Delegacioni i nënshkrimit të bashkëpunimit të Universiteteve Tiranë-Prishtinë – Prof. Stefanaq Pollo, Prof. Petrit Radovicka
Profesor Stefanaq Pollo,
ligjërues në Universitetin e Prishtinës
Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin shqiptar të Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës.
Ministria e arsimit dhe shkencës të Republikës së Shqipërisë kishte dërguar delegacion Prof. Stefanaq Pollon dhe Prof. Petrit Radovicka, për të nënshkruar “Protokollin e marrëveshjes së bashkëpunimit” me Universitetin e Prishtinës.
Prof. Stefanaq Pollo duke e vlerësuar këtë marrëveshje thekson: “Rëndësia e “Protokollit” mbi bashkëpunimin mësimor-shkencor midis Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës gjatë një dekade (1971-1981) shënon një nga ngjarjet e rëndësishme në Historinë e Kosovës dhe Shqipërisë., ishte bërë një kthesë pozitive në përtëritjen e lidhjeve të shkëputura brutalisht midis dy pjesëve të shkëputura të kombit shqiptar në hapësirën e tij etnike në Ballkan, duke injoruar kështu kufirin shqiptaro-shqiptarë që padrejtësisht ndanë këtë popull të lashtë. Nëpërmjet “Protokollit” u bënë hapa të rëndësishëm drejt procesit të riintegrimit të dy pjesëve të ndara të kombit shqiptarë, sidomos në lëmin e arsimit, shkencës, artit, kulturës, gjuhës, mjeteve të informimit etj. që u dëshmua me arritjen e rezultateve në këtë drejtim.
Ky proçes vazhdoi me sukses për më se një dekadë drejtë nxitjes së shkëmbimit të kuadrove pedagogjike-shkencore, arsimore, kulturore, turistike, mjeteve të informimit, sportive etj. gjithnjë deri në qershor të vitit 1981, sepse pas demonstratave të studentëve të marsit 1981 bashkëpunimi u ndërpre tërësisht me një dhunë dhe agresivitet të ashpër Bashkëpunimi midis Universiteteve Tiranë-Prishtinë sipas këtij “Protokolli”, kishte si synim kryesor pjesëmarrjen e përbashkët të kuadrove profesionale-shkencore në përpilimin dhe hartimin e projekteve shkencore me interes kombëtar dhe njerëzor, përpilimin e fjalorëve unik të termave ekonomike, juridike dhe të fushave të tjera shkencore e profesionale, vizitave reciproke të pegagogëve, studentëve dhe personelit administrativ nga të dy universitetet, njohja me të arriturat në hulumtimet shkencore, gjuhësore, të historisë kombëtare, , të lëndës arkivore me interes për shkencën dhe kulturën shqiptare, paraqitja dhe mbrojtja e disertacioneve të doktoratave etj.”
Prof. Stefanaq Pollo së bashhku me rektorin e atëhershëm të Universiteti të Tiranës prof. Petrit Radovicka, u shprehën dëshirën e sinqertë të bashkpunimit mbarëkombëtar vëllezërve kosovarë drejtues të rektoratit të Universitetit të Prishtinës
Prof. Dr. Nuri Bashota në 40-vjetorin e Universitetit të Prishtinës shkruan për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës në vitet 1971 -1981 dhe thekson: ”Natyrisht, ky bashkëpunim ndëruniversitar kishte edhe përkrahjen e një pjese të udhëheqësisë shqiptare të Kosovës dhe të Shtetit Shqiptar, pa të cilën mbështetje nuk do të arrinim të nënshkruanim dhe as të siguronim realizimin legal të këtij “Protokolli” mbi bashkëpunimin reciprok mësimor-shkencor ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, përkatësisht ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, që kishte hasur në mirëkuptim edhe të udhëheqjes së Shqipërisë, edhe të udhëheqjes së Kosovës që vazhdoi dhe u begatua deri në qershor të vitit 1981.
Roli i “Protokollit” të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe të Universitetit Shtetëror të Tiranës faktikisht shihet në faktin se ky nxiti procesin e riintegrimit të dy pjesëve të ndara të kombit shqiptarë, duke mundësuar njëherësh edhe daljen nga vetizolimi në të cilin ishte katandisur Shqipëria në atë kohë. Për këtë na dëshmojnë lidhjet e sinqerta që u krijuan midis inteligjencies shqiptare nga të dy pjesët e ndara për më se 63 vite të kombit shqiptar, si dhe në mundësinë që nëpërmjet Kosovës të njihen pedagogët e Universitetit të Tiranës më përsëafërmi me të arriturat shkencore dhe lëvizjet demokratike në botën e lirë.
Nga shumë raste të shprehjes së miradijshme të këtij bashkëpunimi të sinqertë mbarëkombëtar, do të theksoj porosinë e Prof.Stefanaq Pollos dhe rektorit të atëhershëm të Universitetit të Tiranës, profesorit të nderuar Petrit Radovickës, i shkolluar në Torino të Italisë, që zgjidhi problemin e digës së Fierzës, që më thanë me plot bindje: “Shoku Nuri, kërkoni sa më shumë pedagogë nga Universiteti i Tiranës që të përfshihen në këtë bashkëpunim ndëruniversitar, sepse e vetmja dritare për të parë botën na ka mbetur Prishtina”.
Po kjo kërkesë parashtrohej edhe nga ne pedagogët e Universitetit të Prishtinës, ashtu që nëpërmjet “Protokollit” të përfshinim sa më shumë njerëz, si e vetmja mundësi për të riintegruar dy pjesët e ndara dhe të izoluara të kombit me kufirin rigoroz shqiptaro-shqiptar gjatë viteve 1913 – 1981. Natyrisht, ky bashkëpunim ballafaqohej edhe me përpjekje reciproke të pandershme të keqpërdoruesit të këtyre marrëdhënieve, ashtu që nëpërmjet ndonjë “emisari” të infiltruar në ekipet për bashkëpunim, me qëllim që të fusnin ideologjinë e tyre këto dy sisteme rivale komuniste në hapësirën gjithshqiptare. Ky ishte një rrezik potencial me të cilin edhe llogaritnim, por edhe bënim përpjekje të vazhdueshme që t’i neutralizojmë këta “emisarë, duke mos lejuar që këtij bashkëpunimi t’i vishej ngjyrë politike.
Duhet theksuar faktin se realizimi i këtij bashkëpunimi sipas “Protokollit”, pati edhe baticat dhe zbaticat e veta, si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme të qarqeve shoviniste serbomadhe për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi ndëruniversitar, sepse ky bashkëpunim ndëruniversitar në realitet përbënte bashkëpunimin midis dy pjesëve të ndara të kombit shqiptarë në hapësirën tonë gjithëshqiptare. Këto forca regresive serbosllave, bënin presion të vazhdueshëm ndaj intelegjincisë shqiptare, kuadrove udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës dhe të fakulteteve, me qëllim të ndërprerjes definitive të këtij bashkëpunim protokollar midis dy universiteteve tona, përkatësisht midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Për ruajtjen e vazhdimësisë së Protokollit dhe të bashkëpunimit për mirëvajtjen e procesit mësimor-shkencor në këta dy tepmuj të diturisë, shkencës dhe kulturës shqiptare – në Prishtinë dhe në Tiranë, kaluan shumë peripeci të shumta, rasti i parë, ka të bëjë me presionin të ashpër dhe kërcënimet që në mars të vitit 1980 u bë ndaj Prof. Gazmend Zajmi Rektor i Universitetit të Prishtinës, për ndërprerjen e “Protokollit” të bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës me Universitetin e Tiranës…
Ultimatumi serb: “Hiqni dorë nga protokolli” !
Si përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, të vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë mbarëkombëtare të këtij bashkëpunimi sipas “Protokollit” për riintegrimin e kombit shqiptar në hapësirën e tij etnike, ne u përpoqëm që me forcën e argumenteve t’i kundërvihemi kësaj kërkese antikombëtare, duke e refuzuar kategorikisht këtë kërkesë për prishjen e “Protokollit”, edhe pse ishim të vetëdijshëm për pasojat dhe rrezikun që na
kanosej. “
Prof. Gazmend Zajmi, kishte Bashkëpunim shkencor me Prof. Stefanaq Pollon
Anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve të Salcburgut në Austri, ai me veprën e tij dha një ndihmesë parësore në fushën e shkencave juridike, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në Kosovë.
Rektori Universitetit të Prishtinës Akademik Gazmend Zajmi, mbajti qëndrim dinjitoz përball presioneve, kur e thirrën autoritet zyrtare u ngritën në këmbë dhe filluan ta kërcënonin duke i rënë tavolinës me grusht, por Gazmendi po ashtu u ngrit në këmbë dhe i ra po ashtu me nervozitet tavolinës, duke iu drejtua atij me këto fjalë: “Kush je ti që na kërcënohesh ne të dyve në këtë mënyrë. A e din ti se kënd e përfaqësojmë ne të dy në këtë mbledhje. Jemi në gjendje që menjëherë t’i qesim në rrugë mbi 30 mijë studentë të Universitetit tonë për t’iu kundërvënë këtyre presioneve tuaja për ndërprerjen e Protokollit të bashkëpunimit ndëruniversitar Prandaj, fal qëndrimit tonë të paluhatshëm dhe kundërshtimit të rreptë ndaj kësaj kërkese që ishte nxitur nga Kryesia e Serbisë, duke u treguar qartë se kurrsesi nuk do të heqim dorë nga bashkëpunimi ndëruniversitar sipas “Protokollit”, ne arritëm të ruajmë vazhdimësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar sipas “Protokollit” edhe të shpëtonim nga më e keqja që na kanosej mua dhe Gazmendit.
Ne vendosëm që të vazhdojmë bashkëpunimin sipas “Protokollit” në fjalë. Njëherit arritëm që të zgjeronim këtë bashkëpunim edhe në fusha tjera të aktiviteteve mësimor-shkencore dhe kulturore midis dy universiteteve tona dhe institucioneve të arsimit fillor e të mesëm si dhe atyre turistike.
Pas demonstratave të 11 marsit të vitit 1981 pushteti shovenist serbosllav, anatemoi këtë bashkëpunim të Universitetit të Prishtinës me atë të Tiranës duke bërë përpjekje, jo vetëm që të ndaloi dhe ndërpresë “Protokollin”, por edhe për mbylljen e tërësishme të Universitetit të Prishtinës, duke e akuzuar këtë institucion të shkollimit superior si “Kështjellë të Nacionalizmit Shqiptar. Janë të njohura insistimet dhe kërcënimet e Shefit të Gjeneral Shtabit të ish APJ, Gjeneralit Daleviq dhe të bashkëmendimtarëve të tij të bëra në 27 shtator të vitit 1981 në Mbledhjen e zgjeruar të Konferencës Aksionale të LK të Universitetitit të Prishtinës për mbylljen definitive të këtij tempulli të diturisë në gjuhën shqipe. Që nga ky moment, erdhi deri të ndalimi arrogant i bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, duke e anuluar administrativisht dhe ndërprerë çdo kontakt midis dy universiteteve…
Prof.Gazmend Zajmi u përfshi plotësisht në jetën e bashkëkombasve të tij, i barabartë me ta në të ndjerit e gjendjes dhe pasojave që vinin prej saj, ndërsa gjithmonë i radhës së parë në përpjekjet për përballimin e realitetit. Më tej në gjetjen e mjeteve adekuate demokratike për zgjidhje në përputhje me të drejtat e shenjta njerëzore, pjesërisht të sanksionuara edhe në akte ndërkombëtare
Prof. Stefanaq Pollo ishte ndër pedagogët e parë që filloi të jepte leksione në Universitetin e Prishtinës. Leksionet e tij ndiqeshin me shumë vëmendje dhe interesim nga studentët e Prishtinës , të cilët vlerësonin përgatitjen e lartë shkencore, në analizat e epokave historike, sidomos përcaktimet shkencore për Rilindjen Kombëtare Shqiptare (vitet ’30 të shek.XIX – viti 1912), të cilat “realizuan një kthesë me rëndësi vendimtare në rrugën e zhvillimit historik të popullit tonë, përmes procesve shumë të komplikuara politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Me agumente bindëse, Prof. Stefanaq Pollo analizonte njësinë etnike, gjuhën dhe kulturën materiale e shpirtërore, të formuar në shekuj gjatë mesjetës në trojet e të parëve ilirë, ku shqiptarët ishin të angazhuar prej shekujsh në luftëra të përgjakshme me pushuesit e huaj dhe në këto luftëra ata u bënë të ndërgjegjshëm se kishin një histori të tyre, gjuhë e kulturë të përbashkët, se i takonin një, pra një kombësie të veçantë, të dalluar nga të tjerët.
Duke vlerësuar rilindësit në synimin e krijimit të shtetit shqiptar, që do të përfshinte të gjitha trojet e banuara historikisht prej shqiptarëve. Prof. Stefanaq Pollo theksonte :” Rilindësit e kuptonin rrezikun e madh që përbënin për tërësinë tokësore të Shqipërisë shtetet shoviniste fqinje, si dhe fuqitë e mëdha evropiane që qëndronin pas tyre, prandaj iu kundërvunë me guxim këtij rreziku, duke përpunuar mendimin e ri shqiptar që kishte në themel idetë iluministe, por të përpunuara në mënyrë origjinale për ato pikpamje që u shërbenin çështjes kombëtare shqiptare.”
Autori i leksioneve thekson se: ”Iluminizmi ynë fitoi thekse të veçanta vetjakë, që kishin të bënin në radhë të parë me argumentimin e plotë e të gjithanshëm të idesë atdhetare, të domosdoshmërisë historiko-politike për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Rilindësit e kuptonin thellë se çështja fetare ishte mjaft komplekse. Se politika e identifikimit të kombit me fenë që ndiqnin Porta e Lartë, Patriarkana e Stambollit dhe armiqtë e tjerë të Shqipëisë , të mbështetur edhe nga qarqe të caktuara grekomanësh e turkomanësh, përbënte një rrezik serioz për lëvizjen kombëtare shqiptare. Për mënjanimin e këtij rreziku rilindësit tanë ndoqë rrugën më të drejtë, dhe u kapën fort pas konceptit të shqiptarisë , që duhej të qëndronte mbi të gjitha fetë, duke luftutar kundër indentifikimit të kombit me fenë”.
Prof. Arben Puto tregon: ”Së bashku me Stefanaq Pollon dhe pedagogë të tjerë të Universitetit të Tiranës shkonim me planifikim të rregullt në Universitetin e Prishtinës. Atje na rrethonin me shumë ngrohtësi si studentët por edhe gjithë populli Kosovës dhe trevave shqiptare jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë. Jemi strehuar në hotelin e Prishtinës, por kohën më të madhe e kalonim në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filozofisë, ku bëntë pjesë edhe dega e Historisë. Unë jepja leksione në degën e filozofisë për të drejtën ndërkonbëtare dhe Prof. Pollo jepte leksione për Historinë e Shqipërisë. Lindi dhe u zhvillua një bashkëpunim midis pedagogëve të Tiranës dhe të Prishtinës, i cili në dekadën e parë 10 vjecare dha fryte të shumta studimore në të gjitha fushat e shkencave.”
Prof. Arben Puto përshkruan me shumë mbresa takimet e punës midis pedagogëve të Universiteteve Tiranë – Prishtinë, të cilat kishin një frymë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi tepër vëllazëror, duke qëndruar deri në orët e vona të natës me diskutime akademike. Prof. Stefanaq Pollo bashkëpunonte ngushtë me Profesorët e Universitetit të Prishtinës si Ali Hadri, Zekerie Cana, Fehmi Agani dhe Gazmend Zajmi. Një bashkëpunim të ngushtë kishte me akademikun Ali Hadri dhe Prof.Zekerie Cana, me të cilët botuan shkrime kundër propangandës që shtrembëronte keqas historinë, se shqiptarët “nuk kishin” një të kaluar të tyre, se atyre u “mungonin” traditat nacionale, se “qenë të ardhur” në këto troje…
Ali Hadri ishte drejtori i parë i Institutit të Historisë së Kosovës, ai e mbrojti me sukses doktoraturën, në Universitetin e Prishtinës ku ishte i pranishëm edhe Prof. Stefanaq Pollo Kjo datë është e rëndësisë së veçantë për arsimin dhe shkencën shqiptare, sepse ishte doktorata e parë e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës Akademiku Ali Hadri drejtor i Institutit të Historisë të Kosovës dhe akademiku Stefanaq Pollo si drejtor i Institutit të Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndërmorën studime të përbashkëta në tema nga lashtësitë pellazgjike – ilire për tu ndalur te epoka e e lavdishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.”
Jeta dhe vepra e profesorit, që ishte trinom i ecjes nëpër misteret e kohës, nëpër sfidat e paparashikuara të jetës dhe nëpër damarët e historisë kombëtare, e bëjnë këtë njeri Shpirt lëvizës prej hulumtuesi e shkencëtari elitar Nuk është e rastit që Akademik Ali Hadri u shqua në fushën e shkencës së historisë dhe, si atdhetar i dalluar, se, ai u rrit dhe u ngrit në një vend që tërë kohën ishte në konflikt me okupuesin. Sepse Peja e Kosova e tij në të kaluarën e tyre u shndërruan tek ai në motiv frymëzues për tu marrë me historinë.
Midis Akademikut Pollo dhe Hadri kishte një miqësi të ngushtë duke pasur edhe vizita familjare. Ata organizonin punën studimore midis dy institucioneve duke shfrytëzuar burimet arkivore të dy instituteve dhe organizonin shumë veprimtari shkencore të përbashkta Në zhvillimin e shkencës së historisë, Ali Hadri dhe Stefanaq Pollo krahas veprave dhe shkrimeve të shumta , dhanë ndihmesë të madhe edhe me punën e tyre si kryeredaktor dhe redaktor të revistave shkencore historike.
Në ato vite studimet historike ishin domosdoshmëri prandaj Prof. Stefanaq Pollo organizon sesione shkencore në qyetet kryesore në Shqipëri duke ftuar edhe studues nga Kosova., siç ishte veprimtaria shkencore që u organizua në qytetin “Bajram Curri” në maj të viti 1980 , të cilën e drejtonte Prof. Stefanaq Pollo, ku ishte pjesëmarës akademiku Ali Hidri, dhe Prof. Zekeria Cana, të cilët ishin mjaft të interesuar të mësonin sa më tepër për historinë e kësaj treve atdhetare, liridashëse Akademiku Ali Hadri mbajti kumtesën “Bajram Curri Demokrat Përparimtar”, dhe Prof. Zekeria Cana kumtesën “Relacione të Bajram Currit me Qeverinë Serbe më 1912”.
Në fillim të kumtesës së tij akademik Ali Hadri vlerëson Historiografinë e re shqiptare duke thënë se: “u ka dhënë vendin e merituar personaliteteve të dalluara të Rilindjes Kombëtare dhe të Lëvizjes Demokratike Shqiptare, rrjedhimisht edhe Bajram Currit njërit nga udhëheqësit kryesorë të luftës për çlirimin nacional dhe për një shtet demokratik shqiptar. Edhe ky sesion shkencor, kushtuar 55-vjetorit të rënies së Heroit të Popullit Bajram Currit, jemi të bindur se do të sjellë kontribute të çmueshme në historiografinë shqiptare duke pasuruar me të dhënë të reja dhe interpretime të drejta shkencore.”
Në Kumtesën e tij, akademik Ali Hadri analizon “rrethanat e vështira të brendshme dhe ndërkombëtare kur shteti shqiptar rrezikohej jo vetëm nga jashtë por edhe nga brenda, ku Bajram Curri luftoi pa lëkundje kundër armiqve të jashtëm, për pavarësinë e Shqipërisë, kryesoi rezistencën kundër forcave reaksionare esadiste dhe mbrojti si tribun i vërtet të drejtat e vegjëlisë”.
Ai e vlerëson Bajram Currin si “Shëmbëlltyra patriotike dhe demokratike, me mendim politik të avancuar përparimtar duke frymëzuar demokratë të tjerë që u bënë më tej militantë të dalluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Bajram Curri, jo vetëm në planin ushtarak dhe politik të brendshëm, por edhe në atë diplomatik, ai, zë një vend të rëndësishëm, Mjafton të përmenden përpjekjet që bën ai për të siguruar përkrahjen e ndonjërës prej Fuqive të Mëdha dhe prej fqinjëve, duke qëndruar me vendosmëri në objektivat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Bajram Curri, me të drejtë, konsiderohet nga shkenca historike si personalitet i madh për popullin shqiptar dhe mbarë Ballkanin”.
Ali Hadri në të gjithë veprimtainë e tij u angazhua në luftën për mbrojtjen e vlerave historike-kulturore të shqiptarëve të Kosovës dhe të kombit shqiptar në tërësi Krahas mbrojtjes të së vërtetës shkencore, Ali Hadri nuk qëndroi duarkryq as përballë ngjarjeve që po zhvilloheshin në Kosovë në kohën kur ai jetoi e veproi. Për shkak të ideve përparimtare që kishte, pushteti i atëhershëm jo vetëm që e kishte vënë nën shënjestër, por edhe e akuzonte për shumë ngjarje që në atë kohë po zhvilloheshin në Kosovë.
Në zhvillimin e shkencës së historisë, Ali Hadri bashkëpunoi me Prof. Stefanaq Pollon në shkrimeve të shumta, edhe me punën e tij si kryeredaktor dhe redaktor në revistat shkencore. Veprimtaria e Ali Hadrit, është e madhe dhe gjithnjë e fokusuar në çështjeve të rëndësishme, duke e bërë atë të dallohet si shkencëtar, të cilën e dëshmon bibliografia e botimeve të tij, që përmban 11 monografi, 14 tekste shkollore, 292 artikuj, dhe studime në gazeta dhe revista… Ai ishte mjaft i interesuar të shkruante sa më tepër për historinë e kësaj treve atdhetare, liridashëse
Prof. Stefanaq Pollo në qytetin Bajram Curri Maj 1980, me kolegët nga Prishtina dhe Tirana në Konferencën kushtuar 55-vjetorit të vrasjes së Bajram Currit
Prof. Kristaq Prifti, Prof. Stefanaq Pollo, Prof. Ali Hadri, Prof. Zekerie Cana etj.
Prof. Zekeria Cana ishte një bashkëpunëtor i afërt në veprimtarinë shkencore me Prof. Stefanaq Pollon., me të cilin kishte një korrespondencë të pandërprerë Ky emër është sinonim i një intelektuali të nivelit të lartë, i njeriut të guximshëm, të vrullshëm e të vendosur për të thënë hapur mendimin e tij pa hezituar kurrë. Ai ishte padyshim një shkencëtar i palodhur dhe i mprehtë i gjurmimit e hulumtimit të së vërtetës për historinë e lëvizjeve të mëdha shoqërore e politike… Krijimtaria e tij është mirëpritur nga opinioni shqiptarë jo vetëm nga qarqet intelektuale e të specializuara por edhe nga opinioni i shumtë lexues me të cilin profesori komunikonte me besnikëri deri në ditët e fundit të jetës.
Prof. Zekerie Cana bashkëpunoi me Prof. Stefanaq Pollon, kur përgatiti veprën “Lëvizja kombëtare shqiptare nëKosovë, 1908-1912”, të cilën e botoi në Tiranë në vitin 1982. Duke bashkëpunuar me Prof. Stefanaq Pollon bëri një studim me shumë burime dhe hyri thellë në ngjarjet e kohës dhe pasqyroi qartë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë viteve të mëdha 1908-1912 Prof. Stefanaq Pollo duke vlerësuar veprën e Zekerie Cana thotë : “ Studimet e Prof. Zekerie Canës, kanë mbështetje të gjerë burimore, arkivore dhe bibliografike… Nga sfondi historik, që jepet në pjesën më të madhe të botimeve të veçanta dhe të studimeve shkencore historike, del qartë se autori i ka parë të ndërlidhura ngushtë me gjendjen e Shqipërisë Etnike, me detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kriter që i ka dhënë një vlerë të madhe trajtimit të ngjarjeve kryesore të periudhave historike. Autori e ka hedhur vështrimin e ka analizuar me optikë shkencatari të sprovuar, periudhën historike 1908 – 1912”.
Mbi bazën e analizave shkencore, dhe duke pasur qëndrim kritik ndaj ngjarjeve të viteve të fushës së interesimit, .Zekeria Cana bën shpjegimin historik të dokumenteve, punë që dëshmohet me anë te dokumenteve, duke demaskuar dhe duke hedhur poshtë si pseudoshkencë pikëpamjet dhe qëndrimet e histografisë ekspansioniste serbosllave lidhur me Shqipërinë Etnike të këtyre viteve dhe me shqiptarët, veçmas thekson vlerësimin e drejtë te rolit të masave dhe personaliteteve me peshë historike në këto luftëra për çlirimin kombëtar shqiptar. Profesor Cana është nga ata autorë që e kuptonte dhe e ndjente më mirë se kushdo tjetër etjen e madhe të opinionit kosovarë për studimet dhe shkrimet e tij të angazhuar shkencore, duke mos hezituar që të kapet e të përballet me të gjitha vështirësitë dhe pengesat e dala në rrugë për sendërtimin e synimeve dhe ideve të shumta që kishte.
Historiani shquar Zekerie Cana njihet si veprimtar dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve gjatë gjithë jetës së tij, përveç me punën shkencore dhe akademike në universitet dhe jashtë tij, ai ka vepruar aktivisht për sensibilizimin e opinionit botëror për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Është vlerësuar nga shqiptarët e Kosovës si “ Burre me sedër të madhe shqiptarie. Historian që nxori në dritën e diellit planet, prapaskenat, të bëmat e shovenistëve serb, malazez e grek kundër popullit tonë. Përherë foli drejt. Përherë në vijën e zjarrit. Armë kishte pendën, municion faktet.
Fragment nga libri që kam botuar në vitin 2011 “Frashërlliu akademik Stefanaq Pollo”
Qatip Mara
Nju Jork, 14.08.2020