HISTORIKU I ARSIMIT SHQIP NË LLAPASHTICË TË EPËRME

0
902

Milazim Hyseni & Muhamet Cakaj “Monografi e SHFMU “Naum Veqilharxhi” Llapashticë e Epërme – Podujevë, 2018

Milazim F. KADRIU

Nuk ka këshillë më të keqe
nga ajo që e shtyn njeriun
të mohoj kombin e vet

Naum Veqilharxhi (1767-1846)

Me këtë thënie të Naum Veqilhargjit e sjell në kopërtinën e librit nis Monografia e SHFMU “Naum Veqilhargji” Llapashticë e Epërme Podujevë, të autorëve Milazim Hyseni & Muhamet Cakaj.

Tashmë në Llap erdhi në dritë edhe një monografi shkollore që është mjaft mirë e realizuar nga autorët mësimdhënës të kësaj shkolle.
Në këtë monografi janë përfshirë periudhat kohore që nga fillimi i mësimit shqip në këtë shkollë e deri në ditët e sotme pra që nga viti 1942 deri më 2018. Autorët materialin e kanë konceptuar në disa pjesë duke filluar nga Shënimet për fshatin Llapashticë e Epërme, pastaj bëjnë fjalë për hapjen e shkollës së parë, për mejtepin, shkollën e parë laike pastaj historikun e shkollës e ndajnë në disa pjesë apo periudha kohore si vitet 1970/1980, rrethanat arsimore të viteve 1980/1990, vitet 1990/1998, shkolla pas luftës së fundit, pas çlirimit të vendit, pastaj vitet pas Pavarësisë së Kosovës viti 2009/2010, pastaj 2012-2018.

Në vazhdim një pjesë e mirë u kushtohet aktiviteteve të lira të nxënësve, e që të gjitha janë të pasuruara edhe me foto e faksimile të ndryshme që e bëjnë edhe më të afërt me lexuesin punën edukativo-arsimore dhe aktivitetet e lira të zhvilluara nëpër vite në këtë vatër diturie. Më pas sjellin një njoftim për organet udhëheqëse dhe profesionale të shkollës, disa shënime karakteristike për shkollën në fjalë dhe biografit me foto të punëtorëve arsimor të kësaj shkolle që nga fillimi i punës e deri në ditët e sotme, pra të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre me nxënësit e kësaj shkolle dhe paraleleve të ndara në Llapashticë të Poshtme, Popovë, Katunishtë, Potok dhe Kodrali.

Ndërsa në fund të librit autorët përpos fotove në pjesët tjera të librit e që janë bukur shumë sjellin edhe një album me foto të gjeneratave të ndryshme të nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle si dhe faksimile të diplomave dhe mirënjohjeve të fituara në garat e ndryshme nga nxënësit e kësaj shkolle (këto janë të pas luftës sepse ata të para luftës u janë djegur).

Autorët duke sjellë këtë monografi edhe një herë na kujtojnë rrethanat historike të zhvillimit të arsimit shqip në këtë fshat po edhe arsimit shqip në përgjithësi. Siç dihet zhvillimi i arsimit shqip lidhet ngushtë me përpjekjen e popullit tonë për liri e pavarësi nga pushtuesit e ndryshëm. Kjo përpjekje lidhet ngushtë edhe me ideologun e Rilindjes Kombëtare Naum Veqilhargji emrin e të cilit e mban me krenari edhe shkolla për të cilën është hartuar kjo monografi. Andaj në këtë drejtim në monografi autorët përmendin një varg ngjarjesh e personalitetesh që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare dhe në arsimin shqip e me theks të veçantë në zhvillimin e arsimit shqip në Llapashticë të Llapit. Këtu hasim biografitë e mësimdhënësve të kësaj shkolle duke filluar nga mësuesi i parë Faik Ramadan Havolli e deri te punëtorët më të ri që aktualisht dhënë kontributin e tyre në mësimdhënie në këtë shkollë.

Duke shkruar në parathënien e këtij libri njëri nga autorët e librit, Milazim Hyseni ndër tjera thotë :”Hulumtimi dhe shënimi i këtyre ngjarjeve dhe gjurmëve në fushën e shkollës e arsimit shqip është një çështje dhe detyrë që sado mundohesh të shkruash për të gjitha ato ngjarje që e kanë përcjellur shkollën shqipe deri në ditët e sotme, gjithnjë mbetet për t’u dëshiruar, sepse është vështirë që të përfshish të gjitha ato që dëshiron t’i shkruash, sidomos duke pasur parasysh faktin e mungesës së hulumtimeve, dokumentacionit të shkollës, shënimeve të pakta dhe literaturës rreth etapave tepër të vështira nëpër të cilat ka kaluar shkolla shqipe në përgjithësi. Edhe përkundër këtij fakti, iniciativa jonë për të hartuar këtë monografi të shkollës, tregoi rezultate dhe u përkrah nga të gjithë oponentët e shkollës sonë e më gjerë.”

Recensenti i këtij libri, ish nxënës i kësaj shkolle, Ismet Potera, ndër tjera në recensionin e tij thotë : ” Botimi i kësaj monografie gjithsesi paraqet një rëndësi të veçantë edhe për vetë qytetarët e Llapashticës. Përveç ruajtjes së kujtesës së shkollës ata do të gjejnë edhe një pjesë të historisë së tyre, kur dihet se brezi i sotëm që jeton këtu, dhe më gjerë, të gjithë kanë kaluar nëpër dyert e këtij tempulli të diturisë. Përveç mburrjes me të kaluarën ata do të përcjellin edhe porositë për fëmijët, nipër e mbesa të tyre, se si duhet të punojnë e mësojnë për vendin e vet, familjen e kombin. Gjithashtu, do përcjellin amanetin e tyre se duhet të ruani kujtesën historike duke shkruar dhe dëshmuar për historikun e shkollës së tyre.”

Andaj mund të përfundojmë se ky libër ka një vlerë të madhe për historinë e shkollës shqipe në Kosovë e Llap e veçmas për Llapshticën e Epërme. Ndonëse autorët kanë punuar me përkushtim në hartimin e monografisë por siç thonë edhe vetë këtu ka vend për plotësime ngase asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha, diçka mbetet. Mirëpo kjo monografi është një bazament i mirë për hartimin eventual të ndonjë monografie edhe në të ardhmen për këtë shkollë.