugovën si „president“ i Kosovës.
Fatmirësisht, Ibrahim Rugova u shfrytëzua si “lider pacifist” nga Perëndimorët, edhe në kuadër të propagandës për t‘i arsyetuar bombardimet e NATO-s. Kjo ishte dukuri favorizuese për Luftën Çlirimtare. Ky shfrytëzim nga politikanët e Aleancës NATO nuk ishte meritë e Ibrahim Rugovës, por gabim i qeverisë serbe, që e kishte faktorizuar atë, për të bërë komplote sa më të mëdha kundër Kosovës, sepse ai kuisling iu kthye Serbisë bumerang, por tashmë tepër i disfavorshëm.
Pse Ibrahim Kelmendi nuk u bë pjesë e “krahut të luftës” PDK-së apo AAK-së pas përfundimit të luftës në Kosovë?
Meqë gati 24 vjet kisha qenë në ekzil, kur u ktheva në Kosovë kuptova se mendësia ime nuk ishte kompatibël me mendësinë e bashkëmoshatarëve të mi. Tjetra, tashmë në “krahun e luftës” ishte përvijuar një përçarje e madhe mes bandës komplotiste të kryesuara nga Xahvit Haliti, Azem Syla dhe Hashim Thaçi, në njërën anë, dhe UÇK-së së Vegjëlisë çlirimtare të Kosovës. Edhe një pjese të madhe të anëtarëve të Lëvizjes, ishin revoltuar shumë kundër asaj bande.
Në Kuvendin e fundit të Lëvizjes, mbajtur në fund të qershorit 1999, në Prizren, pasi u vendos që të zhbëhej Lëvizja, deklarova se do të tërhiqem nga veprimtaria e organizuar politike në kuadër të partisë, që do të formohej; Kuvendi i Lëvizjes pat zgjedhur ekip i cili do të përgatiste mbajtje të kuvendit themelues të një partie politike. Pata marrë pjesë si “argat”, në korrik 1999 në Prishtinë, në Kuvendin themelues të parisë Bashkimi Demokratik i Kosovës, kryetar i se cilës që zgjedhur Bardhyl Mahmuti. Nuk u bëra anëtar i saj.
Edhe në mbledhjen “themeluese”, më saktësisht komplotuese, të 8 tetorit 1999, kur u themelua PDK, mora pjesë si gazetar vëzhgues. Nuk shfaqa interesim për anëtarësim as në PDK. Nuk pranova të angazhohem as në të ashtuquajturën “qeveri e përkohshme”. Kisha mendimin se nuk isha më i domosdoshëm dhe nuk doja të vihesha në shërbim të grupimeve në konflikt.
Cili ishte raporti me komandant Ramush Haradinaj dhe cili ka qenë roli i tij në UÇK?
Me Ramush Haradinajn jam takuar për herë të parë në qershor 1999, pas Çlirimit, në selinë e shtabin të UÇK-së, ZO e Dukagjinit, në vilën e Ekrem Llukës në Pejë. Deri atëherë nuk e njihja. Aksidentalisht pata konflikt me te në fund të marsit 1998, por në bisedë telefonike, në Tiranë. Fajtorë për atë konflikt ishin Nasim Haradinaj dhe Xhavit Haliti, sepse ata e kishin dezinformuar Ramushin se unë po sabotoja futjen në Kosovë të ushtarakëve. Nuk u pajtuam e nuk bashkëpunuam ndonjëherë. Vazhduam “bashkëjetesë” në distancë, me konflikt e armiqësi të ngrirë. Mua me neveriste paraqitja e tij fodulle, si “rambo”, ndërsa ai ndjente kënaqësi të nderohej si harambash. Ishim botë të ndryshme për të qenë miq e bashkëveprimtarë. Nuk kam ndonjë konsideratë as tani, meqë nuk duroj sundimtar të tillë arrogant, që ka babëzi pasurimin përmes angazhimit kriminal…
Çfarë mendimi keni për Gjykatën Speciale dhe si e parashikoni se do të përfundoj i gjithë procesi?
“Dhomat e veçanta” të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës, të cilat edhe Ti po i quan gabimisht “gjykatë speciale”, është imponim i Serbisë dhe miqve të saj, përmes vendimmarrjes në Këshill të Europës (nuk është institucion i BE-së, por i Europës, ku janë anëtarë edhe SHBA, Rusia dhe ca shtete të mëdha jo-europiane, bile edhe Shqipëria e Makedonia). Në fakt, synimi ishte një gjykatë “ndërkombëtare”, e mbikëqyrur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, por ustallarët e Vashingtonit dhe Brukselit, zgjodhën variantin që ta bënin pjesë të Drejtësisë së Republikës së Kosovës, për ta pas nën kontroll të tyre.
Këtë fatkeqësi duhet sfiduar, sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse është barrë e rëndë komprometuese për Shtetin e brishtë të Kosovës, nëse zgjat shumë. Shkurt e shqip: Serbia dhe shtetet mike të saj, me përcaktime anti-NATO, e imponuan “gjykatën speciale” ekskluzivisht si hakmarrje kundër Aleancës NATO që ka bashkëpunuar me UÇK-në gjatë bombardimeve! Duhej të krijohej opinioni që NATO kishte bashkëpunuar me UÇK-në kriminale. Tani „gjykatën speciale“ duan ta shpërdorojnë për ta barazuar Kosovën viktimë, me Serbinë agresive neofashiste.
A keni pranuar ftesë nga Gjykata Speciale dhe a do të bashkëpunonte Ibrahim Kelmendi me këtë gjykatë?
Jo, nuk jam ftuar. Do të bashkëpunoja, nëse me thërrasin në cilësi të ekspertit apo informuesit për të rrëfyer se si kemi vepruar gjatë lufte. Përndryshe, nuk varët nga vullneti im. Nëse Prokurori i Specializuar vendos të më thërras si dëshmitar apo si i dyshuar, është obligim ligjor t’i përgjigjem.
Pse vrasjet politike të pasluftës nuk janë zbuluar deri sot ?
Sepse i kemi institucionet pa kapacitete profesioniste dhe të kapura.
Si i keni parë zgjedhjet në Kosovë? Pse VV-ja doli e para sipas jush?
Fatmirësisht votimi ishte i qetë, pa eksese.
LVV doli e para sepse votuesit ishin neveritë e lodhë nga partitë tjera dhe donin një subjekt të ri, me shpresë se është tjetërfar. Fatkeqësisht fitorja e LVV është e vogël. Do të kishte qenë fitore më e madhe, nëse nuk do kishin përçarje në vitin 2017, meqë harxhuan shumë energji në luftime “brenda sojit”.
Pra, rezulton se kësaj radhe LVV do të ketë më pak deputet se sa në vitin 2017.
Kush është Albin Kurti për Ibrahim Kelmendin?
Zotëri Kurti është një njeri tejet egocentrik, ambicioz, autoritar, dogmat. Uroj për mirë. Përndryshe, do të kemi pasoja të mëdha, sepse ka aftësi teorike, oratorike, dhe ka energji e kokëfortësi për t’i shkuar deri në fund atë që synon, pa pyetur për kosto.
A do të realizohet koalicioni VV-LDK? A munden të bashkëqeverisin këto dy parti?
Jam skeptik. Duhet me qenë burdush me parashikua qëndrimin konspirativ të Beogradit serbomadh, nëse do ta lejon të ndodh koalicion mes këtyre dy subjekteve të pa “natyrshme” – me përcaktime ideopolitike dhe prejardhje tepër të dallueshme.
Njiheni si antikonformist dhe sulmet drejtuar politikanëve nuk i kurseni përveç atyre ndaj Ali Ahmetit? A jeni i kënaqur me qeverisjen e BDI-së në Maqedoni apo pse i kurseni kritikat ndaj tij?
Ali Ahmetit ende nuk e kam kritikuar publikisht, ndërsa konfidencialisht e kam kritikuar shpesh dhe ashpër, gjatë viteve të qëndrimit në Makedoni. Mendoja se ashtu ishte më konstruktive. Nga viti 2013 nuk kam kontakte fizike as komunikim nga distanca, meqë me telefon nuk komunikoj, e ai është sakat në përdorim të komunikimit elektronik, me shkrim.
Pse EU-ja nuk hapi negociatat për Shqipërinë dhe RMV-në?
Sepse sundimtarët e shteteve anëtare të BE-së u frikësohen qytetarëve të tyre, të cilët do t’i dënonin me vota, nëse do anëtarësonin tani shtete me popullsi myslimane. Qytetarëve të BE-së u kanë ardhur në maje të hunëve imigrantët myslimanë, sulmet e tyre terroriste dhe luftat sektare myslimane në Irak, Afganistan, Siri. Tashmë vetëm politikanëve dhe partive anti-myslimane në BE po u rriten votat.
Paraqitjet nga falja e namazit të bajramit në sheshe të Tiranës e të Shkupit i tmerrojnë qytetarët e BE-së. Ata anakronikë shqipfolës do të dëshironin t’i dëbonin edhe jashtë Europe, e jo t’i qasin në BE…
Kjo është arsyeja e vërtet, kryesore, por për shkaqe taktike, nuk e thonë publikisht.
Kosova dhe Shqipëria në vitin 2030?
Uroj të bashkuara, edhe pse destruktiviteti i shqiptarëve dhe “kosovarëve” po komprometon bashkimin. Tani po zbehen shanset për t’u bashkuar edhe në kuadër të BE-së.
Sa vite keni jetuar fizikisht në Kosovë dhe sa i pasur është Ibrahim Kelmendi?
Në Kosovë kam jetuar vitet e rinisë, 1954-1976, pastaj kryesisht në ekzil dhe emigracion. Gjatë viteve 1999-2003 provova të ambientohem në Kosovë, por dështova. Gjatë viteve 2005-2013 kam qëndruar kryesisht në Makedoni. Vitet tjera, mbi 30 vjet, në Gjermani.
Kam pasuri rreth 40 ari tokë, të trashëguar nga prindërit. Nuk kam banesë as shtëpi, nuk kam as të holla. Nuk kam rrogë nga puna, nga pensioni apo nga invaliditeti, meqë në asnjë shtet nuk kam krijuar shtazë pune, si kusht për pension. Fal vullnetit të njerëzve të mirë, po bëjë jetë të rehatshme.
Cili është pengu më i madh i Ibrahim Kelmendit?
Nuk e kam identifikuar ende.
Atentati politik ndaj Astrit Deharit? Roli i Mediave të regjimit në nxitjen e dhunës ndaj VV-së dhe ndaj elementit shqiptar (jo kosovar) në Kosovë?
Ende nuk dua të besoj se ka ndodhur atentat politik në burg, ndaj Astritit të burgosur, sepse nuk dëshiroj ta mendoj Shtetin e Kosovës të kapur nga marionetat e Serbisë në këto përmasa kriminale. Po pres me ankth shqyrtimin gjyqësor. Jam tepër i pikëlluar, meqë prindërit e Astritit i kam pas bashkëveprimtarë dhe me Astritin kam pas njohje qysh kur ishte fëmijë i vogël në Zvicër…
Fatkeqësisht në Kosovë nuk kemi media profesionale, të pavarura, siç ka fare pak edhe në “botë”; mediat nuk mund të vetëfinancohen, për të mos u kap nga oligarkiatë politike e financiare. Dhe prandaj, nuk mund të pritet angazhim profesionist i mediave të kapura.
A do të ishit i vlefshëm për këshilltar në “Qeverinë Kurti?”
Nuk jam i vlefshëm për këshilltar zyrtar, sepse nuk jam i disiplinuar. Pastaj, unë ofroj këshilla pa qenë këshilltar zyrtar dhe pa kompensim financiar. Do e bëja me kënaqësi, për secilën qeveri. Uroj të formohet sam ë shpejt qeveria.
(Huazuar nga MekuliPress)