Hasmit gjallë s’ia lëshoj Tiranën…

0
1024
Sulejman Selim Elezi
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Populli shqiptar, vegjëlia, të rijtë dhe mbarë masa e gjera të popullsisë, të motivuara nga ideali kombëtar dhe të udhëhequra nga Fronti Nacionalçlirimtar u ngritën në luftë kundra pushtuesit nazi-fashist. Një nga betejat më të përgjakshme të kësaj lufte qe dhe ajo për çlirimin e Tiranës. Kjo luftë filloi më 29.10.1944 dhe përfundoi më 17.11.1944, zgjati rreth 21 ditë dhe përfundoi me fitoren e lavdishme të UNÇL. Në këtë luftë morën pjesë dy divizione dhe njëmbëdhjetë brigada partizane. Lufta qe e përgjakshme, grykë për gryke, dhëmbë për dhëmbë deri në fitore.

Ajo u mbështet fuqishëm nga populli patriot dhe liridashës i Tiranës. Në këtë betejë të përgjakëshme ranë 224 dëshmorë, e midis tyre dhe biri i zonës sonë, Sulejman Selim Elezi. Luftën për çlirimin e Tiranës e mbështeti dhe Brigada e XXIII-të sulmuese. Në këtë brigadë pati shumë partizanë nga krahina jonë. Brigada e XXIII-të e UNÇL, mori si detyrë luftarake të vendosej në pjesën veriore dhe verilindore të Tiranës. Në kuadër të Divizionit të Parë, i’u ngarkua si detyrë të pengonte tërheqjen e trupave gjermane nëpërmjet rrugës Tiranë-Shkodër. Më pas ajo së bashku me brigadat e tjera mori pjesë e luftoi për çlirimin e Shkodrës deri në Jugosllavi…

Sulejman Selim Elezi lindi në fshatin Ketë të Matit në vitin 1926. Ai lindi në një familje me tradita kulturore, patriotike dhe atdhetare. Familja e tij për arsye ekonomike largohet nga Keta në vitet ’30 dhe vendoset në Lagjen Lucë, të fshatit Zall-Mëner. Sulejmani për ti ardhur në ndihmë familjes largohet me punë në Tiranë, në moshë fare të re. Siguron punë krahu dhe punon në disa familje autoktone tiranase. Ishte i ri, lodhej shumë dhe trajtohej me shumë dashamirësi nga punëdhënësit. Punët e rënda e të vështira larg familjes ja kalitën vullnetin dhe e bënë të burrërohej para kohe.

Pushtimi fashist e gjen në Tiranë. Si i gjithë populli dhe Sula, e pret me indinjatë të madhe pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Ai kohën e lirë e kalonte me shokët e tij, të cilët ishin me ide përparimtare, në venat e gjakut të tyre vlonte urrejtja ndaj pushtuesit. Edukata patriotike familiare, mjedisi rinor i shokëve me ndikim patriotik, bënë që Sula të lidhet me lëvizjen antifashiste, në moshë të re. Lidhur me këtë Sulejman Elezi, trashëgimtari i emrit të tij shprehet: “Në fillim Sula u aktivizua me grupet guerile në qytet dhe më pas u radhit në radhët e forcave partizane.

Me njësitë guerile ai kreu detyra të rëndësishme, qe mjaft i guximshëm, energjik dhe shumë besnik. Ai ra në sy të autoriteteve të kohës dhe pushtuesve, ku u vu edhe në shënjestër e tyre. Në këto rrethana rrezikohej seriozisht jeta e tij. Për ti shpëtuar rrezikut ai kalon në ilegalitet të plotë.Të gjtha këto fakte i kam mësuar nga babai im sa ishte gjallë”. Pas kapitullimit të Italisë, vendi pushtohet nga nazistët gjermanë. Armiku i ri qe dhe më i egër, rinia, populli, ushtria e vazhduan me vendosmëri luftën ndaj tij. Në këto rrethana Sulejman Elezi vendosi ti bashkohej UNÇL. Në moshën 18 vjeçare, në muajin shkurt 1944, ai doli partizan dhe u radhit në Batalionin e Dytë të Brigadës së Parë Sulmuese.

Kjo qe “mbrojtja” më e mirë për Të, pjesmarrja në luftë dhe sulmi kundra forcave të ushtrisë gjermane. Ai nga inkuadrimi në Brigadën e l-rë deri në fund të jetës së tij mori pjesë në shumë luftime. U tregua trim në çdo aksion, i vendosur në çdo betejë, qe iniciator dhe shumë i suksesdhëm në betejat për çlirimin e Tiranës. Ra heroikisht në këtë luftë më 12 nëntor 1944, në afërsi të Babrroit duke luftuar me shokët e tij, kundra forcave gjermane. Ai ra heroikisht pesë ditë para se të çlirohej Tirana. Ideali qe i lartë, ai ra në moshën më të bukur të rinisë, ra për idealin e çlirimit të Tiranës dhe Shqipërisë. Ai ra për tu vendosur përjetësisht në altarin e pavdekësinë. Eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve në Pezë. Shokët e luftës i thurën këngën: (Cituar nga Sefer Duka në Pavdekësia, gusht 2020)

Në çdo luftë të Brigadës sulmoi si rrufe,
Heroikisht ra trimi për të shtrejtin Atdhe,
Për çlirimin e Tiranës në luftë me gjermanë,
Ra në fushën e nderit, Sul Elezi partizan…

Familja e Sulejman Elezit ashtu si dhe shumë familje të tjera në krahinë kanë mbështetur Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në vitin 1977, Komiteti Ekzekutiv i Tiranës i ka akorduar Sulejman Selim Elezit, titullin: “Dëshmor i LANÇ, rënë për çlirimin e Tiranës”. Nga krahina jonë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare kundra pushtuesve krahas Sulejman Elezit, ranë dëshmorë dhe Xhemal Dërvishi, Mahmud dhe Anife Sula! Amaneti i tyre një motiv më shumë për forcimin e dashurinë ndaj Atdheut!

Siç kemi shkruar dhe më parë krahina jonë e mbështeti fuqimisht luftën dhe shumë veta u rreshtuan në radhët e brigadave partizane. Shumica prej tyre u inkuadruan në radhët e Brigadës XXIII-të sulmuese, e cila u krijua në Zall-Mëner, te Rrapi në Brahimaj. Në përkujtim të saj qe ngritur edhe lapidari i cili tani është i përmbytur nga Liqeni i Bovillës. Pushtetarët akoma nuk e kanë mbajtur premtimin për ringritjen e tij në Zall-Bastar! Shpresojmë!

Duke sjellë të dhëna për luftën Sulejman Elezi i ri, si trashëgimtar veteranësh dhe familje dëshmori thekson: “Sulejmani ishte djali i tretë i Selim Elezit. Ai u radhit në radhët e luftës në moshë fare të re. Bashkë me të në luftë mori pjesë dhe vëllai i tij Xhemali. Ne jemi familje dëshmori dhe në vite me rastin e festave e datave të dëshmorëve jemi vizituar nga përfaqësues të veteranëve dhe pushtetarë. Familja jonë e vendosur në Zall-Mëner qe bazë e luftës. Ne si familje kemi pritur e përcjell partizan të Batalionit Mati, Krujë-Ishëm, Dajti etj. Në shtëpinë tonë në vite kanë bërë vizita veteranë nga zona jonë si: Rexhep Beka, Sulejman Beka.

Na kanë bërë nderime drejtuesit e Brigadës së XXIII-të si: Sejdin Avdija dhe Adem Rada ku takonin babain dhe vëllain e dëshmorit. Po kështu kanë bërë vizita edhe Ismail Caushi, Thoma Misja etj. Kemi marrë dhe nderime dhe fletë nderi dhe nga ish Komuna Zall-Bastar. Sulejmani ra dëshmor në luftën për çlirimin e Tiranës. Ishte me Brigadën e Parë me komandant, Mehmet Shehun. Ne si familje jemi respektuar dhe jemi krenar për birin tonë Sulën që ra për çlirimin e Tiranës”.

Për dëshmorin Sulejman Elezi në vite janë thurur e kënduar shumë këngë. Ka krijuar dhe kënduar këngë Selim Hysa. I ndjeri Selim Hysa me: “Këngë për dëshmorin Sulejman Elezi” të krijuar dhe kënduar prej tij, ka marrë shumë vlerësime dhe fletë nderi e çmime në monizëm. Vargjet e saj janë të botuara më parë, ndër të tjera veçojmë:

Për ne është një krenari
Të këndojmë me çifteli
Po i këndojmë me mall dëshmorit
Luftëtar i gdhendur në zemër
Sul Elezi e quajnë me emër…

…U rrit në mes vitesh plot me halle
Në një familje t’varfër fshatare
Po shumë shpejt e hodhi shtatin
U nis për luftë si shqiponja e malit
Udhë të mbarë i tha nëna djalit…

…Krisma armësh kanë gjëmu
Filloj Lufta në Babrru
Përballë me rrezikun
mori në dorë automatikun,
Duke luftue bashkë me shokë
Plumbi i zi e rrëzoi për tokë…

…Nëna e vet në kamë asht çu
Djali i nanës mezi të rrita
Nuk të mjaftoi buka e kripa
E dhe jetën për Vatanë
Hallall qumështi që t’kam dhanë.

Disa vargje nga kënga tjetër: “Dëshmorit Sulejman Elezi”, me tekst nga Halim Laçi; me muzikë, përpunuar dhe kënduar nga këngëtari Kasem Murati.

…Luftë po ban Sulejman Elezi
Flakën e barutit n’hasmin e ndezi
Ka nxi diellin e ka skuq tokën
Ndal nazist se ta baj gropën
E kam rujt për ty fishekun
Hyn i gjallë e del i vdekur

Kam lanë babën e kam lanë nanën
Hasmit gjallë s’ja lshoj Tiranën
Nuk i lshojmë trojet tona
Pa e kthy hasmin n’kufoma
Jam betu sa t’jem gjallë
Grykë për grykë e ball për ballë

Pushka e tij se ndali flakën
Gjersa plisat u përgjakën
Erë baruti mbajnë gurë e dhe’
Gjaku i tij skuqi Tiranën
Tan Shqipnia i këndon kangën

Aty ku shkon sot brezi i ri
Ajo shkollë mban emrin e tij
Do t’kujtohet brez pas brezi
Dëshmori Sulejman Elezi…

Prej shumë vitesh tashmë gjimnazi në Zall-Mëner të Ri mban emrin e birit të saj , dëshmorit Sulejman Elezi. Ky emër i bën nder shkollës, kolektivit mësues-nxënës, i bën nder familjes, fshatit, krahinës, Tiranës. Vënja e këtij emri është një motiv më shumë për shkollën, për edukimin e brezit të ri me vlerat dhe traditat patriotike dhe atdhetare. Ky është një nder që i bëhet kolektivit mësues nxënës dhe komunitetit të Zall-Mënerit.

Kjo do të jetë një motiv më shumë per ti çuar dhe më përpara treguesit mësimor dhe edukativ të shkollës. Nxënësit e kësaj shkolle gjthnjë do jetojnë me kujtimet për dëshmorin. Ata do kujtojnë historinë e jetës së tij, do thurin vargje në poezi, do tregojnë e ritregojnë në prozë, do thurin dhe këndojnë këngë për jetën dhe veprën e tij. Brezat në vite do ta kenë gjithnjë model dëshmorin 18 vjeçar Sulejman Elezi. Ai pak a shumë në moshën e tyre, u flijua në luftën për liri!

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 27.02.2021