HISTORI E SKËNDERBEUT – nga Naim Frashëri

0
9197

HISTORI E SKËNDERBEUT

– nga Naim Frashëri (1898)

V

U ngrit fat’ i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri,
Mori udhën’ e Asisë,
Duke ikur si i marri,
Me një rrobëzë të çqyer,
Me fytyrë të tmerruar
Dhe me gjak lyer e ngjyer
E me sy të zgurdulluar;
Posi hije mori dhenë,
Duke ecur me vrap shumë,
Papo u hodh përtej denë
Si ajy q’ikën në gjumë.
U shëmbëllye me Gjonë,
Mori fytyrën e tija,
Shtanë dhe zën’ e zakonë
Edhe u derth nga Syria.
Plaku me shkop duke shkuar,
Posi nata mori dhenë,
Pa vëndethit e uruar
Dh’erth e gjeti Skënderbenë
Pa iu qas edh’e fërkojti
Me mall shum’ i mjeri atë,
Në mest të tendës qëndrojti,
I zi sterrë posi natë!
I ligur, i dobëtuar,
I grisur, i çkatërryer,
I shkretë, i varfëruar,
I qar’ e i mallëngjyer!
Ish i venitur, i vdekur,
I rrithte si lumë gjaku,
Ishte përgjynjur’ e tretur
Dhe dridhej i tërë plaku!
Si ajy lipës’ i gjorë
Që ka mbeturë pa bukë,
Rri ndë shi e në dëborë,
Ngjeshur i mjeri me zhukë!
Ahere kur fryn e bije,
Jeta është gjith’ e qetë,
Reja dëborënë shtije
Mbi dhet të ftoht’ e të shkretë!
Ajo plakëz’ e sëmurë,
Kur i vjen e zeza natë,
Pandeh që s’gdhihetë kurrë,
Aq i duketë e gjatë!
Po kur kthehet sërish vera,
Që vjen me lul’e me fletë,
Dhe me të mira të tjera,
Bënetë tjatërë jetë,
Dita sa vjen madhësohet,
E vë posht ahere natën,
Pa tretet e dobëtohet,
Ngjan me plakë brengëgjatën.
Bujku zë e lëron arën,
Duke parë mirë motnë,
Heth mir’ e bukurë farën,
Pa shpresën’ e ka më Zotnë
S’i mallëkon kurrë qetë,
Se ësht’ e madhe mëkatë,
Nuk’ e do Zot’i vërtetë,
Pa i quan mëm’ e atë.
Këthehetë prapë moti,
Po çdo kohë ka një shijë,
Ashtu e ka bërë Zoti,
Q’i vu të gjitha më vijë.
Vinë, venë, sërish vinë
Të gjitha ç’janë në jetë,
Pa vëre re njerëzinë,
Ta njohç fjalën’ e vërtetë.
Qysh bije në vjeshtë shiu,
Lumi qysh i vete detit,
Ashtu të thotë njeriu
I derdheshin lotët mbretit!
Posi rrëkeja i vinin
Dhe i mirrin krahërorë,
Nga mjekër’ e bardh’ i binin,
Që e kishte si dëborë!
“Fle? i tha, o jetëgjatë!
Nuk’ e di se ç’është bërë,
Ç’e gjet të zinë tët atë
E Shqipërinë të tërë?
T’u shua fare shtëpia
Nga turqit’ e mallëkuar,
Hyri ndë kurt Shqipëria,
Është shuar’ e shkretuar!
Tyrqitë si egërsira,
Armikët’ e njerëzisë,
Me mënyra të pështira,
Me dhelpërit të Azisë.
E muarrë Shqipërinë
Dhe shkoj e vate lirija!
Prunë dëmn’ e babëzinë!
Po mbretëron ligësija.
Vëndet’ e shumë i zunë,
I prishnë duke shkretuar,
Në zgjedhë të keq’e vunë
Shqipëtar’ e varfëruar.
Ç’hoqi Shqipëriz’ e gjorë,
Vashatë gjith’ u përmblodhë,
Për të mos rënë në dorë,
Nga shkëmbi përposh u hodhë.
Tët vëllezërë të tërë
Egërsiratë i vranë,
S’tregonetë ç’kanë bërë,
Gjë të gjallë nukë lanë!
Fle ti, shpres’ e Shqipërisë?
Mëmëdheu të ka shpresë,
T’i përzësh mbren’ e Tyrqisë,
Që ia ka me të pabesë.
Ti përpiqesh si i marrë!
Jakë në mënt e mos vuaj,
Murati po të bën varrë,
Armiknë tënt mos e duaj!
Ati që të shoi shtëpinë
Dhe bëri rop shqipëtarë
E të shkretoi Shqipërinë,
Duke ndar’ e duke vrarë,
Armikut të Shqipërisë
I bën të mirë në jetë?
Errësirës’ së Asisë
Që të la kërcu të shkretë!
Apo rreh të març Asinë,
Si Skënder’ i Math njëherë,
Të ngrehsh këtu mbretërinë,
Pa ta lësh nëpër të tjerë?
Ish i math me të vërtetë,
Mbi të gjithë mbretërojti,
Po pastaj fron’ e la shkretë,
Mëmëdheu gjë s’fitojti.
Pirroja lëftoi Greqinë,
Edhe Romën’ e të tjera,
N’Afrikë Evgjitërinë,
Sindëkur ja pruri hera,
I dhan’ emrë Shqipërisë,
Po veç emërin i lanë,
T’ish urdhër i Perëndisë,
Ishin ndryshe vëndet tanë.
Burratë, që pinin retë,
Botënë në dor’ e vinin,
Muntnin një themel përjetë
Vëndit të tyre t’i shtinin.
Ty ta la rradhënë moti,
Që ta nderonç Shqipërinë,
Fuqi më të dhëntë Zoti,
E bëfsh gjithë mbarësinë!
Të gjithë humburë venë,
Veç një munt emrë të lerë,
Që lëfton për mëmëdhenë,
S’mundohetë për të tjerë,
Mëmëdheu të ka shpresë
Që ta nxjerç pej robërie,
Nënë xgjedhë të mos mbesë,
T’i apç dritë si ka hije.
Qysh munt të lësh Shqipërinë
Në kurt e në të këqija
E të vuanç për Tyrqinë?
Ç’të mirë pe nga Tyrqia?
S’të vjen keq për shqipëtarët
E për Shqipërin’ e mjerë
E s’të merr, biro, të qarët,
Që humbi lirin’ e nderë?
Robërin’ e Shqipërisë
Edhe gjëmën’ e tyt eti
Dhe mynxyrën’ e shtëpisë
Qysh munt ta shohç, që të gjeti?
Gjakn’ e gjithë Shqipërisë
Tani ti je nënë barrë
T’ia nxjerrç nga hundët Tyrqisë,
Veç teje s’ka kush ta marrë.
Do të lësh në këtë jetë
Nj’emrë shumë të uruar
E një dritë të vërtetë,
Q’ajo kurrë s’ka të shuar.
A më sheh ti mua plaknë?
Të qenkësha si ti djalë,
Muratit i pinja gjaknë,
Sot s’gënjehesha me fjalë,
Të shoh vëllezërit vrarë,
Shtëpinë time të shuar,
Shqipërin’ e shqipëtarë
Të lidhurë këmb’ e duar!”
Kështu tha, dhe posi era
Iku duke qar’ i gjori
E dolli me vrap nga dera,
Ajy qënëke Mënttori!
Skënderbeu u tmerrua,
Dhe zëmëra q’e kish trime,
Ju doq e ju përvëlua,
Ju bë cop’ edhe thërrime.
Me tmerr e me breng’ u xgjua,
Burr’ i math e trim i mirë,
Dhe ndënj pak’ e u mejtua,
Kur sheh që posa ish ngdhirë
Qiellin’ e kishin zënë
E gjithë qarkunë retë,
Dukej sikur kishte rënë
Një zi e madhe ndë jetë.
Derën’ e tëndës’ e hapnë,
Një kalorës po thërriste,
Kali kishte marrë vrapnë,
Ajy, sa mundte, bërtiste.
Vinte nga kryeqyteti,
Nga Adrinopoj’ e shkretë,
Sillte kartënë nga mbreti,
Që s’kish fjalë të vërtetë.
Skënderbeu e këndojti,
E mori vesh pabesinë
Dhe një shërbëtor dërgojti
E thirri vetë njerinë
I tha: “Kartë pse s’më prure
Nga im at’, apo s’të dhanë?”
At’i ra të zi pej ure
Posa i zu ngoje t’anë,
Po e mblodhi, s’u rrëfye,
Tha “Vetëm këtë më dhanë”
Edhe fytyra ju kthye,
Djersë të ftohta i ranë.
I tha: “Po nga Shqipërija
Nonjë fjalë s’ke dëgjuar?”
Ajy mbloth supat e tija,
Dhe vu dorën në krahëruar.
Skënderbeu tha: “Ç’më thua?
Tim vëllezrë s’i ke parë
Dhe s’të thanë gjë për mua?
Këjo punë s’ësht’ e mbarë.”
Ajy me gjuhët të trashë
Tha: “S’i njoh, t’u ngjattë jeta!
E s’të them dot se i pashë,
Se s’pshihetë e vërteta.”
Trimi më tej nuk’ e shpuri,
Po qëndroj e u mejtua,
Ëngjëlli ndër mënt ja pruri
Dhe lott’ i vanë si krua.
Më s’ndenj, po që atë ditë
Mblodhi pleqt’ e parësinë
Urdhëroj, bënë gatitë,
Të parë la një të tinë.
E dëgjuan ushtëtarët
Që ikënte Skënderbeu,
Pa gjith’ i mori të qarët,
Thanë “Të na pikë dheu!”
Më nesëret gjith’ u ngrinë,
Edhe pleqt’ e parësija
Skënderbeut po i vinë
Brënda në tëndët të tija.
Ajy ish ngritur pa ngdhirë,
Kishte zën’ e po mejtohej,
Punëtë s’i gjeti mirë,
Pa zëmëra i përvëlohej.
Kur ata në der’ u dhanë
Të vrënjtur e të helmuar,
Të gjithë afër i vanë
Me fytyrë të tmerruar!
Popo, ish bërë zapati!
Mynxyr’ e madhe kish ngjarë,
S’kish mbetur njeri nga ç’pati,
Ç’gjë t’i thoshinë më parë!
Për vëllezër’ a për mëmë,
Për t’an’ a për Shqipërinë,
Nuk’ ishte një e dy gjëmë,
I kishin mbyllur shtëpinë!
Desh t’i thosh atë Sandushi
Nga gjithë ç’qenë më parë,
Po sytë me lot i mbushi
Edhe u mbyt duke qarë.
Skënderbeu: “Pse s’më thoni?”
U tha, “Shokë! Ç’është bërë?
Të gjitha të m’i tregoni!
Mos bëhi si gra të tërë!”
Pastaj të tëra ja thanë
Me vaj e me mallëngjime,
Mijëra rrufe i ranë
Në atë zëmërën trime!
Të gjithë shokëtë qanin
E më shumë shqipëtarët,
Ngashërimënë s’e mbanin,
Nuk’ e prisnin dot të qarët.
Skënderbeu ish mahnitur,
I dridhej buza dhe qante,
Rrufet’ e kishin goditur,
Lottë më s’mundte t’i mbante.
Ajo zëmër’ aqë trime,
Që s’doj të dij nga shigjeta,
Nga të tilla hidhërime
U munt far’e ju nxi jeta.
Kish shpresë të vij një herë,
E t’i gjen si i kish lënë.
Popo, njeriu i mjerë!
S’kemi gjë në dorët tënë!
Skënderbeu s’përdëllehej,
Ra në sëmundj’e në lëngime,
Shëndeti më nuk’ i kthehej,
Ish ndë eth’e ndë rrënkime.
Ndënji tre a katrë muaj
I sëmur’ e në shtrat rënë,
Në vënt të larg’ e të huaj
Shkoj me brengë disa hënë.
Si mori mirë shëndenë,
Zgjodhi nga gjith’ ushtërija
Sa shqipëtarë që qenë
E të pakë nga Azija,
Papo u hoth në Evropë,
Erdhi në Adrinopojë
Me zëmrë mijëra copë,
Që s’tregonetë me gojë.
Gjithë bota nga qyteti,
Sa e njihnin e s’e njihnin,
Si mizërija, rrëmeti,
Duallë jashtë ta shihnin.
Një t’atillë trim’ e burrë,
Gjithë njerëzit’ e donin,
Se shok s’kish pasurë kurrë,
Papo me gisht e tregonin.
Ishte trim posi dragua,
Kish mëndjen’ e urtësinë,
Ish i bukur si pallua,
Kish me vehte Perëndinë.
Kur u poqnë me sulltanë,
E priti mirë si djalë,
E vuri dhe ndenji pranë,
Pa i tha t’ëmbëla fjalë,
Po të gjitha ato fjalë
Të rrem’e për faqe qenë,
Rrodhë të tëra si valë
S’e gënjeu Skënderbenë.
Tha: “Je shtyll’ e mbretërisë,
Me ty mbahetë Turqija,
Je fuqi e Perëndisë,
E di vetë Perëndija.
Nga mynxyratë që ngjanë,
M’erdhi më shumë keq mua,
Që i pata këtu pranë,
Zëmëra, m’u përvëlua!
Po një punë q’ësht’ e thënë
E vjen nga Zot’i vërtetë,
Nuk’ është në dorët tënë,
S’i gjëndetë bar në jetë.
Tani mos del nga qyteti,
Se s’kemi nevojë kaqë,
Armik pothua s’na mbeti,
Me të gjithë kemi paqë
Edhe vetëm mos më lerë,
Kur të kesh volinë, jakë
E më piq ngandonjëherë,
Të rrim’ e të flasim pakë
S’dua të mërgohesh meje,
Se unë tek ti kam shpresë,
Njeriu tjatrë veç teje,
Në jetë nuk’ i sjell besë
Më pastaj në dashtë Zoti,
Në u bëftë si them unë,
Si të mbarohetë moti,
Kam mejtuarë një punë,
Të të bënj mbret e të parë,
Si i kam thënë tyt eti,
Përmi gjithë shqipëtarë,
Se froni sot ty të mbeti.”
Kshu tha, po ja kupëtonte
Skënderbeu djallëzitë,
Bëhej sikur i besonte
Dashurin’ e miqësitë.
Kohë në qytet qëndrojti,
S’delte fare nga shtëpija,
Murati ç’kish bër’ i msojti
Të gjitha nga miqt’ e tija.
Të vëllezërit’ i vinin
Në ëndërrë, edhe plaku,
Kundrejt si hije i rrinin,
Si krua u rrithte gjaku!
Skënderbeu kohë priste,
Edhe volinë kërkonte
Sulltan Muratnë ta vriste
Edhe fronë ta rrëzonte,
Të hiqte kordhën’ e gjatë,
E t’i bij sa kish fuqinë,
T’ja bëj krahërorë govatë
E t’i nxirrte mushkërinë,
Apo ta shtinte nër duar
E posi berrë ta therte,
A ta shkelte në krahëruar
Edhe shpirtinë t’i merrte,
Posi ujku qen’ e plakur,
Që s’i kanë mbetur dhëmbë,
E zë dh’e ngorth pa përgjakur,
Duk’e xhvaturë me këmbë!
M’anët tjatërë Murati
Kishte soje frikë shumë,
Synë hapët si lugati
E mbante edhe në gjumë!
Papo nënë dhet punonte
Me djallëzi nat’ e ditë,
Varrë Trimit i rrëmonte,
Po s’i shkonin djallëzitë.
Ndër këto gjëndej Murati,
Po s’ja kishte ënda vrapnë,
E më s’i dha kohë gati,
Luftatë sërish u hapnë.
Hynjadhi, mbret i Vllahisë,
Që kish dhe Transillvaninë,
Vlladislla i Polonisë,
Q’ish bashkë me Ungarinë,
Ju lëshuanë Turqisë
Të dy bashkë menjëherë,
Në rrëmet të ushtërisë
U përzjenë dhe të tjerë.
Murati mbloth ushtëritë
Me mijë si mizërija,
Edhe bëri çpejt gatitë,
Sindëkur e kish Turqija.
Pa nukë bëri të parë
Skënderbe burrën’ e trimnë
Mbi të gjithë luftëtarë,
Q’e kish gjithënjë fitimnë
Po Muharrem benë nisi,
Q’ish një turk i tëmerruar,
Dhe i trashë posi lisi,
E dërgoj për të lëftuar,
Pastaj ndënj e u mejtua,
Rreziknë e kupëtojti,
Vet’hesë ju zëmërua
Për të parin që dërgojti;
Thirri të birë, Mehmenë,
I tha: “Si ja shtie unë,
Të dërgojmë Skënderbenë,
Muharremi s’bën dot punë
Po të mos ta bënj të parë,
Vetëm ndihmës le t’i jetë,
Që të vejë puna mbarë,
Shum’ urdhërë të mos ketë.
Armikëtë Skënderbeu
Do t’i muntnj’ a vritet vetë,
Këjo punë më pëlqeu,
Se del mbroth, sido të jetë.”
Këto tha dhe çoj Mehmenë,
Me fjalë të rreme shumë
Ta gënjente Skënderbenë,
E pandehte q’ish në gjumë.
Me të mbaruar Mehmeti,
Skënderbeu u mejtua,
Pa tha “Kur urdhëron mbreti,
Mos më pyet fare mua.”
Kshu tha dhe në pakë ditë
Burri trim e zot’ i mirë
I mbaroj gjithë gatitë,
U nis me shumë dëshirë
Sa shqipëtarë që qenë,
Nëpër ushtërit i zgjodhi,
Dhe të nipnë Hamza benë,
E të tjerët gjith’ i mblodhi;
Mori dhe turq’ e të tjerë
Ngaha kombet e Azisë,
Sindëkur e bën’ ngaherë
Për sulmët të ushtërisë.
I hipi burri trim kalit
E mori në dorë frenë,
Si dielli majë malit,
Kur del e xbukuron dhenë
E la për jetë qytetnë,
Ndjeu thelbin’ e gëzimit,
Lëshoj kalën, mori dhenë,
Shokët’ i ranë pas trimit.
Pa një ditë ndaj mëngjesi
Dolli më një vent të lartë,
Zoti zëmrënë ja ndezi,
Erth e ju bë fjesht e zjarrtë!
Pa malet e Shqipërisë,
Që ndë vogël’i kish parë,
Në kohëzët të lirisë,
Pa ndjeu në zëmrët zjarrë,
Një gas që nuk’ e kish ndjerë
Që kur lindi, gjer ahere,
Kurrë ndonjë tjatrë herë,
I erdhi me shumë ndere,
Ishte plot me ëmbëlsirë,
E kish një të naltë ndjenjë,
T’uruarë e të mirë,
Të vyer’ e pa rrëfenjë.
Shtu syt’ e pa mëmëdhenë,
Lott’ i vanë si burimi,
Sa shqipëtarë që qenë
Qanë gjithë nga gëzimi.
Kur n’atë koh’ i vjen Mari,
Marrë fytyrë njeriu,
Edhe gjuhë shqipëtari,
Veshur si bari syziu.
Mbante krrabënë në dorë,
Syn’ e zi e kishte pishë,
Fytyrënë si dëborë,
Sterrë kësul’ e këmishë!
Ishte posi djalë mbreti,
I kish dirsurë mustaqja,
Gush’ e tij si shkumbë deti,
Posi trëndafili faqja.
Tha: “Zotërinj shqipëtarë!
Luftënë q’u bë e patë?
Hynjadhit i vate mbarë,
Turqet u dha shumë datë!
Nuk’ e patnë Skënderbenë,
T’i nderonte këtë radhë,
Të shumët kafshuan dhenë,
S’e hangrë dot me Hynjadhë
Nëpër fushat kanë rarë
Ca më bark e ca mi krahë,
Të plagosur’ e të vrarë,
Bërë të varfërit rrahë!
Të pakëtë që shpëtuan,
U kthyen’ e zunë vrapnë,
Tani posa kapëtuan,
Posi zoqtë u përhapnë,
Të tërë muarrë dhenë,
Njëri tjatërin s’e panë,
E shihni Muharrem benë?
Krye të par’ atë kanë,
Përtej në rrëzët po shkojnë,
Sindëkur i kanë thyer,
Ikin me nxit e s’vështrojnë,
E kanë për të rrëfyer!”
Skënderbeu duke parë
Turqit’ e Muharrem benë
Të prishurë e të vrarë,
Dhe gjaknë që mbyti dhenë,
Sa s’ishinë shqipëtarë
I hoqi gjithë mënjanë,
U tha: “Hiqi ju më parë,
Nga të tërë shokët tanë,
Të piqni Muharrem benë
E gjëkundi mos e lini,
Gjersa të zërë qytenë,
Ikëni e më mos rrini.”
Tha kshu, dhe ata u ndanë,
Duallë nga ushtërija,
Kuajtë me vrap i nganë,
U ra pas dhe këmbësija.
Ahmeti tha: “Skënderbeu
Pse i ndau shqipëtarët
E neve vetëm na ktheu,
Po nxitojmë si të marrët?!”
Kshu tha, pastaj u mërguan,
Shqipëtarët vetëm mbenë,
Qëllimet i kupëtuan.
Po shikonin Skënderbenë.
Skënderbeu u gëzua,
Shqipëtarëtë i mblodhi,
I vështroi posi dragua,
Trimëri në shpirt u hodhi,
Duke u thënë:”Shqipëtarë!
Vdiqmë a jemi të gjallë?
S’jemi ne q’ishim më parë?
Kjo prapësi ç’është vallë?
Të lëftojmë për Tyrqinë
E të lëmë mëmëdhenë,
Të harrojmë Shqipërin
Të vrasim vetë vethenë!
Të vuajmë për Tyrqinë!
S’shihni tyrqit ç’na punuan,
Gjaknë duan të na pinë!
Shpirtin të na marrën duan!
Turp i math e turp përjetë
Të bjerë kshu Shqipëria!
Të mbesë pa zot, e shkretë!
Të urdhëronjë Tyrqia!
Ta prishnj’ e ta varfëronjë,
Në rrezik të math ta hedhë,
Ta ndynj’ e ta dobëtonjë,
Ta mundonjë nënë xgjedhë!
Si foshnjatë na gënjeu
E me djallëzi na shturi,
Gjithë ç’kishim i rrëmbeu,
Në dorë, si desh, na vuri!
Më dobëtoi Shqipërinë,
Më vu në kurt shqipëtarë,
Ma mbylli fare shtëpinë,
Nukë më la fis e farë!
Tani duhetë ta themi:
U ndothmë fare në gjumë,
Si të vegjëlit i rremi
Na qeshi, na qeshi shumë!
Po paskëtaj të më shohë,
Se arriti dit’ e mbarë,
Për së çpejti do ta njohë,
Do ta njohë shqipëtarë!
Në millt shpatën s’e vë kurrë,
Pa dëbuarë Tyrqinë!
Të vinjë kush është burrë
Të shpëtojmë Shqipërinë!
Ç’e dua unë vet’henë
Me turpit të Shqipërisë,
Nuk e shoh dot mëmëdhenë
Nënë xgjedhët të Tyrqisë!”
Kush është bir shqipëtari,
E ka pjesë trimërije
Sot një flakëzë pej zjarri,
Në zëmër’ i zbret Perëndie.”
Kështu tha me zë të zjarrtë
Trim i bukur Skënderbeu,
Zëmrat’ i dogji si kartë
Të tërë i mallëngjeu.
Këto fjalë shqipëtarët
I bënë më shumë trima,
Gjithë s’mbanin dot të qarët
Q’u vinte si vetëtima;
Posi deshtë me kurorë
E rrethuan Skënderbenë
Me rradhë muarrë dorë,
Lidhë bes’ e bënë benë.
Me fuqit të Perëndisë
Mari ngul krabën e tija,
Hap fjamurn’ e Shqipërisë,
Thotë: “Rroftë Shqipëria!”
Fjamurit gjithë ju falë
Me shumë gas e me shpresë,
Duke thënë disa fjalë
Të urta me besa-besë.
Burri trim u fal me Zonë
Me zëmërë të ndrituar
E më nukë mbeti vonë,
Po kur e panë kaluar,
Kur hingëllinte Bardhushi,
Q’ishte i math e i lartë,
Me flakë gazi ja mbushi
Zëmrënë, q’e kish të zjarrtë!
Fluturoj posi fajkua,
S’shkelte mbi dhe, po ndë erë,
E rrëfenin si pallua
Leshratë dhe bisht’i gjerë!
Dëgjoj q’erdhi Skënderbeu,
Rrodhi gjithë Shqipëria,
Ngriti krye mëmëdheu,
Pru lirinë Perëndia!
Zokn’ e mjerë kur e vënë
Në kuvli, qysh varfërohet,
As ha as pi, as nxjerr zënë,
Po unj kokën’ e mejtohet,
Si ajy q’e kanë vënë
Në burk e në të këqija,
Ndë hekura duke shtënë,
Pa i digjet mushkëria,
E kur shpëton nga kuvlia,
Qysh fluturon me gas shumë,
I bëhetë zëmër’ e tija,
Q’e ka të butë si brumë,
Ashtu edhe Shqipëria
Anembanë u gëzua,
Dhe djalli e djallëzia
U përmbys e u mërgua.
Erdhi si vera lirija
Edh’e nderoj Shqipërinë,
Dha urdhërë Perëndia,
Pa e shpëtoj njerëzinë.
Si shqerratë kur kërkojnë
Mëmatë me blegërimë,
Rreth e rrotullë vështrojnë,
Me një sy si vetëtimë,
Ashtu edhe Shqipëria
Po e kërkonte lirinë,
Pa ja fali Perëndia,
I dha gjithë mirësinë.