LETRA
Komisioneri Hahn iu shkruan shqiptarëve: I ofruam çdo gjë PD-së, por ata s’duan zgjedhje. Zgjedhjet të mbahen edhe pa PD-në në 18 qershor, dënoj fuqishëm thirrjet për dhunë!
Komisionieri për Zgjerim, Johannes Hahn, iu është drejtuar me një letër qytetarëve shqiptarë.
Ai thotë se Partia Demokratike, pavarësisht ofertave të shumta që i janë bërë, nuk pranon të marrë pjesë në zgjedhje.
Për këtë arsye, ai shkruan se zgjedhjet edhe pa PD-në, duhet të mbahen.
Ai ndërkohë dënon thirrjet për dhunë dhe thotë se shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë, nuk është fitore për asnjë palë.
Letra e Johannes Hahn
Të dashur qytetarë të Shqipërisë, miq të dashur,
Po ju drejtohem sot me një shqetësim të madh.
Në javët e shkuara janë bërë disa përpjekje për të promovuar dialogun mes partive politike në Shqipëri, nga ana e përfaqësuesve të BE, përfshirë dhe mua dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë e të gjitha palëve, duke u munduar të lehtësojmë gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në vazhdim.
Janë ofruar një numër opsionesh me shpresën se partitë dhe udhëheqësit e tyre do të tregonin përgjegjshmëri në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.
Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Sot gjendemi në një situatë ku procesi zgjedhor është vënë në lëvizje për të realizuar zgjedhjet në 18 Qershor. Ky process do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e partive më të mëdha opozitare. Kjo është një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare, për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Më duhet ta respektoj por në të njëjtën kohë ta shoh me keqardhje një vendim të tillë nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që ofrojnë një zgjedhje të gjerë elektorale dhe sigurojnë standarde zgjedhore. Gjithsesi procesi demokratik duhet të vazhdojë edhe pse disa zgjedhin të mbeten pas.
Demokracia dhe standardet demokratike, nuk do të ndalohen nga bojkotimi i institucioneve dhe zgjedhjeve demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen në bazë të meritave të tyre, sipas standardeve ndërkombëtare.
Institucioni evropian më kompetent, ODIHR, ka lëshuar së fundmi vëzhgimet e veta për veprimtarinë zgjedhore në Shqipqri.
Ne jo vetëm e mbështesim ODIHR, presim gjithashtu që të gjitha institucionet me rëndësi të Shqipërisë do t’i ofrojnë bashkëpunimin dhe transparencën e tyre të plotë gjatë misionit, si gjatë fushatës ashtu dhe në ditën e zgjedhjeve. Është në interesin e Shqipërisë dhe të autoriteteve të saj, që OSBE-ODIHR dhe të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë të jenë në gjendje të zhvillojnë në mënyrën më të mirë rolin e tyre kyç, për vlerësimin e zgjedhjeve.
Prandaj më lejoni të jem i qartë dhe për një gjë tjetër: Dënoj fuqishëm çdo lajmërim apo thirrje për ‘veprim’, që do të kërcënonte të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe liritë e tyre themelore. Këto ‘veprime’ nuk mund të justifikohen dhe nuk janë pjesë e standardeve të BE.
Në të kundërt, është një vlerë themeltare evropiane, që idetë dhe propozimet politike – pavarësisht nëse u pëlqejnë apo jo – të diskutohen brenda institucioneve, veçanërisht Parlamentin Shqiptar.
Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit tuaj, të çdo pale qofshin!
Sa i përket kësaj, më lejoni t’ju them dhe një gjë. Anulimi i zgjedhjeve në Kavajë nuk është fitore për askënd! Është një humbje për demokracinë.
Të dashur qytetarë,
Kam besim të plotë se shqiptarët do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre të tregojnë vetëpërmbajtjen dhe pjekurinë demokratike, që pritet nga një vend që aspiron të jetë pjesë e BE.
Le të jemi të qartë: udhëheqësit do të jenë përgjegjës nëse mundohen të nxjerrin nga shinat aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.
BE do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Dhe çka është më thelbësore, do të vazhdojë t’ju mbështesë në shtegun drejt anëtarësimit në BE.
Marrë nga gazeta TemA