Historike, Sabah Bizi emblema e futbollit shqiptar

0
1163

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

E dimë që pesha e futbollit shqiptar është e vogël, por pesha e një Sabah Bizi megjithate është tejet e madhe, e rëndë, universale, e paharrueshme, ndikuese në vetëm zhvillimin e futbollit tonë kombëtar.

“Një nga talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, Sabah Bizi, anëtar i Vllaznisë dhe i Partizanit, është nga ata futbollistë, të cilët nuk lindin shpesh. Në treshen e cituar të Vllaznisë, ai ishte gjithçka në formacionin e saj e po kështu në Kombëtare. Luan vetëm 13 ndeshje me Kombëtaren, thjesht për ndërprerjen e pjesëmarrjes së saj në vitet ’70, po në të gjitha rastet është truri i lojës. Pa ngurrim mund të thuhet se Bizi është futbollisti më i gjithanshëm në historinë tonë. Me mesfushorin ai solli tiparet moderne të këtij roli duke qenë njeriu që udhëhiqte një skuadër të tanë.

I një teknike racionale të milimetruar, i një kilometrazhi lëvizjeje në gjithë fushën si askush, me një pasim të pagabueshëm, organizator i përmasave europiane, bllokues i njëkohshëm, shuter i saktë përmes golave që nuk harrohen, Bizi ishte njeriu që do të fitonte duelet edhe më të mëdhenj të kalibrit të një Bekenbaueri, të një Prohaske, të një Dejne. Ai mbërriti deri kapiten i Kombëtares falë autoritetit të artit të tij të madh. Katër herë kampion i Shqipërisë me Vllazninë, po edhe me Partizanin, Sabah Bizi, mesfushori i paarritshëm në futbollin shqiptar, nuk luajti vetëm portierin. Ishte kësisoj edhe qendërsulmues, edhe sulmues i krahut, edhe mbrojtës anësor, edhe “i lirë”, me të cilin mbylli karrierën mbas një interpretimi befasues në moshën 35-vjeçare. Kampion i Ballkanit me Partizanin, ai është protagonist i të mëdhave me RFGJ-në ’67 dhe ’71, i Torinos, i Advidabergut, i Austria – brilante këto të futbollit shqiptar me të cilat ai ishte promotor”.

Kanë kaluar plot 20 vjet nga ky përkufizim për Bizin dhe unë nuk jam në gjendje t’i lëviz presjen.
Ajo çka jam në gjendje të bëj tash është vetëm një detajim i mëtejshëm përmes këtij tregimi të “Panorama Sport”.

“Epoka shkodrane” e Sabah Bizit

Sabah Bizi qe një djalë 17-vjeçar, në pamje të parë me një fizik disi të brishtë dhe krejt i panjohur kur papritmas u pa në rolin e sulmuesit të krahut të majtë, të skuadrës së Shkodrës, në ditën e 20 qershorit 1965 në fushën e futbollit të Peshkopisë.

Një Vllazni tejet e re mbasi fitonte 3-0 me Korabin, kalonte turin e Kupës së Shqipërisë, pa menduar askush se mbas 21 ditëve kjo skuadër do të ishte fituesja e Kupës. Mbas një jave, në turin tjetër, Vllaznisë i duhet të vuajë jo pak për të eliminuar Luftëtarin e Gjirokastrës mbas 120 minutave lojë 1-1, falë golit të barazimit të të riut të panjohur me emrin Sabah Bizi. Mandej 11-metërshat dhe një portier debutues i quajtur Paulin Ndoja, i cili pret bukur tre njëmbëdhjetëmetërsha të gjirokastritëve, çka nuk kishte ndodhur asnjëherë në krejt historinë e futbollit shqiptar. Selami Dani dhe Esat Rakiqi realizojnë tri herë nga pika e bardhë, ndërkaq edhe Vllaznia kalon turin. Më 4 korrik 1965 Vllaznia mposht Flamurtarin e Mexhid Haxhiut 2-1 dhe Selami Dani e Sabah Bizi shkëlqejnë.

Mbërrin kështu fundorja (finalja) e Kupës, një premierë e paprecedentë në historinë e futbollit shqiptar: Vllaznia – Skënderbeu. Fusha asnjanëse e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” bëhet para 8000 shikuesve arena e evenimentit historik Shkodër – Korçë. Selami Dani, shoku im i gjimnazit, një futbollist i shkëlqyeshëm, një intelektual i vërtetë i futbollit, në lojë e jashtë saj, golashënues i lindur, është autor i golit historik. Ai shënon nga afër, në të 57’, duke zgjidhur si gjithmonë plot zgjuarsi një lëmsh, çfarë ai dinte t’i qartësonte si pakkush. Vllaznia fiton 1-0 fundoren (finalen) dhe Kupën e Shqipërisë për herë të parë në histori.

E, vetëm 25 ditë më parë, më 16 qershor 1965, me fitoren 1-0 ndaj Flamurtarit, me gol fatalisht po në minutën e 57-të prej Ali Memës, 17 Nëntori i Tiranës kishte bërë shumë më tepër: ishte bërë për herë të parë mbas Luftës Kampion i Shqipërisë për vetëm 1 pikë (31) mbi Partizanin (30) e Dinamon (30)! Vërtet gjithçka kishte qenë po aq fatale dhe historike në të dy kahet. Duhet ta dini se brenda këtyre tri javëve historia e futbollit shqiptar, papritmas kishte marrë një rrugë krejt tjetër.

Dhe kishte hyrë ndërkaq në këte histori edhe një protagonist 17-vjeçar. Quhej Sabah Bizi. Them se duhet të jetë fituesi më i ri i Kupës së Shqipërisë në krejt historinë. Atë korrik 1965 djaloshi ynë ishte nënshkrues i trofeut të parë të Vllaznisë mbas 20 vjetëve. Dhe jo vetëm ai natyrisht. Skuadra nobël e Shkodrës që i kishte dhuruar futbollin Shqipërisë qysh më 1913 kishte qenë për herë të fundit kampione më 1946. Dhe mandej shkatërrimi gradual, shpërbërja, injorimi, harresa përmes rrëmbimit të pandalshëm të yjeve të saj për klubet dikasteriale të pushtetit. Do ta rikujtoj edhe këtu ate 11-sh të saj të 1965-ës, sepse është skuadra që ktheu rrotën e historisë për Vllazninë. Dhe jo vetëm për te.

Ishte një formacion thuajse i ri, vetëm 22 vjeç mosha mesatare.
Siç kam shkruar me kohë, portieri quhej Paulin Ndoja, 20 vjeç – debutues. Mbrojtës: Frederik Çapaliku, 24 vjeç – një trim i futbollit; Sadedin Zmijani, 29 vjeç – kapiteni i paharrueshëm; Mehdi Milla, 20 vjeç, i cili më mbas do të bëhej një nga administratorët më të shquar të krejt klubit Vllaznia. Ndërsa gjysmëmbrojtës, siç i thoshin asokohe, ishin: Nikoll Gjergji, 24 vjeç – një atlet i futbollit; Kol Gjoni, çuditërisht po në gjysmëmbrojtje, i kthyer më mbas në një mbrojtës të palëkundshëm, 23 vjeç. Mandej sulmi: Esat Rakiqi, 23 vjeç, sulmues i djathtë, një nga më origjinalët e lojës shkodrane me golat, shpejtësinë dhe teknikën e tij, trajneri i 30 vjetëve me radhë, i përshkuar në harkun e dy shekujve; Hajro Lekaj po 23 vjeç, gjysmësulmuesi stoik; Mendu Dedja, qendërsulmuesi 20-vjeçar, i cili shpejt do të bëhej një mbrojtës i majtë i shkëlqyeshëm, një shndërrim unik në futbollin shqiptar. Shoku im Selami Dani ishte gjysmësulmuesi i majtë, universali i sulmit, 23 vjeç. Dhe në krah të tij “i panjohuri” Sabah Bizi, 17 vjeç djalë, sulmuesi i majtë i krahut.

Kjo ishte Vllaznia e shndërruar, e përtërirë, vepër e trajnerëve Skënder Jareci e Rifat Rusi, kryesisht e themeluar prej shkollës së Xhelal Jukës. Ishte një tjetër kthesë befasuese në historinë e futbollit kombëtar, mbas asaj të Myslym Allës 20 ditë më parë. Këtu është dhe starti i Sabah Bizit.

Kur nis kampionati i ri, ai papritmas është në rolin e qendërsulmuesit. Vllaznia e nis me humbje, 0-1 me Partizanin në Shkodër, 0-2 në Shijak me Erzenin dhe më në fund 0-0 me Dinamon në Shkodër. Befas e sheh veten në fund të renditjes dhe duket se nuk ka skuadër të fortë. Po Bizi kalon parashikimet. I jep rolit të qendërsulmuesit ate të mesfushorit, në një mënyrë që nuk ishte parë asnjëherë në Shqipëri, dhe brenda disa muajve ai është organizatori, ndonëse krahun e majtë shpesh prapë e ka të tijin. Më 15 nëntor 1965, më në fund Vllaznia shpërthen në 3-0 në Lushnjë, e Bizi shënon golin e parë të tij në kampionat (70’) dhe kjo është kthesa historike e Vllaznisë. Në mbarim të kampionatit, ajo është e 4-ta, vendi më i mirë i saj mbas 12 vjetëve peripeci të pakëndshme, hark kohor brenda të cilit kishte prekur dy herë edhe kategorinë e dytë! Kjo ishte ringjallja e saj.

Qysh nga ky vit 1965 dhe deri më 1982 kur largohet Sabah Bizi, Vllaznia e Shkodrës është 3 herë Kampione e Shqipërisë. Po ajo çka është më e rëndësishme, në 13 kampionate të Sabah Bizit me Vllazninë, në tanësi skuadra e Shkodrës është 3 herë kampione, 4 herë fituese e Kupës Kombëtare, 1 herë nënkampione, 5 herë e 3-ta. Nga 1965 e deri më 1982, ku është përshkimi galopant i Sabah Bizit në tri dekada të futbollit, në 18 vjet pa ndërprerje, në 16 kampionate kombëtare, ky njeri mban gjithnjë mbi supe “pianon” e futbollit për pianistë të tjerë të zot, duke qenë ai dirigjenti i orkestrës shkodrane, pa melodinë e së cilës nuk mund të jepej më asnjë shfaqje e rëndësishme në futbollin shqiptar. Emrat deri në Kombëtaren e Shqipërisë që u sollën rreth tij, për te, prej tij dhe me te, janë të ndritshëm, por shkëlqimi i madh duhet pranuar se është një: Rragami-Zhega-Bizi.

Epoka shkodrane e Sabah Bizit sapo kishte nisur. Ende Ramazan Rragami luante për Partizanin e Medin Zhega për Dinamon. Duheshin edhe 2-3 vjet që ata të ktheheshin dhe të formonin treshen e madhe të Shkodrës dhe të Shqipërisë: Rragami-Zhega-Bizi…