Ndue Lazri
– Nga mbrëmja kulturore “Ajo dorë që përkund djepin” në Pesaro –
Margarita Xhepa zbret në aeroportin e Bolonjës si një perëndeshë ilire. Argjendi mbi flokët e saj tregon se vitet vetëm e kanë zbukuruar gruan e madhe të skenës dhe ekranit shqiptar. Mbi 150 role në teatër dhe 32 në filma të ndryshëm e kanë bërë atë një artiste shumë të dashur e të adhuruar nga publiku. Kjo u duk në dashurinë e përkujdesjen e grupit pritës në aeroport, por sidomos në mbrëmjen kuklturore “Ajo dorë që përkund djepin” organizuar në qytetin e Pesaros dhe ku pjesmarrësit ishin gati ta dëgjonin e ta duartrokisnin tërë kohën në këmbë, derisa ajo me thjeshtësi dhe me zërin e saj aq të dashur iu tha: -Ju lutem, uluni. E më pas, gjatë tërë mbrëmjes ku pjesëmarrësit nuk ngopeshin së daluri në fotografi me të e ajo gjithnjë me buzëqeshjen në buzë deri në ora 3 të mëngjezit mes emigrantësh që e rrethonin dhe i shprehnin dashurinë e tyre.
Nga aeroporti nisemi me dy makina drejt qytetit të Pesaros. Artistja Margaritë nuk ka ardhur vetëm. Me të janë edhe anëtare të tjera të fondacionit “Nermin Vlora”, që kanë ardhur nga Shqipëria për të marrë pjesë në këtë mbrëmje kulturore kushtuar figurës së gruas. Shkrimtarja dhe gazetarja Zenepe Luka, presidente e fondacionit, poetja dhe kineastja Vllasova Musta, pionierja dhe mjeshtrja e cirkut shqiptar, Vitore Sallaku, këngëtatrja Luiza Mara. E direkt nga Gjermania zbret prej avionit edhe këngëtarja e mirënjohur, e bukura dhe rebelja e këngës shqiptare, Alida Hisku. Me mikun e kolegun tim, Klodian Cami e poeten Lili Bimi i shoqërojmë ato drejt qytetit ku do të behet aktiviteti.
Mbrëmja zhvillohet në sallën e bukur “Tritone” të hotelit “Flaminia”, aty afër detit në qytetin e bukur Pesaro dhe ku kemi organizuar aktivitete edhe herë të tjera si Federatë bashkë me shoqatën “Nënë Tereza”të këtij qyteti. Drejtuesit e shoqatës, Fitim Kajo e Dashi Zguri kanë menduar me hollësi për çdo detaj, që gjithçka të shkojë sa më mirë.
Tavolinat janë shtruar si për festë. E nuk ka si të jetë ndryshe. Mbrëmja ka në qendër të saj figurën e gruas shqiptare, nënën, e cila është zanafilla e jetës dhe kolona vertebrale e saj në familje, artisten e shkencëtaren, aktivisten shoqërore dhe patrioten që mallin për atdhenë e mëkon bashkë me gjirin tek fëmijët edhe këtu në emigracion.
Ndaj edhe kanë ardhur në këtë mbrëmje jo vetëm anëtarë e simpatizantë të shoqatës “Nënë Tereza” në Pesaro e të grupit shumë aktiv të Fermignanos,por edhe nga shoqatat e tjera anëtare të Federatës, si ato me emrin “Skënderbeg” në Fermo e Senigallia, “Iliria” në Macerata, “Shqiponja” në Reggio Emilia, “Rinia”, “Besëlidhja” e “Vatra” në Trentino, shoqata e shkrimtarëve të pavarur në Verona, grupi i valleve “Shqiponjat” në Lecco dhe fondacioni “Forum Donne indipendenti” në Parma.Zonjat e këtij forumi Elvira Lashi Lika dhe Marsida Mehdiu do të udhëtonin pastaj natën vonë për t’u kthyer në Parma, pasi të nesërmen kishin hapjen e shkollës shqipe. Ndërsa grupin e Trentinos dhe atë të Leccos nuk i ka penguar as difekti i makinave në rrugë e kanë marrë makina me qera vetëm për të qenë në aktivitet. Veprimtarja e kudondodhur e diasporës Vitore Stefa Leka dhe aktivistja Luna Çota kanë ardhur me trena, njëra nga Trieste e tjetra nga Genova. Dëshira për të qenë sëbashku në një mbrëmje të tillë kulturore ka përballuar çdo pengesë e vështirësi.
Në qendër është figura e gruas edhe në promovimin e librit “Testament i grave për gratë” të autores Zenepe Luka, shkrimtare dhe gazetare e njohur. Me Zenepen shihemi pas më shumë se 40 vjetësh që nga mbarimi i fakultetit. Koha ka ecur, por miqësia ka mbetur. E koha na kujton që dikur në mbrëmjet studenteske vallëzonim shpesh bashkë valsin, si vallëzim të preferuar. E po koha na sugjeron që një vals ta kërcejmë edhe në këtë mbrëmje nën tingujt e këngës së bukur korçare “Në bankat e shkollës, o mike”. Mbi librin e Zenepes referon poetja dhe kineastja Vllasova Musta, e cila evidenton vlerat e këtij libri kushtuar grave shqiptare të së kaluarës, por edhe të sotme. Një libër me interes, të cilin shumë nga pjesëmarrësit në mbrëmje e kërkojnë dhe e blejnë, duke i kërkuar edhe autografe autores.
Protagonistë të mbrëmjes mbeten arti, muzika, vallëzimi. Kur drejtuesja e programit, e talentuara Lori Duka, fton zonjën e madhe të artit shqiptar, Margarita Xhepa, salla ngrihet në këmbë. Në sytë e pjesëmarrësve nuk ka vetëm kureshtje, por edhe mall për ta dëgjuar zërin e saj. E ai zë vjen i ngrohtë, i dashur nëpërmjet fjalëve që vetëm një artiste si ajo di t’i transmetojë. Për minuta të tëra artistja flet, lartëson figurën e gruas, reciton duke cituar poetë të ndryshëm që kanë shkruar për gratë. Ajo nuk ka një kopje të shkruar para syve. Përkundrazi, ajo gjen fjalë zemre, reciton vargje të tëra përmendësh, bashkon autorë të ndryshëm, duke i lidhur me mjeshtëri me një fill të vetëm e duke dalë gjithnjë tek figura e gruas. Fjalë të mënçura, me peshë që e kanë veç gurët e kështjellave. I pasionuari Durim Lika, veprimtar i mirënjohur dhe i palodhur në diasporë prej shumë vitesh, përveç fotove të bukura të çastit, e regjistron tërë fjalën e saj, që të nesërmen do të kishte një shpërndatje e jehonë të gjerë në internet. Nuk i përmenda titujt e shumtë e të merituar që ka artistja Margarita Xhepa, sepse nuk janë titujt që e bejnë atë, por është emri i saj që u bën nder të gjithë titujve të mundshëm që i jepen.
Këngëtarja Alida Hisku sjell repertorin e dikurshëm të këngëve të saj e për të cilat të gjithë kemi nostalgji. Pastaj bashkë me këngëtaren tjetër, Luiza Mara e ndezin sallën në vallëzim. Nëpër tavolina nuk është thuajse askush ulur. Të gjithë vallëzojnë, atmosfera është vërtet e bukur e festive. Artisteve iu dhurohen trëndafila. Ato janë të rrethuara gjithnjë nga emigrantë që duan ta përjetësojnë në foto kujtimin e kësaj mbrëmjeje me to. Poetja Vangjeli Verori reciton një poezi dedikuar artistes Margarita Xhepa.
Mbrëmja e shpalos figurën e gruas edhe në një drejtim tjetër. Cristina Xhakolli e Gentjana Isufi kanë menduar të organizojnë një sfilatë kostumesh popullore, që i kanë krijuar ato vetë, me duart e tyre, me pe e gjilpërë, kostume karakteristike shqiptare që nga ato të arbëreshëve e deri tek krahinat e ndryshme të Shqipërisë. Dashuria për kostumet e traditat kombëtare është e pashuar në diasporë. Ndaj në çdo mbrëmje a festë që organizojmë i kemi ato të pranishme bashkë me vallet tona dinamike, që elektrizojnë çdo skenë apo sallë.
Afrohet ora 3 e mëngjesit dhe duket sikur askush nuk do që të largohet nga salla. Nuk e ndjejnë lodhjen. Midis tyre, e paepur edhe artistja e madhe, edhe zonjat e tjera të ftuara, edhe këngëtaret, që e kanë gjetur gjuhën me grupin Altin Alt In në aspektin muzikor të mbrëmjes.
Mbrëmje të tilla të ngrohta ne emigrantëve na kujtojnë që atdheun e kemi këtu, përherë pranë. Suiç thotë poeti Petrit Ruka, atdheu fillon tek zemra. E kur zemrat janë të bashkuar, atdheu është përherë i pranishëm.