Herë si korb e herë si qyqe

0
462
Aleksandër Vuçiq

Shkruan:
Xhafer Shatri

26 Janar 2019

“Më 2010 u mor vendimi katastrofik, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e Pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe morëm përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër, (në atë rast) ne do ta kishim shumë më vështirë”

Marrëdhëniet serbo-shqiptare e anasjelltas kanë qenë gjithmonë të acaruara. Shkalla e acarimit është matur me qëndrimin dhe veprimet e personaliteteve që kanë përfaqësuar elitat kombëtare të të dyja kombeve. Aktualisht këto marrëdhënie janë në tehpikun e një humnere apo të një rrugëtimi të mundimshëm mes luftës dhe paqes, mes armiqësisë e paqetimit, mes urrejtjes e respektimit të interesave reciproke…

Në këtë përballje që po vazhdon tash një shekull e gjysmë, shqiptarët vazhdimisht kanë dalë humbës në territore e në jetë njerëzish. Kjo për shumë shkaqe, por të shumtën e rasteve për shkak të keqorganizimit, të mungesës së elitave të qëndrueshme apo sajimit të tyre, të mungesës së vetëdijes kolektive dhe, natyrisht, yllësive gjeopolitike.

Në përballjen aktuale Serbinë po e përfaqëson kryetari i saj, Aleksandar Vuçiq. Ky është një personalitet me shumë ndikim dhe me pushtet të pakufishëm. Përmes mendimit të tij politik, përmes veprimtarive të tij të përditshme, mund të konkludohet se Vuçiqi pasqyron, në mënyrën më origjinale, tërësinë e moralit, vendosmërisë, dinakërisë dhe aftësive të prijësve serbë që nga Garashinini e këtej.

Prandaj edhe është objekt i kësaj analize.

Ngadalë, por sigurt drejt pushtetit absolut

Aleksandër Vuçiq (1970) angazhimin politik e filloi në kulmin e luftërave në ish-Jugosllavi, si gazetar i radios së Karaxhiqit në Bosnjë, dhe me aderimin, më 1993, në partinë e Sheshelit (Partia Radikale Serbe, PRS), një parti që mëtonte të jetë trashëgimtare e partisë së Nikolla Pashiqit (1845 – 1926).

Më 1994, Vuçiqi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, duke u bërë njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt e më besnikë të Vojislav Sheshelit, i dënuar për krime lufte.

Vuçiqi, me retorikën e tij të egër, përpiqej t’ia kalonte atit të tij shpirtëror, Sheshelit; ende mbahet mend deklarata e tij në Parlament, më 20 korrik 1995, kur u zotua se: “Për një serb të vrarë do t’i vrasim 100 myslimanë (boshnjakë)!“

Në vitin 1998, Vuçiqi u emërua ministër për informata në Qeverinë serbe të unitetit kombëtar. Gjatë bombardimeve ai ishte zëdhënës autentik i politikës shfarosëse serbe në Kosovë.

Gazetari anglez, Robert Fisk, në një shkrim në “Independent”, 14 maj 2016, e përshkruan kështu Vozhdin e gjatë:

Në Beograd…, më 18 qershor 1998, u shfaq një i ri i sjellshëm, por i rrezikshëm; i referohesha sherrisht ‘fytyrës së tij të pafajshme, buzëve të trasha dhe buzëqeshjes së shpejtë’ derisa ai tentonte të na bindte ne, gazetarëve, se krejt çka donte diktatori Slobodan Milosheviq në Kosovë ishte paqja, dialogu dhe të drejtat e njeriut për të gjithë, përfshirë edhe 90 për qind të popullatës shqiptare. Për autonominë e Kosovës që ia kishin rrënuar nëntë vjet më parë nuk e thoshte asnjë fjalë”.

Më 2008, për shkak të mospajtimeve me liderin e tyre, Sheshelin famëkeq, derisa ky ishte “me pushime“ në Hagë, T. Nikoliq dhe A. Vuçiq, u ndanë nga partia radikale dhe formuan Partinë Progresiste Serbe (Srpska Napredna Stranka), duke i dhënë kështu partisë radikale një grusht dërrmues.

Se si ‘u mor kalaja nga brenda’ Shesheli e shpjegon pas daljes nga burgu, në një tubim me besnikët e tij:

“Gjatë kohës sa isha në Hagë, aktivistët e PRS-së, për të evituar shpenzimet, komunikonin brenda një rrjeti qarkor telefonik. Ndërkohë, Vuçiqi kishte blerë një aparat, rreth 30.000 euro, dhe i përgjonte të gjithë, përfshirë këtu edhe Tomislav Nikoliqin, madje edhe kur ky fliste me të huajt, prandaj e dinte saktësisht se çka po ndodhte në parti. [1]

Partia progresiste nuk ndryshonte shumë në përmbajtje nga partia e Sheshelit, por me një fjalor të zbutur e bënte ideologjinë politike të radikalëve serbë më të pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare.

Ky kërcim akrobatik në verbin e Vuçiqit dukej kështu;

Kur shqiptarët e shpallën pavarësinë, kam qenë i trishtuar, por kurrë nuk kam parë asi guximi si te djemtë përpara ambasadës së djegur amerikane.“ (2008)[2]

Është fjala për tubimin e madh protestues që u mbajt në Beograd me t’u shpallur Pavarësia e Kosovës, me ç’rast, në sytë e policisë, u sulmuan ose u dogjën disa ambasada të shteteve perëndimore në Beograd, e sidomos Ambasada amerikane, ku edhe u vra një person.

Pas disa muajsh, po i njëjti person, me emrin Aleksandar Vuçiq shprehej kështu:

“Kushdo që mund të thotë se gjendja në Serbi është ideale e ne t’i kemi marrëdhëniet ‘thikë e gjak’ me SHBA-në, unë i them se s’ka lidhje me kokën. Marrëdhëniet e mira me amerikanët janë e vetmja rrugë për ta shpëtuar Serbinë… Në këtë vend janë disa budallenj që thonë se mund të qeverisësh pa pasur mbështetjen e SHBA-së… Amerikanët kanë verëra të shkëlqyera. Më kanë dhuruar disa ‘chafer merlo’ (2008)“[3]

Në saje të këtij ‘reformimi’, Partia Progresiste serbe i fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, ndërsa më 29 shtator 2012, Aleksandër Vuçiqi u zgjodh kryetar i saj.

Në korrik të vitit 2012, Vozhdi i gjatë u emërua nënkryetar i Qeverisë, ministër i Mbrojtjes dhe njëherësh sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Me një fjalë, një kupolë e të gjitha shërbimeve sekrete serbe dhe një trampolinë drejt majës së gjithë pushtetit.

Në zgjedhjet e vitit 2014, Vuçiqi u emërua kryeministër i Serbisë, ndërsa më 2 prill 2017 ai u zgjodh kryetar i saj.

Gradualisht, Vuçiqi e shtriu pushtetin e tij absolut gjithandej në Serbi, së pari, me përjashtime të rralla, i disiplinoi mediat dhe orientoi tehun e tyre mercenar kundër opozitës, kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve, dhe natyrisht kundër Perëndimit. Falë mediave ai e komprometoi keq dhe pastaj e eliminoi politikisht edhe shefin e tij, Tomislav Nikoliq, ani se ky i fundit e konsideronte si djalin e vet.

Me të marrë në duar të gjithë frenjtë e pushtetit, Vuçiqi i kushtoi një rëndësi të madhe komunikimit me Perëndimin dhe nuk la gur pa lëvizur për të krijuar atje një imazh tjetër për veten dhe për Serbinë. Në këtë funksion emëroi si kryeministër Ana Bërnabiq, lesbike e deklaruar, e cila madje nuk ishte as anëtare e partisë së tij.

Vozhdi, SHBA-ja dhe luftërat në ish-Jugosllavi

Gjatë gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, Vuçiqi ishte dora e djathtë e Sheshelit dhe mbështetës i vendosur i krerëve serbë në Kroaci e Bosnjë kur ata, me ndihmën e ushtrisë federale, zbatonin ideologjinë serbomadhe dhe strategjinë e saj të spastrimeve etnike masive.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe të kësaj vetëdijeje gati kolektive te serbët, Papa Pali i Dytë i pati thënë Klintonit:

Duhet t’i bombardoni serbët…

Më 20 mars 1995, në qytetin e pushtuar kroat të Glinës, Vucic e ndezte turmën:

“Vëllezër serbë, motra serbe, ju përshëndes juve që ngritët flakadanin e lirisë në tokat serbe.

Kurrë Krajina serbe dhe Glina nuk do të jenë Kroaci. Kurrë Banija nuk do të bëhet Kroaci… Nëse radikalët serbë fitojnë zgjedhjet, ju e dini se do të jetoni në Serbinë e madhe.“[4]

Në këtë vijë, sipas Vuçiqit: “Radovan Karaxhiqi pasqyron simbolin e luftës së popullit serb për liri. Radovani dhe Ratko (Mladiq) janë trima dhe patriotë të shquar në luftën atdhetare… Nuk do t’i dorëzojmë as njërin as tjetrin.. Nëse i takojmë diku, do të pimë kafe me ta. Serbisë ia duan të keqen më të madhe ata që detyrojnë Mladiqin dhe Karaxhiqin të dorëzohen në Gjykatën e Hagës. Akuzat kundër gjeneralit Mladiq janë gënjeshtra e manipulime që kanë për qëllim satanizimin e tij… Shtëpia ime, si dhe çdo shtëpi e familjes së gjerë Vuçiqi do të jetë shtëpi-strehë e sigurt për gjeneralin Ratko Mladiq…“[5]

Dënimi i serbëve për krime gjithandej në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë nga Tribunali i Hagës e sidomos për gjenocidin në Srebrenicë, nuk u pranua asnjëherë nga krerët e Serbisë.

Në këtë pikë, Vozhdi i gjatë ishte më i vendosuri:

“Histeria që po krijohet përmes Srebrenicës është një fushatë antiserbe, ndërkohë që heshtën vuajtjet e serbëve, viktimat dhe fatkeqësitë e tyre…  Qëllimi i kësaj fushate që po bëhet kundër popullit dhe shtetit serb është arrestimi i Ratko Mladiqit dhe suprimimi formal i Republikës serbe.“[6]

Për shkak të qëndrimit të pandryshueshëm të krerëve serbë për këtë çështje madhore, më 29 nëntor 2018, Parlamenti Evropian, në rezolutën për Serbinë, nënvizoi “se pranimi i gjenocidit në Srebrenicë është një etapë fondamentale në procesin e aderimit të Serbisë në BE“.[7]

Vozhdi i gjatë vazhdimisht villte helm e vrer kundër Perëndimit dhe Amerikës sidomos: “Ashtu siç zgjerohej fronti antifashist në Luftën e Dytë Botërore, po ashtu do të zgjerohet edhe fronti i rezistencës kundër amerikanëve dhe idesë së tyre naziste-imperialiste.“ (1999)[8]

“Kemi vuajtur nën bombat amerikane, ndërsa tani po vuajmë edhe më shumë nga gjoja ndihmat dhe mbështetja e tyre ekonomike“. (2001) [9]

“Amerikanët po duan të zaptojnë dhe të pushtojnë çdo gjë, kudo duan ta kenë nga një Gjingjiç“ (2003, këtë e tha vetëm disa javë para se ai të vritej, shënim i autorit) [10]

“Krerët e DOS-it (partitë politike që erdhën në pushtet pas rënies së Milosheviqit) në mënyrë kusare e banditeske po përpiqen ta arrestojnë dhe ta dorëzojnë Slobodan Milosheviqin, të shkatërrojnë emrin e kombit serb, krenarinë, nderin dhe shtetin e popullit serb… Është e mjerë dhe e ngratë ajo qeveri që i dorëzon serbët vetëm për të përmbushur urdhrat e SHBA-së dhe Gjykatës së Hagës…“[11]

“Bashkësia ndërkombëtare po do t’ia fusë popullit serb banderin në anus dhe pret prej nesh që t’i themi se po ndihemi shumë mirë…“ (2005) [12]

Sipas Sheshelit, shefit të tij të dikurshëm:

“Vuçiqi ka ngjitur parulla me foton e Ratko Mladiqit nëpër rrugët e Beogradit, duke i vënë ato mbi treguesit e rrugës ‘Zoran Gjingjiq’.

Ai madje edhe në Kuvendin e Serbisë ka futur banderola me emrin Sigurna kuça za Ratka Mladiqa (Shtëpi e sigurt për Ratko Mladiqin)…

Ka punuar shumë me vetveten dhe është bërë ekspert për manipulimin e mediave. Me premtimet e zbrazëta ka fituar shumë simpati dhe ky është një fakt.“

Vozhdi i gjatë për Kosovën

Në diskursin politik të Vuçiqit Kosova është A-ia dhe Kryefjala e tij. Platforma më e qartë për Kosovën e Vozhdit të gjatë dhe bashkëmendimtarëve të tij është botuar në gazetën e Partisë radikale serbe “Velika Srbija“ (Serbia e madhe), më 14 tetor 1995. Vuçiqi ishte anëtar i redaksisë dhe i këshillit botues.

Platforma me titull “Si do ta zgjidhnin çështjen e Kosovës e Metohisë radikalët serbë“, ka 5.540 fjalë dhe është nënshkruar nga udhëheqja e PRS-së, kryetari, zëvendëskryetari, sekretari i përgjithshëm, Vuçiqi, të katër nënkryetarët si dhe nga 81 deputetë të PRS-së.

Në këtë analizë, kjo platformë do të citohet gjerësisht, sepse është njëri prej projekteve serbe më të rrezikshme dhe, për më keq, nuk përmendet asnjëherë prej pushtetarëve shqiptarë, madje as në rastet, si në një darkë me përfaqësuesit e BE-së, kur Vuçiqi pati akuzuar rëndë njërin prej qyqarëve të Kosovës dhe ky i fundit, për turpin dhe për të zezën tonë e të Kosovës, nuk e hapi gojën!

Fillimisht, në Platformë konstatohet se:

“Pa Kosovë e Metohi nuk ka as shtet serb. Mu për këtë ruajtja e Kosovës e Metohisë, si pjesë përbërëse dhe integrale e Serbisë, për nga rëndësia, është e barabartë me vetë ekzistencën e kombit serb…“

Në këtë frymë nënshkruesit zotohen për suprimimin e “…federatës ekzistuese dhe formave të autonomisë territoriale, sepse ato janë provuar si dështime për popullin serb, prandaj zgjidhja më e mirë duhet të jetë krijimi i një shteti unitar serb, në përbërjen e të cilit do të hynin Republika e Krainës Serbe, Republika Serbe, Republika e Serbisë dhe Republika e Malit të Zi.“

Pakicave u njihet “… e drejta për përdorimin e gjuhës së vet në jurisprudencë, e drejta për arsimin fillor në gjuhën e vet amtare, për shprehjen e ndjenjave fetare, marrjen me veprimtari kulturore e të ngjashme. Ndërkaq, ushtrimi i këtyre të drejtave nënkupton, para së gjithash, detyrimin e anëtarëve të pakicave për sjellje luajale ndaj shtetit, qytetarë të të cilit janë.“

Sipas Platformës, në atë kohë ishin rreth 400 mijë shqiptarë që duhej ndjekur nga Kosova, sepse qenkëshin ardhacakë. Ndaj tyre “… duhet të zbatohen standarde të dyfishta: për ata që njihen si ekstremistë duhet paraparë përzënia e menjëhershme, ndërkaq të tjerëve duhet t’u vihet si kusht zotërimi i të gjitha dokumenteve, madje edhe për nevojat më të zakonshme, për sigurimin e të cilave, si parakusht do të ishte dëshmia e shtetësisë, të cilën ata nuk e kanë si edhe pasja e listës së atdheut. Lista e atdheut do të zbatohej për të gjithë shtetasit e Serbisë, si mjet i detyrueshëm, me të cilën do të vërtetohej se kanë shtetësinë e Republikës së Serbisë. Në kopertinë, lista e atdheut do të kishte stemën e Serbisë: shqiponjën e bardhë dykrenore të Nemanjiçëve, mburojën me kryq dhe katër S-të.“ (Samo sloga srbina spashava! që do të thotë: vetëm uniteti serbët i shpëton).

“ Duhet penguar me të gjitha mënyrat kthimi i shqiptarëve të punësuar në botën e jashtme, e posaçërisht kthimi i atyre, që në periudhën 1990/93 kanë shkuar në mënyrë masive jashtë (vlerësohet se kanë shkuar rreth 300 mijë pjesëtarë të popullsisë më aktive).“

“Të gjitha pronat serbe që janë shitur apo që u takojnë në ndonjë mënyrë tjetër shqiptarëve, shtëpitë dhe apartamentet, sidomos ato të periudhës 1966/1987, (gjatë kohës së pushtetit ballisto-komunist në Kosovë), si edhe ato që fashistët i përvetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet t’u kthehen pronarëve të mëparshëm ose pasardhësve të tyre.“

T’u hiqet shtetësia serbe dhe t’u ndalohet kthimi të gjithë shqiptarëve shtetas të Jugosllavisë, të cilët banojnë jashtë shtetit e që, atje veprojnë nga pozita separatiste.

“Përmes ndërtimit të autostradave (qëllimisht me korsi të ndara deri në 1 km, për shkak të ‘konfiguracionit të terrenit’ dhe sheshimit të një brezi të gjerë buzë rrugës) mes për mes mjediseve rurale shqiptare me dendësinë më të madhe të popullsisë, dhe ndërtimit të objekteve të tjera, si kazerma, poligone, magazina, etj., si dhe dhënia e trojeve dhe hapësira për kolonitë e të ardhurve, në këtë mënyrë do të imtësohet hapësira etnike shqiptare, me çka ata do të humbin “thellësinë” e territorit, që është element cenues i rëndësishëm i ndjenjës së tyre të sigurisë.

Qëllim i gjithë kësaj është krijimi i vetvetishëm ‘i lëkurës etnike të leopardit’, me çka, më vonë, me shtrirjen e enklavave serbe, ato shqiptare do të zvogëloheshin dhe do të zhdukeshin“.

“Me ndryshimin e kushteve të tregtisë, përmes firmave private, mund të shkaktohen mungesa artificiale mallrash, që nuk do të gjenden as në ato shtetërore, me çka do të krijohet ndjenja e pasigurisë dhe e ankthit.

Furnizimi me rrymë elektrike (ndërprerjet e shpeshta të saj me qëllim, si dhe sabotimet e vërteta në ato pjesë të rrjetit që furnizon enklavat shqiptare), në veçanti, u duhet ndërprerë ujin, që është problem i mprehtë në Kosmet, në këtë mënyrë do t’ua bëjmë jetën e padurueshme. Qëllimi i gjithë kësaj është që të bëhet ndarja (veçimi i plotë) e popullsisë, jo vetëm për nga aspekti i hapësirës, por për të bërë izolimin e plotë të shqiptarëve nga enklavat e tjera të banuara prej tyre…“

“…duhet vështirësuar funksionimi i sektorit privat të shqiptarëve me anë të veprimeve të rrepta administrative dhe të kontrollit të përhershëm të tregtisë, me çka do të vihej njëfarë kontrolli mbi financimin e partive të tyre politike.“

“Duhen vështirësuar kontaktet me firmat dhe ndërmarrjet private në Serbi, për të mos lejuar që kapitali shqiptar të krijojë monopol dhe të ndikojë në proceset ekonomike në Serbi.

Me anën e dispozitave përkatëse përfshirë dhe politikat tatimore, të mbikëqyret sektori i ndërtimeve pa leje, prej nga mund të fitohen mjete të mëdha financiare për investime në programin e kolonizimit dhe krijimit të vendbanimeve të posaçme“.

“Shkaktimi dhe demaskimi i aferave të ndryshme, në saje të të cilave do të ndiqeshin firmat e mëdha private dhe pronarët e tyre. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar trafikut me drogë, duke përfituar nga rastet e zbuluara për të dënuar një rreth të gjerë njerëzish me dënime të ashpra. Rastet e zbuluara të përdoren për komprometimin e individëve të shquar…“

“Dhënia e lejeve të caktuara, dokumenteve nga organet shtetërore (me përjashtim të pasaportave) duhet të ndërlikohet deri në maksimum, ndërkaq dënimet për mungesën e tyre duhet të jenë të ashpra. Shqiptarët kanë aversion të posaçëm ndaj sjelljeve të këtilla, sepse rrjedhin nga një mjedis ku drejtpërsëdrejti aplikohet e drejta zakonore. Ata nuk e durojnë sidomos ndërhyrjen administrative në atë që ata e konsiderojnë si çështje të veten intime. Madje, duhet kërkuar edhe “leje për lopën” (leje për posedimin e kafshëve).

Duhet ndikuar që shkuarja e shqiptarëve jashtë të bëhet e zakonshme, ndërkaq kthimi të vështirësohet me procedura të koklavitura në kufi…“

“Veprimtaria gjithëpërfshirëse (e shërbimeve serbe, shën. i autorit) brenda organizatave shqiptare doemos do të shkaktojë pakënaqësi te shqiptarët, gjë që është parakusht për ta rritur gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në organizata të ndryshme, prej atyre jashtëligjore e deri në ato terroriste. Për këtë arsye, është e udhës që të infiltrohen individë nga Sigurimi i Shtetit, të cilët, në momente të përshtatshme do të inicionin formimin e organizatave të tilla, në mënyrë që pastaj të ndikohet në veprimtarinë e tyre, në mos edhe në udhëheqjen e tyre…“

“Me këso komplotesh mund të shkohet madje edhe në kryerjen e aksioneve, me çka kontribuohet në arritjen e satisfaksionit kolektiv të masave shqiptare, por edhe rënies së tendosjeve, ndërsa shtetit kjo do t’i shërbejë si shkas për veprime shumë më të ashpra ndaj të gjitha organizatave të tjera, e kjo sjellë deri tek tendosjet ndërnacionale dhe thellimi i mëtejmë i jetës së tyre paralele“.

“Në këtë kuptim, është i nevojshëm ekzistimi i shumë grupeve të tilla, ndonjë prej të cilave policia dhe Sigurimi i Shtetit, kohë pas kohe, do ta shkatërronin, deri sa ato të konsolidohen sërish, të tjerat e vazhdojnë punën dhe kjo i kontribuon krijimit të mendësisë se këto veprimtari janë në funksion të çlirimit“.

“Eliminimi i individëve të shquar (atyre aktivë, por edhe potencialë) të cilët luajnë ose mund të luajnë rol vendimtar në jetën politike, me afera të fryra publike dhe me “fatkeqësi të rastit”, si (fatkeqësi trafiku, vrasje nga xhelozia, infektime të individëve me virusin e SIDA-s, gjatë qëndrimit në botën e jashtme, të tillëve për të cilët dihet se kanë prirje për ekskursione dashurie, infektime që ‘zbulohen’ gjatë kontrollit në kufi, pas të cilit zbatohet vënia në karantinë.

Me përpunim të përshtatshëm medial, mund të krijohet një atmosferë e tillë, e cila do të nxitë kontrollin medikal të popullsisë shqiptare, në mënyrë që të konstatohet artificialisht se ekziston një përqindje e madhe e të sëmurëve nga SIDA, prej nga rrjedh nevoja e izolimit të një numri sa më të madh njerëzish; në mënyrë që të krijohet përshtypja në opinion se shqiptarët janë komb infektues“.

  1. Veprimtaria informativo-propagandistike

“Duhen krijuar programe të posaçme televizive e radiofonike në gjuhën shqiptare, përmbajtja e të cilave do të orientohej drejt rrënimit të mendësisë së tyre patriarkalo-fisnore, me anën e paraqitjes së përmbajtjeve më dekadente nga Perëndimi, ndaj të cilave shfaqin prirje popujt primitivë. Enklavat serbe do të mbroheshin nga programet e tilla, para së gjithash me pengesa gjuhësore (radioja), si edhe me anën e aplikimit të televizionit kabllor, në vendbanimet e reja dhe në ndërtesa.

Ndaj botës është e domosdoshme të formohet një mekanizëm i fuqishëm propagandistik, në përputhje me përvojat e njohura.

Të parashikohen madje edhe botime të fshehta të nëndheshme, me përmbajtje që do të përhapnin për ta ide fatale e mistike dhe gjoja kritike për “regjimin serb“.

“Të gjitha shkollat dhe akademitë ushtarake e policore, të gjitha entet ushtarake, që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me komandimin në disa fusha ushtarake, si edhe një varg institucionesh të tjera shtetërore, si bie fjala, ministri të tëra, duhet të transferohen në rajonin e Kosovës e Metohisë, në mënyrë që të krijohen kushtet për vendosjen e dhjetëra e mijëra oficerëve, policëve, nëpunësve e anëtarëve të familjeve të tyre, dhe të infrastrukturës së plotë. Të gjithë serbëve, që dëshirojnë të jetojnë në ato hapësira tonat, duhet t’u sigurohet falas tokë bujqësore në pronësi të përhershme, si dhe troje për ngritjen e shtëpive familjare dhe të ndërmarrjeve ekonomike. Të gjithë atyre, që transferojnë atje përfaqësitë tregtare dhe ndërmarrjet prodhuese, në të cilat punësojnë së paku 10 veta, do t’u ofrojmë një prej lehtësive kyç: lirimin nga pagesa e tatimit, më së paku për dhjetë vjet. Pse Kosova e Metohia të mos jenë zona jashtë doganore?“

“Oficerëve të pensionuar, nënoficerëve, policëve dhe nëpunësve shtetërorë, si zgjidhje e përhershme e çështjes së tyre të banimit, t’u ofrohen banesa maksimalisht komfore në territorin e Kosovës e Metohisë. Të sigurohet brezi kufitar në gjerësi prej 50 km (minimumi) përgjatë kufirit me Shqipërinë. Të mos lejohet cenimi i kufirit nga hapësira e Shqipërisë së tashme, ndërsa marrëdhëniet me të do të zhvillohen në harmoni me mundësitë dhe interesat e të dyja palëve.

Zona kufitare me Shqipërinë do të mundë të popullohej vetëm me serbë, ndërsa toka tjetër do të ishte në pronësi të Ushtrisë së Jugosllavisë“.

2) Shkollimi

“Në shkollat shtetërore në Kosovë e Metohi, sistemi shkollor duhet të mbështetet në përmbajtjen dhe vlerat e artit dhe kulturës serbe, evropiane dhe botërore dhe duhet të shtjellohet në gjuhën serbe. Perspektiva e hapur e jetës dhe e zhvillimit të lirë në Serbi është mjaft tërheqëse që këtë sistem ta pranojnë edhe anëtarët e pakicave kombëtare. Shkollat në gjuhët e bashkësive minoritare duhen trajtuar si private dhe gjatë punësimit duhet kërkuar verifikimi i mësimdhënies sipas plan programeve zyrtare. Në këtë mënyrë do të bëhej seleksionimi normal në përputhje me vlerat dhe strukturën e shoqërisë serbe. Mësimi në Universitetin e Prishtinës, pas rrënimit të parashtetit shqiptar, ka përjetuar kthesë rrënjësore dhe është në rrugë e sipër për të arritur rezultate kapitale, dhe me këtë ta përcaktojë qartë fatin e Kosovës e Metohisë dhe të shtetit serb në tërësi. Ky nivel i arritur duhet stabilizuar edhe më tej, duke vazhduar me projektet dhe programet e reja. Kushtet e studimit në gjuhën serbe në Universitetin e Prishtinës duhen bërë më të përshtatshme se kudo tjetër në Serbi“.

“Duhet mbajtur dhe thelluar edhe më tej sistemi i tanishëm paralel e ilegal i shkollimit të shqiptarëve, sepse në këtë mënyrë, në të ardhmen, me diploma jolegale, atyre u mbyllen dyert e çdo angazhimi dhe integrimi në shoqëri si dhe mundësitë për gjetjen e vendeve adekuate të punës. Veç kësaj, vazhdimi i mëtejmë i shkollimit paralel dhe ilegal i shqiptarëve ka edhe një rëndësi tjetër: nuk është arsimim i detyrueshëm si ai shtetëror, prandaj bie shkalla mesatare e mësimit dhe zvogëlohet aftësia e tyre kolektive për t’i rezistuar manipulimit nga jashtë dhe nga brenda“.

“Të gjitha këto veprimtari duhet të bashkërendohen në mënyrë të tillë që ta nxisin sa më shumë derdhjen e popullsisë shqiptare në botën e jashtme, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Duhet të përdoren mënyra të nduarnduarta të trysnisë, të krijimit të ndjenjës së pasigurisë për të nxitur shpërngulje sa më të madhe të shqiptarëve“.

“Policia, si organ i rëndësishëm i pushtetit, është përgjegjëse për mbetjen e Kosovës e Metohisë në pronësi të përhershme të shtetit serb“.

“Bisedimet dhe marrëveshjet me përfaqësuesit e shqiptarëve të mos fillohen, para miratimit të ligjit mbi shtetësinë dhe konstatimit të numrit të atyre që e njohin dhe e pranojnë Serbinë si shtet të vetin.“

“Ndaj atyre shqiptarëve që përcaktohen për të qenë shtetas të Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, duhet të sillemi me tolerancë dhe t’i trajtojmë drejt, por, inkorporimi i tyre në organet shoqërore, politike dhe shtetërore, duhet bërë sipas masës së integrimit dhe të identifikimit të tyre të vërtetë me shtetin serb dhe me ligjet e tij.“[13]

Sigurisht për shkak të planeve të tilla, të shumta, të serbëve për Kosovën dhe për krimet e tyre në Bosnje e Hercegovinë, Margareth Thaçer pati kërkuar: “Ndalini serbët menjëherë dhe përgjithmonë!“[14]

Ndërkaq, Jacque Chirac, gjatë një dreke, në qershor të vitit 1995, ishte edhe më i drejtpërdrejtë:

“Serbët janë popull pa ligje dhe pa fe, këta janë popull banditësh dhe terroristësh.“

Kur lexuesi mendon thellë arsyen pse njerëz kaq larg prej serbëve dhe Serbisë, kaq të pa rrezikuar prej saj, shprehin këso mendimesh të pamëshirshme për ta, besoj se shkakun duhet kërkuar te rrëfime që nuk i mban as toka;

– për grabitësin që ta merr kafshatën nga goja dhe të tjerëve u thotë, është imja;
– për pushtuesin që ta burgosë fëmijën tënd dhe e tretë burgjeve pafund, e të tjerëve u thotë, ma ka rrezikuar ekzistencën time;
– për xhandarin që ta merr tokën e shtëpinë, dhe të tjerëve u thotë, gjithmonë kanë qenë te miat;
– për shtetin që të nxjerr nga shkolla, nga bibliotekat, nga universiteti që i kanë themeluar me mund prindërit tu, e ty të thotë nuk i meriton se je i egër;
– për oficerin që me urdhër shteti me krejt njësinë e tij t’i përdhunon gruan, fëmijët dhe të tjerëve u thotë ia kanë bërë vetës;

– për ushtrinë që t’i vret njerëzit tu në shtëpi dhe i djeg brenda ose ua merr kufomat dhe, për t’i fshehur gjurmët, i djegë në furrat e xeheroreve ose hap varreza masive dhe mbi të ndërton kisha e pista aeroportesh dhe ti nuk e ke as një varr për ta derdhur, në ditë trishtimi, një truç lot mbi të…

“Dialogu” me Kosovën dhe për Kosovën

Që nga viti 2013 e këtej, Vuçiqi u bë faktor vendimmarrës në ‘dialogun’ e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Edhe në këtë pikë qëndrimet e tij më herët ishin radikale:

“Vetëm pasi të jenë kthyer ushtria dhe policia jonë në Kosovë e Metohi ne do të mundë të negociojmë me të huajt dhe me shqiptarët.“ (2003)[15]

“Askush nuk ka të drejtë të heqë dorë as nga një livadh apo arë e vetme serbe… E vetmja mënyrë për ta ruajtur Kosovën është të na mbështesin Rusia dhe Putini.“ (2005)[16]

“Evropa dhe Amerika po na grabisin Kosmetin, Serbia as që duhet të mendojë për integrimet evropiane.“ (2007).[17]

Ndërkaq katër vjet më vonë, Vozhdi përdorte një fjalor disi tjetër:

“Kosova është e rëndësishme për ne, por ne duhet të mendojmë për investimet, partia progresiste nuk do të heqë dorë nga rruga evropiane.“ (2011)[18]

Me ardhjen e tij de facto në krye të delegacionit të Serbisë, Vuçiq e dinamizoi dialogun dhe arriti që, në prill të vitit 2013, të nënshkruhet nga Thaçi-Daçiq Marrëveshja e Parë e Parimeve, përmes së cilës, në kundërshtim me Kushtetutën, në Kosovë formohej një entitet juridik, një etnik, pra bëhej federalizimi i vendit.

Kjo Marrëveshje, që cenon rrezikshëm rendin kushtetues dhe integritetin e vendit, u përthellua përmes marrëveshjes për Asociacionin, më 25 gusht 2015, nënshkruar nga Vuçiqi dhe Mustafa. Nëse Marrëveshja e vitit 2013 e federalizonte vendin në favor të një pakice prej 5% të popullsisë, Marrëveshja për Asociacionin, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (23 dhjetor 2015), krijon nga Kosova“…një formë konfederate ku njësitë territoriale bashkëpunojnë në nivel horizontal në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave. Asnjë formë e vetëqeverisjes lokale apo edhe e vetëqeverisjes rajonale nuk njeh një marrëdhënie të tillë horizontale me autoritetet qendrore…“

Kjo Marrëveshje dhe ajo për demarkacionin e sollën vendin buzë greminës së luftës civile, që filloi me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në ato rrethana, si e vetmja mënyrë e mbetur për ta shpëtuar Kosovën nga copëtimi.

Paralelisht me këto fitore në tryezën e bisedimeve, Vozhdi i gjatë e ndryshoi kahun “dialogut“. Ai gradualisht dialogun me Kosovën dhe për Kosovën arriti ta kthejë në negociata të Serbisë me shqiptarët: në negociata për territore të Kosovës. Ai, ashtu si Gjingjiqi, është i prerë se zvarritja e kësaj çështjeje “po i thith gjakun sistemit, sepse po i kushton shtetit 1 miliard e 300 milionë euro në vit.“ [19]

Suksesi më i madh i Vuçiqit në politikën e jashtme ishte sidomos fakti se ai arriti ta fusë në kurth kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në mënyrë që edhe ky të bëhet avokat i vënies në pikëpyetje të kufijve të Kosovës dhe të vendimit të GjND-së:

“Më 2010 u mor vendimi katastrofal, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe marrim përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër…“[20]

Njohësit e mirë të historisë moderne serbe e dinë se të paktën qe një gjysmë shekulli e këtej, Serbia ka këmbëngulur që për ndarjen e Kosovës të mos flasë me parinë e saj, por me pushtetarët në Shqipëri.

Kjo i përshtatet Beogradit shumë më tepër, sepse së pari nuk do të ketë nevojë ta njohë Kosovën, së dyti krerët serbë e dinë se shumë më lehtë do të merren vesh për këtë çështje me politikanë të atjeshëm se sa me ata të Prishtinës. Shkaqet janë të njohura: çdo politikan nga Kosova e din se futja në këtë lojë do të thotë të fusë në rrezik kokën e tij dhe të familjes, ndërsa ata në Shqipëri janë mësuar t’i bien kryq e tërthorazi Rubikonit pa u lag dhe pa therrë në këmbë.

Edi Rama: ora e mësimit të serbishtes

Mirëpo Edi Rama, pavarësisht se është një sharlatan ‘par excellence’, e hetoi se sa patate e valë është kjo temë, prandaj këtë punë të pistë ia la në dorë Hashim Thaçit, kokë turku që e di mirë se e presin prangat, prandaj është i gatshëm në çdo akt që do ta kursente nga burgu.

Vozhdi i gjatë është treguar mjeshtër në raport me shqiptarët, Thaçin duke e shantazhuar me dosje të trasha, ndërsa Ramën duke ia kashagitur mendjemadhësinë. Ja një dialog publik në Beograd (31 gusht 2015), që flet shumë.

Rama: “Kemi folur për unionin ekonomik, që realisht ta zgjerojmë tregun…, për rrugën Nish-Prishtinë-Durrës…, ajo rrugë duhet të jetë pa barriera tarifore…“

Vuçiqi: Edi është politikan botëror, ndërsa unë jam lokal, i ngarkuar vetëm për Serbinë.“[21]

Lojën “me tre çibrita“ që ka bërë Vuçiqi me Thaçin dhe Ramën në dëm të territoreve të Kosovës ai ia shpërfaq publikut me humor:

“Bisedimet që kisha në Davos me Hashim Thaçin dhe Edi Ramën nuk ishin të lehta… Me rëndësi është që të mos e humbim atë që nuk guxojmë ta humbim, dhe të humbim vetëm atë që jemi të detyruar… ose atë që nuk na takon.“[22]

Në allishverishet me Serbinë, si duket, Edi Rama ka shkuar edhe më larg. Sepse në mbledhjen, më shumë se teatrale, të të dyja qeverive në Pejë, më 26 nëntor 2018, ai shpalosi idenë se:  “Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike dhe afatgjatë. Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë.“

Për marren e tyre, askush nga të pranishmit nuk i kërkoi sqarime Edi Ramës, se cili institucion shtetëror dhe kur kishte vendosur për këtë orientim strategjik të politikës shqiptare? Për më tepër kur dihet se marrëdhëniet në mes dy vendeve vuajnë në çdo pikëpamje nga pabarazia dhe mungesa e reciprocitetit elementar.

Këtë lojë të tejdukshme me liderët e pagdhendur shqiptarë, Vozhdi i gjatë e arriti edhe falë rrethanave të reja gjeopolitike, duke luajtur me mjeshtri kartën shumëfytyrëshe në marrëdhëniet e acaruara të Perëndimit me Rusinë, një imitim i politikës dikur të leverdishme të Titos.

Telashet me ndërkombëtarët, kur përpiqej t’ua shiste goglat për arra, Vuçiqi i shpjegon në mënyrë prozaike “… e pyeta shefin e diplomacisë gjermane si të dalë para serbëve dhe t’u them se nuk ka asgjë prej Kosove dhe se këtë ma kanë thënë miqtë tanë? Dhe të gjithë serbët të marrin fërteret dhe të më mëshojnë kokës?“[23]

Gazetari i njohur Andrej Ivanji shpjegon mirë taktikën e Vozhdit : “Thelbi i politikës së Vuçiqit është që Perëndimit dhe rajonit t’ua përcjellë të njëjtin mesazh: në njërën dorë kam shkrepsen dhe këtij rajoni jostabil mund t’i vë zjarrin kur të dua; njëkohësisht në dorën tjetër kam aparatin zjarrfikës dhe jam i gatshëm që zjarrin që kam ndezur vetë ta fik lehtësisht. Ju takon juve të zgjidhni.“[24]

Gjatë një manovre ushtarake, jo larg kufirit me Kosovën, në Pasuljanske livade (Livadhet e Pasulit), Vozhdi rrahte gjoksin se: “Asnjë vend në rajon nuk mund të krahasohet me ushtrinë e Serbisë… ne dhe hungarezët jemi si baraz. Të tjerët janë larg prapa nesh.“[25]

Njëri prej analistëve më të mirë të rajonit, Vladimir Gligorov, kërcënimin e Vozhdit e deshifron saktësisht: “Ushtria është mjeti, ushtria e pajisur mirë është mjet më bindës, e qëllimi cili është, të mbrohet vendi. Por nga kush saktësisht? Në mënyrë që përmes kërcënimit t’i kushtëzojmë të tjerët për të bërë lëshime? Cilët saktësisht. Nëse nuk ka përgjigje në pyetjen për qëllimin, atëherë fjala është për para të hedhura kot…“[26]

Kur strategjia për copëtimin e Kosovës u kundërshtua me këmbëngulje gjithandej ndër shqiptarë po edhe nga shumë serbë, më 24 shtator 2018, para Këshillit të përgjithshëm të Partisë së tij, Vozhdi i gjatë vajtoi:

“Politika ime që Serbia të ruajë shumëçka në Kosovë ka pësuar disfatë. Serbët duan t’i humbin të gjitha. Më shumë preferojnë të qajnë për diçka që do të mbetet larg se sa për diçka që e kanë në duar.“[27]

Dhe vazhdon të vajtojë:

“Patëm rastin të fitojmë më shumë se zakonisht, por serbët thanë se këtë nuk e duan.“[28]

Por kjo është vetëm lojë, nga ato që i thoshte D. Qosiq se “…rrena është interes shtetëror serb…“, sepse burime të besueshme pohojnë se Thaçi-Vuçiq, me dijen e Ramës, që në muajin shtator 2018 kanë ravijëzuar një marrëveshje për copëtimin e Kosovës. Vetëm po presin momentin e volitshëm që, nëse ia arrijnë, t’ia imponojnë popullit të Kosovës copëtimin e vendit, duke vënë kështu shqiptarët para një akti të kryer tradhtie.

Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ditë më parë, në një intervistë pohoi: “Nëse para dhjetë vjetësh do të vepronim kështu do të ishim në gjendje shumë më të mirë. Jam i bindur se deri tash problemi i Kosovës do të ishte zgjidhur.“[29]

Burime të besueshme pohojnë se katër vjetët e fundit Serbia për veprime që lidhen me zgjidhjen e çështjes së Kosovës ka shpenzuar rreth 600 milionë euro. Kjo nuk ka të bëjë fare me financimin e strukturave të saj apo të popullsisë serbe në Kosovë. Se a bëjnë pjesë në këtë shumë edhe 39 milionë euro që shpenzoi Serbia për pengimin e Kosovës të bëhet pjesë e Interpolit, nuk e di, sikundër që nuk e di se ku ka përfunduar ajo shumë kolosale parash; në xhepa të disa shqiptarëve, në xhepa të disa ‘ndërkombëtarëve’ apo në xhepat e të dyja palëve bashkë. Ajo që dihet është se çështja e Kosovës, që ishte një kapitull i mbyllur, sërish u nxor në pazarin e madh si çështje e pazgjidhur.

Hashim Thaçi: Mirësevini, bukë e territor sa te doni…

Edhe Hashim Thaçi, në takatin e tij, ka kontribuar në këtë drejtim, sepse me paratë e buxhetit skamnor të Kosovës, ka paguar lobistë për t’u mbështetur nga qendrat vendimmarrëse marrëveshja e tij me Vuçiqin.

Veç kësaj, ai ka harxhuar shuma kolosale të parave të taksapaguesve për të botuar jashtë librat e tij për marre, ku, paturpësisht, sakrificat e disa brezave për liri përpiqet t’i përvetësojë si kusar.

Keqpërdorimi i serbëve të Kosovës

Serbët e Kosovës qe një shekull e gjysmë janë objekt i yshtjes, dezinformimit dhe manipulimit të paskrupullt nga Beogradi. Kjo veprimtari diversive kundër tyre është intensifikuar sidomos këto katër dekadat e fundit.

Zakonisht votat e serbëve të Kosovës përdoren për sajimin e strukturave të cilat veprojnë jo sipas interesave të serbëve lokalë, por sipas diktatit të Beogradit, siç është e ashtuquajtura Listë Serbe.

Se si përdoren votat më së miri e shpjegon gazetari kosovar, Darko Dimitrijeviq: “… në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Kosovë, në Osojan (vendbanim serb, afër Istogut) kanë votuar 38 zgjedhës, ndërsa 1.700 nga Kraljeva, Kragujevci etj. (qytete në Serbi, ku banojnë shumë serbë me origjinë nga Kosova), prej tyre 60% janë të vdekur. E kam parë listën me sytë e mi.“[30]

Prej ardhjes në pushtet, Vozhdi i gjatë u drejtohet, gati për çdo ditë, serbëve të Kosovës me mesazhe kundërthënëse e keqdashëse. Dhe nuk është ndalur me kaq, sepse në kulmin e bisedimeve të fshehta për copëtimin e Kosovës, kur Vuçiqit iu kundërvu vendosmërisht edhe njëri prej liderëve më të spikatur serbo-kosovar, Oliver Ivanoviq, këtë e vranë mizorisht para zyrës së vet. Burime serioze konfirmojnë se këtë vrasje, dhe jo vetëm këtë, e kanë kryer strukturat mafioze të lidhura me shtetin serb.

Paraprakisht, Ivanoviqi ishte demonizuar nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vozhdit dhe mediave që ky i kontrollon plotësisht, duke u shpallur njeri i lig e vegël e Prishtinës.

Prandaj, disa ditë para se të vritej, Ivanoviqi kishte takuar Vuçiqin dhe krerët e BIA-s (shërbimi sekret serb) dhe kishte kërkuar ndihmën e tyre për shkak se e kërcënonte me jetë, nënkryetari i partisë së Vuçiqit në Kosovë (Lista Serbe), mafiozi famëkeq, Milan Radoiçiq.

Një vit para se të vritej, Oliver Ivanoviq, u deklaroi mediave se “…fushata që po bëhet për zgjedhjet lokale në Kosovë, thënë më së buti është e çuditshme dhe se tash serbët po frikësohen prej serbëve më shumë se që janë frikësuar nga shqiptarët radikalë në vitet 1999, 2004 dhe 2008.“[31]

Në tubimin e fundit javor në Beograd (12 janar 2019), ku po marrin pjesë nga disa dhjetëra mijëra kundërshtarë të regjimit, Rada Trajkoviq, njëra prej liderëve të njohur të serbëve të Kosovës deklaroi:

“Na e vranë Oliverin, më të mirin prej nesh. Kanë menduar se vrasja e Oliverit do të promovonte si krejt të pamundur bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve, në mënyrë që përkufizimi (ndarja territoriale) të imponohet si ardhmëri. Ai edhe i vdekur i sfidoi, sepse në rrugëtimin e tij të fundit e përcollën edhe fqinjët e tij shqiptarë, të cilët shprehën keqardhje për vrasjen e fqinjit të tyre, dhe kështu plani i Vuçiqit dhe Thaçit (për ndarjen e Kosovës, shënim i autorit) u bë një plan i parealizueshëm“.

“Ne, serbët (e Kosovës) nuk po kërkojmë shumë. Po kërkojmë që serbët të mos frikësohen prej serbëve. E prej që Vuçiqi ka ardhur në pushtet, ne (serbët) po frikësohemi prej serbëve.“[32]

Vozhdi i gjatë ua fut frikën në palcë serbëve të Kosovës edhe duke gënjyer sy ndër sy. Në kohën e acarimit të gjendjes pas aplikimit të taksave doganore, ai në një tubim me serbët e Kosovës deklaroi: “Kemi informata për lëvizjen e trupave shqiptare nga baza e Belvedereve dhe Vrella… Ndoshta po shkojnë për të kontrolluar Liqenin (e Gazivodës), për t’i treguar muskujt dhe për të penguar ndonjë import mallrash“.

Ndërkaq zëdhënësi i KFOR-it deklaronte krejt të kundërtën: “…Nuk po ndodh asgjë. Nuk ka pasur kurrfarë lëvizjeje të trupave të FSK-së drejt veriut… nuk ka asnjë arsye për shqetësim.“[33]

Për këtë klimë të krijuar artificialisht flet me shqetësim edhe ish-ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, përndryshe banor i Leposaviqit: “Ajo që s’më pëlqen është pompimi medial që shpërndahet live. Tërë ditën emetohen emisione speciale, në të cilat të intervistuar të ndryshëm me përgjigjet, demagogjinë dhe rrenat e tyre i shqetësojnë serbët në Kosovë. Nuk e di pse krejt kjo. Kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, por nuk kishte emetime mediale live. Duhet informuar qytetarët, por jo kështu…“[34]

Pas vendimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, Vuçiqi luante teatër me serbët e Kosovës, thua se ata nuk e dinë se KFOR-i nuk lejon të rrezikohet prej askujt siguria e tyre:

“Mos u shqetësoni. Në çdo përpjekje për sulm ndaj jush, Serbia do të ketë forcë për t’ju mbrojtur… Ne mbrapa nuk mundemi më, s’kemi ku.  Mos mendoni se do ta pranojmë dhe me mirësjellje të kënaqemi me vetëshkatërrimin tonë.“[35]

Në këtë lojë të madhe, Vozhdi i gjatë ka mobilizuar sidomos mediat serbe. Vitin që lamë pas, ta zëmë, vetëm në tabloidët mercenarë “Informer“ e “Srpski telegraf“ në kryetitujt e faqeve të para 265 herë paralajmërohen luftërat dhe konfliktet kundër kroatëve e shqiptarëve në radhë të parë.“[36]

Në njërën anë Vuçiqi ndez zjarrin dhe menjëherë pastaj merr rolin e zjarrfikësit. Shembulli më i mirë është treni laran rus, që Kosova e ndali në kufi:

“Një pjesë e mirë e serbëve hidhërohen pse nuk e çuam trenin deri në Mitrovicë. Ne mund ta bënim këtë, por do të kishte të vdekur në të dyja anët… “ [37]

Kjo politike e tejdukshme meskine dhe e paskrupullt, që ka për synim të realizojë objektiva strategjike serbomëdha, ka irrituar edhe shumë serbë. Fjalët që do të duhej t’ia thoshin në takimet e tyre të shpeshta Vozhdit të gjatë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa ose Edi Rama, ia tha regjisori, çedomir Petroviq, serb me prejardhje nga Prishtina, deri tash mbështetës i Vozhdit të gjatë, i cili, në një letër që ia drejtoi, para disa javësh, kryetarit të tij, i thotë troç:

“Besimi im në ju ishte pjellë e dëshirës sime dëshpëruese që të shfaqet dikush pas kaq vitesh dhe me ndryshimin e vet ta ndryshojë edhe Serbinë.

Na mashtruat dhe na zhgënjyet. Kemi humbur në mënyrë të pakthyeshme shumë vjet, falë politikës tuaj të gabueshme e të luhatshme duke shtyrë kohën, e cila kurrsesi nuk punonte për ne“.

“Kemi kryer krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Forcat policore serbe gjatë viteve 1998 e 1999 kanë kryer masakra, shkatërrime, helmime, të puseve të ujit, përdhunime, plaçkitje, vrasje të civilëve… Ushtria dhe policia.. të kontrolluara nga maja e shtetit kanë dëbuar nga Kosova 700 mijë shqiptarë të Kosovës.

Milosheviqi ka urdhëruar që të gjitha kufomat në Kosovë që do të mund të ishin objekt interesimi për Gjykatën e Hagës duhej të fshiheshin.

Në furrat e Trepçës janë djegur 1500 kufoma.

Nga thellësitë e Danubit të ftohtë janë dalë në sipërfaqe frigoriferët me trupa të grave dhe fëmijëve shqiptarë.

Gjithandej nëpër Serbi, në poligonet e policisë ka varreza masive.“[38]

Në vend se me fakte të tilla t’ia mbyllte gojën Vozhdit dhe Daçiqit, kur këta, duke ia treguar këndin e dosjeve të trasha me paudhësi, i kanë kërkuar copëtimin e Kosovës, Hashim Thaçi, i zënë pisk vetëm ka pëshpëritur : “… hesht se na dëgjojnë të tjerët… !“[39]

Komunikimi diabolik, herë prush e herë akull

Prej që ka ardhur në pushtet, gati për çdo ditë, Vuçiqi komunikon intensivisht me opinionin, përmes intervistave dhe deklaratave të ndryshme. Kryetemë ishte dhe vazhdon të jetë Kosova. Për të Kosova është : “…ankth i natës, është brenga më e madhe, me të cilën bie dhe zgjohem, ani se flej pak. Kosova është brenga ime më e madhe, sepse e di se sa shumë jemi përpjekur për ta ruajtur stabilitetin…“[40]

 “Kosova ma han shpirtin. Pa zgjidhjen e këtij problemi çdo gjë që kam arritur nuk do të jetë e qëndrueshme. Kriza e parë do të na mbysë.“[41]

Në këtë temë me kërrabëzën e verbit, Vuçiqi përthur luftën, paqen, shpresën, lutjen, kërcënimin, inatin, zhgënjimin… Tamam teatër:

Deklaratave të pamend të parisë së Kosovës për Nishin etj., ai u përgjigjet me ironi: “Mirë, ata janë të fortë e të mëdhenj, ne, serbët, të vegjël e të pafuqishëm. Ndoshta do të mbërrijnë deri të Smederevska Palanka (qytet afër Beogradit), ta shohim…“[42]

Sipas Snjezhana Milivojeviq, eksperte e mediave, “…Vuçiq është një orator mesatar… ai përhap frikë rreth vetës… dhe dëshiron të krijojë bindjen se ai natë e ditë kujdeset për Serbinë… Sillet si pater familias i krejt kombit, kujdeset jo vetëm për njërin por për të gjithë serbët… Mendoj se ai ka një ide të fiksuar se ai duhet të jetë shpëtimtari i Serbisë… për të është tmerrësisht e rëndësishme që mu ai ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe ashtu të hyjë në histori…“[43]

Në një analizë të gjatë, të publikuar në NSPM (Nova srpska politicka misao) me titull “Silovanje Srbije“ (Përdhunimi i Serbisë) dhe nëntitull “Aleksandër Vuçiq në faqet e para të gazetave të përditshme“ konstatohet se:

“Si mediet e tjera, edhe gazetat e përditshme pandërprerë dhe me këmbëngulje formësojnë fotografinë e kryetarit si hero dhe martir, prijës dhe shpëtimtar i kombit, të gatshëm në sakrifica për të mirën e vendit dhe të popullit si model i lehtëpranueshëm për opinionin e brendshëm.“[44]

Shpeshherë edhe kur gjendja është krejt e qetë, Vozhdi ankohet pa asnjë shkak: “Jemi në gjendje të rëndë, po rrëmihin me këmbë e me duar… “ Me ata që rrëmihin ai mendon në Perëndimin, në shqiptarët dhe në opozitën.

Ose: “Shtrohet pyetja si do t’ia bëjmë nëse shpërthen ndonjë konflikt, prandaj vazhdimisht kam kërkuar ta gjejmë një kompromis. Ishte kjo lufta ime e Davidit me Golijatin, i cili quhet krejt Perëndimi me shqiptarët. Po luftoj që të fitojmë diçka për Serbinë dhe popullin serb, nuk isha afër asaj që të fitojmë diçka, por disa filluan të na dëgjojnë… Për shqiptarët Amerika është edhe nënë edhe baba, të tjerët janë halla dhe teze, Anglia, Franca, Gjermania.“

“Ne po përpiqemi, kemi mbështetjen e Kinës, Rusisë dhe disa vendeve. Por a mjafton kjo? Pozita jonë është e vështirë, po përpiqemi të mbahemi në fushë, që të paktën të kemi remi.“[45]

Përderisa me të huajt Vuçiqi përdor një fjalor shumë të përzgjedhur, me opozitën ai sillet si karrocier, duke i quajtur liderët e saj me të gjithë emrat: kafshë, hajdutë, tradhtarë, të pabesë, plaçkitës e çka mos tjetër. Njohësit e mirë të gjendjes në Serbi pajtohen se mediat, por edhe klima politike në Serbi nuk dallojnë shumë nga ajo e viteve të luftës (1991 – 1999).

Si pasojë e kësaj gjendjeje, ka dy muaj që në Beograd ka manifestime të rregullta. Shëtitësit, apo manifestuesit, që po shtohen vazhdimisht ditë më parë iu drejtuan Vozhdit me një letër të hapur.

“Po të drejtohemi drejtpërdrejt Ty, sepse ti je redaktori i të gjitha mediave. Sepse ti dëshiron të kesh njerëz-objekte e jo qytetarë.

Të gjithë ata që guxojnë ta thonë mendimin e tyre, trajtohen si armiq dhe duhet kredhur në baltën e “tabloidëve“…  Dikur armiq ishin Slavko Quruvija e Oliver Ivanoviq, ndërsa tash të gjithë jemi bërë armiq dhe objekt i sulmeve tuaja.“[46]

Më 25 nëntor 2018 në një tubim përkujtues, në Vojvodinë, Vozhdi i gjatë u drejtohet kundërshtarëve sidomos:

“E keni kuptuar se Serbia sot është nën presion nga anë të ndryshme, dhe zogj të ndryshëm të zinj kanë mësyrë të çukatin çdo gjë që munden nëpër Serbinë tonë të bukur, por Serbia e di se ani se nuk jemi më të mëdhenjtë as në mesin e të mëdhenjve askush nuk ka mundur ta gjunjëzojë e nuk do t’ia arrijnë as ata që po përpiqen sot…“[47]

Në forumin e liderëve të Ballkanit me BE-në, në Tiranë, më 28 maj 2015, Vuçiqi iu drejtua përfaqësuesit të BE-së pa dorashka, lërini përrallat se: “Jemi lodhur me seminare, neve na duhen paratë…“[48]

Vozhdi i gjatë është ekspert për shndërrimin e tezave. Para se zyrtarizohej formimi i ushtrisë së Kosovës, ai takoi ambasadorët e Kinës dhe Rusisë në Beograd dhe i alarmoi se “Sjellja e Prishtinës mund të çojë deri te katastrofa, qëllimi i tyre është përzënia e popullit serb…“

“Serbia me asgjë nuk po shkakton destabilizim, por me provokacionet e përhershme do të vihemi para një situate pa rrugëdalje (deri të domosdoshme) për të mbrojtur popullin serb në Kosovë e Metohi. Serbia nuk guxon të lejojë ndjekjen e popullit të vet…“ [49]

Ndërsa vetëm pas dy ditësh:

“Shpresoj se do ta ruajmë paqen, Serbia do të japë çdo gjë nga vetja. Jam i bindur se do të kemi paqe, që s’do të ketë luftë, por nuk do të lejojmë përzënien e njerëzve tanë prej aty ku ata jetojnë… Gjithnjë do të bisedojmë për t’i zgjidhur problemet në mënyrë paqësore…“[50]

 “Ata janë shumë të fortë dhe Serbia nuk është ajo që (mund) t’ia ndërrojë mendjen SHBA-së. Ne s’kemi çka të bëjmë tjetër, me shpatulla për muri jemi, duhet të ruhemi dhe të mbrohemi…“[51]

Vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës i shqetësoi së tepërmi autoritetet dhe opinionin serb gjithandej. Dhe nuk është çudi, sepse në shumicën e luftërave që i ka bërë Serbia, ajo zakonisht është përballur me civil ose me çeta të keqorganizuara e pa armë.

Lufta në Kroaci dhe BeH e ka dëshmuar se kudo ku ushtria serbe kishte përballë njësi ushtarake të udhëhequra nga oficerë profesionistë edhe sado të pakta në numër, megjithatë e ka humbur çdo betejë. Një shembull i mirë është Korpusi i pestë i Ushtrisë boshnjake i udhëhequr nga gjenerali Dudakoviq, i cili u ka shkaktuar forcave serbe humbje të pariparueshme.

Prandaj Vozhdi i gjatë flet me kaq shqetësim:

“Kosova e Metohia është makth i madh për ne, sidomos për shkak të potezit të Prishtinës për formimin e ushtrisë, që nuk mbështetet as në të drejtën (ndërkombëtare) e as në Rezolutën 1244. Është detyrë e Kforit që ta shformojë ushtrinë. Por ata nuk do ta bëjnë këtë, do të thonë se çdo gjë ka ndryshuar prej që (shqiptarët) e kanë shpallur Pavarësinë.“

Mos e poshtroni Serbinë dhe popullin serb, sepse këtë nuk do ta lejojnë as Serbia e as populli serb.“[52]

“Shqiptarët dhe sponsorët e tyre amerikanë kishin vetëm një qëllim – ta shkelin Serbinë në kuptimin politik dhe të nëpërkëmbin vlerat e saj, në mënyrë që Serbia të mos mund të ngritet…“[53]

“Mirëpo Serbia ka fytyrë, krenari, dinjitet, shtetësi dhe popullin e saj krenar. Jam krenar me popullin tonë në Kosovë e Metohi, në ata njerëz që, si përgjigje ndaj atyre që kanë renditur gjithandej flamurin amerikan, ngritën flamurin e Serbisë nëpër rrugë dhe nëpër shtëpitë e tyre… e jo si ata që s’kanë me se të krenohen por shpalosin flamurin e huaj për të treguar se sa të fortë janë…“[54]

Duke analizuar makiavelizmin e Vozhdit të gjatë, m’u kujtua për dreq, një thënie e Martin Luterit, e shkruar këtu 500 vjet më parë për serbët, për të cilët kishte një urrejtje të madhe, ndoshta sepse mund të ketë takuar ndokund Vuçiqin e parë…:

“Serbët janë populli më i lig i të gjithë popujve, ai është popull i malokëve dhe i hajdutëve…“[55]

Një ditë pasi kishin marrë ai dhe Thaçi letrën nga presidenti amerikan, Vuçiqi paralajmëron opinionin se: “Zgjidhja në raportet Beograd-Prishtinë nuk është afër. Druaj se do të ketë zgjidhje të keqe për ne…“ dhe se për këtë letër do të fliste me Putinin.[56]

Kulmi i këngës së përvajshme të Vozhdit të gjatë, gjithsesi ishte fjalimi tij në Këshillin e Sigurimit, më 17 dhjetor 2018:

“Numrat tregojnë se serbët nuk kanë kryer pastrime etnike, sepse dikur në Kosovë ishin 220.000, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 106.000…

I kemi përgjëruar të mos kandidojnë për anëtar të Interpolit, UNESCO-s, ENTSO-E. Ata llogarisnin në mbështetjen e SHBA-së dhe shumë shteteve evropiane, duke shpresuar se do të fitojnë. Në rundin e parë kishin më pak se 50% të votave. E pastaj filluan ta akuzojnë Serbinë, sikur ishte faji ynë…“

“Me taksat e tyre ata kanë rrezikuar krejt popullsinë serbe në Kosovë…, a mund ta merrni me mend që dikush, në shekullin XXI, ndalon  dhe pengon qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve… ? “

Ne i kemi respektuar të gjitha që burojnë nga marrëveshja, ndërsa (shqiptarët) qe 2070 ditë nuk e kanë zbatuar dhe as që ka ndërmend të zbatojnë detyrimin për formimin e Bashkësisë së komunave serbe.“

“Dëshiroj të them se Serbia ka bërë shumë përpjekje e derdhur shumë mund që të vendoset paqja e stabiliteti gjithandej në Ballkanin Perëndimor. Kemi bërë çdo gjë që të përmbahemi e të mos përgjigjemi në provokime të ndryshme që vinin nga Prishtina… 

Më duhet të them se jam tepër i shqetësuar, madje nga pak edhe i frikësuar për të ardhmen jo vetëm të popullit tim dhe shtetit tonë, Serbisë, por për krejt rajonin…“

“Duhet të jemi ne fajtor në mënyrë që dikush ta arsyetojë politikën e vet të gabuar.“[57]

Në këtë fjalim pervers Vozhdit të gjatë do t’ia kishte zili edhe mentori i tij i ndjerë, Dobrica Qosiq, i cili thoshte se “Serbët shumë herë gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra…“

Vuçiq, sa herë ka nevojë për ta zhvendosur vëmendjen e atyre që e dëgjojnë u kthehet dyshuesve në llogoret e tij politike, por të shumtën e rasteve opozitës, siç bën edhe në kongresin e partisë socialiste të Daçiqit:

“T’i pyes sot anëtarët tuaj e të mitë dhe funksionarët (partiakë), cili është kompromisi (për Kosovën) me të cilin ju do të ishit të kënaqur, askush nga ju nuk do të më përgjigjeni. Ne, serbët kënaqemi vetëm kur e fitojmë maksimumin.“

“Lërini përrallat e tuajve e të mive se krejt (Kosova) ishte e jona. Asgjë nuk ishte e jona. E kanë vënë kufirin në mes Serbisë qendrore dhe Kosovës në Jarinjë dhe në Bërnjak. Krejt ua kanë dhënë. Më 2010, ua kanë dhënë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se deklarata e tyre (e Pavarësisë) nuk ishte akt ilegal. Ky është turpi më i madh që i ia kemi bërë vetës. Dhe sot kjo është e vetmja gjë rreth të cilës po përpiqen ekspertët tanë dhe nuk po mund ta mbrojmë.“

Dhe, ashtu si në Gazivodë, edhe kësaj radhe glorifikon kasapin e Ballkanit :

“E di se gjithnjë do ta duani më shumë Milosheviqin se mua, ndoshta edhe më shumë se Daçiqin, por sot rezultatet janë më të mira se atëherë, pra edhe për këtë çështje (të Kosovës).“[58]

Në një letër të peshkopit të Kosovës, Teodosije, përmes së cilës kleriku i lartë kundërshtonte ndarjen e Kosovës, Vuçiq përgjigjet me hungërim:

“Nuk doni përkufizim me shqiptarët? S’ka problem, thoni njerëzve që të jenë të gatshëm ta mbrojmë Vranjën (qytet në kufi me Kosovën Lindore) për 40 vjet. A vërtet mendoni se qysh tash njerëzit tanë nuk po shpërngulen prej atje?“[59]

Vozhdi nuk vajton vetëm për Kosovën, por edhe për Malin e Zi: “Ne e kemi humbur Kosovën më 2008, sepse i kishim në pushtet dy persona që garonin në Beograd se cili do të pëlqehet më shumë nga të huajt… Edhe më 2006 kishim pushtetarë të paaftë kur e humbëm Malin e Zi…“[60]

Prandaj ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Drmanoviq, shpreh shqetësimin se:

“…Vuçiqi po i acaron marrëdhëniet me fqinjët… Acarimi i marrëdhënieve gati me të gjithë fqinjët nuk i sjell asgjë të mirë as vetë Serbisë.“[61]

Ndërsa ambasadori i Sllovenisë në NATO, Kacin, dikur europarlamentar i ngarkuar për Ballkanin deklaroi:

“Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, krejt do të varet nga ajo se a do të përcaktohet A. Vuçiqi për të ardhmen e Serbisë apo të gjitha vendet e rajonit do të mbeten peng i kthimit të tij në të kaluarën dhe në mitologji.“[62]

Ish-ministri kroat i Punëve të Jashtme, Davor Stier, në një analizë serioze për politikën serbe rezonon kështu :

 “Ajo u përshtatet rrethanave të reja, por në substancë mbetet në gjurmët e Naçertanies së Garashaninit të shekullit XIX.“

Stier shpreh shqetësimin e tij të ligjshëm për qëllimet strategjike të Serbisë për ta shtrirë ndikimin në hapësirat e ish-You-së si dhe për sjelljen e papërgjegjshme të disa shteteve evropiane : “…kjo alternativë e logjikës së sferave të interesit ka bërë që për disa kryeqytete të BE-së më e kapshme është të mbështesin apo të tolerojnë Vuçiqin sesa të lejojnë që këto hapësira t’ua lënë lojtarëve më të mëdhenj, Moskës ose Ankarasë…“[63]

Përfundim

Vozhdi i gjatë, nganjëherë di edhe të befasojë me gjoja çiltërinë e tij, siç është rasti kur, më 29 dhjetor 2013, denoncoi krimin e shëmtuar  të shërbimeve serbe, të cilat më, 14 dhjetor 1998, në Pejë, në kafenë “Panda“, që frekuentohej ekskluzivisht nga serbët, vranë mizorisht 6 të rinj serbë dhe plagosën shumë të tjerë. Me qëllim që të fajësonin shqiptarët.

Por ai nuk ndërmori asnjë hap për t’u zbardhur ky krim i shëmtuar dhe për t’i nxjerrë kriminelët para drejtësisë, përkundër premtimeve që, disa herë, u kishte dhënë familjeve të viktimave.

Në të njëjtën mënyrë është sjellë edhe me vrasjen mizore të vëllezërve Bytyqi (korrik 1999), sepse përkundër kërkesave të vazhdueshme të Washingtonit, kriminelët, megjithatë ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë…

Pavarësisht aftësive dribluese, energjisë dhe këmbënguljes, Vuçiq, megjithatë mbetët një politikan tipik ballkanik:

“E dua shumë gruan dhe për asgjë në botë nuk do ta ndërroja. Thjesht e adhuroj. Si person është e matur dhe e përmbajtur. Asnjëherë nuk më pyet se ku po shkoj dhe kur do të kthehem. Ajo nuk shkon askund pa fëmijët dhe burrin e saj. Me shoqet shkon për kafe kur unë konsideroj se është fjala për një datë të përshtatshme… “ [64]

Megjithatë, katër vjet më vonë ai e la këtë grua dhe e mori një tjetër, më të re. Por, fundja, kjo është çështje e tij private.

Ajo që nuk është çështje e tij private, sepse dëmton themelshëm interesat jetike të një populli, është se Vuçiq, falë mirëfunksionimit të organeve shtetërore serbe, shërbimeve sekrete sidomos, këmbënguljes së tij (Ai ia ka arritur që edhe një Angela Merkel ta bindë për t’i shikuar hartat, thoshte këshilltarja e tij, natyrisht, hartat për copëtimin e Kosovës…) pa përjashtuar këtu edhe lumin e parave, arriti që çështjen e Kosovës, që megjithatë ishte një çështje e mbyllur, ta nxjerrë sërish në tavolinën ndërkombëtare si çështje të hapur.

E nxori në një kohë kur rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar shumë dhe, mjerisht në disfavor të shqiptarëve.

Vuçiqi ia arriti kësaj, falë pushtetarëve të pagdhendur e të pamoralshëm të Kosovës, që është dëshmia më e qartë se sa të rrezikshme janë elitat e sajuara. Por edhe falë faktit se Shqipëria, fatkeqësisht, edhe pas një shekulli shtet, nuk arrin t’i mbrojë as interesat e veta strategjike e të mos flasim për interesat e kombit shqiptar.

Pallavrat e Edi Ramës se copëtimi i Kosovës do të mundësojë bashkimin kombëtar është një demagogji e shëmtuar që nuk do të duhej t’i lejonte vetës as Shukri Xhelili i ‘famshëm’…

Por të jemi me këmbë në tokë. Ky shtetrrënim i Kosovës para së gjithash është meritë e Hashim Thaçit, sepse ky, për të shpëtuar lëkurën e tij, në negociatat me Serbinë, luajti dhe po vazhdon të luajë rolin e Kalit të Trojës.

Thaçi përmes lidhjeve të tij, përfshirë dhe një mantenutë të kahershme, dhe me paratë e buxhetit të Kosovës, ka lobuar gjithandej që aleatët e Kosovës ta pranojnë si të mirëqenë Marrëveshjen e tij me Vuçiqin. Rezultat i kësaj veprimtarie duhet të jetë edhe letra e Boltonit drejtuar qeverisë së Kosovës, ku, në mënyrë ultimative kërkohet prej saj t’i heqë taksat kaherë të meritueshme doganore ndaj Serbisë.

Në të njëjtën mënyrë nesër do t’i kërkohet qeverisë heqja dorë nga qëndrimi kundër ndarjes së vendit e pastaj, edhe miratimin e nënshkrimit të Marrëveshjes Thaçi-Rama-Vuçiq për copëtimin e Kosovës.

Të njëjtën gjë Thaçi e ka bërë edhe gjatë negociatave për demarkacionin me Malin e Zi, kur, përmes kanaleve të tij, kërkoi nga BE që Kosovën ta kushtëzojë me liberalizimin e vizave derisa populli ta pranojë demarkacionin e imponuar.

R E F E R E N C A:

  1. https://www.youtube.com/watch?v=6fhd2Pdhu7o
  2. Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
  3. Aty
  4. https://www.youtube.com/watch?v=sGoU2aEObyY
  5. Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
  6. Aty
  7. Aty
  8. Aty
  9. Aty
  10. Aty
  11. Aty
  12. https://www.youtube.com/watch?v=6fhd2Pdhu7o
  13. Kako bi srpski radikali razresili Kosovsko Metohijske pitanje“, ‘Velika Srbija’, tetor 1995
  14. NYT, 04. 05. 1994
  15. Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
  16. Aty
  17. Aty
  18. Aty
  19. https://www.espreso.rs/autor/313/sasa-m-stajic
  20. https://www.espreso.rs/autor/313/sasa-m-stajic
  21. https://www.youtube.com/watch?v=ttXM8pVHhWc, minuti 10 :50
  22. Pravda, 14 janar 2018
  23. B92, 1 mars 2018.
  24. Andrej Ivanji, intervistë te ‘Avangarda’, 28. 11. 2018
  25. Blic, 10.11.2018
  26. Vladimir Gligorov, Beta, 8. 01. 2019
  27. B92, 15.10.2018. | 13:57
  28. Blic, 6. 12. 2018
  29. Blic, 9 janar 2019
  30. https://www.youtube.com/watch?v=i-ZypSxC7XE
  31. https://jugpress.com/oliver-ivanovic-za-jugpress-srbi-se-sada-vise-plase-srba-nego-sto-su-se-plasili-radikalnih-albanaca/
  32. Danas, 13. 01. 2019
  33. B92, 22. 11. 2018
  34. Danas, 24. 11. 2018
  35. Beta, 14. 12. 18
  36. “Danas“, 01. 01. 2019.
  37. Beta, 15. 01. 2017
  38. Danas, 18. 12. 2018
  39. https://rs.sputniknews.com/politika/201804121115234794-dacic-kosovo-priznavanje/
  40. Danas, 13. 12. 2018
  41. Blic, 15. 05. 2018
  42. Tanjug | 29. 12. 2018
  43. https://www.slobodnaevropa.org/a/most-vučić-poltroni-moć/29593420.html
  44. Silovanje Srbije (Përdhunimi i Serbisë), NSPM, 12. 12. 2018
  45. B92, 26.11.18
  46. NSPM (Nova srpska politicka misao), 08. 01. 2019
  47. https://srbin.info/2018/11/25/vucic-nikad-niko-nije-pokorio-srbiju-pa-nece-ni-danas/
  48. rs.n1info.com/…/Vucic-porucio-EU-Dosta-nam-je-seminara-treba-…
  49. Tanjug | 04. 12. 2018
  50. Blic, 6.12.2018
  51. Tanjug | 07. 12. 2018
  52. Tanjug | 13. 12. 2018
  53. Politika, 14.12.2018
  54. Novosti, 14. 12. 2018
  55. http://www.carsa.rs/severni-srbi-i-nemacke-luteranske-vrednosti/
  56. B92, 19.12.2018.
  57. Novosti, 17. 12. 2018
  58. http://www.rts.rs/page/stories/ci/story/1/politika/3210729/vucic-necete-razgranicenje-a-za-40-godina-cemo-braniti-vranje.html
  59. NSPM, 27. 12. 2018
  60. Danas, 31. 12. 2018
  61. Pobjeda, 23. 12. 2018
  62. (Globus, 13.09.2018)
  63. “Vreme” nr. 909, 05. 06. 2008Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij: XhaferShatri.Info

Dërgoi për publikim, ARIF EJUPI, gazetar