HIJA E ARIUT

0
266

Kristaq Turtulli Florika, veshur krejt panatyrshëm hapëronte drejt tij. I mrekullueshme, magjike, eksituese. I bëhej sikur gjithçka ishte e tejdukshme sa u trondit dhe u përpoq të ngrihej nga tavolina. Drita e hënës e lyente me argjend.

‘Florikë të lutem, mos më çmend,’ mërmëriti si në ethe.

Por një forcë e padukshme e mbante të mbërthyer mbas karriges, ndërsa krahët i ishin lidhur si me vargonj. Tejdukshmëria epshndjellëse e femrës ishte marramendëse. Bëri ti fliste, ti thoshte:

‘E ëmbla Florikë, afrohu, eja ulu këtu në pëqi, të bëjmë dashuri…’

Por zëri i humbi diku në thellësi të gjoksit. Ndjeu një rëndesë e trishtim. ‘Eh moj Florikë, Florikë, për mua je zjarr dhe frikë…’

Befas kur s’e priste, Florika i transformua në hijen e tmerrshme, të ndyrë të Ariut. Ai trup i derdhur sa e luante mendsh shndërrua i gjithë me qime të hirta, të gjata, të pista. Hija e Ariut hungëriu, ngriti putrat gjithë kërcënim:

‘Frikë, duhet të kesh shumë frikë!’
Pëllumbi i trembur u zbyth.

‘Çfarë do? Ta dish, s’kam frikë.’ I tha: ‘Zhduku nga sytë. Kujton do më trembësh me ata dhembë të ndryrë dhe me jargavitje…
‘Gër,ër, ër!’ hungëriti Hija e Ariut.
‘Zhduku, unë të kam groposur’.

‘Gër,ër,ër,’- Hija e Ariut, lëvizi shpatullat, në dysheme ranë copëra balte. Rrahu gjoksin dhe i tha: ‘Hej, ti, të njoh më mirë se kushdo dhe mos harro; Hija dhe aq më tepër Hija e Ariut nuk groposet kurrë’. U zgërdhi.
‘Hiqmu sysh’, rënkoi Pëllumbi dhe shtrëngoi sytë.

U drodhën muret, apo u rrëqeth ai.
Pëllumbi hodhi një hap tjetër prapa.
‘Gër, r, r, r!’ hungërit kërcënueshëm Hija e Ariut dhe ai i llahtarisur ngriti karrigen të mbrohej…

U çua vrulltas nga shtrati dhe ja nguli sytë errësirës. Ç’ ëndërr e tmerrshme. Ishte i mbushur i gjithi në djersë. Flaku jorganin nga ana e gruas dhe kërkëlliti shpatullat e mpira. Gruaja Klodina le ta shante, të bërtiste, veç të fliste. Hëm…çfarë e lidhte me të, kur nuk kishte fëmijë të tijin, e jo atë fëmijë që e gjeti te Klodina dhe ja acaron nervat sa herë e sheh.

Me Florikën flokëkuqe si flaka, është ndryshe, ajo të rrëmben me shpërthimet e trillet e papritura , sa të mbahet fryma dhe të shtyn ta jetosh më gjatë momentin drithërues intim…

O Zot, çdo të thotë tjetërsimi i Florikës në Hijen e neveritëshme të Ariut!

KRISTAQ@TURTULLI

HIJA E ARIUT, roman
Botuar më 1996