Shkruan Zymer Mehani
Në vëllimin poetik për fëmijët “Gurrat e vendit tim” poeti i talentuar nga Kika legjendare, z. Hajrush Redenica na ka dhuruar vargje tejet të bukura për jetën shkollore, për natyrën (bukuritë e vendlindjes, malin, fushën, lumin), për shpendët shtegtarë (dallëndyshen, zogjtë etj), për shtazët (ketrin, drenushën, peshkun, lepurin etj), për dukuritë atmosferike (borën, shiun, rrezet e diellit, ylberin etj).
Pra, vëllimi në fjalë është dedikim për fëmijët dhe për nxënësit e shkollave fillore. Këtë konstatim e mbështesim fuqishëm duke u bazuar në gjuhën e thjeshtë, por të pastër dhe në fjalorin, të cilin me shumë kujdes e përdor poeti në ndërtimin e vargjeve. Mund të themi se fjalë kyçe të kësaj përmbledhjeje janë fjalët: shkolla, mësuesi, abetarja, pastaj pranvera, vera, vjeshta, dimri, dallëndyshja, zogu, lepuri, ketri etj etj., që janë të pranueshme dhe të dashura për botën fëmijërore.
Autori Hajrush Redenica në përmbledhjen “Gurrat e vendit tim” ka trajtuar motive nga jeta shkollore, ku edhe mbretëron mbretëron atmosfera e shkollës.
Po ashtu, autori ka shkruar poezi të bukura edhe për stinët, pra shumë vargje përshkohen nga motivi i stinëve të vitit. Ndërrimi i stinëve te ne dhe te fëmijët shkakton edhe ndërrim të botës sonë ndjenjore.
Kur fillon të vijë pranvera, gëzohemi shumë, më tepër fëmijët. Ata galdohen nga lulëzimi i luleve, fluturimi i fluturave, i dallëndysheve, i lejlekut etj.etj. Po ashtu edhe ardhjes së stinës së verës më shumë i gëzohen fëmijët. Ta kujtojmë vapën e korrikut dhe të gushtit, lumejtë me ujë të dëlirë, pishinat, gurrat e vendlindjes, liqejt e detin, ku fëmijët ëndërrojnë për t’i kaluar pushimet e verës.
Edhe vjeshta pritet me dashuri të madhe, sepse ajo sjell shumë të mira për ne dhe për fëmijët. Fëmijët i gëzohen vjeljes së pemëve si rrushit, dardhës, mollës etj, por edhe shtatorit, ku sërish takohen në bankat shkollore me bashkëmoshatarët për të fituar dije.
Po ashtu, edhe stina e dimrit i ka bukuritë e veta, që fëmijët i gëzon shumë. Ta kujtojmë akullin, dëborën, fërfëllëzën, rrëshqitjen me saja e me ski me shokët e shoqet, pastaj gjuajtjen me topa dëbore, ndërtimin e dordolecit eti etj.
Disa poezi të autori Hajrush Redenica si personazhe kanë lepurin, pëllumbin, ketrin, dallëndyshen, fluturën etj., që janë shumë të dashura për çdo fëmijë. Këtu poeti Redenica përmes vargjeve jep edhe informacion të shkurtër për këto shtazë dhe shpezë, që janë të rëndësishme për t’i ditur fëmijët e moshës shkollore.
Dëshira e poetit Hajrush Redenica është që të shkruajë për fëmijët, me qëllimin e vetëm sa fisnik, po aq edhe njerëzor, që këta fëmijë të rriten duke e formësuar karakterin e tyre të shëndoshë me virtyte të çmueshme dhe të bëhen të dobishëm për veten e tyre, për familjen dhe atdheun. Dhe vërtet, me syrin e kritikut, me kompetencë konstatojmë se z. Redenica nuk e shohim ndryshe, veçse si poet që shkruan edhe për fëmijë, i cili, lirisht mund të themi se është zë premtues i poezisë shqipe për fëmijë.
Gjuha e poezisë së poetit Hajrush Redenica është e thjeshtë, por e pastër. Nuk janë hetuar shkarje nga gjuha standarde. Vargjet janë kryesisht të rimuara, përplot melodicitet, që janë të adhuruara nga mosha e fëmijëve, por edhe të pasura me figuracion poetik, të përshtatshme për moshën e re. Metri i vargut është i ndryshëm. Fjalori është i kuptueshëm për fëmijët.
Vëllimi “Gurrat e vendit tim”, pra është libri nëntë i poetit, Hajrush Redenica.
Podujevë, më 14 maj 2019
Hajrush Redenica
Bëna dritë, moj lule
Bëna dritë, moj lule
Koha të ka ardhur
Ta ndiqosh vendin tim
N’marsin me shumë sfida
Çil, lule pranvere
Lulëzo, mos u vyshk
Shirat e pranverës
T’ujisin çdo ditë
N’marsin me stuhi
Shum erëra kanë fryrë
Deshën t‘shkulin lisat
Ta mbysin lirinë
Marsii 1981
La gjurmë n’ histori
Ishin ditë të vështira
Për mua e për ty
Luftë në Dardani
Për ta zhbi robërinë
Shumë gjaku është derdhur
Lulëkuqet për t’çelur
Mos jemi të mallkuar
A Zoti na ka dënuar
Lulet duan dritë
Fëmijët duan rritë
Fryj moj erë e Karadakut
(Kushtuaar dëshmores së kombit, Ganimete Gjylani)
Qofsh i bekur, ti atdhe
Një shqiponjë që e rrite
E rrite në folenë tënde
Në Dardani, Kosovën nënë,
Një shqiponjë që mbulon qiellin tonë
Me çdo çmim ajo na mbron
Për lirinë e popullit tonë.
Kur atdheu liri kërkon
Shumë shqipe po fluturojnë
Atdheun tonë po e mbulojnë
Rreth Flamurit kuq e zi duke shkuar
Në UÇK janë rreshtuar.
Lulëkuqe të kësaj toke
Çelën mu në maje Karadaku
U hap një dritë në mes nate
Trima e trimëresha aty u rreshtuan
Bijtë e bijat e Idriz Seferit u bashkuan
Pë liri duke luftuar.
Një zë i hollë aty jehoi
-Dua një pushkë dhe unë të luftoj
Atdheu im po më kërkon
U ndalën me habi
-Si të quajnë ty, moj bija dardane
-Jam Ganimetja që dua liri
Do luftoj me motrat e vllëzërit e mi.
Ganimete, vashë dardane
Në flakë lufte shpejt u fute
Sypatrembur rreth flamuri
Maleve të Karadakut atje te burimi
I dole zot vendit për hir betimi
Për liri qëndrove deri në fund
Sikur shqipe mbete heroinë
Sepse shumë e deshte lirinë.
Me 12 qershor 1999
Ju na prutë lirinë, çlirimtarë
Ganimetja e përbetuar
Vendin e vet për ta çliruar
Në UÇMB u rreshtua
Kundër gjakpirësve për të luftuar
Me zemër zjarr të përvëluar
Syshqiponje duke luftuar
Kosovën Lindore për ta çliruar.
Ganimete, u bëre lulëkuqe
E deshe me zemër flamurin kombëtar
Krah shqiponje në atë Karadak
Edhe mali seç po ushton
Ganimetja kah po lufton.
Ti, Dardani qofsh e bekuar
Një shqiponjë që e linde
Qenka lindë për lirinë tonë
Një lulëkuqe e vendit tonë.
Ganimete, motra jonë
Përballë armikut barbar
Tregove se ç’ bën shqipja për shqiptarë
Tregove në fushë të nderit
Si lufton vajza e Idriz Seferit.
Rroke pushkën pë të bërë shtet
Sot po e gëzojmë së bashku çdo cep.
Ganimete, mori bi’
Dy luftëra i luftove ti
Aty luftove me motra e vllazni
Sot po e gëzojmë së bashku këtë liri