I LIGU – poezi nga Zymer Mehani

0
779
Zymer Mehani, portret

Zymer Mehani

I LIGU

Punët e veta – llugë
E me t’huajat merret
Gjithkund e futë hundën
Prej agut, gjer t’erret
S’i shpëton asgjë
Pa e parë te tjetri
“T’i di lug’t në krojshe”
Siç ka thënë i vjetri
N’shpi t’vet s’ e sheh buallin
Te tjetri sheh mizën
E bën qimen tra
Rron me qësendismën
Nuk ka njerëzillëk
I paedukuar
Kurrë s’i pushon goja
Duke përgojuar
Për vëllanë flet keq
Për mikun dhe shokun
Trillon e gënjen
S’ta këputë konopin
Tërë ditën e çon
Duke u sorollatë
Se Zoti e ka falë
Me mendjen sakat
Me dorë asgjë s’prekë
Asnjë punë s’e kryen
Shpif edhe trillon
T’bardhën e përlyen
Këmbë e tij ku shkel
Tokës i rëndon
Ndërron njëqind f’tyra
Si kameleon
Gjuhë t’nëpërkës ka
Kudo therë me fjalë
S’e mendon të fundit
Të dalë ku të dalë
Dhe gjërat e huaja
Shpesh i përvetëson
N’xhepa t’huaj futë dorën-
Është i tij zakon
S’e thotë kurrë t’vërtetën
Gënjeshtrën ka shok
Bën e çfarë nuk bën
Dy gurë s’i lë tok
Mjerë sh’pia që e ka
Mjerë dhe tërë qyteti
Lanetër e djaj
E marrshin me veti.


Pak jam poet

Pak jam poet
Me zemrën si det
Herë përplot tallaze
Herë tejet i qetë
Kur t’më ngjiret zëri
Me timin varg flas
Kur shkelet butësia
Me maraz bërtas
Fjalë e besë kur thehen
Zemërohem, rrëmbehem
Dashuria kur shahet
Shpirti seç më vrahet
E bardha kur njolloset
Zemra më brengoset
I keqi kur prin
Gjaku n’dej më ngrin
Pëllumbat kur lodhen
Për ta fluturoj
Dëshmorët po t’ harrohen
Për ta vjershëroj
Thur vargje për qiellin
Malet majelarta
Për mamanë n’kuzhinë
Me duar të arta
Për motrën mantelbardhë
Në t’detyrës nivel
Për Bilbil Bilbiloshin
T’vogëlushes kurdel
Të gjitha n’ varg i kam
Se pak poet jam.


Diku

Në ëndrrat e mia
Më mbeti në zemër
I bukur yti emër

Në të miat pritje
Imi mall për Ty
M’u bë poezi

Në tonat përqafime
Mori shqipja trime
U ndez zemra ime


Këndo

Me shushurimën e gjethit në mbrëmje
Dhe me gurgullimën e lumit në mëngjes këndo
Me përkëdheljen e lehtë të erës
Dhe në zbardhëllimin e agut, këndo, mos pusho
Edhe me plagë po të jesh në zemër
Dhe në vuajtje po të jetosh, kendo
Dhe në fytyrë kur nuk ke buzëqeshje
Edhe kur s’të këndohet, s’ka dorëzim, kendo
Këndo se njeriu është më i fortë se guri
Kështu thotë urtia ndër shekujt që kalojnë
Këndo dhe kurrë ti mos e ndal këngën
Gëzo ditët që vijnë se gjithmonë nuk jetojmë