Hijet që rikthehen

0
644
Pajtim Xhelo

Tregim

Nëse hesht, fiton kohë për t’i bërë pritë nxitimit; nëse flet shpenguar, gjuha i del përpara mendjes dhe i shtron udhën gabimit. Po gabove, ke rrëzuar para vetes dyshimin dhe dyshimi është një mantel mjegulle që të ngarkon mushkritë, të shtyp zemrën, të gërvish shpirtin, të trazon mendimin.

Dikur Pelioni kish dëgjuar një shprehje që iish ulur në kujtesën e tij këmbëkryq: “Inatin e darkës, lere për mëngjes!” Nuk e mbante mend emrin e atij plakut borshiot që ia kish thënë; duhet të kishin kaluar shumë vite. Ai bëri një përpjekje të vagët për të kujtuar vitin… Ishte menjëherë pas mbarimit të studimeve të larta, kësisoj njëzet vite më parë. Këshilla ishte e mençur, qe përfundim i artë i një jete të tërë, mbase që nga krijimi i shoqërisë qytetare njerëzore. Po, a ishte i zoti ai ta zbatonte me urtësi e durim atë këshillë? Aty ish rrëzuar udhëkryqi, mu para këmbëve të tij.

Pelioni e mbante veten për njeri me arsye lartore, këtë mendim kishin edhe të tjerët që e njihnin. Jeta e kish vënë disa herë para mëdyshjeve të ngatërruara që kërkonin zgjidhje nga ai vet, pa patur ndihmën e të tjerëve. E dinte fare mirë, që gomarin e nxjerr i zoti nga balta, sepse kish mbetur që i vogël pa baba dhe i ishte dashur ta kërkonte shpesh kur mbetej vetëm në udhëkryqet e shkretëtirave të jetës…Ndonjëherë i fliste edhe me zë për t’i kërkuar i dëshpëruar ndihmë. Dhe nuk kish rreshtur kurrë së bëri këtë, edhe pse zhgënjimi e pat braktisur përherë. Kthehej në shtëpi pas shkollës, ulej të bënte me durim e zell mësimet dhe kur vinte nata, mendja e çliruar nga nga rëndesa e ngarkesës së ditës niste rrugëtimin e qetë,derisa arrinte zgjidhjen. Ndonjëherë ndodhte që humbte durimin kur rrugëtimi gjer te zgjidhja zgjatej e zgjatej, derisa gjumi i ulej këmbëkryq mbi qepallat dhe për një çast bëhej gati t’i kërkonte të ëmës ndihmë. Ajo ish një grua e zgjuar dhe e fshihte lodhjen e mërzitjen që i shkaktonin hallet dhe varfëria dhe Pelionit i vinte keq t’i shtonte rëndesën mbi supet e harkuara e të krrusura. Tek e përfytyronte në errësirën e natës, në këmbë e gjithnjë në lëvizje, bëhej pishmënt, e qëllonte gjumin me ndonjë pëllëmbë brenda dëshirës së vet dhe vijonte rrugëtimin drejt zgjidhjes, deris udhëkryqin e kishin fshehur tanimë siparet e agut përtej dritareve.
Atëhere ishte fëmijë, më pas djalosh, po tani që kish fëmijët për të rritur, udhëkryqet qenë më të vështira dhe nuk të linin kohë që të rrugëtoje gjatë për të kapur zgjidhjen. Shpesh koha nuk të priste, se hekuri duhet të rrihej sa ishte i nxehtë. Sidoqoftë, fëmijëria gri e kish kalitur, ashtu si kaliteshin fëmijët spartanë në lashtësi.Sa herë e ndiente veten ngushtë , kujtonte të ëmën, po nuk i kërkonte ndihmë…Tashmë ishte bërë si ajo, i qetë, i palodhur, fjalëpak. Kohën nuk e harxhonte kurrë për kotësira. E shoqja, Janina i thosh që , të paktën në mbrëmje të binte herët për të fjetur, se tejlodhej, po kjo i bëhej e pamundur : duhet të merrej me tre fëmijët që tashmë po rriteshin. E madhja ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe ecte kudo me këmbët e saj, dy të tjerët duheshin ndihmuar; ishin tipa sanguin, nuk i ngjanin Pelionit. Janina thosh shpesh që kishin marrë nga vëllai i saj, po nëna e Pelionit, kur ishte gjallë e kundërshtonte : ” Në fisin e tim shoqi ishin të gjithë kështu. Ngjajnë andej.”
Kësisoj ishte burrëruar Pelioni, puna nuk e lodhte, familia e gëzonte dhe hallet e jetës ishin si për të gjithë njerëzinë…Pa hallet jeta edhe nuk do të kish kuptim.
Veçse halli që i kish pllakosur pasditen e sotme e kish rrëzuar në qendrën e një cikloni nga ku nuk po dilte dot. E gjithë përvoja e një jete që i pat ofruar të gjitha ngjyrat e ylberit pas shirave të rrëmbyer , furtunave dhe stuhive, sot nuk po i bënte dobi
Gjithçka qe rrokullisur në Durrës, ku kish shkuar që herët në mëngjes me autobusin e parë të linjës së Tiranës. Te Plepat i zbriti autobusit dhe mori urbanin për në qytet. I duhej të siguronte disa prodhime të Uzinës së Gomës për ndërmarjen, po shefi i shpërndarjes u vonua dhe zëvendësi i tij e ftoi për një kafe, që të mos mërzitej.
Vera ato ditë pat menduar për njerëzit që punonin, jo për plazhistët; për dy paradite rresht kish hedhur shi me shtëmba dhe ajri qe i freskët, kështu që kafen vendosën ta pinin në hollin e lokalit, që nuk mund të thuash se ishte i rëndomtë. Zëvendës shefi i shpërndarjes u paraqit duke i shtrirë dorën :
– Quhem Nik Paloka, jam me origjinë nga Lezha.
– Pelion – i tha ai thjesht- Jam nga Fieri. Jetoj në Tepelenë.
Tjetri e pa jo pa interes.
– Keni shumë që keni ikur nga Fieri?
– Afërsisht pesëmbëdhjetë. Po ju keni ikur shpejt nga Lezha?
– Që në vitin e parë të shkollës së mesme. Më mori gjyshi nga mamaja, pastaj mbarova studimet në Tiranë në fakultetin ekonomik dhe u ktheva po këtu. Në Lezhë jetonim në një fshat bregdetar, Tale quhet, nuk di e njeh apo jo.
– Në qytet po, po në rrethinat nuk më ka çuar puna.
Pelioni vuri buzën në gaz, sikur të donte t’i thosh atij , Nikut : Shqipëria ke qindra fshatra, që nuk do më mjaftonte vetëm një jetë që na jep Zoti për t’i vizituar të gjithë! ” Po heshti dhe shpërndau një vështrim shpërfillës rretherrotull atij holli të gjatë, mbushur plym me njerëz të moshave të ndryshme, që rrufisnin më nge kafenë dhe bisedonin me zë të ulët. I bëri përshtypje qetësia. Në qytetin nga vinte Pelioni, edhe pse i vogël, lokalet gumëzhinin nga gjallëria e nga zhurmët. Labët nga natyra kanë zërin e lartë dhe janë plot energji. Nuk u kish mbetur kot shprehja ” E keni gjoksin gropë”
Qeshi kur kujtoi këtë shprehje, sepse iu kujtua një anekdotë për labin me myzeqarin. Vendosi t’ia tregonte edhe të posanjohurit, për të ngopur më mirë kohën.
– Një lab nga Tepelena dhe një lalë nga Fieri u ndeshën përballë në një urë të ngushtë, ku nuk mund të shkëmbeheshin dot dy njerëz. I tha labi : ” Hiqu prapa dhe më hap rrugën, se po më merret mënt” Si nuk mori përgjigje, e pyeti ” Po mirë, ty nuk po të merret mënt? “. Lala u përgjigj ” Jo, pse duhet të më merret.” . Labi u krekos dhe nxori gjoksin përpara. I tha me përbuzje : ” Po ku e gjetët mëndjen ju lalët, që t’u merret mënt! ” Po lala na qëlloi i mençur. Ia kthen : ” Koka bosh është pa peshë, kësisoj lëkundet, koka plot rëndon dhe ura për të nuk është tërmet!”
Niku qeshi me të madhe, aq sa tërhoqi vëmendjen e tavolinave rrotull.
– Labëve nuk ua ha qeni shkopin, të japin ujë në shoshë, vetëm se mburren ca si shumë, kurse lalët janë të thjeshtë e të duruar, po e kanë mençurinë njëlloj- tha Niku. Pastaj, si e pa që Pelioni heshti në dëgjim, shtoi – Kam njohur dikur një vajzë nga Fieri, ishte vajzë për kokën e vajzës, po nuk përfundova me të.
– Pse nuk përfundove? – e pyeti Pelioni pa shumë kurreshtje.
– Histori të shkuara -Niku bëri një lëvizje të dorës, sikur të desh të thosh : gjëra pa rëndësi tani – Isha i martuar dhe nuk shkoja mirë me gruan, martesë me llajmësi. Qemë në ujrat e ndarjes me gjyq dhe ajo tjetra, fierakja e mori vesh të vërtetën dhe u largua, nuk pati durim. Mendoi se e kisha mashtruar. Në të vërtetë, dy muaj më pas unë u ndava me gruan, po ajo nuk pranoi kurrësesi të rikthehej te lidhja jonë.
– Të ka mbetur gozhdë?
– Të them të drejtën, duhet të kalonin kohë që të bindesha se e kisha humbur. Ishte vajzë e mirë në të gjitha drejtimet. Nuk qe fati im. Diku u martua, jo në Fier dhe nuk e pash më.
– Sigurisht, jeni martuar përsëri, besoj- e pyeti Pelioni
– Po dhe kaloj mirë, po atë fieraken e doja me shpirt. Kish një emër të çuditshëm. Ti nga Fieri je , edhe mund ta kesh njohur.
Tjetri ngriti supet me një shprehje mospërfillje në fytyrë E ç’i duhej atij si e quanin atë vajzën nga Fieri që dikur i pat rrëmbyer zemrën këtij birbos, që nuk rreshtëte së foluri për veten? Pas ndonjë ore do të ndahej me të dhe mbase jeta nuk do t’i bënte më bashkë ndonjëherë. Pelioni u bë gati të ngrihej, shefi duhet të kish ardhur dhe mund të largohej sërish, kështuqë duhet të ktheheshin në ndërmarje.
– Do bënim… – nisi të thosh ai, po Niku ia ngeci fjalën në grykë.
– Janina e quanin.
Si? I bënin veshët, apo nga goja e atij birbos u shqiptua emri i gruas së tij? Epo nuk quajnë vetëm gruan time Janina, Edhe pse është emër i rrallë, nuk do të thotë se është i vetëm.
Pelioni u përpoq ta largonte hijen e dyshimit. ” Ka plot gomarë buzëbardhë” – kujtoi shprehjen që përdorte rëndom vajza e madhe e tij. U bë gati t’i përgjigjej se nuk e kish njohur, po atëhere, jo vetëm që fjala i ngeci në fyt, po gjuha iu lidh njëherësh me shikimin që iu err dhe gjoksin që u ndrydh.
– Mbiemri i saj ishte Semani, Janina Semani- tha Niku i qetë, pa e shkuar aspak nëpërmend që ajo gjuha tule e tij e gjatë kish thyer tërë kockat e trupit të Pelionit, njëlloj si hanxhari i një kasapi
Tjetri mbeti ashtu, i ngritur përgjysmë, krrusur mbi tavolinën, me filxhanët bosh të kafesë, me sy të zgurdulluar nga habia, me mendje të turbulluar akoma nga mëdyshja që mundohej ta gënjente akoma, se mund të kish një vajzë tjetër në gjithatë qytet me emër dhe mbiemër të njëjtë me atë të gruas së tij. Mbiemri Semani gjendej rëndom dhe, mesa kish dije ai, ishin fise që nuk kishin të bënin me njeritjetrin. E pyeti në çastin që edhe Niku po ngrihej për t’u larguar :
– Ku rrinte ajo me shtëpi?
– Në fund të lagjes ” 1 Maj” – u përgjigj tjetri, pa kuptuar asgjë nga shqetësimi i Pelionit., për të cilin tashmë nuk kish asnjë mëdyshje, se bëhej fjalë për gruan e tij.
Duhet ta mblidhte veten, të bëhej i fortë, që ky birboja të mos kuptonte asgjë nga ajo ngatërresë të tmerrshme që kish shkaktuar me papjekurinë e tij. Doli i pari, duke e ndier në krye të herës si hije të tij, pastaj si gur që e godiste në krah të tij, derisa arritën në ndërmarje, ku takoi shefin, mbaroi punë dhe u largua me nxitim. Ndërkohë që e ndiente praninë e Nikut, diku aty, te zyra ngjitur, heraherës i hipte gjaku në fytyrë, i buçisnin veshët nga gjëmime si bubullimë të largëta, diçka si vrer i ngjitej në fyt e i zinte frymën, shtrëngonte grushtat për të mposhtur nxitjen e zemërimit për ta mbërthyer atë lezhjanin e poshtër që pat hyrë fare rastësisht në jetën e tij dhe ta shëmbte me shkelma e me grushta, aq sa të mos e njihte as gruaja kur të shkonte në shtëpi Po i kujtoheshin fëmijët e atij birbos. Ç’faj kishin atë që i ati ishte gjuhëgjatë dhe mendjeshkurtër si gjinkalla? I krahasonte me tre fëmijët e vet.. U rrënqeth dhe tha me zë ?
– Larg qoftë! Të vret Zoti po të lëndosh ata!
Shefi i shpërndarjes së asaj ndërmarjeje ktheu kokën paksa i çuditur. Fjalët nuk kishin asnjë lidhje me dokumentin që po plotësonte ai.
Pelioni e kuptoi dhe u mundua të buzëqeshte.
– Po mendoja diçka tjetër ndërkohë – e qetësoi- Telashet e fëmijëve nuk mbarojnë.
Shefi nuk kuptoi asgjë.Se mos dinte ç’kish ndodhur atje, te ajo kafja e mallkuar mes Pelionit dhe zëvendësit të tij. Firmoi dokumentat, i vulosi te Drejtori i ndërmarjes dhe u ndanë si miq.
– Kur të më bjerë rruga në Tepelenë, do vi patjetër t’iu takoj- i tha kur po i shtrëngonte dorën.
Iku. Rrugës i vetm me mendimet që i zhurmonin në kokë si gëzhojat e plumbit në tabelën e qitjes të një poligoni të mbyllur.
Vite të tëra i ishte përkushtuar asaj dhe fëmijëve. I ishte larguar edhe shoqërisë, që t’i përkushtohej vetëm familjes. Po ajo? Kish qenë me atë e pasinqertë, para tij kish dashuruar një tjetër dhe ç’ishte më e keqja, një burrë të martuar. Mbase edhe nuk e kish dashur fare Pelionin, ish martuar me të për interes.Ai e kish dashur dhe respektuar, sepse nuk kish patur lidhje me femër tjetër para saj. Vërtetë ishin martuar me njohje përmes motrës së tij, po Pelioni që në ditët e para ish dashuruar me të dhe një muaj më pas i kish kërkuar të martoheshin.
Nuk e ndjeu fare kohën gjatë rrugës, as i pat hedhur sytë udhëtarit tjetër që ish ulur në në një ndenjëse dyshe me të. Arriti në Tepelenë sa kish rënë muzgu. Asfaltin e kish njomur një vesë e lehtë që tashmë kish pushuar. Bënte freskët dhe iu duk se i kaluan mornica nëpër trup. Hapat po e drejtonin për nga shëpia, po zemra u bërtiti atyre thekshëm :
– Ku po shkoni moj të lojtura? Ku po e çoni këtë njeri të mashtruar, të gënjyer, të tradhëtuar?
Dhe hapat u bindën të truara, ndaluan. Pelioni u kthye në klubin ku pinte kafe gati çdo pasdite. Në fillim u frik se mos takonte ndonjë nga shokët e vet të dikurshëm, po jo. Salla ishte thuajse bosh.Ishin vetëm dy tavolina andej nga fundi me klientë të panjohur. Porositi një teke raki, gjë që e habiti kamarierin, sepse ai nuk pinte kurrë dhe u mundua të rehatohej në ndenjësen prej lëkure të butë.
Veç nuk i mposhti dot mendimet e copëzuara , që sulmonin si kuajt e një kalorie të zbritur nga një pjerrinë.:
Ajo më ka mashtruar
Para meje ka patur lidhje me një burrë të martuar
Ajo nuk më ka dashur asnjë çast të vetëm në tëro këto vite
Ajo ka bërë thjesht detyrën si bashkëshorte e përkryer.
Mbase ka ndodhur kështu edhe në krevat.
Si kuajt në galop e në revan këto mendime! E dirsën dhe e mbytën në një terr pa krye dhe cak.
Po sikur…
Mëddyshje, mosbesim, hije.
Hije të të shkuarës që po i errësonin shpirtin dhe arsyen. Po e mbysnin, po e vrisnin, edhe pse të paforma e të paqenësishme.
Hije. Pa ngjyrë. Kërcënuese. Si kuçedrat dhe sfinksat e përrallave.
Dikur u afrua kamarieri.
– Do ta mbyllim lokalin – i tha .
Pelioni pagoi dhe doli . Në rrugë nuk ndihej asnjë frymë e gjallë. Në këtë qytet të vogël jeta mbyllej herët në shtëpitë, edhe pse tani ishte verë dhe nata vonohej. Te kthesa që të çonte te pallati i tij, ai ndaloi. Ku po skonte? Një mëndje i thosh të flinte në hotel.Nesër shihte e bënte.
” Ajo do të bëhet merak- i tha vetes. Pastaj shtoi – Po punë e madhe, as dua të di më për të! ”
Po rrinte i palëvizur buzë trotuarit. Iu kujtuan fëmijët. Ata nuk do t’i zinte gjumi, sidomos të madhen. Ai nuk ish larguar kurrë nga shëpia natën. Shkonte shpesh me shërbim në qytete të tjera, po kthehej në mbrëmje, edhe sikur vonë.
Fëmijët! Pelioni ishte shumë i lidhur me ta, mbase nga që ishte rritur pa baba dhe nuk donte që ata të ndjenin mungesën e tij, as për një natë të vetme. Ishte i sigurt që edhe këto çaste që ai ish stepur te ky trotuar, pa marrë guximin të vendoste ç’do të bënte, vajza e madhe po përpiqej t’u mbushte mendjen dy të tjerëve, që babi po vonohej, po do të vinte dikur. Mbase po i mbushte mendjen edhe vetes, që të mos lejonte shqetësimin të mbushte boshllëkun e shtëpisë.
-Fëmijët- përsëriti nën zë dhe lotë malli i zbritën nga sytë, i lagën qerpikë e faqe. Ata të tre ishin dashuria e tij e ndezur, zjarr që nuk do të shuhej asnjëherë.
Jo, nuk mund t’i vinte në merak, nuk mund t’i lëndonte. Në botën e tyre Pelioni kish qenë Iskanderi, kish qenë Aleksandri i Maqedonisë, kish qenë gjithë madhështia dhe shkëlqimi i përbotshëm.
Fshiu lotët me kurrizin e pëllëmbës së dorës dhe u nis drejt shtëpisë. E kish harruar krejt atë, të shoqen, të cilës nuk po i bënte zemra t’i përmendëte as emrin. Tërë këtë kohë, që nga çasti që kish mësuar për lidhjen e saj me atë birbon, Nikun, Janina për të ish kthyer në një qenie transparente, njëlloj sikur të mos e kish njohur kurrë.
Fëmijët po, ata ishin gjithë shpirti i tij, gjithë jeta e tij, gjithë qenësia e tij.
Po me kë i kish bërë këta fëmijë?Pa Janinën nuk do të ishin as ata. Fëmijëve u duheshin të dy prindërit për t’u ndjerë në një familje të vërtetë. Më mirë se ai këtë nuk e kuptonte asnjeri tjetër…Për orë,ditë e netë të tëra e kish kërkuar babain që nuk arriti ta njihte sa duhej, po vdekja ishte ikje pa kthim. Ai vet nuk e kish patur njerin prind dhe i ishte ankuar Zotit sa e sa herë për këtë. Pse donte t’u prishte oazin e kësaj familjeje fëmijëve të tij?
Te hyrja e pallatit sërish ndaloi në mëdyshje. Mendoi : Ia vlente të kthehej te ajo grua që e kish mashtruar, që nuk ishte treguar e sinqertë kur u lidh me të?
I palëvizur. I mbytur nga mëdyshjet. Një çast iu bë se dikush e pyeti :
– Ti e ke dashur atë grua deri tani?
– Si jo, e kam dashur dhe shumë madje..
Zëri pyeti përsëri :
– Gjatë viteve që keni qenë bashkë, të ka qëndruar besnike?
– Po, nuk e mohoj, ka qenë bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme.
Pelioni shikoi rreth tij Nuk kish asnjë këmbë njeriu. Kujt i kish pranuar që Janina pat qenë grua e mrekullueshme?
Vetes dhe ashtu duhet të vepronte, e kaluara i përkiste kohës kur ai nuk ishte në jetën e saj. Përse duhet ta gjykonte?
Do lejonte që hijet e të kaluarës t’i shkatërronin familjen?
Në djall le të skonte ai birbua lezhjan, Niku, që ishte shfaqur si përrallë nga e kaluara. I tha vetes :
– Hijet e vjetra le të mbeten jashtë derës së shtëpisë sime. Janina Semani do të jetë gjithmonë ajo që është që nga dita që e kam njohur unë.
Trokiti dhe në derën e hapur kanatë u pëhap e qeshura e Janinës. Pas saj u turrën edhe fëmijët dhe të pestë, të përqafuar, mbyllën derën nga brnda. Bashkë me derën morën në mbrojtje edhe lumturinë.
Hijet e rikthyera kishin zbritur shkallëve të pallaatit për të marrë arratinë, thellë natës, që po hidhte sërish shiun e imët në atë qytet.

Pajtim Xhelo, 30 janar 2020