I ka paratë të më shtypë te vijat e bardha…

0
533

Opinion.al

Kërcënimi/Gazetarja padit pronarin e agjencisë turistike: I ka paratë të më shtypë te vijat e bardha

Gazetarja Rudina Xhunga ka denoncuar në Prokurori një pronar agjencie turistike, i cili sipas saj e ka kërcënuar pas një shkrimi që gazetarja ka botuar për turizmin në jugun e Shqipërisë.
Në statusin e saj, Xhunga thotë se u detyrua të bëj këtë denoncim pasi këta njerëz kanë aq shumë para për ti mbyllur gojën në forma të ndryshme.

Statusi i plotë

Nga Rudina Xhunga

Dje paraqita kallëzim penal në Prokurori.
Për pronarin e një agjencie turistike që më kërcënoi me jetë.
Enver Mehmeti pas një shkrimi në dritare.net për ferrin e pushimeve , prenotuar te agjencia tij, më bëri të qartë fundin që më priste.
Dhe ai e bën. Ndaj e denoncova.

E denoncova se e besova. Ai nuk është anonimi i zakonshëm që kërcënon në emër të partisë.
Ai kërcënon dhe e mban fjalën, në emër të parasë.
I ka paratë të çojë e mbrojë një njeri, që më shtyp në vijat e bardha.
Gazetarët nuk i vrasin më në luftë. Është paraja, nuhatja që i çon te paraja, që ju merr jetën.

Unë jam gazetare e një jete, 20 vite prej të cilave, dy muaj, çdo vit ia kam kushtuar turizmit.
E kam bere, apo jo?
Ma thuaj tani, jo ne përcjellje!

Nuk kam bërë kurrë gazetarinë e dekoltesë ose portofolit, kam bërë e bëj gazetarinë e zemrës.
Kam bërë emisione në kasolle që u bënë hotele, në hotele që u bënë resorte, ne jugun, që po bëhet Amalfi ynë, Parga jonë, në veriun që u bë Zvicra jonë, sepse e dua këtë vend dhe ia shoh të ardhmen që do i vijë, një ditë, prej turizmit.

Dhe nëse ky njeri që më kërcënon, e di, por nuk do t’ia dije, atëherë e paskam prekur tek ajo çfare mund të fshehë, ose ai pas të cilit mund të fshihet.
Nuk i besoj përrallave me biznesmenë që nxehen e nxihen se media i përlyen.
Hyr në tripadvisor, shiko gjithë komentet negative për një hotel dhe përgjigjet që jep administratori apo menaxheri. I përgjigjen çdo klienti.

Ky që të dënon me vdekje, pse ankohesh, nuk është njëri prej tyre. Kush nuk sqaron, por kërcënon diçka po fsheh.
E dini ku shkojnë paratë e shqiptarëve për turizmin? E dini ku shkojnë më shumë shqiptarët me pushime?
Nuk janë në tokën tonë, as në detet tona, janë ne avionët që vijnë e kthehen nga Turqia.

E dini si është qielli në orën 3 te mëngjesit, plot me njerëz që ikin e vijnë nga Tirana e Antalia, me avionë që i ruan zoti. ( Temë për të investiguar kjo.
Se sot agjencitë mund të të paguajnë t’ju mbrosh imazhin, po nesër mund të jesh ti në një avion që bie, e të vdesësh me klering).

Ata që shkojnë Turqi, s’ka dyshim që kënaqen, japin kursimet e një jete, nuk paguhen të shkojnë.
Por nëse njëri prej tyre guxon ankohet në media , për pak më shume dinjitet, ja çfarë e pret!
Kur më dënojnë mua me vdekje, atë e vrasin pa gjurmë.

Kjo sepse nuk flasim.
” E kujt i bëhet vonë për mua, ndaj unë s’po flas. Mos fol se të ikën koka. ”
Po ç’e dua kokën unë, kur më duhet vetëm ta mbaj ulur?!
Dje dorëzova një kallëzim penal për kërcënim jete.
Sepse dua mbrojtje prej një njeriu që me paratë e mia dhe të tuat, ka bërë paratë të më mbysë fjalën dhe shuajë mua.

Sot është radha ime, të kërkoj çfarë i trimëron enverët, dhe do të flas e bërtas që kur të të ndodhë ty, të thuash, “edhe mua”, jo të tërhiqesh si qytetar i dorës së dytë, se ai ka lekë e të bën gjëmën, ti je një mizë a një flutur qe s’bën dot dëm.
Dije, që siç ia jep ti lekët, ti ia dhuron edhe pushtetin, me heshtjen tënde.
Dije, një flutur e sjell ortekun. Ndaj e kallëzova penalisht biznesmenin që më kërcënoi me jetë. /dritare.net/


Ylli Dylgjeri

Solidarizohem me Rudina Xhungën

Një kallzim penal është bëre këto ditë nga gazetarja Xhunga. Është kallzuar biznesmeni i një axhencie turistike me emrin Enver Mehmeti.
Kallzimi vjen pas një kërcënimi me jetë që ky i fundit i bën gazetares Xhunga. Kështu thotë Rudina në shkrimin e saj.
Pasi lexova shqetësimin e Rudinës u trondita!
I njoh të dy, edhe Enverin edhe Rudinën.

Por, Rudinën e njoh që në vajzëri. Kam miqësi e punë të përbashkët me Të në vitet e shkuara. Punonim bashkë në një gazetë.
Sot, pasi lexova shkrimin e saj, vitet më çuan tutje, në kohën kur botonim gazetën “Aleanca Demokratike”. Ishte fare e re kur një ditë na erdhi në redaksi në zyrat e Aleancës për të filluar punë. Kryeredaktori Blendi Fevziu më ftoi dhe mua në një juri të improvizuar për të vlerësuar dy kandidatë që kishin shprehur dëshirën për të punuar në këtë gazetë. Njëri prej të dyve sot nuk rron më. Ai ishte i ndjeri Sokol Olldashi.
Të dy u prezantuam me dinjitet në atë konkurim modest dhe në fund i pranuam në gazetë.

Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite. Rudina e mënçur na bëri shpejt miq me çapkënllëqet e saj në shkrime e shoqëri. Nuk e harroj përkushtimin, talentin, sakrificën, dhe guximin e saj në gazete. Vitet do rridhnin dhe Rudina do rritej më pas në gazetarinë televizive. Pas Aleancës e Zëri i Popullit, më tej në Top Chanel e së fundi në TV Vizion +. Me një prodhimtari të pafundme në publicistikë, romane, debate në studio, reportazhe, shkrime, etj.

Sot ky talent i publicistikës, kjo grua, kjo nënë, kjo aktiviste e të drejtave të grave e nënave ndodhet nën kërcënim jete. Dhimbje.
Ju lutem kolegë të shtypit: Solidarizim!
Jam me ty Rudina.
Drejtësia është sërisht në provë.