GJYKATA QË BARAZON VIKTIMËN ME XHELATIN

0
890
Çekiçi i gjyqit

Letër ambasadorëve (12) / GJYKATA QË BARAZON VIKTIMËN ME XHELATIN

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!

Shkruan: Shefqet DIBRANI, 22 shtator 2019

Të nderuar Ambasadorë dhe diplomat të akredituar në Kosovë, vendi im, Kosova jonë, është shndërruar në një lloj laboratori për të prodhuar paradokse të llojit të vet. Në këtë letër do të trajtojë njërin nga paradokset më të mëdha që ka bërë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e themelimit të Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë, në vend se të themelohej një Gjykatë Speciale në Kosovë. Haga nuk sjell gjë, posaçërisht kur asnjë nga Komandantët e Luftës, nuk kanë rezistuar, përkundrazi ata janë dorëzuar përpara drejtësisë dhe kjo gjë po vërtetohet, pasi strukturat për siguri brenda KFOR-it që vepron në Kosovë, deri më sot nuk kanë mobilizuar as polic e as ushtar për ta arrestuar një të dyshuar, apo një të akuzuar. Madje të gjithë Komandantët e Luftës po shkojnë të pispillosur dhe nën përcjelljen e mediave, duke u kthyer të krekosur në Kosovë.

Këtë imazh kaq negativ nuk është dashur me ia atribuuar Kosovës, pasi të gjitha kategoritë e kriminelëve që do të gjykohen në Hagë, iu janë dorëzuar pa kushte drejtësisë ndërkombëtare, çka do të thotë se krijimi i imazhit kaq negativ, për përbindësha dhe për strukture kriminale aq lartë të organizuara, nuk qëndron, por qartë shihet se prapa kësaj përpjekje fshihen qëndrime politike për ta barazuar viktimën me xhelatin.

Nëanën tjetër Rusia me aleatin e saj Serbinë, si duket i ka vënë sprovë forcën politike e diplomatike të Bashkimit Evropian dhe atë të Amerikës, pasi ky rast nuk është dashur të transferohej në Hagë, por do të duhej që të gjitha rastet të gjykoheshin në Kosovë.
Ndoshta për të qenë epilogu më i pranueshëm, dhe drejtësia sa ma e paanshme, do të pajtoheshim, për një trup gjyqtarësh ndërkombëtar, të cilët ndoshta do të kishin marrë vendim të drejta dhe jashtë çdo ndikimi.

Kosova ka nevojë për ndihmë në të gjitha planet, por jo për shantazhime të kësaj natyre pasi mjaftë punë nuk kanë shkuar mbarë. Në këtë plan është mirë të hetoheshin edhe privilegjet që i kanë fituar disa nga familjaret e viktimave, të cilët me tu pozicionuar në struktura udhëheqëse sikur kanë bërë kompromis me zbardhjen e të vërtetës, ndërsa akuzat për banda të paarritshme sikur është mbufatur me prapavijë politike e gjeostrategjike. Prandaj kjo analizë ka të bëjë me formën dhe mënyra e veprimit në mënyrë selektive të drejtësisë, duke ndërtuar një paradoks i llojit të vet, i cili mund të kuptohet vetëm pas dhjetëra vitesh, atëherë kur do të ballafaqohet populli i Kosovës, me pasojat e këtij paradoksi i cili është ndërtuar me qëllime politike që ka për synim matjen e dinjitetit të drejtësisë së Bashkimit Evropian dhe asaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në anën tjetër për të barazuar rolin e viktimës dhe të xhelatit.

Ilustrimet janë marrë nga gazeta “KOSOVA SOT”

Tashmë po shihet qartë se Bashkimi Evropian udhëheqë gjyqësi selektive, e cila nuk do të duhej të ndodhte dhe nuk do të duhej të miratohej nga Parlamenti i Kosovës, aq më tepër kur ndërhyrjet e kësaj drejtësie shihen edhe në kohën kur Kosova ka shpallur zgjedhjet e saj. Tashmë gjithë secili ka të drejt të dyshoj se Gjykata Speciale, është pasqyrë se si bëhen forma selektive në drejtësinë Evropiane, jo njësoj për të gjithë faktorët e implikuar në ato krime që kanë ndodhur. Drejtësi selektive vetëm kundër një populli, dhe brenda për brenda tij, vetëm kundër një pjese të saj, është edhe paradoks i drejtësisë, e cila do të rezultojë e dëmshme dhe me pasoja afatgjate. Drejtësia për të cilën dyshohet se është e motivuar nga aspekte politike nuk sjell vendime të drejta, ato vendime do të jenë të njëanshme dhe do të prodhojnë ngatërresa politike, që si veprim bie ndesh me të gjitha normat për të cilat demokracia ndërkombëtare ka folur e ligjëruar gjerë më tani.

Vërtetë ka pasur vrasje të shumta, dhe dihen me emër se kush janë vrarë. Po ashtu mendojmë se ka pasur edhe shkelje të ligjeve të luftës. Sigurisht ka pasur edhe hakmarrje dhe qërim hesapesh në mes grupeve të implikuara në luftë. Pastaj duhet të ketë pasur edhe ekonomi të rrënuara për inate e hakmarrje, edhe banda e grupe të caktuara janë pasuruar gjatë kohës së luftës, por deri aty kur dihen me emër dhe mbiemër se kush ka vrarë dhe pse ka vrarë, pastaj edhe kush ka bërë shkelje të ligjeve të luftës, ndoshta disa raste mund të dihen nga kush janë bërë, edhe aty këtu disa nga hakmarrjet në kohë lufte mund të dihen, pastaj mund të dihen kush kujt ia ka rrënuar ekonomin, ia ka dhunuar familjen etj. e bëjnë rastin e themelimit të Gjykatës Speciale, mjaftë diskutabile dhe të diskutueshëm.

Por ajo që nuk ka mundur të fshihet janë jo milionat por godinat, fabrikat dhe pasuria e shtuar në mënyrë marramendëse. Për atë kapital që shihet dhe preket me dorë, a nuk kishte fuqi veprimi Bashkësia Ndërkombëtare që erdhi më vu rend, ligj e siguri në Kosovë? Sigurisht që kishte, dhe pa asnjë dyshim të gjitha ato veprime kanë mundur të luftohen dhe të futen brenda kornizave të pranueshme, për të mos u bërë problemet dhe krimet më të mëdha. Janë këto disa arsyet pse themi se krijimi i Gjykatës Speciale për krime të luftës, është jo vetëm paradoks, por paaftësi e Bashkimit Evropian për të zgjidhur probleme të mëdha, për të vënë rend ligj dhe siguri në një Kosovë shumë të vogël, e cila edhe ashtu është e pafuqishme për tu zhvilluar e për të përparuar pa ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare që po vëzhgon demokracinë në Kosovë, prandaj vënia e rendit dhe drejtësisë pa krijuar afera të mëdha ka qenë e mundshme dhe thjesht e aplikueshme, sidomos në një vend siç është Kosova, në kohën kur populli dhe ushtarët e saj që ishin në luftë, janë të vetëdijshëm për ndihmesën që ia kanë dhënë Amerika dhe Bashkësia Ndërkombëtare për të dal nga lufta fitues dhe çlirimtar.

Se ka mënyrë selektive për ato krime të asaj kohe s’ka dyshim, kur dihet se kanë ekzistuar edhe disa lloje “Fondesh”, paratë e të cilëve, pa dyshim kanë kryer edhe punë të ndyta, e kjo ka të ngjarë edhe gjatë asaj kohe. Ato “Fonde”, kryesisht janë përdorur për luftën, por ka mundësi edhe për përçarjen e faktorit ushtarak që pastaj janë shoqëruar edhe me vrasje te motivuara politikisht, të cilat ashtu siç janë zhvilluar, duket të kenë qenë të motivuara për dominim e suprimaci, prandaj ka ndodhur ky qërim hesapesh politike. Pastaj dihet se janë rrënuar ekonomitë e caktuara dhe janë pasuruar të tjerët, por nuk kanë ndodhur procese gjyqësore dhe as dënime. Haga, përveç komprometimit të BE-së në shumë plane, nuk do të sjell suksesin e planifikuar, të kundërtën ka mundësi!

Çuditërisht, sa të paprekshme, mbeten strukturat e sistemit paraprak, drejtuesit ideologjik, drejtuesit mediatik, të cilët hynë të varfër por dolën milioner nga lufta. Këto 20 Vjet na kanë dëshmuar saktësisht se kush nga drejtuesit e Mediave të asaj kohe, që bashkëjetonin bashkë me aparteidin serb duke bërë dhunë mbi Kosovën, (duke atakuar personalitete publike ku disa sish janë vrarë), ata paskan hyrë e dal në zonat e luftës pa asnjë therrë në këmbë, kurse pas luftës disa sish janë bërë milioner, andaj si duket ata janë të paprekshëm. E me disa nga Komandantët e Luftës, tashmë po dihet se kush, cilat media dhe cilët drejtues i kishin lidhjet e mira atëherë, kurse disa media i mbrojnë edhe sot në liri. Pa dyshim, drejtuesit e mediave, që për këto 20 Vjet kanë mbjell pasiguri, kanë krijuar konfuziotet, janë shkaktar e klimës kaq të disfavorshme, kaq kriminale dhe kaq antidemokratike, nuk hetohen dhe as gjykohen?!

Si ka pasur mundësi që disa drejtues të “Fondeve”, dhe ata të “Huas Popullore”, për 20 Vjet të kredhin nëpër partitë politike. Ata po glorifikojnë të kaluarën e tyre në Partitë Komuniste e Marksiste-Leniniste, madje me mburrje dikush prej tyre nuk ia heq asnjë prese shërbimit të tij nën sundimin serb, e pikërisht të tillët janë bërë Kryetar Partie, pa qenë kurrë më parë anëtarë i saj. Në anën tjetër kemi raste kur profesorët universitar dhe kuadri që janë shkolluar nëpër Universitete të Evropës dhe në Amerikë, sot janë klientelë e këtyre krimeve, pikërisht ata thërrasin për t’iu besuar?! Ata duke mashtruar publikisht po çirren se janë shkolluar në Amerikë ose në Evropë, ata premtojnë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por vetë janë pjesë përkatësisht klientelë e krimit.

Ashtu siç ishin për likuidime dhe spastrime në kohën e luftës, sot luftëtarët e demokracisë, në mesin e të cilëve ka profesor universitar të shkolluar në Evropë dhe Amerikë, pranojnë që jashtë çdo kriteri të avancohen në strukturat e partisë dhe ata na flasin për demokracinë dhe sundimin e ligjit, kurse në anën tjetër po ata çirren se do të bëjnë mrekulli, jo që duket si e pa pranueshme, por thellësisht mendojmë se janë pjesë e krimit të organizuar. Në anën tjetër, involvimi politik i Gjykatës Speciale, për të intervistuar Komandantët e Luftës, në kohën kur Kosova i ka zgjedhjet e veta, është veprim i papranueshëm dhe në funksionim të një krahu politik në të cilin janë sistemuar grupe e banda të interesit me një të kaluar jo aq të pastër në sistemin paraprak diktatorial.

E përsërisim se Gjykata Speciale për krime të Luftës, nuk ka pasur nevojë të ketë selinë në Hagë të Holandës, por diku në Prishtinë, bile krejt në rrafsh, dhe s’ka pasur nevojë askush ta ruaj, pasi nuk ka grupe aq të mëdha kriminale dhe aq mirë të organizuara siç shkruajnë mediat shqipe në Kosovë. Ato që thuhen, kryesisht janë vrasje klandestine për dashnore, se sa për vlera të tjera morale dhe materiale siç po raportohet, që nuk ia vlen për t’iu besuar. Por fatkeqësia nuk po ndalet kaq, mediat në Kosovë prodhojnë rrena të bollshme të cilat po i përtypin struktura diplomatike dhe mediat ndërkombëtare.

Gjykata Speciale për krime të luftës, duket të jetë institucion i motivuar politikisht që nuk do të ndaj drejtësi, as nuk do t’i gjykojë rastet e renda kriminale, prandaj shprehim dyshimin e arsyeshëm se kjo gjykatë më shumë është themeluar për të krijuar imazhin e rrejshëm, se gjoja Grupet e krimit në Kosovë, janë të fuqishme dhe vështirë të kapshme.

Këtë konstatim e sforcon e dhëna pasi ne jemi dëshmitarë të këtyre zhvillimeve, kur përpara kamerave kapën Komandant të cilët pastaj shkojnë e kthehen nga Gjykata Speciale në Hagë, të veshur e pispillosur, madje duke u shoqëruar me gratë e tyre përplot buzëkuq dhe të përcjellë nga mediat të cilat kanë për detyrë për të prodhuar këtë klimë të padurueshme. Padyshim ne do të jemi dëshmitarë se Grupet dhe Kapot kryesor edhe për nja 20 Vjet do t’i kemi në udhëheqje të Kosovës, ashtu siç e patëm Lidhjen Komuniste, aktive në të gjitha sferat e jetës, ashtu siç i kem konceptet e mediave të pandryshuara, ashtu siç i kemi drejtuesit, redaktorët dhe analistët që mbllaçitin këtu e 20 Vjet, pa marrë përgjegjësi për dështimin e Kosovës në shumë sfera të jetës.

Gjykata Speciale më shumë duket se është një truk sovjetik për të matur impulsin e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve në raport me Kosovën dhe përgjithësisht Ballkanin, sepse edhe Bashkimi Evropian por edhe Amerika e dinë, ashtu siç e dinë edhe vet Rusia dhe aleati i tyre në Ballkan, se po të kishte vullnet UNMIK-u dhe EULEX-i, bashkë me faktorët tjerë nga BE dhe SHBA-të, këto çështje ishin zgjidhur në 10 vjetshin e parë, kurse i tërë epilogu i proceseve do të kishte tjetër pamje, dhe sigurisht edhe Kosova do të ishte në një gjendje ma të mirë!

Tash për interesa politike, në fushatë zgjedhore është aktualizuar Gjykata Speciale e cila është duke marrë në pyetje të dyshuarit, por ne nuk po kuptojmë pse u dashtë mu tashti kur Kosova është në fushatë zgjedhore, kurse në anën tjetër edhe zyrtarët e EPP-s dhe disa nga Bashkimi Evropian nuk e njohin gjendjen reale në terren.

E nëse dëshirojmë një stabilizim më të përshpejtuar, Vendet e Qiuntit, Brukseli Zyrtar, vendet e fuqishme ekonomike nga BE dhe sidomos Amerika, duhet ta formojnë një Komision për Verifikim të listave zgjedhore, dhe aty, drejtpërdrejt të ndikojnë. Pse kjo çështje të lihet në mëshirën e popullit, të atij populli që në formë turme iu shkon pas. E turma, menjëherë, të hënën më 7 tetor 2019, do të nis të zhgënjehet me ata që vet i ka votuar.

Për të vepruar si duhet, Bashkësia Ndërkombëtare, e ka kollaj, sepse populli e di kush janë investitorët kryesor të fitores së Luftës, dhe kush janë investitorët e ndërtimit të paqes dhe demokracisë në Kosovë, prandaj do të ishte mirë qe mekanizmi ndërkombëtar që mbikëqyr zhvillimin e demokracisë në Kosovë, qysh tash të krijoj një trupë për verifikim, dhe jo ma larg se me datën 7 tetor 2019, t’i thërras në takim të gjithë krerët e partive që do të fitojnë hise në këto zgjedhje, pastaj në pliko të veçanta t’ua dorëzojë emrat e atyre, që Amerika dhe Bashkimi Evropian, nuk i dëshirojnë për t’i parë në udhëheqjen e ardhshme të vendit.

Në këtë verifikim nuk do të duhej të faleshin as kandidatet dhe kandidatët për formimin e qeverisë, nëse edhe ata janë të involvuar në krim dhe kriminalitet, pa i përjashtuar edhe ata që në mënyrë antistatutare janë futur e janë sistemuar si klientelë nëpër partitë politike. Kjo kategori është avancuar duke bërë veprime antidemokratike. Pastaj veprimi për Verifikim duhet të pasoj në sektorët e ndjeshëm, të drejtësisë, sigurisë, bankave dhe ekonomisë, po duhet të shikohet se kush po udhëheq me mediat në Kosovë.

Nëse kjo do të ndodhte, autoriteti i Gjykatës Speciale do të ngritej, ashtu sikurse autoriteti i Amerikës dhe BE-së në Kosovë që do të sforcohej. Në anën tjetër qytetarët do të merrnin guxim për të drejtuar gishtin dhe për të bërë kallëzime penale kundër të gjithë atyre që kanë bërë krim, kanë shantazhuar dhe janë pasuruar ose janë avancuar në mënyrë antiligjore. Në rastin e Kosovës, edhe ne jemi të vetëdijshëm se ka individ, (ndoshta ata janë shumë, por jo në nivelin e një ushtrie), që kanë bërë veprime kriminale dhe të dënueshme, andaj ata patjetër duhet gjykuar e dënuar sipas ligjeve në fuqi.

Të nderuar Ambasadorë, nëse dëshironi që ky vend të frymojë i lirë dhe të nis aplikimi i normave të demokracisë ju duhet sugjeruar vendet tuaja për të vepruar, kryesisht në verifikimin e personaliteteve politike dhe të atyre me ndikim, e pastaj me ta le të merrej drejtësia. Edha ata që kanë bërë shkelje të ligjeve të luftës, edhe ata që kanë trazuar paqen e rrejshme, hajnat për vjedhje, të tjerë për kriminalitet ekonomik dhe kulturor, pa i harruar gjithë kuadrin e shkolluar në Evropë dhe Amerikë, të cilët pa meritueshëm kanë zënë vendet politike në udhëheqje në Kosovë, duhet të largohen sikurse të gjitha ato media që janë duke falsifikuar realitetin, ata janë keqpërdorues të sistemit dhe demokracisë. Pa dyshim, secili kuadër i avancuar pa merita dhe me mënyrat klienteliste dhe të nepotizmit duhet dënuar e ndëshkuar ashtu siç ndiçen penalisht falsifikatorët e diplomave akademike. Pa dilema, duhet të dënohen të gjithë ata që pa merita janë avancuar në poste udhëheqëse, ashtu siç dënohen vrasësit dhe keqbërësit!…

Sot në Kosovë, për çdo ditë defilojnë para kamerave individ të akuzuar, vrasës klasik, ata të cilët për shkallën e krimit dhe të korrupsionit janë të rreshtuar në vendin e tretë a të katërt merren në pyetje, por jo edhe bosët udhëheqës. Frika nga gjykata nuk lenë me u zhvilluar mendimi i mirë, mendimi i lirë, prandaj fillimisht duhet me u pastruar skema politike në Partitë Politike e pastaj për tu gjykuar e dënuar të gjithë ata që kanë bërë faje dhe ata të cilët e kanë sjell Kosovën në këtë gjendje, në të kundërtën autoriteti i Gjykatës Speciale do të lëkundej ashtu siç po duket luhatja e saj për veprime të drejta dhe të pranueshme!

Vijon…

St. Gallen, 22 shtator 2019.

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.