Nga Kolec P. TRABOINI
Në vitin 1981 kam realizuar një film dokumentar për trimin shqiptar që bëri histori në Paris, ndaj gjithë atyre që historinë e shkruajnë me histeri, që siç e kemi thënë e do të vazhdojmë të themi, të paaftë të krijojnë përpiqen të rrënojnë çfarë të tjerët kanë krijuar, u përgjigjem shkurt e kthjelltë siç i tha gjithë populli shqiptar në vitin 1920, kur drejtësia franceze e nxori të pafajshëm trimin shqiptar Avni Rustemi:
– Të lumtë pushka, që e shtrive baldosën Esat tradhtari përdhe. Kështu ishte, është e do te jetë fati i të gjithë qeneve të zabarosur me armiqtë e Shqipërisë.
Por nga kjo përsiatje e tyre e kotësishme histerike, lavdisë së djaloshit zemërzjarrtë nga Libohova, gjëmb në këmbë nuk i hyn. As nga lehjet. Mjeranët me kallamar vazhdojnë me stilin urithian e do të vazhdojnë deri sa tu vijë ngordhja, sepse edhe brumbullin nuk mund ta ndalosh të bëjë toptha me bajgët e lopëve të shullëra në diell.
Aty e kanë ekstazën. Edhe pasionin edhe ngordhjen.
Neveri e neveritshme dhe e përzishme të rrëzosh heronj e të vesh tradhtarët e kombit në piedestal. E të mos harrojmë se Avni Rustemin e vrau Zogu i vetëshpallur me bajonetat e Serbisë, kinse mbret i shqiptarëve. Ndërsa vëllain e nipin (baba e bir) e pjesëtarë të tjerë të familjes së Avni Rustemit i pushkatuan falangat bolshevike të xhahilit Enver Hoxha, të cilët nuk ngurruan që edhe shtëpinë e Avniut ta digjnin.
Rrëzo heronj e vur tradhtarë është një rrugë që na çon vetëm në humbëtirë. Historia nuk guxon të kthehet në Legenografi okulte kundër Avni Rustemit, që ishte zemra dhe ideali kombëtar i djalërisë shqiptare.
7 korrik 2019