HIJET E SË DJESHMES

0
392
Kristaq Turtulli - Zhgënjimi - Kopertina

Për ju të nderuar miq e dashamirës të krijimtarisë sime po hedh një fragment nga novela, ngjarje e jetuar:

KRISTAQ TURTULLI

Dora ime e ngurtësuar trokiti si çok, për herë të pestë, në portën e vjetër. Dera e madhe u drodh, oshtiu dhe tok me të gjithë shtëpia e gërmuqur, si të gjendej e varur në çengelin e hënës. Hodha një hap prapa dhe rrugica e kalldrëmtë u mbështoll me mjegull. Nga streha më ranë në qafë pika të rënda, të akullta uji, më shkaktuan drithërimë. Fërkova qafën e ftohur pas jakën së pambuktë të këmishës dhe vështrova përreth. Piklat e ujit u rënduan, u ngurtësuan dhe, u shndërruar në llohë.

Kur ngrita kokën, hëna më ngjau si një kandil i zbehtë në grykën e errët të një tuneli, lëkundej dhe dridhej prej rrymave të ftohta. Kur bëra të largohesha, dera u shkund, u lëkund, u tërhoq nga brenda me vështirësi dhe menteshat e ndryshkura rënkuan.

Mbi mua u drodh një fashë e zbehtë drite trekëndore, si lëpirje e fishkur. Dëgjova një zë të mekur:
– Kush je o?!
– Bato Shkupi,- i thashë.
U shfaq hija gati e përthyer më dysh e një plake të gërmuqur. Ishte mëma e Mujo Mborjes. Diç tha nëpër dhembë, pastaj pëshpëriti zë dredhur:
– Bato Shkupi!
– E, ai jam. Kaq shpejt më harrove?!
– Nuk të harrova, jo, – foli ultas plaka. Më përshëndeti ftohtë e pasigurt.
– Shyqyr që dëgjuat. Trokit dhe s’ka, sikur trokisja në hava,- i fola i lehtësuar dhe bëra të hyj brenda.

Plaka e imët më preu rrugën. Qëndroi si statujë në rezen e derës dhe drita e zbehtë u zgjat, u bë si shtizë. Trupi mu ndeh. Duart e saj gjithë kokalla rënduan në dorezën e derës për ta shtyrë, mbyllur përpara fytyrës sime. Mërmëriti si në ethe:
– Dale, dale, ku shkon…!

Përkula gjurin e majtë mes dy kanatave dhe i thashë:
– Zonja Mborja, ma mbyllni derën!
– Duhet ta mbyll,- foli zë dredhur mëma e Mujo Mborjes:-Më mirë kështu…
– Përse zonja Mborja! Më lër të hyj brenda.
– Mos, – mërmëriti ajo gjithë ankth e frikë dhe, u nguc e alarmuar pranë derës. Dridhej siç dridhet pela plakë kur e rreh dhe s’mund të bëjë më tutje. Qafa e rrudhur dhe zhubrat e fytyrës i shkundeshin si pezhishka:
– Mos!
– Zonja Mborja,- fola ultas.

Dreq o punë, ia bëra me vete. Shmang plakën me kujdes, e ngre në krahë si pendë dhe i buzëqesh me mirësjellje. Ajo është prej dere të fisme, bashkëshortja e doktor Mborjes, me diplomë të mohuar e më pas të sekuestruar. Dikur kishte qenë femër e bukur e admirueshme. Një konsull i huaj, novelist i thuri një poezi të mrekullueshme, por tashmë ajo është një copë plakë sa një grusht njeri. Në trupin e flashkët i varet në fustanin e vjetër. Pleqëria mu duk tmerrësisht e neveritshme.

Ajo rënkoi, vuri dorën përpara fytyrës dhe zë dridhur më lut:
– Mos më vrit!
– Oh zonja Mbroja, jam Bato Shkupi.
– E di që je ai,- mërmëriti.
– Pse trembesh?!
– Nuk e di.
– Është Mujo brenda? – e pyeta.
– Nuk e di. O Zot! E mjera flas kot, brenda është, por mos hyrë! – mërmëriti zë dredhur. Mu bë sikur dëgjova një klithmë të lebetitur shpirti të plagosur, gremisur në fund të dheut.

Plaka më ngjau si një lëmsh i bardhë, i shpërvjelur, ngecur e bërë si nyje në këndin e derës. Lëviza pjerrtas dhe hyra në korridor.
Trupi i saj u lëkund si lavjerrës dhe gati sa s’ra. Kafshoi buzën, rënkoi dhe tha:
– Oh, mos hyr…

Plaka mbërtheu gishtërinjtë pas krahut tim. Mezi mbushej me frymë dhe mërmëriti nëpër dhembë si të përtypte një koriçkë të thatë buke:
– Njerëzit të vrasin, kryqëzojnë si Krishti…
– Çfarë?!- ia bëra.
Plaka lëshoi një piskamë të lehtë. Mu duk sikur kisha në duar një grusht me eshtra në prag të pluhurëzimit. E ula me kujdes në tokë. E pyeta:
– Si je?
– Si muti në shi.

Nuk mbaja mend ta prishte gojën plaka. E pyeta për të birin:
– Si është Mujo?
– Si në breshër në stuhi, – rënkoi.
Ajo ka fytyrë të imët, bardheme, si një fëmijë e paushqyer. Me ca sy të mëdhenj të zinj, me rrathë të kuq, psherëtiu:
– Shyqyr mos më keq.
– Nëno, përse mos hyj? – pyeta ultas. Më hipi dëshira ti ledhatoja flokët e bardhë, të shpupuritur të kësaj plake të vuajtur. S’guxova.

– Di unë korba, – psherëtiu:- Mujo do bëjë hatanë.
– Hatanë?!
– Do bëj hatanë, – dëgjova një zë të çjerrë.
Mujo Mborja u dha në krye të shkallëve tmerrësisht i zbehtë, këmishë zbërthyer, i mbështjellë me terr, më ngjau si fantazmë:
– Të tha mëma që s’pres njeri, – bërtiti dhe vështroi me inat trupin e kërrusur të mëmës: – Përse e lejove?
Plaka u mblodh, u bë sa një grusht dhe mërmëriti zë lënduar:
– S’më dëgjoi…
– S’e dëgjova, – ia bëra pa ndarë shikimin në shpinën e kërrusur të plakës…

Sa e dhimbshme dhe e tmerrshme është vuajtja e pleqëria!
– Përse erdhe? – pyeti ashpër.
– Përse erdha! – ia kthej i fyer dhe shkund pallton në korridor: – Erdha si gjithnjë dhe hyra në konakun mikpritës të Mujo Mborjes.
– Çfarë dreqin… – gërheti Mujo me dhembje, shikim të mbërthyer në derën ku humbi mëma: – Dëgjon… s’ka më…mikpritja është bërë morg.. Dëgjon, jemi gjoja në demokraci dhe përsëri i kemi mbi krye sigurimsat, spiunët, dhe dreqi me të birin. S’u ngopën dreqi ta hajë!? Nuk mjaftuan që na nxinë jetën për pesëdhejtë vjet, por akoma duan të pijnë dhe palcën e holluar.

Dua të ik, të ik nga sytë këmbët, por nuk di ku ta lë plakën e gjorë.
S’i ktheva përgjigje. Sa pelin e kishte gjuhën. S’më përzinte Mujo Mborja, por tensioni i ngrehur. Dobësia e shpërfytyruar e burrit përballë aktit të dënueshëm për vetëvrasje mbetur në tentative! Thonjtë e pista të vdekjes kishin mbetur të ngulura, të zhgënjyera në hatullat e shtëpisë së vjetër, pa mundur të përlanin viktimën fatkeqe që kërkoi të vetëvritej.

Fytyra më përvëlonte prej thëllimit. Ndjeva se mërdhija, kapota e qullur më rëndonte, por nuk guxoja ta hiqja. Ku i dihej, Mujo ishte bërë tjetër njeri dhe mund të dilja përjashta në llohë, erë dhe thëllim. Por këtu ish tjetër thëllim, nuk të përcëllon fytyrën por shpirtin. Në furtunën dhe pështjellim mbarë familjar qe e drejta e tij të mos mirëpriste. U kapërdiva me vështirësi dhe hodha për së treti vështrimin përtej dritares ku kishte filluar të binte dëborë e imët e dendur, vërtitej me furi prej erës së marrë. Era e tërbuar shkulte dëborën prej çative, e rrotullonte e bënte fugë dhe e flakte tutje.

(Marrë nga libri me novela ‘Zhgënjimi’ publikuar në Amazon)