“HABEMUS PRESIDENTUM”

0
707

Av. XHABIR ZEJNUNI.

Dje Zevendës Kryetarja e Kuvendit (tashmë Kryetare) Zonja Valentina Leskaj, hapi seancën e posaçme (dhe jo të jashtëzakonshme) të Kuvendit,
me rastin e Betimit të Zotit Ilir Meta si President i Shqipërisë. Pasi Zonja Leskaj lexoi formulën e betimit, Zoti Meta me dorë mbi Kushtetutë dhe i emocionuar tha: “BETOHEM”.

Menjëherë Zonja Leskaj tha: “Habemus Presidentum. Më pas e shoqëroi me një AMEN”. Pastaj, ajo bëri një përshëndetje me KOKË, të cilën asnjë nga të pranishmit në sallë nuk e kuptoi. Përveç kaldaistit të Kuvendit, i cili ishte i përqëndruar në ekranin e televizorit. Sapo Zonja Leskaj tha “Amen”, ai menjëherë aktivizoi valvolën e TYMIT të BARDHË, i cili pas disa sekondash doli nga oxhaku i Kuvendit. Të gjithë personat që ishin jashtë, brohoritën nga gëzimi dhe u përqafuan mes tyre, pa dallim besimi fetar apo bindjeje politike.

Po ashtu, bënë edhe teleshikuesit. Më shumë të gëzuar, ishin bektashinjtë me në krye Kryegjyshin botëror të bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, i cili i emocionuar dhe mes lotëve, ju tha të pranishmëve: “Falë Allahut, tani kemi President vëllain tonë bektashi, Ilir Metën. E paçim edhe mandatin tjetër”. Gjëmuan po ashtu edhe këmbanat e kishave, për nder të Zonjës Monika Kryemadhi.

Duhet thënë se deri dje, veç TYM i ZI shpëndahej kudo në lidhje me MOSbetimin e Ilir Metës.
Në ballë të diskutimeve, ishin anal-istët, juristët dhe ushtruesit e profesionit të juristëve.
Atëherë.

Sipas nenit 88 të Kushtetutës, Presidenti bëri dje betimin para Kuvendit.
Shumë “specialista” ngulmuan se për të pasur seancë të rregullt betimi, duhej plotësuar kuorumi i nevojshëm, prej 71 deputetësh. Më dije apo pa dijë ata ngatërronin procedurën e votimit të një ligji me ceremoninë formale të betimit.

Rregulorja e Kuvendit parashikon në nenin 56, par. 1 (“Verifikimi i kuorumit”) se “Përpara çdo votimi, drejtuesi i seancës plenare verifikon
numrin e deputetëve të pranishëm në sallë”. Si shpjegohet atëherë që Zonja Leskaj si drejtuese e seancës, nuk verifikoi numrin e deputetëve dje në sallë? Dikush mund të thotë se ajo e vuri re prezencën e madhe në sallë dhe si rrjedhojë nuk bëri verifikimin përkatës.

Par. 2 vazhdon se “Drejtuesi i seancës, në çdo kohë, si dhe kur kjo kërkohet nga të paktën 7 deputetë, verifikon nëse në sallë është i pranishëm numri i kërkuar i deputetëve. Kërkesa për verifikimin e numrit të deputetëve të pranishëm shprehet me ngritjen në këmbë të kërkuesve. Për verifikimin e numrit të deputetëve, drejtuesi i seancës bën thirrjen në mënyrë elektronike ose nominale”. Edhe kjo dispozitë nuk u aplikua dje. Mos vallë shkeli Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit Zonja Leskaj që nuk përmbushi detyrimin përkatës?

JO.

Sepse seanca e djeshme, edhe pse u thirr si seancë e jashtëzakonshme nga Presidenti Nishani me 30 qershor (duke qenë se kishte mbyllur punimet legjislatura me 4 maj), në fakt ishte një seancë e posaçme betimi dhe kaq. Edhe po të ishin 16 deputetë në sallë, përsëri Meta do betohej si President. Por, figurën më të keqe do e bënin deputetët që do mungonin në sallë. Dhe të gjithë deputetët kësaj radhe nuk gabuan. Përveç disa deputetëve që mund të numëroheshin me gishtat vetëm të njerës dorë: të majtës ose të djathtës.

Por, figurën më të shpifur gjatë dy muajve të fundit, e bënë të gjithë ata “specialista” ose anal-ista të shit-blerë, të cilët e jepnin të sigurtë MOSbetimin e Metës.
Allahu i faltë ata.
Amin.

Habemus Presidentum.