HARMONI E NEVOJSHME SOCIALE

0
830

Av. XHABIR ZEJNUNI

Përmbajtja.
1. Parathënie.
2. Historia e EZANIT (أََذان).
3. Teksti i EZANIT.
4. Problemi në komunikim.

1. Parathënie.
Para disa ditësh, bëra një shkrim në lidhje me problemin që krijon zëri i i lartë i altoporlantëve përtej normave të lejueshme, në maje të minareve të xhamiave. Shkrimi im, kishte karakter juridik dhe social.
Për fat të keq, ndokush e mori shkrimin tim edhe si një lloj tendence dashakeqe ndaj besimit islam, ku bëj pjesë edhe unë. Por, pa sjellë asnjë argument me bazë ligjore. Ose edhe në bazë të Kur’Anit.
Ky fakt, më shtyu që të trajtoj problemin (shumë shkurt) edhe nga këndvështrimi i Kur’anit dhe historisë islame.

2. Historia e EZANIT (أََذان).
Këndimi i eZANIT nga muezini në maje të minaresë, ka një histori të veçantë. Një natë, një shok i Profetit Muhamet a.s., shikoi një ëndërr, ku u vizitua nga dy persona të veshur me ngjyrë JESHILE1, të cilët i mësuan atij çfarë të recitonte për thirrjen e faljes (eZanit).
Ditën tjetër, ai shkoi tek Profeti Muhamet a.s. dhe i referoi atij në lidhje me ëndërrën, që kishte parë. Muhameti a.s., i tha atij se ëndërra ishte e vërtetë dhe se duhej të shkonte menjëherë tek Bilal Habashi – i cili kishte një zë të BUKUR dhe MELODIOZ -, që t’i mësontë frazat e faljes, që kishte dëgjuar në ëndërr dhe t’i këndonte ato. Bilali pasi i mësoi vargjet e eZanit, u ngrit në majë të Qabesë dhe filloi të recitonte duke kënduar atë që ne sot e njohim si këngën e muezinit2.
Kështu, Bilal Habashi, është i pari në historinë e Islamit, që këndoi eZANIN (adhan).

3. Teksti i EZANIT.
Ja dhe teskti i EZANIT për sunitët3
1. All’ahu është më i madhi (4 herë). Allāhu Akbar.
2. Dëshmoj që nuk ka tjetër Zot përveç All’ahut (2 herë). Ašh-hadu an lā ilāha illallāh.
3. Dëshmoj që Muhameti është Profeti i All’ahut (2 herë). Ašh-hadu anna Muħammadan Rasūlullāh.
4. Shpejtohuni për faljen (2 herë). Hayya ‘alās-ṣalāh.
5. Shpejtohuni për mirëqenien (2 herë) Hayya ‘alāl-falāħ.
6. Të falesh, është më mirë se sa të flesh4 (2 herë). As-ṣalātu khayru min al-naëm.
7. All’ahu është më i madhi (2 herë). Allāhu Akbar.
8. Nuk ka tjetër Zot përveç All’ahut (1 herë). Lā ilāha illallāh.

Për sa më sipër, duke parë se ka qenë vetë Muhameti a.s., i cili ka këshilluar që eZani të thirrej nga muezini, atëherë ky këshillim duhet mbajtur parasysh edhe në ditët e sotme dhe jo të tjetërsohet, duke kërkuar mbështetje dhe lehtësira tek shkenca dhe teknologjia (e qafirave!).

Thirrja e eZanit në maje të minaresë nga muezini, është jo vetëm një urdhërim, por edhe një pasion fetar, i cili duhet respektuar me korrektesë. Por, nuk mund të jetë (dhe bëhet) kurrë një rutine teknologjike.

4. Problemi në komunikim.
Në teologjinë tradicionale islamike, Kur’Ani është një “Kur’An ARAB”, ashtu siç përshkruhet edhe në disa ajete të tij: 12:2; 20:113; 39:28; 41:3; 41:44; 42:7; e 43:3.

Suret me ajetet përkatëse.
12:2. Ne e zbritëm atë Kur’an ARABISHT, ashtu që ta kuptoni.
20:113. Kështu Ne e shpallëm këtë Kur’an ARABISHT dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kur’ani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.
39:28. Duke qenë Kur’ani ARABISHT, që nuk ka kundërthënie, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar.
41:3. Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura, duke qenë Kur’ani ARABISHT për një popull që di ta kuptojë.
41:44. Sikur Ne ta bënim Kur’anin në gjuhë të HUAJ, ata do të thoshin: “Përse nuk janë ajetet e tij të kuptueshme (të shkoqitura), a është ai (Kur’ani) në gjuhë të huaj, kurse ai (pejgamberi) është arab?” Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues. E ata që nuk besojnë, në veshët e tyre kanë shurdhim, dhe ai për ta është verbërim. Të tillët janë sikurse thirren prej një vendi të largët e nuk dëgjojnë”.
42:7. Prandaj, Ne të shpallëm ty Kur’anin ARABISHT, që ta këshillosh kryefshatin (Meken) dhe ata përreth saj, dhe t’u tërheqish vërejtjen për ditën e tubimit (kiametit), për të cilën nuk ka dyshim. Një grup për në xhehnet, kurse një grup për në zjarr.
43:3. S’ka dyshim se Ne e bëmë atë Kur’an ARABISHT, në mënyrë që ju ta kuptoni.

Disa studiues të islamit, mbështesin teorinë se Kur’Ani NUK mund të kuptohet komplet përveçse në ARABISHT. Por, duke qenë se shumica e muslimanëve në botë nuk flasin arabisht, atëherë ky fakt ka bërë që Kur’Ani të përkthehet edhe në shumë gjuhë të tjera. Kjo, edhe për arsyen e bindjes së jo muslimanëvë që të konvertohen!
Edhe pse Kur’Ani është përkthyer në shqip (dhe në kundërshtim me ajetet e Kur’Anit!), duhet pranuar se eZANI mund të këndohet vetëm në ARABISHT. Dhe nga Hoxha në maje të minaresë.
Ashtu siç ke qenë gjithmonë tradita.

1. Ngjyra simbol e Islamit të Sufistëve
2. Në xhami, muezini është personi, që me një thirrje në formë kënge, fton besimtarët të falen pesë herë në ditë.
3. Shiitët i shtojnë eZANIT edhe dy formula të tjera:
a. Dëshmoj se ALIU është zevendësi i All’ahut (Ašhadu anna ʿAlīyan ëalī Allāh). (2 herë);
b. Ngutuni të bëni punën më të mirë (Hayyā ʿalā khayri l-amal). (2 herë).
4. Recitohet vetëm në faljen e mengjezit (ṣalāt al-fajr).