Hepatiti B – Një sëmundje vrasëse e “heshtur”

0
2909
Hepatiti B

WeSpeakScience.com, 14 nëntor 2016

Hepatiti është një sëmundje inflamatore e mëlçisë. Sëmundja e hepatitit shkaktohet prej viruseve të hepatitit. Njihen 5 tipe virusesh të hepatitit: virusi i hepatit A (HAV-Hepatitis A Virus), virusi i hepatit B(HBV), virusi i hepatit C (HCV), virusi i hepatit D (HDV) dhe virusi i hepatit E (VHE); sipas të cilëve sëmundja merr dhe emrin. Hepatiti në aspektin epidemiologjik ndahet në: a) hepatiti i cili bartet në mënyrë orale nga ushqimet e kontaminuara, këtu bën pjesë lloji i hepatiti A dhe E, të cilët kanë një periudhë të shkurtër të inkubimit, nga 15-45 ditë; b) hepatiti i cili bartet gjatë kontaktit seksual apo kontaktit me gjak të infektuar, ose lëngje të tjera të trupit, këtu bënë pjesë loji i hepatiti B dhe C, të cilët karakterizohen nga një periudhë më e gjatë e inkubimit, deri në 6 muaj.

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë, potencialisht i rrezikshëm për jetën e individit. Ai është një ndër shkaktarët e shumtë të inflamacionit apo zmadhimit të mëlçisë dhe për më tepër të hepatitit kronik. Hepatiti B është i shpërndarë në mbarë globin por, prevalenca më e lartë e tij është e përqendruar në Afrikën sub-Sahariane dhe Azinë Lindore. Statistikat tregojnë se 5-10% e popullsisë së rritur në këto zona kanë hepatit B kronik. Shkalla e lartë e infeksioneve kronike janë gjetur edhe në Amazonë dhe pjesët jugore të Evropës Lindore dhe Qendrore; në Lindjen e Mesme dhe nën kontinentin Indian rreth 2-5% e popullsisë së përgjithshme është e infektuar me llojin kronik, dhe më pak se 1% e popullsisë së Evropës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut ka infeksion kronik gjithashtu.

Figura 1 Prevalenca e Hepatit B në botë, sipas statistikave të vitit 2016, nga CDC.

Transmetimi

Sëmundja zakonisht fillon si një hepatit B akut dhe më pas kthehet në kronike. Virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit për të paktën 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi ende mund të shkaktojë infeksion në qoftë se ai hyn në trupin e një personi të shëndetshëm dhe që nuk është i vaksinuar. Periudha e inkubacionit të virusit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të ndryshojë nga 30 deri në 180 ditë. Virusi mund të zbulohet brenda 30 deri në 60 ditë pas infektimit, dhe mund të vazhdojë të zhvillojë infeksion kronik të HBV. Virusi i hepatitit B mund të transmetohet (përhapet) në disa mënyra:

Në zonat shumë endemike, hepatiti B më së shpeshti përhapet nga nëna tek fëmija gjatë lindjes (transmetimi perinatal), apo nëpërmjet transmetimit horizontale (ekspozimit të gjakut të infektuar), sidomos nga një fëmijë i infektuar tek një fëmijë i pa infektuar, gjatë 5 viteve të para të jetës.

Hepatiti B përhapet edhe nga ekspozimi perkutan ose mukozal ndaj gjakut të infektuar dhe lëngjeve të ndryshme të trupit, si: sekrecionet vaginale, sekrecione nazale, sekrecionet nga sytë, pështyma dhe djersa.

Transmetimi seksual i hepatitit B mund të ndodh sidomos nëse një person kryen marrëdhënie seksuale të pambrojtur me një person të prekur nga HBV, ose me shumë partnerë seksualë. Apo, kur një mashkull i pa vaksinuar kryen marrëdhënie seksuale me meshkujt të tjerë.

Transmetimi i virusit mund të ndodhë edhe me anë të ripërdorimit të ageve/shiringave, të makinës rroje, brisqeve, limave e prerëseve të thonjve, furçave të dhëmbëve dhe çdo objekt tjetër që e përdorim me të infektuarin, e që mund të përçojë një njollë të vogël gjaku nëpërmjet të çarave të lëkurës.

Përveç kësaj, infeksioni mund të ndodh nga pajisje që nuk janë sterilizuar siç duhet gjatë procedurave mjekësore (si transfuzioneve, dializa), kirurgjikale dhe dentare, përmes tatuazheve, ose piercing (shpime në trup).
Ekspertët e mjekësisë pohojnë se virusi i hepatitit B nuk përhapet nga teshtima ose nga kolla, puthjet në faqe, prekja e duarve, përqafimi, qumështi i gjirit, përdorimi i mjeteve të njëjta të kuzhinës.

Shenjat klinike

Shenjat klinike të hepatitit B varen nga lloji i infeksionit akut apo kronik;

1) Infeksioni akut: ku shumica e njerëzve nuk shfaqin asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit, megjithatë, disa njerëz me infeksion akut shfaqin shenja klinike që zgjasin disa javë duke përfshirë zverdhjen e lëkurës dhe syve (verdhëz), urina e errët, lodhje ekstreme, të përzier, të vjella, humbje e oreksit, ethe dhe dhimbje barku. Pastaj, sëmundja gradualisht përmirësohet tek shumica e njerëzve të prekur; kjo sepse në hepatitin akut ndeshen në të njëjtën kohë si ndryshimet degjenerative dhe rigjeneruese të parenkimës, ashtu dhe grumbullimi i qelizave inflamatore mononukleare.

Hepatocitet i nënshtrohen degjenerimit balonizues, dëmtimi i hepatociteve (qelizat e mëlçisë) çon në: a) prishjen e kanalikulave dhe retension të bilës, b) qelizat e shkatërruara, rrethohen nga qelizat Kupffer-it dhe i nënshtrohen fagocitozës. Mund të kemi hipertrofi dhe hiperplazi por, indi hepatit i dëmtuar rigjenerohet dhe shërohet brenda 8-12 javësh. Megjithatë, një nëngrup i vogël i personave me hepatit akut mund të zhvillojnë një hepatit fulminant dhe që përfundojnë me vdekje.

2) Infeksioni kronik: ku prezenca e virusit detektohet nga testet laboratorike dhe shoqërohet me inflamacion të mëlçisë. Tek disa njerëz infeksioni kronik i hepatitit B më vonë mund të çojë në cirozë të mëlçisë ose kancer të mëlçisë. Kush është në rrezik për sëmundje kronike? Gjasat që infeksioni të bëhet kronik varen nga mosha në të cilën një person infektohet me HBV. Kështu më të predispozuar për të zhvilluar infeksione kronike janë:

30-50% e fëmijëve të infektuar me HBV para moshës 6 vjeç
80-90% e foshnjave të infektuara gjatë vitit të parë të jetës
më pak se 5% e personave të shëndetshme që janë të infektuar me HBV në moshë të rriturit
20-30% e të rriturve të cilët janë të infektuar kronikë do të zhvillojnë cerozë dhe / ose kancer të mëlçise.

Figura 2 Progresi i sëmundjes së Hepatit B

Diagnoza

Nuk është e mundur dallimi klinik i hepatitit B nga hepatiti i shkaktuar nga agjentët e tjerë viral dhe kështu konfirmimi laboratorik i diagnozës është thelbësor. Një numër i testeve të gjakut janë në dispozicion për të diagnostikuar dhe monitoruar njerëzit me hepatitin B.

Ekzaminimet kryesore që kryhen për vendosjen e diagnozës përfshijnë:

Ekzaminimet me anë të mikroskopisë elektronike vihen re grimcat virale në bërthamën e hepatociteve.
Imunofluoreshenca evidenton praninë e HBcAg në bërthamën e hepatociteve, ndërsa HBsAg në citoplazmë. Qeliza hepatike nuk është e vetmja që dëmtohet nga virusi i hepatitit B, sepse sekuenca e ADN-së së HBV janë gjetur edhe në qelizat e palcës së kockave e në limfocitet e gjakut periferik.

Testet serologjike ku bëhet përcaktimi i antigjenëve viral të virusit të hepatitit B. Prania e antigjenit sipërfaqësor të HBV (HBsAg) në serum është tregues i infeksionit akut apo kronik i HBV. Antigjeni e i HBV (HBeAg) prania e tij në serum është tregues i replikimit viral. Në këtë fazë i sëmuri është shumë infektiv, sepse në gjakun e tij ka një përqendrim shumë të lartë të grimcave virale. Antitrupat anti –HBc janë imunoglobulinat IgM e IgG. Prania e anti–HBc IgM në serum është tregues i replikimit viral dhe me shërimin e pacientit do të zhduken. Kurse anti –HBc IgG shfaqen më vonë se anti –HBc IgM dhe vlerat e tij qëndron e lartë gjatë gjithë jetës. Antitrupat anti- HBe prania e tyre në serum tregon rënien e replikim viral dhe fillimin e shërimit të sëmundjes. Antitrupat HBs qëndrojnë me titër të lartë gjatë gjithë jetës. Prania e tyre në serum tregon se pacienti është shëruar dhe ka fituar imunitet.

Infeksioni akut HBV është i karakterizuar nga prania e HBsAg në serum dhe anti-HBc IgM është pozitive. Gjatë fazës fillestare të infeksionit, pacientët janë gjithashtu seropozitiv për antigjenin e hepatitit B (HBeAg). HBeAg është zakonisht një marker i niveleve të larta të replikimit të virusit HBV. Prania e HBeAg tregon se gjaku dhe lëngjet e trupit të individit të infektuar janë shumë ngjitëse.

Infeksioni kronik HBV karakterizohet nga prania e vazhdueshme e HBsAg për të paktën 6 muaj (me ose pa bashkekzistencën e HBeAg). Prania e vazhdueshme e HBsAg në serum është tregues kryesor i rrezikut për zhvillimin e mëvonshëm të sëmundjeve kronike të mëlçisë dhe kancerit të mëlçisë. Për infeksionet kronike, rekomandohet të kryen analiza “screening”: të gjitha gratë shtatzëna, personat e lindur në rajonet me norma të ndërmjetme apo të larta të Hepatitit B (prevalenca e HBsAg ≥2%); në SHBA, personat që nuk janë vaksinuar në fëmijëri dhe kanë prindër që kanë lindur në rajonet me norma të larta të Hepatiti B (prevalenca e HBsAg ≥8%); foshnjat e lindura nga nënat me HBsAg pozitiv; personat që kanë kontakt me persona me HBsAg pozitiv; meshkuj që kryejnë seks me meshkuj; përdoruesit e drogës me injeksion; pacientët me nivele të larta të transaminazave (ALT / AST) që nuk iu dihet shkaku; pacientët në hemodializë; personat që kanë nevojë imunosupresiv ose terapi citotoksike; personat e infektuar me HIV; dhe donatorët e gjakut, plazmave, organeve, indeve ose spermës.

Testet e Biologjisë molekulare – Me anë të testit PCR përcaktohet ADN virale në serumin e pacientit të infektuar me HBV e quajtur ndryshe ngarkesa virale. Edhe pse ngarkesa virale rezulton e rritur qysh para shfaqjes së HBsAg, në qarkullim, ky test pothuajse nuk përdoret në diagnostikimin e infeksionit akut me HBV, por për të vlerësuar gjendjen e pacientit të infektuar dhe për të monitoruar trajtimin.
Testet biokimike: Në diagnostikimin e hepatit B ndihmojnë edhe përcaktimi i analizave të tjera, siç janë hemogrami, trasaminazat (ALT, AST, GGT) dhe bilirubinat.

Biopsia

Figura 3 Rezultatet e mundshme pas infeksionit të hepatitit B;
A. infeksion akut; B. infeksion kronik.

Terapia e Hepatitit B

Qëllimet e trajtimit për infeksionin kronik të hepatitit B janë: 1) suspension i replikimit viral, 2) statusi i serokonversionit në anti-HBs pozitiv, anti-HBe pozitiv, ADN HBV negative, 3) përmirësimi në nekroinflamacionin hepatik, dhe 4) reduktimi i infeksionit HBV, pa kalim në gjendje si cirroza apo kanceri i mëlçisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Johns Hopkins Medicine, Interferoni alfa-2b është i vetmi produkt interferonesh i aprovuar nga FDA për trajtimin e hepatit B. Doza e rekomanduar është 5 milionë njësi, aplikuar nën-lëkurë, 5 herë në javë, për 4 muaj. Kjo është shoqëruar me përfitim histologjik kryesisht në pacientët me humbjen e HBeAg në serum. Megjithatë, shumica e pacientëve nuk e humbasin as HBeAg dhe as HBsAg (Figura 5).

Figura 4 Mekanizmi i veprimit të interferonit

Kohët e fundit, FDA ka aprovuar një analog sintetik nukleozidë, preparatin Lamivudine (Epivir-HBV™), për përdorim tek pacientët me infeksion kronik të hepatitit B lidhur me provat e replikimit viral dhe inflamacionin aktiv të mëlçisë. Preparati Lamivudine pengon aktivitetin e HBV polimerazës revers transkriptazë duke rezultuar në ndërprerjen e zinxhirit të porsa sintetizuar të ADN-së së HBV. Ky preparat ka treguar që ka gjithashtu aktivitet kundër virusit të imunodeficiencës humane (HIV).

Studimet paraklinike tregojnë një profil të kënaqshëm të sigurisë, pa asnjë evidencë të mutagjeneciteti, kancerogjeneciteti, ose potencial teratogjenik. Lamivudine (Epivir-HBV ™) çon në reduktim të dozës së lidhur me nivele te ADN-së së HBV, pas përthithjes nga goja, me një efekt equimaximal në doza më të mëdha se 100 mg / ditë. Lamivudin mund merret për një vit. Megjithatë ky preparate ka treguar se ka shumë “kompleksite” dhe paraqet nevojën për trajtime të tjera në ardhmen që zgjidhin këto çështje. Në të vërtetë sipas studimeve paraprake, trajtimi i kombinuar lamivudinën me interferon duket se përmirëson rezultatet e pacientëve me hepatit B.

Së fundi, një krahasim i kombinimeve të shumëfishta të preparateve (“koktej” HBV) kundrejt analogët vijues nukleozidë (p.sh. Adefovirdipivoxil , Famciclovir, etj), është i nevojshëm për të përcaktuar strategjitë më të mira afatgjate të trajtimit për infeksionin kronik të hepatitit B. Ky trajtim mund të merret me preparate analoge nukleozidike për një vit.

Gjithashtu trajtimi tjetër është transplanti i mëlçisë. Hepatiti B mund të dëmtojë shumë rëndë mëlçinë tuaj, sa ajo nuk mund të kryej asnjë funksion, në këtë rast e vetmja mundësi trajtimi është transplanti.

Me kalimin e kohës, normat e mbijetesës janë rritur dhe normat e përsëritje së infeksioneve të HBV kanë rënë që pas transplantit të mëlçisë. Disponueshmëria e analogët nukleozidë mund të përmirësojë më tej rezultatet në periudhën e post-transplantit.

Vëmendje trajtimi duhet të bëhet vetëm sipas udhëzimeve të mjekut.

Parandalimi– Forma më e mirë para ndaluese është vaksinimi. Vaksina e Hepatitit B është e rekomanduar për të gjitha foshnjat në lindje; fëmijët më të rritur që nuk kanë qenë më parë të vaksinuar; partnerët që kryejnë marrëdhënie seksuale me persona të infektuar; personat me shumë partnerë seksualë; personat që kërkojnë vlerësim ose trajtim për një sëmundje ngjitëse seksuale; meshkujt që kryejnë seks me meshkuj; përdoruesit e drogës me injeksion; personat e ekspozuar ndaj personave të infektuar për shkak të punës së tyre; personat me sëmundje kronike të mëlçisë, duke përfshirë personat e infektuar e HCV; personat të infektuar me HIV; personat në hemodializë; personat që udhëtojnë në rajone me norma të ndërmjetme ose të lartë të Hepatitit B (prevalenca e HBsAg ≥2%); Personat e rriturit të pa vaksinuar dhe që kanë diabet mellitus 19-59 (për ata të moshës ≥60 vjeç) dhe çdokush tjetër që kërkon një mbrojtje afat-gjate.

Copyright: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Detina Zalli dhe Gjena Dura (MSc ne Biologji Molekulare ne Universitetin e Tiranes).

Referencat:

Hepatitis B. World Health Organization. http://www.who.int/mediacentre/factsheets/fs204/en/. Updated July, 2016.
Guidelines for the prevention, care and treatment of persons living with chronic hepatitis B infection. World Health Organization. Pub. March 2015
Hepatitis B FAQs for the public. Centers for Disease Control and Prevention. https://www.cdc.gov/hepatitis/hbv/pdfs/hepbgeneralfactsheet.pdf. Accessed May 4, 2016.
Hepatitis B. Mayo Clinic. http://www.mayoclinic.org/diseases-conditions/hepatitis-b/basics/definition/con-20022210. Accessed Aug. 29, 2014.
Hepatitis B FAQs for the public. Centers for Disease Control and Prevention. http://www.cdc.gov/hepatitis/Resources/Professionals/PDFs/ABCTable.pdf. Updated, 2016.
Therapy of Viral Hepatitis B. Johns Hopkins Medicine. https://gi.jhsps.org/GDL_Disease.aspx?CurrentUDV=31&GDL_Cat_ID=AF793A59-B736-42CB-9E1F-E79D2B9FC358&GDL_Disease_ID=554180E5-387E-4246-9AB9-D29E025D417F
https://k3dkebumen.files.wordpress.com/2014/09/hepatitis-b.jpg (Figura kryesore)
http://www.cdc.gov/travel-static/yellowbook/2016/map_3-04-small.png (Figura 1)
http://worddirection.com/wp-content/uploads/2015/07/Hepatitis-B_03.jpg (Figura 2)
http://www.worldgastroenterology.org/UserFiles/image/guidelines/english/hepatitis-b-english-figure-3.png (Figura 3)
https://gi.jhsps.org/Upload/200710291256_32549_000.jpg (Figura 4)