Iballa, vatra e origjinës së At Gjergj Fishtës

0
860
Iballa - Pukë

Nga: Dr. Gjelosh NikollaRevista Drini9 Tetor 2019

“Por si gjethët në pyll, kështu janë fiset e njerëzve; disa i merr era e i çon nëpër tokë andej e këndej, kurse të tjerat i merr pylli, që i mbulon dhe i lind gjatë ngrohtësisë pranverore, kështu është pra rraca e njeriut; ndërsa kjo rritet, ajo tjetra zhduket” (Homer, Iliada VI 146-149)”.

Të gjithë shqiptaret kudo rrinë, nga do të shkojnë e nga do të vijnë, çdo njeri ka një origjinë.

Nuk është e dobishme për një komb që të lëmë në heshtje dhe të msheftë prej historisë çdo gjë edhe e vogël qoftë ajo, që i përket rrjedhës së rracës, e cila e formon atë komb. Çdo rracë që formon një komb është e ndarë në shumë degë dhe rrema, në njësi më të vogla që rrjedhin prej një burimi: d.m.th. në shumë fise e barqe dhe pastaj në familje, të cilat larg ose afër e kanë burimin e ngjitshëm më rracën që formon kombin.

Nuk është e mundur të njifet historia e një kombi dhe karakteristikat e tija pa u njohë posaçërisht të fiseve, që e përbëjnë atë dhe për njohje të fiseve duhet me njoftë në mënyrë të shkoqitur ato të barqeve më të vogla dhe ato të vetë familjeve të shumta e të ndryshme të burimeve (gurrave) të një rracë. Dihet që familjet e shumta të një gjaku formojnë fisin. Ne në këtë rast do të flas për fisin e Thaçit, por pa u zgjatë po citoj: “Fisi mbi të cilin e për të cilin na do të bisedojmë këtu asht nga ma të kulluemit, nga ma të fortit e të shëndoshtit, nga ma bukë dhanësit e bujarët dhe nga ma trimat e armës dhe të çfaqunit të mendimeve të arësyeshme”. (Prof. Mehmet Vokshi, Fisi Voksh viti 1931 fq. 6).

Me fillimin e pushtimeve të territoreve shqiptare filloj lëvizja e fiseve duke zënë vend nga veriu në rranxat e maleve të Shqipërisë së mesme, por shumica në rranxat e lumit të Matit, Drinit dhe rreth liqenit të Shkodrës. Fiset që mbeten atje në vendet e tyre më kalimin e kohës i humbën karakteristikat e tyre dhe u përzien më njëni tjetrin, duke formuar një shumicë të pa kuptueshme. Fiset që zunë vend në veri arritën më ruajt veçantitë dhe me u stabilizue secili fis në veti. Vjen një valë e dytë sulmesh barbare që i shtynë fiset më thellë në male në grykat në mes të Shkodrës dhe Krujës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Podgoricës. Do të na interesonte për momentin sa i kahershëm është fisi “Thaç” si dhe toponimi “Thaç”, që deri më sot nuk ka marrë përgjigje të saktë. Më poshtë po citojmë: “…O zot çfarë është kjo mrekulli që po ndërton princi në Butrintin tonë!!??” – tha një ditë një plak duke kaluar më nipin për dore pranë vend punimeve, ku po ndërtohej pirgu (Obelisku), që kishte lëshuar shtat rreth 50 m i lartë.

Rojtari që qëlloj afër dhe e dëgjoj pytjen e plakut duke buzë qeshur i tha: Xhaxha, punët e shtetit i dinë vetëm Zoti dhe Princi, e ti ec më nipin për dore e shiko punën tënde. O zot, o zot – tha plaku me vete, njeriu nuk guxon të mendojë as të flasi me veten. Eja nipash eja më shpejt – e tërheq gjyshi për dore Dritanin e vogël, të habitur që të iknin sa më parë nga rrethimi (rrethorja) i punimeve. Por roja nuk e kishte më të keq, ai i foli plakut më tepër nga kërshëria, që të nisë bisedën më të. Ky ishte një plak simpatik më mjekër e flokë të bardha si bora, më tirqe zhguni të zi e shokë (brez) kuq e zi dhe më qeleshe të bardhë si bora. Rojës nuk ju durua pa e pyetur plakun. Nga të patëm o gjysh? Nga Dardania – ju përgjigj plaku. A a a ! – po nga cili fis jeni xhaxha? I fisit të “Thaçit” përgjigjet më zë të lartë plaku. Edhe nipashi a? – u mahit (bani shaka) rojtari. I gjakut tim është  – ia kthen më gjithë mend plaku dhe e shpejtoj hapin.

Princ Loriku ka jetuar 300-400 vjet para Krishtit (Kadrush Sulejmani, Udhëtimet e Princ Lorikut të Dardanisë, ”Për besëlidhjen e fiseve dhe viseve Ilire” faqe 34). Pra toponimi “Thaç“ na del që para 2000 vjetësh. Rrënjët e Thaç-ëve janë thellë në të kaluarën e largët, në lashtësinë e formimit të fiseve të popullit tonë. Fisi i Thaçit ishte nga gegët e Shqipërisë veriore të Dardanisë së lashtë, Prof. Bedri Pejani e shikon më thellë çështjen. Ai mendon se Thaçët bashkë me fiset e tjera u dyndën nga Dalmacia dhe Bosnjë-Hercegovina gjatë dhe pas kryengritjes së Ilirve kundër romakëve, nën prijësit më emrin “BATO” i Desidiatëve dhe i Dasaretëve në vitet 6 dhe 9 të erës së re (Prof. Bedri Pejani, Strategu xhenial “Krisobulat”, bulat e arta, (Akt – dhurimet) Faqe 35-36; Prof. Dr. Shevqet Sahit Canhasi, Flakadani i Lirisë; Bajram Daklani, botim i revistës “DRITA” TRELEBORG – SUEDI” shtator 2017).

Fisi i Vokshit, që në të vertetë nuk është fis, por nënfis ose një vllazni e fisit Thaç. Fisi i Thaçit kishte zënë vend në Barbullush, Zadrimë, Bushat, Lezhë dhe një pjesë e madhe bregut të lumit të Drinit dhe në Postrribë. Në migrimin e parë, Vokshi qe nda prej Thaçit dhe u vendos në Potrribë, në katundin Vorfë. Në migrimin e dytë që fillon prej viteve 40-50 mbas Krishtit, fisi Voksh përveç vendeve që përmendëm më sipër tani futet në anën jugore të Drinit deri afër Vaut – Spas dhe kështu themelon katundin Iballe si qendër të vetën. Kështu Vokshi i ndihmuar prej fistarve të Thaçit kalon nëpër Iballë dhe zbret në Drin duke e kaluar atë (Prof. Mehmet Vokshi, Fisi -Voksh, viti 1931 faqe 28-30). Po kështu e thotë edhe Prof. Dr. Shevqet Sahit Canhasi që e përmendëm më siper. Thaçet: Sipas gojëdhanave vijnë nga fiset ilire të Maqedonisë, duke kaluar nëpër Mahmuras dhe më vonë në Bushat të Shkodres dhe nga ketu pastaj kanë vazhduar levizjet në drejttime të ndryeshme. Gelasius. Hylli i Drites, XIX-Nr 1-2 viti 1942 fq. 185-187.

Një punë më shumë vlera për studimin e fisit Thaç ka kryer studiusi dhe historiani Z. Xhemal Meçi (Mjeshtër i Madh). Thaçi është një nga 12 fiset e veriut me përhapje shumë të madhe veçanarisht në krahinën Iballë – Pukë, Shkodër, Lezhë, Tropojë, Mirditë, Mat, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e më gjërë (Kapitull që do shkruhet më vonë). Thaçët në Iballë erdhën 4 vëllezër: Buçë Gjeçi, Geg Gjeçi, Prend Gjeçi dhe Dod Gjeçi. Ky i fundit shkoj në Dushman dhe filloi jetesën, pra shumica e Dushmanit janë Thaç. Meqënëse fisi mbahet në 4 vllazën (këmbë) atëherë me Thaçin u bashkue Bobi i Shalës, që quhet vlla i gjetun.

Historiani Xhemal Meçi jep ketë renditje të brezave të fisit të Thaçit, por i kam shtuar edhe 3 breza të lindur mbas Frokut, që janë 1. Arber Dritani, 2. Dritan Kola, 3. Kolë Frroku, 4. Frrok Kola, 5. Kolë Gjergji, 6. Gjergj Uka, 7. Ukë Delia, 8. Deli Mema, 9. Memë Rama, 10. Ramë Iseni, 11. Isen Marku, 12. Mark Buça, 13. Buçë Gjeçi, 14. Gjeç Gjoni, 15. Gjon Prendi, 16. Pre (Prend) Biba, 17. Bibë Loli, 18. Lol Bitri, 19. Biter Bushati, 20. Bushat Cili, 21. Cil Vili, 22. Vil Kola, 23. Kolë Palushi, 24. Palush Pjetri, 25. Pjetër Leci, 26. Lec Alia, 27. Ali Begu, 28. Beg Piruni, 29. Pirun Mula, 30. Mulë Daka, 31. Dakë Ndreu, 32. Ndre Pogu, 33. Pog Murri, 34. Murr Dedi. Kështu që duke i llogaritur nga 30 vjet brezin rezulton më 1020 vjet fisi i Thaçit. Historiani Xhemal Meçi (Mjeshtër i Madh) shkruan për fisin e Thaçit:

Kudo që nguli (zuni vend) në këto hapësira si dhe jashtë Pukës tregoj vehtën një komunitet vital, gjithë forcë, vullnet, guximtar më aftësi, intelekt e talent, ku kanë mbizotëruar lidhjet vendore më ndjejnë fisi të fortë edhe sot bile prej një fisi shumë të fisëm e fisnik”. (Xhemal Meçi-Mjeshtër i Madh, Fisi i Thaçit botuar të Kanuni i Lekë Dukagjinit-Varianti i Pukës 1996, fq-183-185). Sipas Dom Gasper Gurakuqi emrat në studimin e tij jep mendimin së emrat Murrë dhe Deti (Dedë) janë emra të parësh dhe jo vendi (Dom Gasper Gurakuqi Hylli i Dritës,1933, Për Visarin e Kombit, faqë 96-97).

Gjergj FishtaAt Gjergj Fishta

Duke u bazuar në hershmërinë e Fisit, Thaç sipas autorëve të lartpërmendur lëvizjet e kësaj popullsie kanë qënë të shumta dhe në drejtime të ndryshme në perputhje me nevojat dhe mundesitë por gjithmonë na del si pikë referimi Bushati i Shkodrës, që na jep mundësinë të mendojmë së edhe Bushati ka qënë fis Thaçi. Studime të shumta për fiset kanë kryer Franc Baron Nopça, At.Xhuzepe Valentini, Dr. Jur Johan Georg von Hahn, Franz Seiner, Jastrebovi etj, por këto studime përqëndrohen vonë rreth vitevë 1200 dhe po t’u referohemi këtyre, rezulton e pamundur gjithë kjo shtesë natyrore e popullsie dhe shpërndarje teritoriale kaq e madhe e fisit Thaç. Kështu që është më e bazuar ideja dhe mendimi për hershmërinë e këtyre fiseve të cituara më lart. Në studimin e tij “FISET E VERIUT DHE DIOQEZAT” të Dom Gasper Gurakuqit, fq. 163, ku përshkruan shumë pemë gjeoneologjike për fise, vllazni bile dhe për një degë familjare.

Më ketë punë ai mundohet për të depërtuar sa më shumë në thellësinë e origjinës të këtyre familjeve. Duke marrë familjen më të njohur atë të Nikoll Prendit të Pnishit i vllazënisë Prend Gjeç, por duke i shtuar edhe 3 breza pasardhës rezulton kështu: 1. Kristiani, 2. Nikolla, 3. Gjoka, 4. Nikolla, 5. Prendi, 6. Mahmuti, 7. Alia, 8. Mehmeti, 9. Mema, 10. Cena, 11. Kola, 12. Prendi, 13 Gjeçi. Kështu duke e llogaritur brezin 30 vjet rezulton 390 vjet. Kjo periudhë kohore korespondon më lëvizjen e para ardhësve të At Gjergj Fishtës. të vllaznisë Prend Gjeçi nga Iballja për në Gjakovë.

Për këtë, origjinën e At Fishtës, po punohet për detaje dhe sqarime të tjera të reja. Dhe te renditja e brezave nga z. Xhemal Meçi në brezin e 13 del Buçë Gjeçi. Edhe këta janë të vllaznisë Buçë Gjeçi, por u larguan në Arst-Miliska për të mos u konvertuar në muslimanë. Eshtë e kuptueshme së figurat e mëdha patriotike, politike, artistike etj. i don çdo njeri, çdo fshat, çdo rreth, i duan të gjithë por origjina duhet të tregohet e vërtetë, sepse i bën nder të madh të vertetës historike të kombit, sepse sa do e vogël është një lagje, sa do i vogël të jetë një fshat apo një rreth, apo sa do të thella të jenë ato, kanë pjesën e vet në historinë e kombit dhe nuk ka të drejtë askush t’ua përvetësojë, ta transformojë apo t’i transferojnë në një vend tjetër.

Familja e madhe dhe patriotike me emra të shquar si Luigj Gurakuqi e të tjerë ata sot janë shkodranë por origjina e tyre është nga fshati Gurakuq i Çermenikës së Elbasanit (Dom Gasper Gurakuqi, në librin Fiset e Veriut dhe Dioqezat, fq. 190). Vllezërit Lazer e Ndre Mjeda janë shkodranë por origjina e tyre është nga Kryeziu, Pukë (Mentor Quku, Libri, Mjeda volumi i parë fq. 35). Pra jo të gjitha vend banimet janë vend origjinë. Shembuj të tjerë kemi më qindra, por po veçoj se At Shtjefen Gjeçovi është një gen, një gjak dhe kushri më At Gjergj Fishten, pra fis Thaçi, për të cilin shpejt do të japim detaje të reja. Ka ardhur koha që historia të shkruhet nga plejada e “RE” e historianëve, sepse këta shkruajnë në mënyrë vertikale pa komplekse, janë të pa indoktrinuar.

Këta e shkruajnë historinë mbi bazën e fakteve. Historiani Paulin Zefi shkruan se “At Gjergj Fishta” siç i bashkonte shqiptarët para shumë vitesh kur ishte gjallë, ashtu i bashkon edhe sot. Për të krenohet fisi i madh i Thaçit, ku ka rrënjët, Puka (Iballja), Gjakova, Mirdita, Zadrima, Shkodra dhe mbarë Kombi Shqiptarë (Historiani, Paulin Z. Zefi). Pra AT GJERGJ FISHTA I PËRKET MBARË KOMBIT.

Tiranë, shtator 2019