Helena e Uroshit dhe kishat katolike Bregadrinase

0
2127
Ndoc Selimi

Ndoc Selimi, poet dhe studiues.

Helena ishte katolike me prejardhje franke (ot roda fruz’z’, sipas kryepeshkopit Daniele) nga një fis mbretëror (ot plemena carska) e bija e Balduinit, kontit të Flandrës, njeri shpirtmirë, mbrojtëse e fesë katolike. (Kujtojme se Balduini ishte templar ne Jeruzalem. Shen. i autorit). Ajo kishte një personalitet absolut midis dy kishave si serbe, ashtu latine, siç thotë Jireçek se… ”ishte e nderuar njësoj nga kisha serbe dhe latine, së cilës ajo i kishte qëndruar besnike siç mund të shihet nga korespondenca e saj me Papët” (Jireçek “Historia e Serbëve” pjesa parë f 336).

Në të gjallë të saj ndikoi shumë te i shoqi dhe pastaj te të bijtë për mos ortodoksimin e Veriut të Shqipërisë përfshirë edhe Malin e Zi, rindërtoi e ndërtoi qytete, kisha, ura e objekte të tjera të shkatërruara nga fiset barbare që u derdhën mbi Ballkan e Europë menjëherë pas rënies së Perandorisë Romake (378), siç ishin mongolët, avarët, gotët, ostrogotët, sllavët, komanët etj. Helena e ashtuqujtura edhe Anjou (Anzhu) rindërtoi abacinë benediktine më të famshme të Ballkanit kushtuar Shenjtorëve Sergjio e Baht në Shirgj të Bregut Bunës në vitin 1290. Kjo abaci është vendkurorëzimi i çifteve të princave malazezë e shqiptarë, si dhe martesa e vetë Helenës, por është edhe vendprehja e shumë mbretërve, ipeshkëve, personaliteteve më në zë të asaj kohe, varret e princërve francezë që mbetën në Shkodër që në kohën e kryqëzatës së parë (1095) si dhe i varrit të asaj vetë (1314). (sipas pllakës murale të gjetur në rrënojat e kësaj kishe).

Vlen të kujtohen ndërtimet dhe rikonstruktimet e kishave e manastireve nga kjo mbretëreshë si në Kotor, Tivar, Ulqin, Shkodër, Drisht, Danjë, Sardë, Sapë, urën e Shkinës në Zadrimë, kishën e shën Gjonit midis Gruemirës e Postrribës në vendin e quajtur Rrash e deri te kisha e Kryqit në Gushtë e një tjetër kishë e Shirqit (Sergjit) në Komàn (Dalmace). Kjo bijë katolike e Francës, edhe pse e martuar në një familje mbretërore ortodokse, mbeti për gjithë jetën besnike e fesë katolike. Ajo u dashurua pas dy shenjtorve Sergjio e Baht, që jo rastësisht kishin një fat të përbashkët përsa i takon mbrojtjes së fesë mëmë. Martirët Sergjio e Bahti ishin legjionarë romakë kufiri në Siri dhe kishin për detyrë të ekzekutonin të krishterët.

Ata, jo vetëm nuk i vranë, por i mbrojtën me sa mundësi kishin, e për këtë perandori Maximilian I (286 – 310 pas Krishtit) dha urdhër të ekzekutoheshin. Vendvarrimi i shenjtorëve në Siri ka emrin Barbalishta. (një ngjashmëri më Barbullushin, që është vetëm 8 km nga kisha e Shirgjit e Bahtit në bregbunë). Më vonë në kujtim të dy martirëve, perandori Justiniani ndërtoi një kishë në qytetin Rusafa të Sirisë. (edhe ky një emër i barabartë me kalanë e Rozafës në Shkodër). Shën Sergjio (Shirgji) është pajtimtari i shtetit Sirian e festohet në çdo 7 tetor.

At Giuseppe Valentini te “Studime dhe tekste historike”, faqe 50, thekson se ishin ushtarët ilirë që mbronin kufirin e lindjes dhe gjendeshin me shumicë në Siri e Palestinë dhe se: “Ilirët a shqiptarët tue ardhë prej Lindjes mbas shërbimit ushtarak, kanë përhapë edhe ndër ne këtë përkushti, sikur kanë dashtë të kujtojnë ndejën e legjonit të tyre në Siri”.

Mbretëresha Helenë e Rashës ndoshta e dinte në këtë kohë që ka pasë ekzistuar edhe një kishë e madhe në malin e Cukalit kushtuar Shen Palit e Shen Pjetrit, (ku dera e madhe prej arit shihte Drinin) tashmë e shkatërruar dhe në kujtim të saj rindërtoi kishën e Shën Kryqit në Gushtë, tani jo me ar siç ishte e para, por vetëm me mbulesë prej plumbi, si dhe dy kisha të tjera në Kodrën e varreve të Dalmacës mbi Komàn kushtuar Shën Gjergjit dhe shenjtit të preferuar prej saj Shën Sergjio, që sot quhet kisha e Shirgjit. Per kishen e Shen Kryqes ne Gushte (perballe Komanit) thuhet ne popull se “nje murgeshe e ke ndertuar me parat e veta”.

Kete e thote edhe At Gjon Karma “Nder Malet tona” fq52. Kam mendimin se ajo është autore e një manastiri të vogël për murgj në grykëderdhjen e lumit të Gominës në Dri në anë prej Levrushkut e quajtur “Shpella e Murgës“. Kjo shpellë është e gjatë 20m dhe ka hapësira të mbuluara me qemer guri, muratura si dhe dyer lidhëse për ambjentet e tjera të përshtatura për banim. Sipër hyrjes kryesore gjendet një dalje tip shpelle dytësore si ballkon që lanë me sy gjithë hapësirën jashtë si një pikë vrojtimi. Në kohën kur flasim, ishte zakon, që për hir të shlyerjes së mëkateve, si burra edhe gra ia kushtonin jetën Zotit duke u mbyllur nëpër manastire, larg njerëzimit, larg qefeve e larg të mirave materiale.

Shembuj të kësaj natyre janë me shumicë si Reposhi vëllai i Skënderbeut që, siç thotë Gjon Muzaka se: “Reposhi qe njeri i jetës së shenjtë dhe u transferua në malin Sinaj, duke u bërë prift, ku dhe vdiq”.(Gj.Muzaka “Historia dhe gjenealogjia e familjes se Muzakajve”, fq. 58) Po kështu mund të themi se edhe babë e bir të familjes mbretërore të Nemaniave përkatësisht Rastko i njohur si Sava e Simeon, që u mbyllën në një manastir në Malin e Shenjtë duke u bërë murgj dhe më vonë edhe bashkëshortja e tij Ana e njohur si murgesha Anastasia. Edhe për Helenën është një legjendë, por me sa duket nuk ka një mbështetje krejt reale, pasi autori i publikimit të kësaj ballade është një prift malazez që nuk ka shkelë kurrë tokën shqiptare dhe ngatërron vendndodhjet e manastirëve duke i vendosur herë në bregbunë te kisha e Shënkollit, herë në breg të liqenit e herë në Sardë e pastaj në rrëzë të kalasë së Rozafës.

Në qoftë se i afrohet sadopak të vërtetës, ky vendngujimi është pikërisht kjo shpellë me emërtimin e “Murgës“ pra e murgeshës ose e “Kaurrit” që përsëri është e latinëve e besimit katolik, pjesëtare e së cilës ishte mbretëresha. (Kaurrë quhen në popull të gjithë të krishterët e para pushtimit turk). Kordinjano thotë: “Manastiret e para që shihen të dalin në dritën e historisë, janë manastiret e Shkodrës dhe të Ulqinit, të ndërtuara në 1288 prej bujarisë së mbretëreshës së përkushtuar serbe, Helenës, bashkëshorte e Urosh I” (F. Kordinjano “Shqiperia”, Vëllimi II fq 31) Legjenda tregon se ishte kisha e Shënkollit që kishte varrezat larg. A mos flitet për kishën ipeshkvore me të njëjtin emër të lagjes Shënkoll mbi Komàn, si më e permëndura e asaj kohe dhe varret e Dalmaces larg saj?

Këtu mund t’i japim hapësirë teorisë së relativitetit midis hamendjes e të pranueshmes me shumë pak pika mbështetje. “Elena dhe shoqet e saja, sipas legjendës, ushqeheshin çdo ditë me peshk që u falnin peshkatarët, derisa një kohë u mërzitën me murgeshat e vendosën të mos u jipnin më peshk. Murgesha Helenë e inatosur vendosi të largohej me një kalë që gjeti aty në një livadh dhe mori rrugën për në Tivar. Peshkatarët të penduar lanë rrjetat dhe nganë pas saj duke iu lutur që të kthehej. Kur pothuajse e arritën, për të përfituar kohë, ajo u hodhi monedha, të cilat ata i mblidhnin, ndërsa ajo u largua. (A. Degrand “Kujtime nga Shqipëria e epërme” fq171, Lec Shllaku, “Shtegtimi i Monumenteve” fq 113).

Historiani Pëllumb Xhufi duke bërë fjalë për afrimin e familjes së Nemanjëve serbë me kishën e Romës thotë se: “… disponimi i mirë i Njemanjëve serbë ngjallën shpesh herë iluzione te papët e Romës, madje në ndonjë rast u besua në një konvertim të mundshëm të sovranëve serbë në katoliçizëm“. (P. Xhufi “Dilema e Arbërit” fq. 283).

Për sa kohë qe gjallë Helena, i biri saj Milutini jetoi si katolik, por më vonë (pas vitit 1312) i shtyrë edhe nga perandori bizantin Andronik, i cili pranon t’i japë për grua të bijën kur ajo ishte në moshën veç 9 vjeçe (mbasi kishte ndarë tre të tjera) “…filloi të dëbojë nga oborri i tij të gjithë shqiptarët katolikë dhe të marrë përsipër t’i diktojë Shqipërisë veriore një religjion që predikonte të gjithë llojet e ndyrësive”. (Zhan Klod Faveirial, “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, fq. 255).

Aq sa mund të ishte një shenjtore Helena, e ëma e Milutinit, aq negativ doli i biri dhe prej të këqijave që bëri nuk jetoi gjatë. Është përcaktuar viti 1321 si koha e vdekjes së tij e thuhet është varrosur në Yskup (Shkup) dhe serbët më vonë e kthyen në shenjtor. “Por duhet besuar – thotë Le Bo – se kjo ishte një lloj ironie, pasi konkubinat, poligamia, adulteria, madje edhe vetë incesti, ishin lodra për këtë të ashtuqujtur shenjtor” (Lib,107, k.31)

Sipas analizave që i janë bërë kësaj periudhë, koha e sundimit të Stefan Dushanit, (1331 – 1355) është ndër më të errëtat të historisë mesjetës në lidhje me skizmatikën në krahasim me mbretëreshën katolike Elena, që me pak vullnet kthimi me kishën perëndimore romake do të kishte marrë kahje tjetër. Në kohën që flasim dhe më vonë ishte në modë ndërtimi i manastirëve për murgesha dhe sidomos nga gra fisnikë dhe me emër. Kështu mund të kujtojmë se, sipas tregimeve, e motra e Skënderbeut kishte ndërtuar një manastir në Kepin e Rodonit kushtuar Shën Klarës (mbrojtëse e ujrave, shën. i aut.)pranë kishës me emrin e Shna Ndojt (Sankt Antonius), ku strehoheshin qindra gra që ia kishin falë jetën lutjes dhe mëshirës së Zotit. Ky manastir ka funksionuar deri më 1758, tani jo më me murgesha, por me murgj françeskanë dhe sipas ipeshkvit të Lezhës, boshnjakut Barisiç, ky manastir u rindërtua prej tij (1826 – 1839) që qe kthyer edhe në seli të vet deri më 1852, kur u shkatërrua nga një tërmet i fuqishëm.

Jane me qindra shkrime kushtuar Mbretereshes helene te Rashes dhe nder keto pronunciohet edhe Marin Barleti kur flet per qytetin e Drishtit: “Kete qytet, keshtu te rrenuar pas renjes se Perandorise Romake, e ngriti pastaj e rindertoi mbreteresha Helene prej France, grua fort besimtare, bashkeshorte e mbretit te miseve dhe te ilirikeve, Simon Nemanies, e cila ripertriu gjithashtu edhe qytete te tjera te rrenuara. Ajo ndertoi edhe manastire e shume vende te tjera ne Epir e ne Iliri, siç ka mundesi te shikohet nga monumentet e mesiperme e nga te tjera te gedhendura ne mermer” (Marin Barleti, “Historia e Skenderbeut”; Tirane 2005, fq 119.

(Ndoc Selimi “Kultura e Komanit dhe Komanasit” fq. 62 – 63.)

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar