HASHIMI SABOTOI LUFTËN, E LA DUKAGJININ PA KOMANDË PROFESIONALE USHTARAKE

0
1018
UÇK - KLA

Nga: IDRIZ ZEQIRAJ

“Komandantët”, që nuk kishin bërë as shërbimin normal ushtarak, u vunë në komandë të grupeve të luftëtarëve! Edhe pse kishte oficerë të karrierës, ata i detyruan të hapin kanale mbrojtëse, “rova”, me arsyetimin se kanë studjuar në Akademitë Ushtarake Jugosllave! Për rrjedhojë, mosnjohja e taktikave dhe strategjive të luftës, i sakrifikuan shumë të rinj, duke i përdorur “mish për top”.

Grupe luftëtarësh, të ardhur nga LDK-ja, siç e pranon kuadri Fatmir Limaj, komandoheshin nga profanët, injorantët, kinse, “komandantë”! Ata i pykonin nëpër pika, në rrugët rajonale. Dhe, me sulmin e parë të motorizuar armik, vriteshin të gjithë, pa pasur shans e as mundësi rezistence apo shpëtimi, me përjashtim të “komandantëve”, të cilët strukeshin në vende të sigurta. Shembullojmë me vrasjen e dhjetra djemëve, të pykuar në pritën rrugore, në relacionin Istog – Radavc!

“Komandantët” profanë e hiçër, me injorancën e tyre, jo vetëm dështuan në mbrojtjen e qytetarëve të pa armatosur, por favorizuan armikun, për t`i vrarë e masakruar ata. Më së shumti e pësuan banorët e Lugut të Drinit, në komunën e Istogut dhe të Pejës, të cilët, këta “biçim komandantësh” i mbajtën, madje dhunshëm, me kërcënimin se “cilido që provon të largohet nga shtëpitë e tyre, do ta vrasim ne!”

Kur pushtuesit serbo-sllavë sulmuan furishëm këto fshatra, vranë e masakruan qytetarët e pambrojtur, ndërkohë që “komandantëte UÇK-së”, ia kishin “mbathur”, ikur me kohë. Grupe qytetarësh, kur mësuan se “komandantët”, tashmë, kishin kaluar kufinjtë e Kosovës, filluan largimin me traktorë e mjete tjera rrethanore. Por, përgjatë rrugës armiku i ndalonte kolonat, përzgjidhte burrat dhe djemtë, i arrestonte ose i ekzekutonte, madje në prezencë të familjes, siç veproi me djemtë e Kashicës të Istogut, 8 (tetë) syrësh i vrau me nga një plumb kokës, në rrugën Deçan – Gjakovë.

Në këtë plojë, masakër e ka hisen, pjesën e vet edhe i ashtuquajturi Drejtrori Politik i “UÇK-së”, Hashim Thaçi, i cili, me qëllim të sabotimit të luftës, intrigoi për largimin e Komandantit të Rrafshit të Dukagjinit, Kolonel Tahir Zemaj, ushtarak i karrierës, duke e zëvendësuar me një “komandant” të pashkolluar, lehtësisht i manipulueshëm, pa asnjë përgaditje as për luftë e aq më pak për komandë, pavarësisht vullnetit të mirë që mund të kishte, por që është krejt i pamjaftueshëm për një luftë frontale, ballore.

Për rrjedhojë, qytetarët e Rrafshit të Dukagjinit mbetën të pambrojtur, në mëshirën e fatit dhe e pësuan me vrasje masive dhe kidnapime numerike, sepse ushtarakët institucionalë u penguan, u përndoqën, deri në plumb, nga bandat e LPK-së. Dukagjini zënë vendin e parë me numrin e personave të kidnapuar ose, siç thuhet, të zhdukur, të pagjetur.

Dhe, për këtë duhet të japë llogari Hashim Thaçi me shokë, i cili me politikën sabotuese të kuadrit, e la pa komandë profesionale ushtarake Rrafshin e Dukagjinit. Trimëritë folklorike, që u mëvishën “komandantëve” profanë, të pa ditur, në bisht të lahutës, janë kamuflim i fajeve faktike, tashmë, të bëra, madje, me pasoja fatale për popullin, Kosovën.

Kolonel Tahir Zemaj ishte një strateg dhe organizator i shkëlqyer i luftës ballore. Nën komandën e tij u vunë oficerë të karrierës që nga Dardana, Llapi e Gollaku, Drenica dhe Dukagjini, të bindur në aftësitë e tij ushtarake. Betejën rrufe të Loxhës, beteja e parë ballore me pushtuesit serbo-sllavë, e fitoi me vetëm tre luftëtarë të vrarë: oficër Rrustem Bruçaj, Hero i Kosovës, nga Isniqi, ushtarët Lumni Surdulli nga Dardana dhe Enver Alaj nga Drenoci i Deçanit.

Në një tubim masiv, të organizuar gjatë luftës, në Mannheim të Gjermanisë, Kolonel Tahir Zemaj, i tmerruar nga “komandimi” idiotesk dhe humbjet enorme në Kosovë, thoshte:

“Nëse vetëm një ushtar do të vritej, për dobësitë e mia komanduese, unë atë ditë do ta vrisja vetën”.

Pas fitores spektakulare të Betejës të Loxhës, në mungesë të armatimit për luftë dhe nevojës të domosdoshme të shpëtimit të popullatës, e cila kishte ikur nga zonat tjera të luftës dhe ishte strehuar në Pejë dhe përrreth saj, Kolonel Zemaj do t`u thoshte oficerëve dhe ushtarëve trima të tij:

“Në, sot, me luftë mund ta marrim edhe Pejën. Por, a mund ta mbajmë me armatimin e pakët që disponojmë?! As rregullat, ligjet e luftës dhe as Kanuni nuk lejon sakrifikimin e popullatës të pambrojtur, e cila nga ne, sot, pret shpëtimin. Andaj, ju urdhëroj të bëjmë të pamundurën, për t`i shpëtuar shumë mijëra qytetarë, që, tashmë, janë të skspozuar dhe të shenjëstruar nga armiku, në shenjë hakmarrjeje nga beteja e sapo humbur në Loxhë”.

Dhe, në koordinim me Komandantin e Rugovës, trimin dhe kuadrin e përgjegjshëm dhe besnik të Presidentit Rugova, Smajl Hajdaraj, organizuan mbrojtjen dhe shpëtimin e shumë mijëra njerëzve të rrezikuar me jetë. Shpifjet denigruese e tërësisht falsifikuese se, kinse, Tahir Zemaj “dezertoi” nga lufta apo “dorëzoi armët”, nuk kanë asnjë bazë reale.

Përkundrazi, janë shpifje të qëllimshme e thellsisht inatçore, nga ata që dështuan turpshëm, qoftë në luftë, qoftë në mbrojtjen e popullsisë të pambrojtur. Sepse, kundërshtarët e Kolonel Zemaj anashkaluan luftën kundër pushtuesit, Serbisë, duke vazhduar me luftën kundër Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Ibrahim Rugovës, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Kundërshtarët kishin mbështetjen e Tiranës zyrtare dhe miratimin e heshtur nga ana e Serbisë, sepse i lidhte ideologjia komuniste sllaviste, ishin palë në koalicionin e majtë. Fundja, Kolonel Tahir Zemaj ka qenë institucionalist i vendosur dhe ka pasur një komandë supreme, urdhërat e së cilës i ka zbatuar.