Historia e tregimit të Hemingway i botuar kohët e fundit nga New Yorker evokon një tjetër, të ambientuar më 1918, gjatë Luftës së Madhe
ERNEST HEMINGWAY DHE I PABOTUARI ITALIAN
Përgatiti: ARMIN TIRANA
Më 1 qershor, New Yorker ka botuar tregimin e pabotuar “Pursuit as happiness” të Ernest Hemingway. Ngjarja zhvillohet midis fiksionit dhe autobiografisë. Në dialogje protagonistët i drejtohen «Ernest» ose «Hemingway», edhe pse në më të shumtën e rasteve e thërrasin edhe me nofkën «Cap» që është e ndërshkëmbyeshme midis tij dhe zotit Josie. Por Hemingway nuk është kapiteni i “Pilar”, por i “Anita”, varkës në pronësi të zotit Josie, siç Hemingway thërriste mikun Joe Russell, shokun e tij të peshkimit për 12 vite. Cap dhe zoti Josie janë në det prej një muaji dhe arrijnë të peshkojnë tonelata peshk shtizë, por asnjë prej atyre të mëdhenjve.
Presin me feta tonelata peshk për ta shitur në molo dhe një pjesë përfundon tek të varfërit dhe tjera tek policët në «bordero». Atëhere Carlos, në jetë Carlos Gutierrez, shoku i parë i peshkimit në Kubë i Hemingway, i thotë që të presë pasi «ato të mëdhenjtë nuk do të vonojnë të vijnë» dhe të tre nisen për një muaj tjetër peshkimi në thellësi në Golfstream. Në tregim, Hemingway strehohet në Hotelin “Ambos Mundos”, siç edhe bënte në realitet, përkrah barit të tij të preferuar “El Floridita”, duke pirë «daiquiri të akullt pa sheqer», ku merrte një dhomë çdo herë që ndalej për të fjetur në tokë në Havanë.
Tregimi “Pursuit as happiness” do të përfshihet në edicionin e ri të “Plaku dhe deti”, që do të botohet gjatë këtij viti nga botuesi “Scribner”. «Historia është pjesë e Ernest Hemingway Collection të John F. Kennedy Library and Museum të Boston, që ruan arkivin më të madh të dorëshkrimeve të gjyshit tim», tregon Séan Hemingway, nipi i Hemingway, në intervistën e dhënë për New Yorker lidhur me botimin e të pabotuarit. «E kam zbuluar teksa po përgatisja botimin e ri, duke ripëshkuar me vëmendje arkivin e pasur me dorëshkrime, letra, fotografi, ditare bordi të varkës së peshkimit të gjyshit tim, “Pilar”. Historia ekziston në një dorëshkrim të vetëm, i shkruar me makinë shkrimi, me korrigjime të bëra me dorë dhe është një prej pak historive të pabotuara ndonjëherë. Nga materiali i pabotuar i tim gjyshi, ai është një xhevahir i vogël».
Historia është e ambientuar gjatë revoltave të 1933 dhe autoritarizmit të Presidentit Gerardo Machado në Kubë. «Konflikti politik nuk përbën vatrën e narrativës, është kontrasti me jetën në tokë dhe lumturisë së peshkimit në det që e bën gjithçka më të fortë». Titulli i tregimit është marrë nga Patrick Hemingway, xhaxhai i Séan, nga kapitulli i IV i Kodrinave të gjelbëra të Afrikës. «Mendoj se është titull i bukur për një tregim që flet për gëzimin e peshkimit dhe të lumturisë që ai sjell». Historia e të pabotuarit të fundit të Hemingway i evokon një tjetër lidhje akoma me zotin Josie. Por ka të bëjë me përvojat e përjetuara nga shkrimtari gjatë Luftës së Madhe, më 1918, kur ishte në shërbim i shofer ambulance në Seksionin e IV të Kryqit të Kuq Amerikan në Itali. Është historia e tregimit të «pabotuar» i botuar vetëm në italisht me titull “Zhdukja e Pickles McCarty”. Një histori që flet për luftë dhe për boks.
Joe Russell ishte pronari i barit Sloppy’s Joe në Key West të Florida, ku Hemingway jetoi për 12 vjet. Përpara se të nisej për Kubë, më 1940, Hemingway ia la të gjitha letrat dhe dorëshkrimet mikut Josie. Midis këtij materiali ishte edhe dorëshkrimi “The Passing of Pickles McCarty” (me një titull të dytë “The Woppian Way”). «Tregimi u lëviz nga pjesa e prapme e barit në fillimet e viteve ‘60», shkruan Richard Willing në një artikull për Washington Post. Përfundoi në duart e Carlos Baker, biografit të Hemingway, autor i biografisë së shkrimtarit Hemingway: Historia e një jete. Si falenderim, vite më pas, Baker ia dërgoi Giovanni Cecchin, Profesorit të Italishtes, që në atë kohë kishte qenë hulumtues në letërsinë amerikane në Princeton University dhe autor i librit të tij të parë Ftesë për leximin e Hemingway. Cecchin siguroi autorizimin për të përkthyer dhe botuar tregimin në italisht për herë të parë në revistën Il Racconto më 8 janar 1976, me titullin “Zhdukja e Pickles McCarty”.
«Tregimi rrëfen historinë e Pickles McCarty, i lindur me mbiemrin Neroni, një italo – amerikan që aspiron të bëhet boksier, “një prej atyre luftëtarëve të mjerë dhe vullnetplotë që mund t’i shikosh nëse shkon në një ndeshje boksi shumë më përpara sesa të bëhet ndeshja e famshme”. Në pak muaj, Pickles bën një karrierë marramendëse. Por lufta në frontin italian e thith në vorbullën e saj. Do të përfundojë i rekrutuar me repartin sulmues të Guximtarëve. Bashkëbisedues me Pickles është Scribe, një mik gazetar, me punë në Shërbimin e Ambulancave të Bassano », shkruan Cecchin në pasthënien e tregimit.
«Data e kompozimit zbret më 1919, kur Hemingëay vuante nga pagjumësia dhe nga makthet, ekzagjeronte në të pirë (një zakon i fituar në Itali). Sa më shumë që mundej, shkonte me shokë në veri të Michigan, për të peshkuar, punuar dhe shëtitur nëpër pyje. Por kishte filluar me kokëfortësi të shkruante. “Zhdukja e Pickles McCarty” lindi në këto rrethana». Është një prej historive të para me boks dhe luftë, por një sekret i saj konsiston në ambientimin në atë «vilë të vjetër mbi lumë» që përshkruhet përpara në tregim dhe më pas do të shërbejë për kompozimin e hyrjes së romanit të madh Lamturmirë armë. Vila është ajo e Ca’ Erizzo në Bassano del Grappa, ku edhe ndodhej Seksioni i I i Kryqit të Kuq Amerikan.
«Në Bassano qemë vendosur në një vilë të vjetër në bregun lindor të Brenta, pak më sipër se ura e mbuluar. Ishte një ndërtesë e madhe prej mermeri, me qiparisë, statuja dhe gjëra të zakonshme të tjera përpara saj. Ne qemë grupi i zakonshëm i aventurierëve, dystabanë dhe me sytë e shtrembër, që nuk mund të rekrutoheshim në ushtri dhe qemë drejtuar nga Shërbimi i Ambulancave», shkruan Hemingway në tregim. «Në përfundim të verës, po atë vit, qemë në një shtëpi në një fshat përtej lumit dhe të ultësirës që shikonte malet. Në shtratin e lumit kishte zhavorr dhe gurë të lëmuar, të thatë e të bardhë nën diell, dhe uji nëpër kanale ishte i kulluar, gumëzhitës dhe i kaltër. Përpara shtëpisë kalonin trupa dhe zbrisnin përgjatë rrugës dhe pluhuri që ngrihej mbulonte gjethet e pemëve», shkruan në hapjen e Lamtumirë armë. «Panorama e përshkruar në fillimin e romanit Lamtumirë armë, anipse e vendosur në Luginën e Isonzo, në realitet është ajo që ne shoferët e Kryqit të Kuq Amerikan shikonin nga Ura e Bassano dhe nga çatitë e Ca’ Erizzo», shkruan Henry S. Villard, që banoi në atë vilë si shofer ambulance, në një letër dërguar Giovanni Cecchin.
«Akoma që çalonte dhe me shkop prej plagëve të 9 korrikut në Fossalta, Hemingway kishte dëgjuar në spitalin e Milanos ku ishte shtruar – dhe ku takoi infermieren Agne Hannah von Kurowsky, me të cilën u dashurua (Catherine tek Lamtumirë armë) – se në front po përgatitej diçka e madhe, Beteja e Vittorio Veneto. Gazetar i fiksuar për të qenë “në vend”, shkoi në Bassano del Grappa për të takuar miqtë amerikane e Sektorit të I-rë», shkruan Cecchin. Në vigjilje të betejës, mbrëmjen e 23 tetorit 1918, në Ca’ Erizzo «Ernest takoi mikun Bill Horne dhe bashkë u dehën paq dhe kaluan shumë orë me një Guximtar. Pinë rum, provuan eterin dhe u ndjenë keq», shkruan Peter Griffin tek “Along with Youth: Hemingway, the Early Years”. Hemingway do të frymëzohet nga kjo përvojë për të treguar historinë e boksierit – ushtar Pickles McCarty.
«Po a ke parë ndonjëherë, të paktën një herë diellin të lindë nga Monte Grappa apo ndjerë në gjakun brenda teje perëndimin e qershorit në Dolomite? Apo shijuar likerin Strega në Cittadella? Apo ecur natën nëpër rrugët e Vicenza, teksa Hëna të bombardon?», shkruan Hemingway në tregon. «Ishte ftohtë dhe, teksa ngjiteshim nëpër mal, era frynte therëse nga qafat, sikur të zbriste nga botë të tjera». Hemingway nuk mori pjesë në betejë. «Në orën 4 të mëngjesit, kur Bill zgjoi Ernest, e gjeti që nuk arrinte të lëvizte dot. Ishte goditur nga një krizë verdhëze. Kaloi tri ditë në shtrat, teksa gëlonin betejat në Monte Grappa e në Piave. Më 27 tetor, në një dielë plot shi, do të kthehet me tren në Milano», rrëfen Griffin.
Në Ca’ Erizzo ishte vendosur edhe një tjetër shkrimtar i madh amerikan, John Dos Passos. Por Hemingway dhe Don Passos nuk u takuan kurrë aty. Takimi i tyre i parë ndodhi muaj më parë në Dolo të Riviera del Brenta, në Provincën e Venezia. «Një ditë, në Dolo, Ernest takohet me një tip shulak, me sy të errët, që i shtrëngon dorën dhe i prezantohet si John Dos Passos, një shok amerikan nga Chicago», shkruan biografi Carlos Baker. Nisi kështu miqësia e një jete midis dy shkrimtarëve të mëdhenj të Gjeneratës së Humbur.
Ca’ Erizzo u popullua nga letrarë amerikanë të caktuar në drejtimin e ambulancave të Kryqit të Kuq amerikan, midis këtyre ishin John Dos Passos, John Howard Lawson, Henry Serrano Villard, Sydney Fairbanks, Dudley Poore dhe universitarë të tjerë nga Harvardi. «Grupi ynë përdorte një dhomë të bukur që e pagëzuam “këndi i poetëve”, me një ballkon dhe pamjen nga një urë e bukur e mbuluar», shkruan Dos Passos në romanin “Jeta e bukur”. Një krah anësor i Ca’ Erizzo mirëpret Muezumin Hemingway dhe të Luftës së Madhe. «Ideja për të ngritur një muze lindi kur u gjetën në një dhomë të Ca’ Erizzo 54 fotografi që u dhuruan pronarit të mëparshëm të vilës nga Harry Knapp, një vullnetar i Kryqit të Kuq amerikan me bazë në Ca’ Erizzo», ka thënë për Rivista Studio kuratorja Maria Mastandrea. «Ky zbulim bëri kurioz Cecchin, i cili ia hyri një studimi të thelluar të kaluarës së Ca’ Erizzo». Muzeumi që ruan fotot e tri faqeve të parë të dorëshkrimit, përmban në koleksion edhe fotografi të bëra nga vetë Hemingway dhe piktura në Dos Passos; është inauguruar më 2014, në praninë e John Hemingway, një tjetër nip i shkrimtarit të madh: «Kjo është e gjitha», tha.
Shkruan i “Urti i Madh”, siç e quante përkthyesja Fernanda Pivano, “Papa” siç e thërrisnin në Kubë; shkruan “Mjeshtëri” siç e quante Gabriel García Márquez, bashkë me shumë të tjerë; shkruan “Hem” që e fillon gjithmonë me «një shprehje të vërtetë»: «Përvoja e luftës përbën sigurisht një avantazh të madh për një shkrimtar.
Është një prej subjekteve të mëdhenj të cilat mund të disponosh dhe, sigurisht, një ndër më të vështirët për ta dhënë me vërtetësi». «Përderisa luftëra kam bërë shumë, jam i sigurtë se kam paragjykime dhe shpresoj të kem shumë paragjykime. Por është bindje e ponderuar e vetë autorit se luftërat janë bërë nga njerëzit më të bukur që ekzistojnë ose, të themi bile vetëm nga njerëzit, për faktin që sa më shumë afrohesh me ku luftohet, aq më të bukur janë njerëzit që takohen; por janë të bëra, të provokuara dhe të filluara nga rivalitete të përcaktuara ekonomike dhe nga derra që ngrihen për të përfituar».
(nga Rivista Studio – Marrë nga Nacional)