Shkruan: Florim Zeqa, 30.11.2020
Bazuar në politikën provinciale të zhvilluar viteve të fundit në Kosovë, për aq sa është i rëndësishëm Skenderaj për PDK-në, Deçani për AAK-në apo Malisheva për NISMA-n, do duhej të ishte e rëndësishme edhe Podujeva (vendi nga vjen Isa Mustafa) për LDK-në, njërin nga pak bastione të pathyera deri më 29 Nëntor 2020.
Por problemi është, që liderit aktual të LDK-së nuk i intereson fryma rugoviane në këtë subjekt, e aq më pak interesi shtetërorë, pasi ai nuk udhëheq politikë shtetërore dhe provinciale, por më pak se kaq, politikë klanore.
Po të mos ishte kështu nuk do ta çonte Podujevën pa pikë nevoje në zgjedhje në kohë pandemie me emërimin e z. Agim Veliu në postin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëmë prej qindramijëra eurosh dhe rrezikim të shëndetit (jetës) së qytetarëve.
Po të mos ndodhte kështu, do të mbrohej buxheti i shtetit dhe njëkohësisht bastioni i LDK-së në Podujevë.
Logjika e klanorëve të LDK-së për ngritje në poste të pa analizuar benefitet dhe pasojat, bëri që LDK-ja të peshojë më lehtë në Podujevë, më lehtë seqë është pritur edhe nga pesimistët më të mëdhenjë.
Me logjikën klanore të drejtimit të partisë, LDK-ja, nga një parti që i fitonte të gjitha zgjedhjet (parlamentare dhe lokale) është kthyer në humbëse serike të zgjedhjeve.
Nga ardhja e liderit aktual, Isa Mustafa në krye të saj, LDK-ja nga parti prijëse e proceseve politike është kthyer në parti ndjekëse të zhvillimeve politike në vend.
Me Isa Mustafën në krye, LDK-ja, nga një parti shtetformuese dhe shtetndërtuese është kthyer në parti shtetrrënuese dhe shkatërruese e vlerave demokratike në subjektin simbol të proceseve demokratike në mbarë hapësirat shqiptare dhe ato ballkanike.
Humbja e Podujevës duhet të jetë shqetësim dhe alarm i kuq për të gjitha forcat progresive në këtë subjekt politik, për mobilizimin e të gjitha kapaciteteve intelektuale brenda dhe jashtë (në Diasporë), për të parandaluar humbjen fatale në zgjedhjet e radhës (parlamentare dhe lokale).
Isa Mustafa pa asnjë fitore si liderë i LDK-së, sikur të kishte vetëm pak ndërgjegje politike dhe dinjitet njerëzorë, pas humbjes së Podujevës, ditën e nesërme do duhet të tërhiqej nga drejtimi i partisë së bashku me klanorët e tij, për t’iu lëshuar rrugë atyre që e duan me shpirtë LDK-në, themeltarëve dhe gjeneratave të reja, aktivistëve dhe veprimtarëve besnik të filozofisë politike rugoviane në Kosovë dhe Diasporë, për t’ia kthyer primatin e partisë politike në vend dhe rikthimin e namit të dikurshëm si lëvizje intelektuale në mbrojte të interesit shtetërorë dhe kombëtar.
Nëse nuk zgjohet shpejtë elektorati rugovian i LDK-së, për largimin e mënjëhershëm të klanorëve nga drejtimi i partisë, mund ta harrojnë Podujevën, çka mund të përjetojnë ne zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato lokale vitin e ardhshëm.
Në fund të këtij shkrimi, duke i uruar simpatizantet e LVV-së dhe Shpejtim Bulliqin për zgjedhjen kryetar i ri i Podujevës, ua rikujtojë, se këtë fitore e kanë dhuratë nga Isa Mustafa dhe Agim Veliu, përkatësisht nga elektorati i zhgënjyer rugovian e jo nga forca reale që posedojnë.
Lehtë është për të fituar, por e vështirë për ta mbajtur atë që e fiton!
Nje permiresim:
ISA MUSTAFA nuk eshte nga komuna e Podujeves por nga komuna e Prishtines.
Komentet janë mbyllur.