Hysaj bamirësi në Malësinë e Madhe: Ndihmon shokët e fëmijërisë (FOTO)

0
1020
Hysaj - bëmirës

Panorama Sport, 17 gusht 2016

Pak ditë para fillimit të sezonit të ri me Napolin në Serinë A, Elseid Hysaj rikthehet në vendin e tij të origjinës, por këtë herë jo për të marrë një tjetër titull nderi.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit ka zhvilluar një mision humanitar në Reç të Malësisë së Madhe.

Ai ka ndihmuar familjen Gjonaj, djemtë e se cilës të mbetur jetim që të vegjël dhe janë në vështirësi të mëdha ekonomike. Duke i njohur që në fëmijëri, Hysaj ka menduar që përveçse t’i ndihmojë me ushqime dhe veshmbathje të kalojë një ditë të tërë në shoqërinë e tyre. Bravo Kampion!”, – shkruan portali “Realiteti Shkodër News”, që ka postuar edhe dy foto të mbrojtësit kuqezi.

Hysaj ishte një ndër lojtarët më të mirë të Kombëtares në finalet e Europianit. Ai mori edhe shiritin e kapitenit në ndeshjen ndaj Zvicrës, pas daljes me karton të kuq të Lorik Canës.

Rreth një muaj më parë, ai mori titullin “Qytetar Nderi” nga kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, bashkë me sulmuesin Bekim Balaj.