Groteska e sfidantëve!

0
996
Rexhep Kasumaj

Berlin, fundfror 2016

Arena politike e Kosovës, do të ngjante komike, sikur të mos ishte tepër dhimbsunore.
Njëfarë Rafet Rama – rivalizon Hashim Thaçin!
Ç’cinizëm!

Një shpirtësi tipike diktaturash! A s’është vërtetë kështu?
Do t’më kujtojë kjo dromcë shpotitëse, një sfond të ngjashëm politik të një kohe të perënduar. Ishin vitet e 90-ta. Millosheviqi, i cili poashtu njihte formalisht postulatet e demokracisë, jetonte kulmin e Fuqisë. Gatiteshin zgjedhjet presidenciale të Sërbisë dhe
cili ishte sfidanti i tij?

Nikolla Sheqeroski! Një pensionist strugan që shtynte ditët e fundjetës në Belgrad. Vinte në studio për të kaluar kohën, e me vete sillte prore një çantë të rëndë përplot procese, përmbarime gjyqësore, ankesa… Por dhe redaktorët kishin poaq një moment prehjeje nga lodhja e tempos elektorale.

Mirëpo, nëse kryeparët do të kenë mjaft vegëza përlidhëse të optikës politike, kundërshtarët e tyre dytësorë, i shquan një ndryshmëri e hollë karaketriale.
Ndërsa, pra, i pari dukej qiellësisht i mirë, bablok i shtruar që, madje, qahej për padrejtësitë e përjetuara, Sheqeroski i këtejmë e i kësomotshëm, është vetë autori i së padrejtës. Ka kryer vepër të dënueshme dhe, jo vetëm gëzon lirinë, por kujtohet të bëj teatrin politik për të marrë fronin e Presidencës!

Sidoqoftë, në të dy rastet, qëllimi dhe epilogu i pretendimit të tyre, do të kenë prapaskenën dhe fatin e njëjtë: një stoli shëmtuese për demokracinë e përdhunuar!
Dhe, mjerisht, një groteskë e trishtë në trupin dhe zemrën e këputur të Kosovës!
R. K.