HEROI, DËSHMORI I MADH I SHQIPËRISË

0
454
Kristaq Turtulli - Misteret e Parisit të vogël

KRISTAQ TURTULLI

(fragment nga romani: MISTERET E PARISIT TË VOGËL)

‘Oh! Sa e vështirë është kur ta tregoj. Më rrëqethet mishi,’ – ia bëri nani Viti zë dredhur dhe fshiu sytë e përlotura:
‘Të nesërmen në ag, gjithçka ishte gati për të ekzekuar të mirin, trimin Burrë. Themistokliu, i veshur me pardesynë e tij më te bukur, eci me hap të sigurt drejt shtyllës së ekzekutimit. U gjunjëzua vetë dhe refuzoi t’ia lidhnin sytë; zgjati krahët si të bënte kryq dhe thirri me zë të lartë:
‘Nuk më vjen keq për asgjë!’
E beson moj bijë çfarë burri, nuk tutej nga vdekja! Themistokliu nuk lejoi t’i mbylleshin sytë para skuadrës së pushkatimit.
‘Hiqu tutje,’ i tha: ‘Nuk më trembin grykat e pushkëve, që janë drejtuar drejt gjoksit tim për të marrë jetën.’
Eh! Vetë trimi urdhëroi në frëngjisht, me zë të lartë:
‘Feu!’
Pas këtyre fjalëve ushtuan armët. Trimi ynë, azgani ynë, heroi ynë, i ndëshkuar padrejtësisht, ra përdhe i shpuar prej plumbave. Eh, haram dynja, jazëk dynja, thotë turku.
Djali ynë, Andrea Gozhdaxhi mbërriti në mesnatë, i mbështjellë nga dhembja e mbuluar nga pluhuri, solli letrën e prijësit, mikut të ndjerë për gruan e tij. Unë e ndjeva sikletin e djalit kur pashë fytyrën e ligur. U preva në fytyrë dhe, duke u kalamendur, i bëra udhë. Andrea hyri në dhomën e ndenjes si i çakërdisur, përqafoi zonjën dhe i tha:
‘Pabesia na i vrau Miston mëmë’
‘Oh! Gjithnjë pabesia na ka kafshuar si gjarpri,’ – rënkoi zonja.
Mua mu drodh gjuha në qellzë. Shkova me vrap në kuzhinë dhe qava me dënesë. Dëgjova Zonjën Dhoksanë që më thërriste me zë të lartë, gati të çjerrë, që nuk kish bërë vaki më parë:
‘Viti, Viti moj!’
Fshiva lotët me përparëse dhe dola. Ngaqë i qe prishur mendja, vërtitej si e çakërdisur nëpër dhomë dhe nuk po gjente syzet.
‘Qyteti ynë, Korça në shekuj ka nxjerrë plot burra të shqur, por Mistoja është dhe mbetet burrë mbi burra dhe do të kujtohet në breza,’- foli zonja me ton solemn.
Lotët nuk na pushonin dhe përmes dënesave, së bashku me zonjën Dhoksanë, lexuam letrën:
“E dashura ime Evdhoksi,
Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.
Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.
Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.
Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri.”
Amaneti i BURRIT, na la pa mend moj bijë. A ka gjë më fisnike, më të madhërishme, më thuaj?! Vështronin njëra tjetrën, letrën e zhubravitur të HEROIT, të shkruar me fjalë zemre dhe kapërdiheshim me vështirësi.
Pse duhet të ndodhë kështu… PSE… PSE?! Flisnin sytë tanë të trazuara, si dete me dallgë…
‘Qani, hë qani, moj ditëzeza, për një ëndërr në sirtar. Për një Shqipëri që s’ ishte Shqipëri,’ dëgjuam një zë të keq nën dritare.
‘Kush je ti o!? Si guxon o pusht i pushtit,’- gërhiti e ndërkryer zonja Dhoksanë. rrëmbeu koburen, i futi fishekun në gojë dhe u turr jashtë duke bërtitur:
‘Do të vras o llum, o dreq me brirë, do të vras.’
Por të ligun e kishte përpirë nata.
‘Duhet të jetë kapuçoni, veladoni i zi,’- i pëshpërita zonjës Dhoksanë. S’ më ktheu përgjigje. I bëra me shënjë Andreas të ulej, të mos shihej nga dritarja dhe e këshillova me zë të ulët:
‘Nuk thonë kot: Ruhu prej njeriu tënd, ta nxjerr synë më thellë se bota.’
Më vinte të qaja me dënesë. Për këta djem ja vlen të vdesësh. Kapërdiva kotkën e lotëve dhe i përkëdhela me dashuri flokët e qullura. Mu duk i ndrobitur djali dhe shtova: -‘ I ligu si nga jashtë dhe brenda po përgatit çorbën e prishur’.
Nani Viti heshti dhe fshiu lotët me cepin e përparëses:
‘Ja, këto të bëjnë fqinjët, dushmanët, bijo,’ – tha dhe rënkoi. – ’E bëjnë doçin me këmbka e me doçka dhe ta lenë në derë.’