Grupi i Lobimit përshëndet nisjen e parakohshme të qarkullimit në Rrugën e Arbërit

0
119
Rruga e Arbërit

Punimet në vazhdim nuk duhet të rrezikojnë jetën e punëtorëve dhe udhëtarëve

Tiranë, 4 dhjetor 2021

Njoftim për Mediat

Grupi i Lobimit

Kryeministri Edi Rama më 29 nëntor 2021 ishte i pranishëm në hapjen e qarkullimit në Rrugën e Arbërit. Askush më shumë se dibranët nuk e pret më me padurim përurimin e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore. Megjithatë, ceremonia e parakohshme e përurimit është një tregues tjetër i shkallës së ulët të kooperimit midis qeverisë dhe opozitës.

Ashtu siç ka ndodhur rregullisht me këtë vepër gjatë tre dekadave të fundit, edhe tani kur, si i thonë fjalës, dibranët më në fund po shohin dritë në fund të tunelit, kasta politike shqiptare po përdor këtë vepër të rëndësishme për interesat e tyre. Dita kur qeveria dhe opozita në Shqipëri, siç ndodh në vende të civilizuara, të marrin pjesë dhe gëzojnë së bashku në përurime veprash, duket akoma e largët.

Lajmi i nisjes së qarkullimit të pjesshëm në këtë aks të rëndësishëm rrugor është një lajm i mirë. Siç kemi deklaruar në nisje të peticionit, qëllimi është që Rruga e Arbërit të ndërtohet sa më shpejt dhe më standarde, dhe për këtë ne do të vazhdojmë të jemi vëzhgues të paanshëm deri në metrin e fundit.

Qeveria ka njoftuar se në fazën e ndërtimit të Tunelit të Murrizit kanë dalë problematika në lidhje me strukturën gjeologjike. Ne nuk e kemi parë këtë të ilustruar në terren. Deri më sot, asnjë media apo organizatë tjetër nuk është parë të hyjë në tunel dhe të bëjë publike pamjet. Po kështu, nuk kemi parë të ketë as ndonjë debat mes gjeologëve dhe specialistëve përkatës.

Megjithatë, ne shpresojmë dhe urojmë që punimet të vazhdojnë. Po kaq i rëndësishëm është edhe ndërtimi e një tuneli me standarde bashkëkohore.

Rruga e ndërtuar deri më tani vëmë re se është sipas parametrave të njoftuar më parë. Shpresojmë se punime e pambaruara do të jenë cilesore dhe se do të përmirësojnë cilësinë e rrugës dhe sigurinë e saj.

Nga informacionet e botuara deri më tani, nuk është e qartë se përse qeveria vendosi ta hapë rrugën për qarkullim tani. Duke qenë se rruga është akoma një kantier ndërtimi, siguria e punëtorëve, drejtuesve të automjeteve dhe kalimtarëve është më e rëndësishme se nisja e qarkullimit të përshpejtuar, pavarësisht dëshirës së mirë.

Kemi vënë re se në të gjitha segmentet janë vendosur sinjalistika të përkohshme që tregojnë vazhdimësinë e punime në rrugë. Shpresojmë dhe u bëjmë thirrje udhëtarëve dhe drejtuesve të automjeteve t’i respektojnë ato.

Hapja e parakohshme për qarkullim krijon lehtësira për qytetarët dhe ne urojmë që ky veprim të mos cënojë punimet në rrugë për dorëzimin në kohë dhe me cilësi në afatin e kontraktuar.

Segmenti nga Ura e Vashës deri në Qafë të Buallit konstatuam se është i pambaruar. Ky segment, së bashku me segmentin tjetër në dalje të Tiranës, pranë Qafës së Tujanit, përbën rrezik për kalimtarët, pasi nga skarpatet e larta dhe të thepisura mund të ketë rënie gurësh. Ne shpresojmë se në këtë fazë të ndërtimit të rrugës, kompania të ecë me ritme më të shpejta për të garantuar sigurinë e udhëtarëve.

Në kemi konstatuar se standardi C2 i rrugës i reklamuar nga qeveria shqiptare mbyllet në Maqellarë. Ne i kërkojmë qeverisë shqiptare që këtë standard ta vazhdojë edhe në drejtim të pikës doganore të Bllatës si dhe të negociojë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut që ky segment të vazhdojë sa më parë drejt lidhjes me Shkupin.

Gjatë këtyre ditëve ne kemi vënë re përmes shtypit se qeveria po përpiqet që me hapjen e plotë të rrugës vitin e ardhshëm, të vendosë edhe një taksë kalimi. Ne shpresojmë që këto lajmë të jenë jo të vërteta. Ne e konsiderojmë vendosjen e një takse kalimi në këtë aks një vendim të padrejtë.

Nisja e qarkullimit të makinave përmes Rrugës së Arbëit është një rast i mirë për drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët që të shohin ecurinë e punimeve dhe të raportojnë problematikat që hasin gjatë udhëtimit. Kritikat dhe sugjerimet e tyre duhet të merren parasysh nga specialistet në mënyrë që ato të korrigjohen sa më parë.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të angazhohet pa vonesë që punimet për këtë vepër të fillojnë sa më parë. Grupi i Lobimit është në kontakt për këtë vepër me përfaqësues lokal dhe qëndror të politikës shqiptare në Maqedoni që nga viti 2014, dhe do ta vazhdojë lobimin në këtë drejtim.

Grupi i Lobimit do të ketë kënaqësinë të marr pjesë në përurimin e rrugës kur ajo të ndërtohet jo vetëm deri në Bllatë po edhe në Peshkopi sipas standardeve ndërkombëtare.

Deri sa te vij ajo ditë, peticioni për këtë vepër, që deri tani ka mbi 20,000 përkrahës, nga te cilet me shume se 18,000 online, do të qëndroj i hapur dhe mund të nënshkruhet këtu: https://bit.ly/3poy8r7