I Vetmuari – tregim nga Ismail Kadare

0
240
Ismail Kadare

Midis vizitorëve të ekspozitës së arteve figurative ishte dhe një prift, që punonte në selinë e kryepeshkopatës. Prifti erdhi në ekspozitë tri pasdite rrjesht. Pasditen e tretë ai iu afrua një burri me qafë të shkurtër, që rrinte i menduar përpara ca gravurave.
– Me falni ju lutem, ju jeni piktori Kristo I. ?
– Po.

Prifti i tha emrin e tij. Mund të bisedojmë për një çështje në qoftëse jeni i lirë?
– Çfarë çështje ? – pyeti i hutuar piktori.
Prifti u përtyp pak. Dukej që e kishte të vështirë të shpjegohej.
– Më kuptoni, në qoftë se ju do të pranoni, ne do t’ju jemi shumë mirënjohës. Veç kësaj edhe nga pikpamja financiare besoj se do të mbeteni i kënaqur.

– Përse e keni fjalën? – pyeti piktori. Gjithë ato ditë ai kishte qenë i mërzitur, sepse asnjë nga punët e tij nuki ishte vënë në ekspozitë.
– Ne kemi nevojë për një piktor që të na pikturojë një kishë ortodokse. Kryepeshkopata ka caktuar për këtë një fond prej dyqind mijë lekësh të vjetër. Në qoftë se ju…
– Piktori hapi sytë. Prifti buzëqeshi lehtë.
– Të mendohem tha piktori. Prifti nuk e zgjati më. I tha natën e mirë dhe u largua.

Pas dy ditësh piktori Kristo I. bëri kontratën me Kryepeshkopatën. Ai mori tetëdhjetë mijë lekë paradhënie dhe filloi nga puna.

Muaj me radhë, piktori, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, mbyllej brenda mureve të kishës. Ai lodhej. Kishte shumë punë për të bërë: duheshin pikturuar një pjesë e mureve dhe po thuaj të gjitha kupolat.

Ai i la mënjanë të gjitha planet e vjetra dhe u dha tërësisht pas punës së re. Tani nuk shoqërohej më as me shokët e vjetër dhe nuk merrte pjesë në diskutimet e piktorëve.

Kolegët e tij, shkonin poshtë e lart nëpër Shqipëri, nëpër kantjere e qendra pune. Ca niseshin për në hekurudhën e re, ca ktheheshin nëpër kooperativat e reja malore, ca të tjerë bëheshin gati për të shkuar me ekipet për prishjen e fejesave të të miturve dhe për zhdukjen e zakoneve prapanike. Ata ishin plot telashe, plane dhe skica. Kurse ai kishte vetëm një telash: të mbaronte brenda afatit pikturimin e kishës dhe të merrte paratë. Në kokën e tij, në vend të vinçave, tarracave dhe peisazheve malore kishte një mori kryqesh, shenjtorësh e fytyra të zbehta me aureola.

Kishte mbaruar pikturimin e mureve dhe tani po pikturonte kupolat. Kjo ishte një punë fort e vështirë. Qafa i dhimbte vazhdimisht. Orë të tëra duhet ta mbante kokën lart.

I jepte kurajë vetes, duke menduar se, ndoshta, njerëzit që do të vinin në kishë do ta pëlqenin punën e tij. Nëpër ekspozita ai nuk kishte patur asnjëherë sukses. Së paku, të kishte këtu. Veç kësaj, ishin dhe paratë. Asgjëkund nuk të jepnin një onorar kaq të madh.

Përsa i përket ndërgjegjes, ishte pothuaj i qetë. Ai nuk kishte pasur asnjëherë ndjenja antifetare. Nganjëherë çuditej: si qëlloi që priftërinjtë i vunë sytë atij dhe jo ndonjë tjetri. Thonë se priftërinjtë janë të zgjuar, mendonte. Ata e kuptuan menjëherë se ai ishte i përshtatshëm për një punë të tillë. Pikturimi i kupolave po i afrohej fundit. Qafa i dhembte tani më shumë. Herë-herë i ërrësoheshin sytë.

Dhe ja, erdhi dita e fundit. Ai e ndiente veten keq. Ishte lodhur shumë. Erdhën priftërinjtë nga episkopata. E falenderuan dhe nënshkruan çekun.
Po atë mbrëmje u shtrua në spital. Kishte një dëmtim serioz në nervat e qafës. Në spital qëndroi shtruar tre muaj.

S’ka dy javë që ka dalë nga spitali. Qafa i ka mbetur pak e shtrembër dhe ecën ngadalë. Kur i flet ndonjë i njohur në rrugë, kthehet i gjithi, me mundim. Por ai ka pak të njohur dhe shumë rrallë detyrohet ta bëjë këtë gjë.

I. KADARETregim – Viti 1967.