Halabakët e politikës dhe lëvizja “Stresiste” në Shqipëri

0
265
Stresi si fenomen

Mentor Kikia

Në pamundësi, apo në mungesë të dëshirës, për t’ thelluar mbi shkaqet e revoltës së të rinjve, qeveria dhe mbështetësit e saj e konsiderojnë këtë një vepër të opozitës. Kjo i intereson politikisht, por sepse edhe opozita ka yshtur drutë në këtë zjarr. Në dukje është e njëjti skenar si më 21 Janar.

Kam lexuar shqetësime të shumë qytetarëve mbi aktet e dhunës dhe shkatërrimit, dhe i bashkohem këtij shqetësimi. Por, personalisht nuk dua të mjaftohem me përcaktimin e dhunës si “vepër e bathoristëve të Bashës, Metës dhe Berishës”. Sepse e vërteta nuk është plotësisht kjo. E vërteta është se kjo valë dhune nuk ka thjeshtë frymëzim politik, ajo buron nga shkaqe të thella ekonomike dhe sociale.

Këto tri dekada poskomuniste, u ndërtuan dy Shqipëri. Shqipëria e Gjirit të Lalëzit, Shqipëria e Rolling Hills, Shqipëria e Vjenës dhe Londrës. Shqipëria e politikanëve, Shqipëria e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar, Shqipërisa e oligarkëve që u bënë një me politikën.

Ata u pasuruan duke vjedhur taksat e qytetarëve dhe paratë e xhepave të tyre. U pasuruan duke grabitur pasuritë e këtij vendi. Ata e ndanë Shqipërinë si kaçakët plaçkën e grabitur. Ata që i quajtën kokëpalarë “grupin e zjarrit” në 21 Janar, dhe ata që i quajnë halabakë të dhunshmit e Dhjetorit 2020, fëmijët e tyre nuk i kanë në Shqipëri. I shkollojnë në Vjenë, Nju Jork e Londër, në kolegjet më të mirë të Botës, e të më shtrenjtët për pasojë. Këta edhe fëmijët i lindin jashtë, edhe kur u dhëmb barku shkojnë jashtë, sepse këtu e shkatërruan edhe shkollën edhe shëndetësinë.

Ndërsa Shqipëria tjetër është ajo e shumicës së Shqiptarëve. Shqipëria ku politika shkel kur ka zgjedhje, i premton, i mashtron, i josh me një vend pune, me një trastë ushqime, i merr votën, madje edhe i përdor si mish për top kur i duhen. Shqipëria tjetër është ajo e bujqëve që punojnë e s’kanë ku shesin prodhimet, e naftëtarëve që punojnë e s’marrin pagat, e minatorëve dhe fasonerive, ku punojnë njereëzit më të keqpaguar në Europë.

Vrasja e një të riu nga policia ishte shkaku i shpërthimit të zemërimit dhe dhunës të një gjenerate të pashpresë deri në palcë. Në ditën e parë, protestuesit “zgjodhën” t’i prijë Stresi. U zhgënjyen shumë shqiptarë, nga ata të kafeneve dhe facebook-ut? Po pse u habitet? Cili intelektual shkoi? Dhe, mbi të gjitha, nuk e dini ju që Stresi dhe soji i tij janë idhujt e gjeneratës së re? Nuk e dini që ata ua dinë këngët të gjitha? Madje edhe ky fakt është tregues i krizës së madhe të shoqërisë sonë.

Padyshim që lëvizja “Stresiste” është një lëvizje e dhunshme. Por sërish unë mendoj se njerëzit më të rrezikshëm për këtë vend nuk janë këta, por ata që janë në selitë e partive dhe metastazat e tyre në çdo sektor. Ata që kanë krijurar ato dy Shqipëritë.