28 Prill 2020
Në zonat e thella malore të qarkut të Lezhës infrastruktura lë për të dëshiruar. Shumë banorëve të atyre fshatrave prej vitesh janë larguar drejt zonave më të urbanizuara për një jetë më të mirë. Shtëpitë dhe pronat atje janë tashmë pa zot, ndonëse ka nga ata që me pranverën, apo stinën e verës kthehen për pak ditë, qoftë edhe për të marrë ato pak fruta që prodhohen pa pasur nevojë për dorën e njeriut.
Këtë kanë menduar edhe dy viktimat Kol Murrani dhe Preng Simoni, të zbritur prej vitesh në Lezhë. Fqinj në fshatin Lalm i Vjetër dhe po fqinj në Lezhë, të dy kishin ndërtuar jetën. Por, jeta u pre në mes nga Aleksandër Përdoda, një banor po nga ky fshat, që tashmë është me mandat arresti për vrasjen e dyfishtë.
Por, kush ka qenë motive për këtë krim të rëndë. Pistat nuk janë të shumta. Ashtu sikurse nuk bëhet fjalë për krim hasmërie, apo larje hesapesh. E gjitha ka qenë vetëm se autori i dyshuar (quhet i tillë, sepse ligjërisht prezumohet pafajësia, deri në një vendim gjykate) në tokat e tij në zonat e thella malore kishte kultivuar drogë.
Frika se dikush mund të njoftonte policinë e ka detyruar Përdodën të kryejë krimin e rëndë, edhe pse dy viktimat ishin nisur për në fshatin e tyre me një motor, sepse, për atje nuk ka as rrugë makinash dhe ajo ekzistuese është thuajse e pakalueshme.
Autori i vënë tashmë në pranga i ka qëlluar fillimisht nga larg dy viktimat, Kolë Murranin dhe Preng Simonin, e më pas u është afruar për t’i qëlluar sërish, në mënyrë që të sigurohej se kishin vdekur.
Ngjarja e rëndë ka qenë e paralajmëruar, pasi vetëm pak ditë më parë, Përdoda kishtë kërcënuar banorët e fshatit dhe i kishte paralajmëruar që të mos afroheshin tek tokat e tij. “Mos të shoh askënd tek tokat e mia”- mësohet të ketë thënë ai.
Fill pas ngjarjes, autori i dyshuar, Përdoda, u arratis, ndërkohë që u arrestua disa orë më vonë nga policia. Pasi u mor në pyetje nga oficerët e policisë, ai ka pranuar autorësinë e krimit, ndërkohë që ende nuk dihen detaje rreth ngjarjes.
©Copyright Gazeta SHQIP