Harta 1. Harta e pozicionimit të Pikës së Mullirit: 1. Pika e mullirit, realisht siç ndodhi të ishte; 2. Pozicionet që i kërkoja, por që komandant Terri nuk i lejoi; 3. Drejtimi nga do sulmoheshim( të gjithë e pritnim në këtë drejtim).4. drejtimi nga do sulmoheshim për t’na marr krahun.
Skënder Jashari
Pikën e Brijës, ku forcat serbe ishin më të shumta, nuk bëmë as përpjekjen minimale serioze për t’i thy. Pasi na u dha urdhëri për t’u kthy mbrapa nga Prroi i Tërdhave, në ora 16:45, me arsyetimin që me rënijen e mbrëmjes do risulmonim në drejtim tjetër, jemi kthyer në Brijë( tek mortaja 60 mm), e cila sipas raportimit të ushtarit tonë, që e përdorte kishte gjuajtur rreth 10 predha. Na u tha që njësia jonë( që e komandonte Terri), duhej të tërhiqeshim, kështu që vazhduam për tek kryqi i “Lakut të Madh”. Nga kjo kuptohej që Terri si i besueshëm i Shpëtimit, kishte dijeni paraprake për hyrjen në Rahovicë, po ashtu kishte dijeni për planin e sulmit kundër Brijës, e që nuk shqetësohej, nuk diskutonte fare për mos suksesin tonë( që nuk e thyem Brijën, madje as nuk gjuajtëm direkt në forcat serbe).
Tek kryqi i Lakut të Madh, disa metra anash, kah Përroi i Bukocit, (ku ishte pozicioni i mortajës tonë 82mm dhe një 60mm), qëndruam me eprorin e njësisë së artilerisë. Në atë çast, na konfirmohet urdhëri:” po hyjmë në Rahovicë!”, të cilën Terri e tha, pasi komunikoi në radiolodhje me Shpëtimin. Gjatë kësaj kohe, bisedonim, mes tjerash edhe për mos angazhimin e asnjë fshati tjetër (as Shoshajës së Epërme, Gosponicës, Muaxherës). Këtë e shoqëroi edhe me një fjali të çuditshme:” unë po hy por i gjallë nuk kthehem!” Shumë mirë e njihja sesi sjellej në raste luftimesh, prandaj ishte e habitshme për mua fjalia e tillë.
Fjalia e Territ; mosthyerja e Brijës; mosthyerja e Pyllës (që patjetër së paku kjo do duhej të thehej), ishin të habitshme dhe s’dukeshin serioze, por vinte erë tradhtie. Terri herave tjera shprehej: “komanda zbatohet, nuk diskutohet” (madje edhe komandat e paarsyeshme!), derisa edhe këtë herë si edhe në një rast tjetër, në rastin e hyrjes në betejë, filloi ta arsyetonte hyrjen, duke thënë që: ”Shpëtimi vazhdon me thy Pikën e Pyllës, kurse neve na duhet me marr Rahovicën, ku i kemi 750 ushtar, e do sulmojmë Pyllën edhe nga poshtë, do na vijnë ushtar edhe nga Dobrosini, pastaj nga Tërnoci etj etj!” Arsyetimin e dha, sepse ne ushtarët shprehnim habinë sesi po hyjmë në rrethim! Por habija jonë, pra edhe pse ishim disa ushtar që ishim sprovu në beteja tjera, u treguam shumë naiv dhe lehtësisht të mashtruar, më së shumti na mashtroheshim nga dëshira për të gjuajtur kundër forcave armike.
Njësia jonë, kishte 14 pjestarë, që do hynim në Rahovicë, mes tyre kisha besim në rreth 6 ushtar, të tjerët i njihja që nuk ishin dalluar fare në betejat e mëparshme, madje disa i njihja edhe për spijun, agjent e bashkëpunëtorë të armikut, disa edhe si frikacak e tradhëtar. Armët që kishim: një top dore 40mm; dy RPG-7; një RPG-2; disa zolla (M80); një pushkomitroloz M84; disa pushkomitroloz të lehtë, të tjerët pushkë automatike dhe një RBL-79 (Os).
Më 12.05.2001, paradite në Poligonin për ngritje të Flamurit në Bukoc, gjatë strukturimit të njësisë, komandanti i ZOP-së (Shpëtimi) dhe komandanti i Batalionit “Qenan Ibrahimi” (Terri), strukturuan shpërndarjen e armëve anti-tank. Ngaqë ndër më së miri i njihja secilin ushtar në këtë batalion, dyshoja edhe në përdorimin e armëve anti-tank. Andaj Osin kisha këmbëngulur që ta merrte një shokë të cilin e njihja si për luftarë të mirë, por që në Betejën e Rahovicës pos një predhe asnjë më shumë nuk ka shkrepur (për të cilin kisha fituar zhgënjim). Paraprakisht kisha tentuar ta mbaja vetë Osin e pastaj një RPG-7, por edhe këtë herë isha mashtruar (më ishte thënë:” ti ke 84-shin që duhesh krejt kohën me gjujt!”), në fund më lanë si zëvendësues të një grupe për gjuajtje me RPG-7!
Derisa kisha dy zolla (M80), për më keq pastaj në fshatin Rahovicë, njërën ia dhash shokut që kishte Osin (e të cilën e kam pa të hudhur në afërsi të prroit të Markut, pas lufte!). Pos predhave jo aq të mjaftueshme, e as nuk kishim predha rezervë në Rahovicë, sidomos për RPG-7, të cilat ishin ndër më të rëndësishmet, kundër blindave, nuk kishte as zolla e as predha të mjaftueshme për Osin( RBL-79). RPG-7 nga njësia jonë, që u përdorën me sukses në Betejën e Rahovicës, ishte vetëm njëra, që përdori Dëshmori Kastriot Arifi.
Jemi nisur në ora 17:05 afërsisht, rrugicës kah Prroi i Markut, nëpër këtë rrugicë (monopat), kisha kaluar disa dhjetra herë për në Rahovicë, për dërgim armësh, furnizim lufte etj. Gjatë rrugës, jemi ndalur në disa vende, për t’iu shmangur syrit të forcave armike nga kodra e Brijës (prej nga mund të shihej)!
Në hyrje të fshatit Rahovicë, përmes përroit që shpie tek “mulliri i Krumve” kemi dalur në këtë pikë. Aty gjetëm disa civil të armatosur, e disa të tjerë më pas erdhën, por po ashtu u mblodhën edhe civil të paarmatosur.
Filluam hapjen e istikameve( në pikën e shenjuar me numrin 1) dhe mbushjen e thasëve me rërë dhe gjetjen e pozicioneve të përshtatshme, derisa komandanti i Njësisë më shumë merrej me shpërndarjen e kësaj njësie në tërë fshatin. Kastriot Arifi dhe dy ushtar të tjerë, komandant Terri i caktoi për kah Pika e Preshevës, disa të tjerë i shpërndau në anët tjera. Në pikën tek Mulliri, mbetëm disa por që në fakt vetëm edhe dy tjerëve mund t’i besoja deri në një masë. Pasi u angazhova në krijimin e fortifikimeve dhe pozicioneve në këtë pikë, pas gati një orë i mbaruam disa. Komandant Terri u kthy në këtë pike, në atë rast, i kërkova lejen që të pozicionoheshim M-84 dhe RPG-7, në kodrat në anën e majtë të kësaj pike (kodrat në dy anët e përroit të Markut, pra në pozicionet 2 në hartë), kurse në pikën frontale të “mullirit” të linim sa më pak ushtar (e shenjuar në numrin 1).
Logjikisht e prisja që armiku fillimisht apo paralelisht do na sulmonte edhe në drejtimin 4 (të paraqitur në hartë), e jo vetëm me sulm direkt( në drejtimin 3 të paraqitur në hartë). Reagimi i Territ ka qenë tepër kategorik, që vetëm tek “mulliri” (pra tek numri 1, i figuruar në hartë), asesi jo në kodrat afër (në pikat 2 të shenjuara në hartë), kjo ishte përgjigja më utopike. Nga përgjigjeja që dha, kuptova që Terri zbatonte urdhëra, kurse unë këtë e kuptova si tradhëti që do na ndodhte, e ndjeja humbjen e kësaj beteje, në këtë pikë. Sërish nuk këmbëngula!
Më pas, pasi mbaruam pozicionet në pikën 1 (të shenjuar në hartë), shkuam të flenim në katin përdhes të një shtëpie, derisa ruanin disa civil të armatosur. Më pas, më zgjojnë, ku Terri më urdhëron të shkoja në Pikën e Fushës (tek shtëpia ime). Në atë rast një nga zolat e mia, ia lash këtij shokut që besoja që do e përdorte, duke shpresuar që në pikën ku do shkoja do gjeja RPG-7. Babai im kishte kontaktuar me Terrin, ku i kishte kërkuar që asnjë ushtar nuk kishte në pikën e Fushës (tek Familja ime), derisa në pikat tjera kishte të pozicionuar ushtar, pos civil të armatosur, shkaku i së cilës Terri kishte urdhëruar shkuarjen time atje.
Forcat serbe, fillimisht erdhën nga drejtimi i Preshevës për në Rahovicë, pastaj filluan të lëviznin në drejtim të fshatit Rahovicë, njëkohësisht nëpër fushë( kah Pikat e Fushës) dhe kah pika e Mullirit. Sulmuan në drejtimin 3 (shënuar në hartë), derisa pasdite, konfirmohet që forcat serbe në këmbësori kishin sulmuar edhe nga krahu malor( shënuar me numrin 4). Nga forcat armike ishin rreth 3 tanke, një BMP dhe një BOV me mitroloz, ndërsa nga forcat tona thuhej se armiku sulmoi me disa qindra ushtar, e disa dhjetra blinda! Praktikisht mund të llogaritja që armiku kishte në drejtimin 3, rreth 30 ushtar, e jo sa na thonin disa bashkëluftëtar, që shifrën e ngritnin në disa qindra e deri në disa mijëra.
Të hënën, nga Shoshaja e Epërme vijnë në përforcim disa ushtar, mes tyre edhe Bardhyl Osmani, Mehmet Hajdini, Nderim Hajdini, Latif Ahmeti etj. (këta katër i besoja për ushtar të vërtetë).
Të dielën rreth orës 10, në Pikën e Jasharëve (në Pikat e Fushës), vje Fehmi Shaqiri (vëllau i Shpëtimit), me një ushtar frikacak e tradhëtar (Danushi nga fshati Rahovicë), duke kërkuar që unë, apo Valon Jashari, të shkonim ta mbronim Brijën, sepse nuk kishte më ushtar atje që do ta mbronin. Në këtë rast, babai im, kërkon që me urdhër të komandantit të merrte disa dhjetra bashkëfshatar të armatosur, më të moshuar që të shkonin në mbrojtje të Brijës, kurse djemt e ri të qëndronin në Rahovicë, për të qenë më të manovrueshëm. Fehmi Shaqiri, nuk pranoi – ishte e qëllimshme, sepse s’donin beteja të përgjakshme në Brijë!
Në ora 15:00, vje një kushëri i imi (i cili ishte ushtar), të cilin e njihja për spijun të armikut, i cili më thotë:” komandant Terri të kërkon, me ardhë në përforcim në Pikën e Mullirit, se këmbësoria serbe e ka marrë malin e po na gjuajn nga andej (pra kodrat ku kërkoja të pozicionoheshim të shënuara në hartë në numrin 2), dhe vazhdon:” e vrajtën Mitat Musliun!” Aty ashpër e me nervoz i përgjigjem: ”i kam thënë Territ, në ato kodra na duhet me dalë, e tash shkoni merrni ju vetë!”
Nga sa përcjellja luftimet prej Pikës ku isha (Pikës së Jasharëve), dhe dëgjimit të krismave, që në ndeshjen e parë, forcat tona u tërhoqën për rreth 200-300 metra mbrapa. Ishte vrarë Mitat Musliu, në rrethana të dyshimta, derisa në lidhje me këtë dyshoheshin që kishin dorë në tradhëti dy shqipfolës nga fshati dhe një eprorë i yni me grupën e tij, që kishte hyrë nga Bukoci kah Prroi i Markut!
Ditën e dielë dhe të hënë, 13-14.05.2001, në orët e para rënjes së mbrëmjes, shohim që maleve iknin fshatarët e fshatit Rahovicë, këtë e kuptuam që e kishte organizuar si formë të dezertimit Musli Rashiti (i cili ishte caktuar si Komandant i civilëve të fshatit Rahovicë, por të cilin e njihja për njeri të Serbisë). Në këtë rast kishin ikur edhe ushtarët tonë, të Pikës së Mullirit, edhe pse disa nga këta i kam kontaktuar edhe pas luftës, gënjejnë duke u arsyetuar që gjoja janë tërhequr ditën e martë (një ditë më vonë), por nuk e arsyetojnë tradhëtinë-mos lajmërimin e pikave afër tyre!
Gjatë ditës së hënë, forcat serbe, me tank rreth 3 herë (sa i kam pa), kanë gjuajtur nga pika e Fushës (nga tanku që ishte drejtuar kah pika e Familjes time), në drejtim të pikës së mullirit. Në atë rast pika ime, pika e Studentit, pika e Malsorit, nuk kemi shkrepur asnjë plumb (dmth praktikisht ne kishim bërë tradhëti, duke mos goditur armikun!). Edhe pse thuhej, që Bardhyl Osmani (Delta), gjoja ka gjuajtur një predhë RPG-7, kundër këtyre tankeve, por kjo mbetet vetëm gënjeshtër, sepse asnjë fishek realisht nuk është shkrepur nga ne. Një RPG-7 e kishte Xhemajl Fazliu (Studenti), derisa në mëngjesin e ditës së hënë, i kisha kërku komandant Territ, që t’ma siguronte një RPG-7 me rreth 6 predha edhe për pikën tek Familja ime, por ai më garantoi që Serbia s’do na sulmonte nga fusha-e që unë nuk e besoja!
Në fshat u vërejtën shumë bashkëpunëtorë të Serbisë, agjent e propagandues të Serbisë, hoxhallarët dhe shumica e mësuesëve që ndihmuan Serbinë, politikan që ikën nga fshati për në Iliridë (Skender Destani) e ca të tjerë për në Preshevë; veprimtari të shtuar të tradhëtarëve dhe agjentëve të Serbisë, tradhi kundër ushtarëve tonë etj etj.
Pika tek Mulliri, është tërhequr pa lajmëruar pikat tjera kah Fusha, siç këtë tradhëti e bënë edhe të gjitha pikat tjera, duke i lënë vetëm pikat e Fushës të mbetnin në fshat! Tërheqja e ushtarëve tonë, nga fshati Rahovicë, u bë ditën e hënë rreth mbrëmjes. Pika e Preshevës, pas plagosjes së Territ dhe Kastriot Arifit, kishte dërguar një ushtar (Naniçkën), që t’na sjellte komandën, por pastaj Ismal dhe Xhevat Demiri deklaruan që sapo biseduan me Shpëtimin dhe s’ka komand me u tërheq. Një ushtar që kisha dërgu për ta lajmëru tërheqjen e Xhemal Fazliut, kthehet duke më thënë që: ”studenti tha s’ka komandë me u tërheqë!”
Më: 22.05.2019
Skender Jashari, i burgosur politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik! Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.