HELIDON HALITI, PËRTEJ DHE BRENDA ËNDRRËS

0
750
Helidon Haliti

Piktori Helidon Haliti

JOSIF PAPAGJONI

Për herë të parë e “njoha” piktorin Helidon Haliti në muzeun “Mazuraj” në Tiranë. E vura në thonjëza fjalën “njoha”, pasi nënkuptoj pikturën e tij, jo atë vetë, të cilin për fat të keq nuk kam pasur rast të bisedoj gjerë e gjatë. Por kjo s’ka rëndësi. Arti komunikon krejt ndryshe dhe, ndoshta, s’ka nevojë për kurrfarë shoqërie e bisede për t’u promovuar. Kodet e tij janë të shfaqshëm dhe është subjekti yt shpirtëror estetik ai që vë pikat mbi ‘i’, thënë ndryshe janë vlerësimet, përjetimet dhe mbresat vetjake.

E pra, isha me mikun tim, shkrimtarin dhe eruditin Moikom Zeqo, në kohën kur ai ishte drejtor i Galerisë “Mezuraj” dhe po shihja me nge pikturat e varura në mure. Ma përthithi syrin dhe ma tronditi mendjen një piktor i habitshëm, që bënte shartesa sinkretike me gjësende të ndryshme, në dukje krejt të palidhura njëra me tjetrën, por teksa rrije cazë e mendoje, habiteshe nga gjetja, nga ajo “shkrepje” e fantazi e bujshme që bënte bashkë të “pabërat”. Jo se nuk kisha parë kësisoj më parë nga piktura botërore.

Unë jam njëri nga fansat e habive marramendëse të Salvador Dalisë, por ndryshe nga ky ekzibicionist, çudan dhe fantast i jashtëzakonshëm i imazhit dhe i konfiguracioneve, Helidon Haliti ishte si më pranë “tokës”, thënë më drejt, si më pranë sendit në vetvete, njeriut, relievit, figurës, vetë shqiptarëve.

Po pse? Sepse pikturën e tij e përbënin ndoca imazhe e gjësende që të kujtonin Shqipërinë, shpirtin e saj, etnologjinë, përrallat dhe ëndrrat e saj, baladat dhe legjendat e njohura shqiptare, atë vesk e tymtajë dalë prej mugujsh në pragzgjim kur shumëçka herë spërndritet, herë bëhet firë e herë tjetër të përplaset mu para syve dhe të shushat me të papriturën. Bash asaj grime po këqyrja e po habitesha njëherazi me baladën e Kostandinit dhe Doruntinës, që piktori kishte hedhur në një kompozim plot dinamizëm, në disa versione, por që i bishtnonte gjasës natyrale.

Dhe mandej këtë motiv dramatik, ngjethës, gjer dhe makabër (nëse dikush e përfytyron kështu), artisti sikur e zhbënte, e deklasifikonte duke futur tanimë aty elemente groteske, madje edhe ironi, një farë “përqeshjeje”. Dhe e merrte legjendarin Kostandin që ngrihej nga varri leshrabaltosur dhe e hipte në kalë duke ia bërë krahët si me pendë fluturak; pastaj vinte pas tij edhe të motrën, Doruntinën e bukur, poetike, elegante, me vello nusërie, si e stërpikur nga ari e argjendi.

Dhe turreshin skërkave, territ e së pamundurës drejt nënës së tyre për t’ia çuar vashën e martuar larg, se ‘Fjala e Dhënë’ duhej mbajtur. Dhe të dyja ato, nënë e bijë, 9 vjet pa u parë e të djegura nga malli, pëlcisnin si qelqe me verë e vdisnin nga e pamundura dhe e pangjashmja. Në vend të një kali, piktori Haliti i hipte imazhet e tyre drithëruese, Kostandinin dhe Doruntinën, mbi një dhi a cjap?!

Krejt e pamendueshme. Një befasi. A degradon, kësodore, motivi, legjenda, dramaciteti dhe tragjizmi i saj, – vrisja mendjen unë? Nuk di ta them si e qysh, por gjetja e piktorit më befasonte. Edhe kompozimi. Trajtimi i figurave, ani pse ky cjap i fuqishëm e madhështor e ka zëvendësuar kalin në furinë e galopit mes vdekjes dhe jetës, të gjallës dhe së amshuarës, ishte megjithatë një sfidë, një habi, një kontrovers, një “shkrepje”. Mirëpo, kur historia mbaron, arti atëherë fillon. Duke mësuar nga historia, arti e sfidon atë, sepse e tejkalon konkreten, cakun e saj të matshëm kohor dhe hapësinor. Pikërisht Helidoni i ikën këtij caku. Jo vetëm te kjo tablo që përmenda, por gjithandej. Shikoni, pra, sesi miti a balada transfigurohen. Në fakt, vetëdija mitike është pjesë e ëndrrës, e deformimit, e së çuditshmes, asaj që nuk besohet dhe na lë pa mend.

Pikërisht në këto fantoma të fantazisë udhëton mendja krijuese e Helidon Halitit. Unë kapa thjesht këtë baladë shqiptare, në dy-tri versione piktorike, që ka brenda vetes një sublimitet tronditës, duke futur tashmë në imazhin e koduar prej saj diçka krejt tjetër, ndoshta lidhjen e njeriut me kafshën, simbiozën e tij me natyrën, më tutje qumështin si lëngu i jetës, krenarinë dhe spontanitetin. Dhia apo cjapi janë totemet e preferuara të Helidonit. Unë nuk e di se prej çfarë shtysash në nënvetëdijen e tij, kjo kafshë, sa e butë, aq dhe e egër (jo si delja), që kullot e qëmton mes pjerrinave dhe ka qejf lirinë, që është megjithatë edhe një hambar ushqyes për shqiptarët, pjesë e jetës së tyre – pse kjo kafshë, pra, është kaq e parapëlqyer prej tij?! Piktori e shndërron dhinë apo cjapin në një metaforë, që e tejkalon funksionin vegjetues, ekzistencial dhe gjallues në raportin e saj me njeriun. Ajo vjen edhe si një themel jete teksa mbi shpinë artisti i vendos një shtëpi. Kjo gati të çmerit. Ç’do të kumtojë vallë ai?

Ashtu si beduini ka si “shtëpi” në shkretëtirë devenë e tij, indiani elefantin dhe mongoli buallin, ndoshta shqiptari ka një dhi. Kafsha është më shumë se nevojë, burim jete, shtëpi, duke krijuar soliditet, forcë, qëndrueshmëri. A s’kishte përkrenarja e Skënderbeut një kokë dhie sipër? Simbolika e kokës së dhisë është shumë e lashtë, qysh në zanafillat e njerëzimit. Edhe shpellat e Trenit sjellin vizatime dhish. Një popull baritor kemi qenë apo jo? Mirëpo, ky totem pëson shpërnderime në fantazinë e piktorit. Ja ku, në një rast tjetër, tanimë nën përthyerje humoristike, ai vendos mbi shpinën e dhisë një këndes, që ia këput gjithë gazmend ki-ki-ri-kut të tij prej triumfatori.

Sinkretizmi onirik i pikturës së Helidon Halitit pranon imazhe ku e mundura me të pamundurën bëhen bashkë dhe ku dy dhi me shtëpi hedhur kurrizit, në një shkrep mali e bri një syprine deti të fashitur, qarkohen sipër tyre nga ndoca silueta resh që ngjajnë po aq dhe si silueta peshqish duke e kthyer të “vdekurën” në të gjallë. Syri i piktorit shndërron, transfiguron, rikapitullizon. E, pra, imazhe të tilla mund t’i krijojë një mendje me fantazi të bujshme. Dhe të tilla piktori ka shumë. Ta josh syrin, p.sh., tabloja “Black sheep”, ku një tufë dhish të mbajtura kryesisht në okër dhe në të bardhë si sfond, gati flu, ruhen nga DIKUSH.

Ky dikush është pikërisht një figurë e ëndërrt, ngjan si një bari me syrin pishë që ruan kopenë, por edhe si një fytyrë dhie, njësoj si në konceptimin mitik, ndoshta një Pan, Silen e Dionis, çka fut në tablo energji dhe një befasi të këndshme. Ose kur një pëllumb shndërrohet në karrocë me rrota, çka në daç ti mund të shkosh te një lodër fëmije pa të keq, por saora mund të shkosh edhe te Kali i drunjtë i Trojës, që shembi një qytetërim përmes tradhtisë (ndërsa pëllumbi është shpend i paqes), por ai pëllumb-karrocë të çon edhe në përfytyrime që nxiten nga kujtesat e largëta të fëmijërisë së piktorit dhe ëndrrat.

Më pas, ai e sjell sërish figurën e Kalit të Trojës a diçka ndryshe, por kësaj here jo me shpatarët grekë dhe Odisenë në barkun e tij, por me gjëra e kuptimësi tjetër. Kozmosi piktorik i Helidon Halilit mbushet me gjallesa, më së shumti me dhi e këndesa, që ndonëse të papajtueshëm si forma dhe funksione, i bashkon mendimi piktorik dhe simbolikat që ai mbivendos rëndom aty. I lindur në Lushnjë dhe biri i Faslli Halitit, një nga poetët e mirënjohur shqiptarë, shtysën për pikturë ai e mori pikërisht prej të atit, më 1981, pasi Faslliu, përveçse poet, qe edhe piktor.

Fusha, grunjërat, fshatrat, shpendët, kafshët, bagëtia, rrugët, shtëpitë, pemët u futën vetiu në memorien vizive të piktorit për t’u riderdhur më pas në trajta të tjetërfarta, të transfiguruara. Vrullin për pikturën ai duket se e mori pas studimeve universitare në Akademinë e Arteve, që e kreu në vitin 1993, kohës kur emigroi në Greqi dhe punoi aty si piktor i lirë mbi dymbëdhjetë vjet. Kontakti me stilet dhe paradigmat vizuale të kohës e afroi me një tjetër mënyrë pikturimi. Kur u rikthye në Shqipëri me 2005, në palitrën e tij shpesh bëhet tejet e pranishme natyra, bota e shpendëve dhe e kafshëve, bimësia, relievi, fshati, fusha, atmosfera, tashmë të metaforizuara përkatësisht ideve piktorike. Shqipëria ishte e ngushtë për imazhet e tij. Falë talentit, ai shëtiti korridoreve të artit në kryeqytetet e botës. Është nderuar me shumë çmime, ndër të tjera edhe me titullin “Mjeshtër i Madh” në Hong Kong, ku konkurroi e fitoi ndër 300 piktorë nga 60 shtete të botës. Një prej peizazheve të tij në akuarel është përzgjedhur si poster për Bienalen e Akuarelit në Kinë.

Ekspozita e tij “Dielli dhe rrëkerat” në Galerinë Kombëtare të Artit në Tiranë sillte një larushi subjektesh, temash dhe imazhesh, ku amalgamat paradoksale të figurave dhe sinkretizmi midis reales dhe irreales, njerëzores dhe jo njerëzores, natyrales dhe abstraktes, harmonikes dhe disharmonikes u shfaqën si cilësi estetike të stilit të tij, që shpesh epohet drejt surealizmit, por i një caku të fundmë modern. Në Bienalen e Indisë në Nju Delhi, ndër 48 shtete pjesëmarrëse, Helidoni u vlerësua nga kritika, posaçërisht me peizazhin “Himara”. Po kështu, në bienalen “Watercolor Art Biennale 2016” në Tailandë, nga më të mëdhatë në botë, ai fitoi çmimin e parë.

Ekspozita që çeli në Muzeun e Prishtinës, Kosovë, me 26 piktura vaj dhe akrilik me titullin “Fabulus”, është një tjetër “port” ku ankorohet vëllimi i madh i punëve të tij. Është nga piktorët akuarelistë më në zë në hapësirën shqiptare, befasues dhe i shpenguar në ngjyra. Sikurse e thashë në kryeherë, piktori ka shfrytëzuar më së shpeshti motivet e ardhura nga përrallat shqiptare, mitet, baladat dhe legjendat, por dhe duke krijuara bashkëjetesa të habitshme gjësendesh mes së ngurtës dhe së shkriftës, humanes dhe lëndores, figuratives dhe abstraktes. Falë kësaj teknike sinkretizimesh dhe paradokseve, piktura e tij rreket drejt një surrealiteti që njëson kohët, hapësirat historike, ato imagjinative, duke operuar mjeshtërisht me metaforat që lexohen lirisht prej këndej.

Fantazia e bujshme dhe e pandërgjegjshmja sa përballen aq dhe konvergojnë njëra me tjetrën. Këto të fundit i has në elemente, simbole, objekte që shfaqen rregullisht në pikturat e tij. Një prej këtyre objekteve, ndoshta më ngulmuese, krahas dhisë që mund të quhet si marka dalluese e tij, është edhe shtëpiza me çati, që herë e gjen më vete, herë mbyllur në guaskë, herë te një kodrinë e herë mbi shpinën e një dhie apo të një kali… Nga pikëpamja formale e stilistike pikturat e Helidonit nuk kanë shumë dritë-hije, janë njëdimensionale. Në Galerinë “Mazuraj” në Tiranë ka ekspozuar 80 punime, kryesisht kompozime, me tema të larmishme, ku spikat trajtimi i shpenguar i ngjyrës, mbivendosjet kromatike dhe konfigurimet e guximshme të imazhit.

Në të tërën e krijimtarisë nuk është e vështirë të pikasësh një theks të fortë poetik, që duket sikur i shkrifëron ato, i bën të avullta e nusërore, shpesh si vezullime dritash, farfuri e “xhingla”, sikundër vihet re në peizazhet dhe kompozimet si: “Sot”, “Shtëpi mbi pranverë”, “Magjia ime vazhdon”, “Qiell i vetmuar”, “Në majën e muzgut”, “Gëzuar freskinë”, “Aromë jugu”, “Muzg mes rrjetash”. “Erë Prespe”, “Mjegull ulqinake”, “Ditë ëndrrash” etj. Gjëja që unë dua ta them menjëherë për këtë portret që bëra në vrap e sipër është fantazia e bujshme, ku ka shumë “naivitet” e shpengim, e cila bashkon gjësende në dukje të pabashkueshme, duke luajtur me paradoksin, simbolin, alegorinë, përfytyrimin mitik, gjasat surrealiste etj. Veprat e tij janë pjesë e galerive të ndryshme në Shqipëri e jashtë saj si: Greqi, Francë, Monako, Kosovë, Spanjë etj., shumë syresh janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm, gjer dhe e personaliteteve si rasti i ish presidentit të Francës, Nikola Sarkozy. Mund të flitej dhe për aftësitë e tij organizative si kryetar i Shoqatës së Akuarelistëve Shqiptarë dhe organizator i disa bienaleve ndërkombëtare në këtë gjini arti. Por mjafton deri këtu…


POSTOI KRISA GREI