HISTORIA E SAFETE SOKOLIT, MOTRËS QË U SAKRIFIKUA PËR VËLLEZËRIT E BURGOSUR

0
734
Safete Sokoli - vajza që u sakrifikua për vëllezerit

Lindi në Shkodër me 15 Janar 1926 (familja u bë me shtatë fëmijë). Shtëpia e Sokolajve ishte një ndërtesë Shkodrane e shek. XVII dykatëshe, me shkallë mermeri e guri, me çardakun me qoshk, dhomën e madhe me punime të gdhendura në dru (të tavanëve dhe kapakëve të dritareve), oxhaku madhështor me motive floreale, e paisur me shandane e armë argjendi, me orë muri të ardhura nga Azia, oborri plot pemë e lule, karajfilat e Shkodrës e tulipana shumë ngjyrësh, bashkëjetonin një mori kafshësh e shpendësh të sjellura nga vende të largëta. Kjo ishte shtëpia e Z. Jusuf Sokolit, ishte një parajsë e vërtetë dhe njihej si një vatër bujare, mikpritëse (siç dinë të presin vetëm Shkodranët), qendër patriotke dhe në këtë familje të gjithë këndonin, ndërsa Ramadani ishte muzikologu.

U rrit vajza e vogël me shumë dashuri. Ajo ishte e imët, trupvogël, por shumë e shkathët. Ajo kalëronte, zbuste kuajt më të tërbuar, ngiste makinën, ishte gëzimi i familjes së saj. Ajo këndonte me zë të mbrekullueshëm, në veçanti këngët e kompozuara nga vëllai Ramadani, si: “Blegerin delja”, “Turtulleshë”, “Ç’u mbush mali” dhe këngët shkodrane. Mbushte me gëzim zemrat e atyre që e dëgjonin. Ne lagjen në Zdralej, ku ndodhej tregu shihja një femër trupvogël, me flokë kaçurrela, e veshur me kostum të zi me vija të bardha, me pantallona e xhaketë, e qetë, e thjeshtë, plot dinjitet, duke blerë ushqime. E shihja plot respekt, se e dija që ishte motra Sokoli, që jetonte e vetme dhe përgatiste çantat me ushqime për vëllezërit qe kishte nëpër burgjet komuniste. Unë gjimnazistja e Shkodrës, (e viteve 1953-1957) e shihja me adhurim dhe e dija, që ajo kishte një zë sopranoje dhe ishte bilbili i këngës shkodrane, e njihja mirë dhe më dhimbte zemra për të…

Ja si tregon shoqja e saj e klasës, aktorja Antoneta Ndokillija (Fishta): – “Në gjimnazin “Donika Kastriot” në vitn 1941 u vu në skenën e shkollës opera “Drita” (ndoshta opera e parë??) Subjekt ishte: Një nënë me vajzën e saj dalin në pazarin e Shkodrës… Vajza e vogël humbet… E kërkon nëna, por nuk e gjen… Kalojnë vitet, jemi përsëri në pazarin e Shkodrës, buzë liqenit, kori me veshje shkodrane me dimij (veshje e vjetër), malësore dhe katundare…, këndon një vajzë e re. Nëna e saj nëpërmjet zërit njohu vajzën e saj, takohen, përqafohen dhe bashkohen… Rolin e vajzes se re Drita e interpretoi Safete Sokoli, me një zë të bukur prej sopranoje, ndërsa nënln e interpretoi Antoneta Ndokillija (mezzosoprano). Muzika nga Prof. Antonio Muci dhe libretn nga drejtoresha e shkollës Silvia Doria. Vajza 15 vjeçare, për zërin e saj të bukur, u duartrokit dhe u vlerësua.

Premtonte të bëhej një artste e madhe.

Por me ardhjen e komunistëve në pushtet ç’ndodhi me këtë familje? Në fillim të viteve 1945 arrestojnë djalin e madh të familjes, Ibrahimin, se ishte i diplomuar për drejtësi në Beograd dhe kishte aderuar në Lëvizjen e Legalitetit (pro monarkist dhe atdhetar). Kuptohet ishte antikomunist. E dënojne dhe bën 27 (njezet e shtatë) vjet burg dhe internim (bashkë me gruan e tij Shane Dosti dhe kjo e burgosur politke. Në vitin 1946 arrestojnë babain Jusuf, e dënojne dy vjet burg (1946 – 48), u akuzua si pjesmarrës në lëvizjen e Postribës. Po në vitin 1946 arrestojnë Ramadanin me 5 (pesë) vjet burg, akuzohet për agjitacion e propagandë, dhe si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës (në vitin 1943 ishte student në Firenze (Itali) në konservator për flaut dhe kompozicion). Por komunistët s´u mjaftuan me kaq, në vitin 1964 i arrestuan dhe i dënuan djalin më të vogël të familjes, Hodon me 25 (njëzet e pesë), vjet burg, i cili u ridenua në revoltën e Spaçit (1973). Një mësues i talentuar, ishte i fejuar, pergaititej të formonte familje, por çdo gjë e jetës së tij u shkatërrua.

Ka mbetur proverbiale përgjigjja e tij në gjygj: – Në gjuhën shqipe mbiemri i përshtatet emrit, por ka dhe përjashtime, kur mbiemri nuk i përshtatet emrit, kështu ka ndodhur edhe me mua, s´mund te përshtatem sistemit komunist të “Enver Hoxhës”. Shtëpia e Sokolajve po përjetonte një periudhë shumë të vështrë, trishtm, vetmi, vetizolim dhe njëherit u ndërpre zëri i bilbilit, u plagos zogu i bukur, u ndërpre gazi dhe hareja. Që nga vit 1945 e deri në rënien e komunizmit, kjo familje do të njihej për vuajtje, burgosje, interrnime dhe lufta e klasave, dmth lufta raciale që bënte partia – pushtet nuk do ti ndahej. E ëmbla Safet s’u lejua të punonte arsimtare, e hoqën nga ansambli i këngëve dhe valleve, s´këndoi më, s’u lejua të dilte në skenën shqiptare dhe zemra e saj as qeshi, as këndoi ma. Kjo vazhdoi me dekada!

Ishte një vajzë e shkolluar, plot dije, me shpirt artisteje. Në zemrën e saj rritej e rritej dashuria e pakufi për familjen, për prindërit, vëllezërit e saj dhe ju kushtua terësisht asaj. Zemra e saj dhuronte shumë mirësi, ashtu siç dinë të dhurojnë motrat e Shkodër loces, përmbi jetën e saj vendosi familjen, të shpëtonte nga kthetrat e komunizmit jetën e vëllezërve të saj, që i kishte në kampet e shfarosjes. Ajo tashmë e moshuar, e lodhur me dëgjim të pakët (përdor aparat degjimi), me flokët plot onde, por të mbushura së shumti me fije të bardha… tregon: – I ndoqa vëllezërit nëpër të gjitha kampet e punës, nga lindja në perëndim, në Burrel tek kështjella famëkeqe e komunizmit, që kanë hyrë njerëzit e nuk kanë dalë gjallë, në Maliq ku thahej këneta, në Beden ku hapeshin kanale… Në shumë kampe pune ku punonin të burgosurit politikë. E vetme përjetova vdekjen e prindërve, që më vdiqën brenda gjashtë muajve, ato i mbyllën sytë përjetë, pa i parë djemtë që i kishin të burgosur. Prindërit vdiqën, por nuk panë tmerrin tjetër, arrestimin e vëllaut të vogël. Për pos dhimbjes u shtua kalvari i vuajtjeve të mia. Që nga viti 1964 Hodon e dënuan 26 (njëzet e gjashtë) vjet burg, u ridënua në revoltën e Spaçit.

E ndoqa vëllaun tem Hodo në kampet famëkeqe, pse jo shfarosës, si: Repsi, Burreli, Saranda, Spaçi (që ishte tmerri i tmerreve). Eca e eca tok me bashkëvuajtëset e tjera shkodrane, si me Luçien Koliqi, motër e Jul Koliqit, ajo shkonte të ndihmonte Dom Mikel Koliqin që i kaloi jeta në burg e në internim (në vitin 1995 u bë kardinali i parë i Shqipërisë i Klerit Katolik). Po vazhdon tregimin, e nderuara Safet, kalvari im vazhdoi për shumë dekada. Për pos vuajtjeve shpirtërore ishte puna e lodhëshme në bujqësi, punova në të gjitha fermat, si: Oblikë, Dobraç, Qafe – Hardhi, gjithmonë e kërrusur. Por edhe aty më ndihmuan moralisht shumë bashkëvuajtës, në veçanti një prift katolik shkodran, i ditur, i talentuar, me një shpirt madhështor, përherë me fjalë të ëmbla, me zërin e tij të qetë bëhej shëruesi i shpirtit tem të vuajtur, e ky prift i nderuar ishte Dom Lazër Jubani (i burgosur politk). Pas ca vitesh u helmua nga dora e sigurimit të shtetit.

Ndihesha fare e vetmume. E kalova jetën tuj e pasun shok besnik qenin. Kuptohet njerëzit kishin frikë të na vizitonin, jo më të na flisnin. Por ne të gjithë këtë vetmi, vetëm një shoqe e rinisë, e artit dhe e muzikës, nuk më braktisi dhe tasht që jemi të moshuara, ajo më ndjek, kjo është aktorja shkodrane Antoneta Ndokillija (Fishta). Kjo bisedë u zhvillua në shtator të vitt 1996, kur i shkuam për vizitë unë Fatbardha Saraçi – Mullet dhe Zonja Antoneta Fishta. Jetojnë motër e vëlla të moshuar dhe të sëmurë, në veçanti Hodoja vuan dhe nga parkinstoni, në shtëpinë e vjetëruar, por që në brendësi të saj ka ende relike të antkitett, si për shembull: oxhaku antik me ornamente, plot bardhësi që ruan bukurinë dhe madhështnë e dikurshme. Vajza të reja që vazhdojnë studimet për arkitekturë kalojnë aty orë të tëra duke punuar. Safet dhe vëllai i saj Hodoja i mirëpresin, u japin kurajo dhe ndihen të gëzuar, sytë u shkëlqejnë, gëzohen për përparimin e vajzës shkodrane, që vazhdojnë me guxim studimet e larta, kulturohen, punojnë me shumë vullnet dhe zemrat e dy të moshuarve gëzojnë dhe urojnë që fatn e keq të tyre dhe të shumë bashkëvuajtësve të tjerë mos e provoftë kurrë më Shkodra e Shqipëria.

I vetmi pinjoll i kësaj familjeje Ramadan Sokoli – Etnomuzikolog, themelues i festivaleve folklorike, botues librash me vlerë muzikore. Krijimtaria e tij njihet dhe jashtë vendit, iu vlrësua puna vetëm pas rënies së sistemit komunist. Në shkurt të vitt 2003, kulla bujare e veriut, ndërtesa treqind vjeçare u shkrumbua nga zjarri, tasht është gjysëm e djegur dhe me një oborr të shkretuar, një pamje e trishtë. Pleqëria e bëri të sajën, nën përkujdesjen e të afërmve mbylli syte perjetë Safete Sokoli në shkurt 2004, në një ditë me shi, shkodranët e përcollën bilbilin e qytetit, që s’u lejua të këndonte. Ajo iku, por mbet pas vepra e saj e madhe, dashuria e pakufi që u dhuroi vëllezërve të saj dhe zëri i saj i ëmbël ruhet në një inçizim nga profesor Ramadan Sokoli, dmth. zëri i rinisë së saj jeton, ajo mbet në zemrat tona, një melodi e bukur e pafund…

Dy javë pas vdekjes së Safetit, i shkoi pas edhe i vëllai Hodoja… Janë në përjetësi. Ato s’kane nevojë për njeri, por ne kemi nevojë për shembullin e jetës së tyre. Jeta e pjestarëve të kësaj familjeje të nderuar ka qenë nje mal me dhembje, ku dielli s’ngrohu kurrë…

Marrë nga libri Dhimbje me autore Fatbardha Saraci Mulleti