Helmi antiamerikan, antihistorik dhe antikosovar i Fatos Lubonjës

1
518

Enver Robelli

Historia e çlirimit të Kosovës nuk shpjegohet duke kalëruar mbi citatet e Noam Chomskyt, siç vepron Fatos Lubonja, i cili thotë se më 1999 amerikanët kanë ndërhyrë në Kosovë për interesa të vetat dhe jo të shqiptarëve. Historia e Kosovës është shumë komplekse dhe nuk shpjegohet me një shfryrje anti-amerikane, duke përzier faktet me fiksionin, duke injoruar të vërtetat e përgjakshme ballkanike dhe duke u kapur pas retorikës anti-kapitaliste dhe anti-kolonialiste dhe duke i futur në një thes ata që qeverisnin Amerikën më 1999 dhe ata që qeverisin Amerikën sot. Këtë çorbë mund ta ziej vetëm Fatos Lubonja. Kësisoj ai nuk e mbron Albin Kurtin, por e dëmton. Por me rëndësi për Lubonjën është të citohet Noam Chomsky, ai që – për dijeninë e Lubonjës – është solidarizuar edhe me kriminelin serb të luftës, Vojisllav Sheshelin…

Qenka botuar te gazeta “Panorama” e Tiranës një koment skandaloz dhe absurd i Fatos Lubonjës, jo më shumë se një paketim i teorive të konspiracionit të Noam Chomskyt për nevoja të kafehaneve ballkanike. Lubonja shkruan: “…pse bombarduan amerikanët për interesin tonë apo për interesin e tyre? Ka shumë të dhëna që tregojnë se, përtej retorikës humanitare, bombardimet (më 1999) u kryen më së pari dhe kryesisht për interesa amerikane”. Dhe vazhdon Lubonja: “…bombardimet nuk u kryen për shqiptarët e Kosovës, por pasi Millosheviqi nuk po pranonte ende reformat ekonomiko-sociale që kërkonte Perëndimi për ta futur Serbinë në sferën e influencës së vet”. Këtu Lubonja i referohet një citimi të Chomskyt, i cili paska cituar një libër të një zyrtari të dikurshëm amerikan.

Lubonja i beson verbërisht citimit të Chomskyt, nuk tregon nëse e ka lexuar vetë librin. Citimi i citimit i mjafton Lubonjës. Kur shkruan për Kosovën dhe ndërhyrjen e NATO-s, Lubonjës i mjafton një citim i idhullit të tij supermajtist Chomskyt, të cilin e quan intelektualin më të madh amerikan. Natyrisht për adhuruesit e të majtës ekstreme, që çdo të keqe të kësaj bote e sheh të zier në kuzhinat kapitaliste të Amerikës, Chomsky mbetet më i madhi. Por nga prizmi shqiptar dhe humanitar intelektuale më e madhe del Samantha Power me studimet e saj mbi nevojën e ndërhyrjes amerikane për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Ballkan (më shumë te studimi i jashtëzakonshëm: A Problem from Hell: America and the Age of Genocide). A është keqpërdorur kjo e drejtë për ndërhyrje? Po. Në Irak, por kjo nuk domethënë se në Kosovë ishte gabim.

Historia e Kosovës nuk shpjegohet duke kalëruar mbi citatin e një citati të citatit të citatologut Noam Chomsky, siç vepron Fatos Lubonja. Historia e Kosovës është shumë komplekse dhe nuk shpjegohet me një shfryrje anti-amerikane, duke përzier faktet me fiksionin, duke injoruar të vërtetat e përgjakshme ballkanike dhe duke u kapur pas retorikës anti-kapitaliste dhe anti-kolonialiste dhe duke i futur në një thes ata që qeverisnin Amerikën më 1999 dhe ata që qeverisin Amerikën sot. Këtë çorbë mund ta ziej vetëm Fatos Lubonja.

Kur Lubonja thotë se “ka shumë të dhëna që tregojnë se, përtej retorikës humanitare, bombardimet u kryen më së pari dhe kryesisht për interesa amerikane”, do të ishte intelektualisht korrekte që të mos kufizohej vetëm në citimin e burimit të tij të preferuar, pra Noam Chomskyt, një kundërshtari të verbër të çlirimit të popujve të Ballkanit nga hegjemonia serbomadhe. Do të mund të citonte Fatos Lubonja arsyetimin që Kofi Annan, një figurë moralisht e pakontestueshme, ia ka bërë ndërhyrjes në Kosovë. Sa për inspirim: Annan thotë se kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së është i bllokuar nga shtetet jodemokratike (aludon në Rusinë dhe Kinën), atëherë ka momente kur bashkësia ndërkombëtare, për të evituar një gjenocid, duhet të ndërhyjë, sepse një diktator nuk mund të fshihet pas sovranitetit shtetëror. Kofi Annan i ka thënë këto kur ishte sekretar i përgjithshëm i OKB-së më 1999, pra gjatë luftës së Kosovës. Po ky personalitet i shquar nga Afrika ka kërkuar falje për dështimin e OKB-së në Bosnjë dhe sidomos dështimin për të evituar gjenocidin në Srebrenicë.

Po të ishte vëzhgues më i vëmendshëm i zhvillimeve në Ballkan dhe jo vetëm lexues i tiradave anti-amerikane dhe proserbe të Chomskyt, Fatos Lubonja do ta dinte se ndërhyrja në Kosovë e ka një parahistori. Ajo parahistori quhet Bosnjë. Pa dështimin e Perëndimit për të mbrojtur boshnjakët (myslimanët), pa rrethimin e Sarajevës, kampet e torturave dhe shfarosjes në Bosnjën lindore, pa gjenocidin në Srebrenicë – NATO nuk do të ndërhynte në Kosovë. Lubonja përpiqet ta paraqesë ndërhyrjen e NATO-s si një etje të hegjemonit amerikan për të qenë i pranishëm kudo në botë. Kush e njeh historinë e Kosovës, e di sa shumë angazhim, punë, diplomaci është dashur të zhvillohet dhe sa shumë gjak është derdhur, për të ardhur dita kur Amerika, jo vetëm, por bashkë me shtetet kryesore europiane, bombardoi Serbinë.

Në tekstin e tij Lubonja nuk përmend fare rolin e rëndësishëm britanik në bombardime. Pa Tony Blairin, presidenti i atëhershëm Bill Clinton shpejt do të mbeste mbase vetëm, gjermanët luhateshin, Franca po ashtu, në Itali komunistët ishin në qeveri. Ndërhyrja në Kosovë e amerikanëve, me tolerancën e heshtur të OKB-së, krahas Srebrenicës lidhet edhe me një toponim tjetër: Ruandën, ku më 1994 u krye një gjenocid dhe bota demokratike nuk qe në gjendja ta shmang.

Meqë Fatos Lubonja e përmend me të drejtë shumë vuajtjen e tij nën komunizëm dhe për këtë ka shkruar kujtime të rëndësishme, ai do të bënte mirë që kur shkruan për Kosovën të mos kacavirret pas ideologëve të verbër majtistë si Noam Chomsky, i cili – për dijeninë e Lubonjës – është solidarizuar edhe me kriminelin serb të luftës, Vojisllav Sheshelin. Ka zëra të tjerë seriozë që meritojnë të citohen. Herta Müller, për shembull, gjermane nga Rumania, e përgjuar dhe përndjekur nga agjentët rumunë, bartëse e çmimit Nobel për Letërsi, që në vitet ’90 disa herë në esetë e saj mbi luftën në Jugosllavi ka mbajtur qëndrim fisnik dhe që më 1992 kërkoi ndërhyrje ushtarake: “Kujt i duhet pacifizmi, i cili thekson se është kundër çdo lufte, kur lufta bën kërdi?

Rrjedhimisht, më 1999 ajo përkrahu luftën e Kosovës, pra sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Slobodan Millosheviqit: ajo tha se nuk e kuptonte qëndrimin arrogant të shumë intelektualëve kundër NATO-s: “Kush i zhvillon katër luftëra brenda nëntë vitesh, kush hap varre në mënyrë kaq pragmatike ashtu si të tjerët që ndërtojnë rrugë, kujt i duket vrasja si pirja e një gote me ujë, ai s’mund të ndalet me fjalë”. Më 2017, kur shkoi për vizitë në Beograd, Müller para publikut të acaruar serb tha: “Sa i përket kësaj çështjes së luftës, jam e të njëjtit mendim, po”. Nuk i bënë përshtypje fishkëllimat dhe britmat në sallë.

Fatos Lubonjës, me gjasë, më shumë i pëlqejnë fluturimet ideologjike me ambicie të zbehtë për të mbrojtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lubonja beson se Kurti na qenkësh në një mision emancipues të popullit të verbër dhe infantil kosovar, i cili, ja pra, ende i beson hegjemonit amerikan. Dhe për të ndërtuar tezën e tij të paqëndrueshme ai bën krahasime mes vitit 1999 dhe veprimeve gjithsesi jo aq diplomatike të Richard Grenellit, të dërguarit të Donald Trumpit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Trumpi është hapësirë për projektimin e armiqësisë dhe urrejtjes për shumë njerëz në botë. Sigurisht që bën vetë shumë për të merituar kritikën.

Por, po u pa e zeza vetëm në Shtëpinë e Bardhë, siç bën Lubonja, kjo të krijon rehatinë e rrejshme të mos merresh me Europën, të cilën Lubonja ka qejf ta idealizojë, andaj në shkrimin e tij nuk përmend fare dështimet e BE-së në Kosovë, izolimin e Kosovës, refuzimin për t’i bërë presion Serbisë, madje favorizimin e Serbisë në mënyrë skandaloze. Shqipëria, ta zëmë, ka kaluar dhe po kalon nëpër shumë vështirësi, por Tirana nuk ka ndezur katër luftëra brenda një dekade siç ka bërë Serbia. Megjithatë, Serbia ka vite që negocion për të hyrë në BE, ndërsa Shqipërisë ende nuk i hapet as deriçka e oborrit të BE-së. (Lubonja e miklon Kurtin, për ta kthyer kundër Ramës. Nuk i intereson atij as integrimi në BE, pasi tani është anti-Ramë dhe është kundër hapjes së negociatave me BE-në. Pra, është nga ata shqiptarë, që për inatet personale me fqinjin, i fut flakën jorganit, për një plesht… /AÇ)

Analiza e Lubonjës te gazeta “Panorama” i afrohet anekdotës me helm të disa kundërshtarëve të intervenimit të NATO-s, të cilët thoshin: “Kosova u çlirua sepse Bill Clintoni harroi me e mbylle shlicin e pantallonave”. Gjithçka është konspiracion. Për të larguar vëmendjen nga skandali seksual me një praktikante në Shtëpinë e Bardhë, Clintoni vendosi ta çlirojë popullin e Kosovës. Mund të vazhdohet me teori komploti. Pse e futën amerikanët Shqipërinë në NATO? Lubonja do të thoshte mbase: për interesa të vetat. Tragjikomedia e tekstit të Lubonjës është se përpiqet ta lartësojë Albin Kurtin me gjuhën e “Zërit të Popullit”, kur kjo gazetë e madhëronte shokun Enver Hoxha, i cili në Moskë kundërshtoi Hrushçovin dhe u kthye triumfalisht në folenë e shqipeve. Foleja ishte kafaz. Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe prej tij qytetarët kërkojnë të sillet me përgjegjësi shtetërore dhe jo sipas këshillave absurde të Fatos Lubonjës. Sigurisht kalërimi diplomatik i Grenellit nuk është fare i këndshëm, por që puna ka ardhur deri këtu ka të bëjë edhe me dështimet e klasës politike të Kosovës, e cila e ka humbur një dekadë me lojëra të pista për pushtet dhe duke anashkaluar interesat thelbësore të vendit.

Episodi me Grenellin që po rëndon këto ditë raportet mes Kosovës dhe Amerikës nuk mund të errësojë rolin vendimtar dhe historik të Washingtonit në faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan, të cilët Dobrica Qosiqi i ka quajtur llum civilizimi që – për dreq – janë bërë bashkë me Amerikën për të goditur popullin më të civilizuar dhe më demokratik të Ballkanit – serbët. Natyrisht që në intervenimin e NATO-s në Ballkan kanë luajtur rol edhe interesa gjeostrategjike. Por, ku është problemi? Do të donte Lubonja që Rusia të kishte bazë në bregdetin malazez dhe me një shkrepje ta bënte hi e pluhur jo vetëm Shkodrën? Pa ndërhyrjen amerikane më 1999 kjo do të ishte e lehtë dhe reale. Ndërsa Kosova do të ishte edhe sot një “krahinë serbe” me një “pakicë të konsiderueshme shqiptare”. Albin Kurti me gjasë do të punonte në ndonjë fabrikë kompjuterësh në Teksas. Ose do të ishte refugjat kosovar diku në kënetat afër Durrësit dhe do të mund të dëgjonte ligjëratat e Fatos Lubonjës. Mësimi më i mirë jo vetëm këto ditë është ky: vetëm ai që e bëhet pjesë e procesit mund të korrigjojë diçka, kush rri anash, atje do të mbetet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

1 KOMENT

  1. Naim Chomsky nje komunist amerikan ka qene kunder shpetimit te KOSOVES… POR EDHE FATOS LUBONJA eshte nje ANTISHQIPTAR me i flliqtë, qe kombi SHQIPTAR e ka pase ne historine e tij… shtaze komuniste… (që e ka dënuar komunizmi…)

Komentet janë mbyllur.