Nga Roland Qafoku* – TemA
Edhe 90 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kosova përjetonte rregullin e përshkruar në shekullin e 19-të nga kancelari i parë në historinë e Gjermanisë, Otto Von Bismarck, sipas të cilit shqiptarët duhet të zgjedhin mes tri alternativave: ose të largohen, ose të bëhen serbë, ose të masakrohen. Adem Jashari nuk u largua e nuk u bë serb.
Ai u masakrua bashkë me familjen e tij, por ky ishte një flijim që simbolikisht Kosovës i dha lirinë vetëm një vit më pas. Ajo që ndodhi në atë 8 mars të vitit 1998 nuk ishte thjesht një vrasje. Nuk ishte as një masakër serbe ndaj një familjeje shqiptare.
Vrasja e Adem Jasharit dhe e 26 anëtarëve të tjerë të familjes së tij është epopeja më lavdishme e luftës çlirimtare të Kosovës ndaj pushtimit serb. Atë 5 mars të vitit 1998 trojet shqiptare paten një hero të ri.
SKENA E KRIMIT
Një breshëri e zgjatur arme qëlloi për vdekje Adem Jasharin, teksa ai ishte në oborrin e kullës.
I vetmi dëshmitar që e ka rrëfyer këtë moment është Besarta Jashari, personi i vetëm që mbeti gjallë nga ajo masakër:
“Ademi lëvizte prej pozitës që kishte te një mur në oborr dhe vinte kah vendi ku ishim ne të strehuar. Pas vrasjes së shumicës së anëtarëve të familjes, vritet edhe Besimi. Afër derës së podrumit ku ishim strehuar bie edhe Ademi, në përpjekje për të na mbrojtur. Të gjallë ishim vetëm unë dhe Kushtrimi. E kam pa Ademin kur e ka marrë plumbi, ka rënë te shtylla afër shkallëve të shtëpisë, aty u vra”.
IDENTIFIKIMI I ADEM JASHARIT
Kur u bindën se familja Jashari ishte shuar e gjitha drejtuesit e operacionit u afruan te kulla dhe nisën të kontrollojnë gjithçka. Kontrolluan të gjitha kufomat të shpërndara sa andej këndej, por syri u kapi një vajzë të vogël që ende ishte e gjallë. E plagosur dhe e shtrirë brenda kullës ushtrarët serbë, jo vetëm që nuk i dhanë ndihmë, por e morën dhe e nxorën në oborr. E afruan te kufoma e Adem Jasharit dhe e pyetën nëse ishte ai apo jo. Përgjigjja e Besartës është epike:
“Ky nuk është baci Adem, është një djalë prej Llaushe, Abdulah, i thonë. Ademi e Hamza, nuk janë këtu…”.
FUNDI I BETEJËS
Besarta e ka përshkruar me detaje momentin e fundit të luftës.
“Pas rënies së tij, djali i tij Kushtrimi (atëherë 13-vjeçar), e mori automatikun dhe u nis në drejtim të një pozicioni tjetër në oborr, sepse policët serbë veç ishin futur nëpër disa depo që i kishim. Në ballafaqim me ta Kushtrimi ka rënë midis dy shtëpive me automatik në dorë.
Kur nuk mbeti më asnjë i gjallë, vetë fillova të shkoj te trupat e secilit duke i prekur dhe duke thirrur me zë mos kishte mbetur dikush i gjallë. I thirrja në emër, por s’përgjigjej askush. Krejt kjo po zhvillohej kah fundi i luftës, në ditën e tretë të sulmit, paradite.
“BACË U KRY”
Stefan Gjuroviq, gjeneral i ushtrisë serbe për emisionin “Vo Centar”, televizioni “Alsta M”,
15 janar 2016
“Ne ishim në dijeni për çdo hap që bënte komandanti i shqiptarëve, Adem Jashari. Një ish-ministër i qeverisë së Kosovës na informonte për çdo gjë për Adem Jasharin. Madje edhe për detajet më të vogla, pasi ne ia mbushnim xhepin plot me para të thata. Atij, të themi, i pëlqenin shumë paratë”
Azem Bejta: “Nëse do paqe, bëhu gati për luftë.” Pjesë nga letra e Adem Jasharit, shkruar në dhjetor 1997, publikuar në gazetën “Dita”, 13 dhjetor 2013.
“Kemi kërkesa të mëdha për anëtarësim, por mungon armatimi. Shumë pak keni punuar në këtë drejtim. Prandaj shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqësohemi me një nga shokët tanë të mëhershëm që tani e disa kohë gjendet jashtë, nën emrin konspirativ ‘VESHI’.”
DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN
Bernard Kushner, ministër i Jashtëm i Francës “Nëse do të kishte çmim Nobel për sacrifice dhe për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij”.
Ibrahim Rugova, presidenti i Kosovës
“Ju e dini se nuk dua të bëj histori. Kur ka ndodhur ngjarja para katër viteve, unë si kryetar i Republikës së Kosovës kam shpallur ditë zie. Dhe, natyrisht, me gjithë respektin e madh, do t’i bëjmë nderimet dhe respektin më të lartë shtetëror, që është e mundur për Adem Jasharin, familjen dhe për heronjtë e dëshmorët e tjerë. Por nuk është problem, ne mund të shkojmë edhe te varri. Për Adem Jasharin dhe heronjtë e tjerë edhe dekoratat më të larta”.
Shekip Fazliu, bashkëluftëtar i Adem Jasharit
“I thamë se po vijnë shkjajtë. Reagimi i Adem Jasharit ishte shumë i qetë, aq sa na la përshtypjen nëse me të vërtetë ata po vijnë. Dëgjuam disa krisma që menduam se ishin sinjale për me lajmëru të disa luftëtarëve. Kur dikush nga familja i tha po vijnë shkjajtë, ai iu përgjigj duke lidhur lidhëset e këpucëve: Le të vijnë, le të vijnë se edhe unë kam me i pritë”.
10 fakte
- Adem Jashari është simboli i rezistencës së popullit të Kosovës për të fituar lirinë dhe pavarësinë.
- Adem Jashari ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit, nga Prekazi i Drenicës.
- Kur lindi Adem Jashari, më 28 nëntor 1955, i ati, Shaban Jashari, e mbuloi djepin me flamurin shqiptar kuq e zi dhe e shoqëroi këtë me të shtëna pushkësh në ajër.
- Adem Jashari kishte arsim të mesëm, ndërsa i ati kishte punuar si mësues në zonën e Skënderajt.
- Adem Jashari bashkë me disa persona të tjerë nisën stërvitjen ushtarake në Shqipëri për organizimin e rezistencës me armë ndaj serbëve në Kosovë.
- Më 22 janar 1997 një bandë kriminale serbe kreu sulmin e parë ndaj familjes Jashari, por pas disa orë luftimesh u tërhoq pa arritur asnjë qëllim.
- Sulmi i dytë, më 7 mars 1998, ishte fatal. Edhe pse rezistenca ishte heroike, ushtria serbe vrau 27 anëtarë të familjes Jashari, duke përfshirë edhe Adem Jasharin.
- Personi i parë që u vra nga familja Jashari ishte bashkëshortja e Adem Jasharit, Adile Jashari.
- Personi i fundit që u vra ishte Kushtrim Jashari, 13 vjeç. Ai u qëllua teksa kishte në dorë një automatik.
- Më 17 shkurt 2008, ditën kur Kosova u shpall shtet i pavarur, presidenti Fatmir Sejdiu e shpalli Adem Jasharin heroin e parë të Kosovës
*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”
Përgatiti TemA si përkujtim për vrasjen e tij më 5 mars të 1998