HETIM (ANTI)KUSHTETUES!

0
600

AV. XHABIR ZEJNUNI

Sot, (11 korrik) përpara komisionit hetimor për shkarkimin e Metës, Bashkim Fino mrekulloi publikun kur bëri një deklaratë shumë bajate (dhe jo të “çuditshme”!), duke thënë se për çdekretin Meta “Askush nuk është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese”. Deri këtu, asgjë kundër. Por, ai justifikohet se “PD-ja dhe LSI-ja, kanë gënjyer të vetët, kanë gënjyer shqiptarët, kur thoshin se: Dekretet e Presidentit do të shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese”.

Pse kush i shqyrton dekretet e Presidentit: KQZ-ja, Kolegji Zgjedhor, apo Gjykata Kushtetuese?

Pse paska gënjyer PD-ja dhe LSI-ja, kur kjo aleancë ka qenë dakord që në fillim me çdekretin Meta? Pse duhej t’i drejtohej në këtë rast Gjykatës Kushtetuese opozita për intepretim kushtetues, kur ajo ishte kundër zgjedhjeve të 30 qershorit? Kësaj Gjykate, duhej t’i drejtohej brenda 30 ditësh PS-ja, duke qenë se ajo ishte e interesuara direkte, pasi ajo nuk ishte dakord me çdekretin Meta dhe nuk e zbatoi atë, edhe pse ky çdekret u botua menjëherë në Gazetën Zyrtare.

Prandaj që komisioni hetimor nuk ka se si ta nisë me këmbë të mbarë procedurën e shkarkimit të Presidentit Meta, duke qenë se nuk u bë më parë ankimimi pranë Gjykatës Kushtetuese (pavarësisht se Gjykata Kushtetuese për momentin ka vetëm një anëtar!) nga PS-ja. Arsyetimi i Finos se “Interpretimin e datës 10 qershor e ka bërë deri më sot si nga KQZ-ja, Kuvendi dhe Kolegji Zgjedhor”, nuk qëndron, pasi Parlamenti nuk e ka njohur këtë çdekret në radhë të parë dhe nuk i ka bërë asnjë arsyetim juridik paraprakisht.

Ndëra KQZ-ja, i është bindur urdhërit të PS-së për të vazhduar proçesin zgjedhor pa i bërë po ashtu asnjë intepretim juridik çdekretit Meta. Por, është mjaftuar vëtëm ta konsiderojë çdekretin Meta si “një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm” në mbështetje të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative të vitit 2015 dhe si të tillë të pazbatueshëm.

Kurse Kolegji Zgjedhor, nuk është investuar nga askush për të bërë arsyetimin juridik të çdekretit Meta, por është investuar nga Idajet Beqiri vetëm për të kundërshtuar mos ç’regjistrimin nga zgjedhjet të PUK-së nga KQZ-ja. Pastaj, Kolegji Zgjedhor me nismën e tij i ka bërë intepretimin juridik çdekretit Meta. Pra, Kolegji Zgjedhor është shprehur për një argument, pa ju kërkuar nga askush diçka e tillë.

Hetim të mbarë!

11.07.2019.