Poezi nga Ramë Thaçi
Në hyrje të Grykës së Rugovës
ku bjeshka përpiqet me qiellin,
nga lartësia me dylbi
shikonim dy trashëgimi.
Në disa libra hasim në legjenda plot gënjeshtra
ku aspak s’thuhet e vërteta,
së Patrikanën, gjoja, na e paskëshin ndërtuar
njerëz të ardhur nga Karpatet e egra.
Edhe në oborr të Patrikanës është një pemë e moçme,
me emrin man.
Ilirët para shumë motesh e patën mbjellë,
dhe aty,akoma qëndron!
Mani shekullor është krenar
sepse frymon në vend të vet,
ai sot është një pasuri natyrore
që e rriti kjo tokë arbërore.
Ndërsa, Patrikana na grish shpesh
duke theksuar se të parët tanë
në këtë truall e ndërtuan
dhe këtu me shekuj është duke qëndruar.
Sot, Patrikana
i përballon ndërrimet e moteve
dhe mbi supe mban barrë të rëndë shekullore,
të stuhive të egra njerëzore.