Hakerët pro-interesave turke besohet se sulmuan Shërbimin Informativ të Shqipërisë

0
322
Xhamia në Turqi, Stamboll

Foto: Reuters

Agjencia e lajmeve, Reuters, ka raportuar në një hulumtim ekskluziv, se në mesin e dhjetëra serverëve ministrish, ambasadash e agjencish shtetërore në Evropë dhe Lindje të Mesme, hakerët pro-interesave turke kanë sulmuar edhe rrjetin kibernetik të Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë.

“Në mesin e viktimave ishte përfshirë edhe inteligjenca shtetërore e Shqipërisë, tregojnë të dhënat publike në internet. Inteligjenca shtetërore shqiptare kishte qindra ‘usernames’ dhe fjalëkalime sigurie të kompromituar si rezultat i sulmeve, ka bërë të ditur njëri prej hetuesve privatë të sigurisë kibernetike, i cili ishte i informuar me ndërhyrjet në trafikun e uebfaqeve”, ka raportuar Reutersi, transmeton “Koha Ditore”.

Shërbimi Informativ Shtetëror i Shqipërisë ka bërë të ditur se sulmet ishin kryer ndaj infrastrukturës së paklasifikuar, ku nuk ruhen dhe nuk procesohen “informacione të klasifikuar të nivelit ‘sekret shtetëror’”.

Reuters shkruan se sulmet kibernetike në ngritje kundër qeverive dhe organizatave të ndryshme në Evropë dhe Lindje të Mesme besohet se janë vepër e hakerëve që po veprojnë në emër të interesave të Qeverisë turke, kanë bërë të ditur tre zyrtarë të lartë sigurie në radhët e shteteve perëndimore.

Sulmet përfshijnë ndërhyrjen në trafikun e internetit të uebfaqeve të viktimave, duke ua mundësuar potencialisht hakerëve që të sigurojnë qasje ilegale në rrjetet e trupave qeveritare dhe organizatave të tjera.

“Sipas dy zyrtarëve britanikë dhe një zyrtari amerikan, aktiviteti ka të gjitha elementet e një operacioni spiunazhi kibernetik me mbështetje shtetërore, të kryer në emër të interesave turke”, ka raportuar Reutersi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.