Gjuha shqipe përballë komuniteteve virtuale

0
1183

— nga Lekё Pepkolaj *), (Recanati), 6 qershor 2015

Gjuha jonë është e lidhur shumë ngushtë me popullin shqiptar ose siç thotë Gjeçovi:
“Gjuha asht rrnesa e kombit”

Gjuha jonë është e lidhur shumë ngushtë me popullin shqiptar ose siç thotë Gjeçovi: “Gjuha asht rrnesa e kombit”. Gjuha ka një rol të rëndësishëm në përcaktimin e një kombi për vetë faktin se gjuha ka karakter objektiv dhe ne mund të bëjmë me metoda shkencore analiza filologjike të teksteve dhe të arrijmë të gjejmë identitetin e popullit tonë.

Lidhjet mes gjuhës dhe popullit që e flet atë, janë shumë të hershme, por nga fundi i shekullit XVIII, gjuha ka marrë një natyrë tipike nacionaliste. Në këto vite theksohet lidhja mes “gjeni i gjuhës” dhe “gjeni i popullit”. Ideja se gjuha është shprehje e mënyrës së të menduarit dhe të përjetuarit e një populli vazhdoi edhe gjatë shekullit XIX, e cila më pas bëhet një nga pikat kryesore të ideve nacionaliste të nisura nga politikat gjuhësore të Revolucionit Francez. Ky konceptim përdoret për të përligjur politikat gjuhësore që sjellin krijimin e gjuhëve zyrtare të Europës në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX.

Dihet se gjuha është e lidhur ngushtë me origjinën dhe vjetërsinë e kombit tonë dhe në këtë këndvështrim vërtet sjell edhe nacionalizëm. Një nga pikat më kyçe me frymë nacionaliste të gjuhësisë është etimologjia, ku edhe kjo tërheq një masë të madhe personash përveç gjuhëtarëve. Etimologjia drejtohet që herët në gjetjen e origjinës së një gjuhe si “një teori e përgjithshme e fjalës dhe e ecjes së shpirtit human…”. Këto lloj përpjekjesh i gjejmë në fillim të viteve 1800 edhe tek gjuhëtarët e njohur gjermanё.

Ja, çfarë thotë Rotsaert: “të zbulosh etimologjinë e fjalëve domethënë për Graff, gjetjen e shprehjes origjinale të zemrës e shpirtit të popullit gjerman”. Etimologjia është një disiplinë e ndërlikuar e gjuhësisë ku pёrdor metoda shkencore, ndryshe nga etimologjia popullore.
Duke e parë në këndvështrimin tim prej matematikani, mendoj se:

  • të gjesh origjinën dhe historinë e një fjale, është njësoj sikur të zgjidhësh një problemë ku nuk mjaftojnë orë, ditë, muaj apo vite.
    Nuk ka asnjë dyshim që binomi komb-gjuhë sjell edhe frymë nacionaliste, por këmbёngulja e tepërt në këtë drejtim dëmton kulturën, që sjell vërtet kjo frymë.

Nuk po flas për rëndësinë që ka “cyberculture” (kultura që vjen nga përdorimi i kompiuterit) në shumë fusha të dijes, por do të përpiqem të preku dëmet dhe të mirat e këtyre komuniteteve virtuale kaq të përhapura në kohën e sotme, në aspektin e gjuhës tonë.

Rrjetet sociale… të komunikimit

Dëmet janë:

  • Albanizëm i tepruar… Siç e theksova edhe më sipër duke qenë se gjuha është shumë e lidhur me kombin, në vetvete sjell edhe nacionalizëm. Por edhe në rastin e komuniteteve virtuale e ndeshim shpesh një gjë të tillë. Shkaqet kryesore janë mungesat “konjitive” (njohuritё) e “metakonjitive” (vetëdija dhe kontrolli i njohurive) të individëve, por ka edhe ndikime te karakterit social.
  • marrje informacioni mbi gjuhën nga persona jo kompetent.
  • subjekte qё nuk rrinë dot pa u shprehur, gjë e cila ndikon edhe në largimin nga kuvendi i personave kompetentё të fushës. Është në karakterin e personit të shprehë atë që mendon se e di edhe pse të tjerët e dinë ose siç shpjegon Shën Agostini: “pse shko e rrëfehesh para Zotit për diçka që Zoti e din”, jo më të thuash diçka që ti mendon se të tjerët nuk e dinë.
  • vështirësi në gjetjen e materialeve me referenca të sakta dhe nga autorë seriozë.
  • materialet kalojnë aq shpejt në rrjet saqë ka rrezik të humbin efektin dhe qëllimin e tyre fillestar…

Të mirat janë:

  • çdo artikull ose libër të ri, apo edhe konferencë shkencore mbi gjuhën i ndeshim në kohë reale.
  • arrin të vjelësh në lidhje me gjuhën tonë mendimet e historianit, arkeologut, gjenetistit etj, në një kuvend të bërë së bashku.
  • këto komunitete kthehen në një lumë ku mbledh ujë nga përrenjët e të gjitha zonave ku ka shqiptarë. Mendoj që ky aspekt i rëndësishem i këtyre komuniteteve virtuale duhet të shfrytëzohet nga gjuhëtarët.
  • vetë komunitetet kthehen në terren për ruajtjen e gjuhës shqipe.

Sot mendoj se është një kohë e vështirë për gjuhën tonë në aspektin e gjuhës zyrtare, e cila është një temë mjaft e rrahur nga studiuesit dhe ku nuk shohim asgjë konkrete për zgjidhjet e saj dhe për historinë e gjuhës shqipe. Ne kemi një mori librash e publikimesh për gjuhën tonë nga persona jo kompetentë. Shumë nga këto botime e publikime kanë edhe ndikime të tepërta nacionaliste. Mendoj që këto botime e dëmtojnë vetë kulturën që sjell kjo frymë. Ka edhe nga këta autorë që e bëjnë për fitim.

Tjetër është se shoh një lidhje të tepruar të gjuhës tonë me mitologjinë. I gjithë ky interes nga persona jo të fushës ndoshta vjen nga një pakënaqësi që sjellin vetë kompetentët e fushës sidomos në origjinën e gjuhës shqipe. Gjuha jonë “hjek shumë randë”… që të lihet vetëm në duart e gjuhëtarëve, ku besoj se këtë gjë e kanë kuptuar edhe vetë ata. Ndërsa për origjinën e gjuhës shqipe kam të njëjtin mendim me studiuesen Enkeleda Merkoçi, ku në tezën e saj të doktoratës thekson: “problemi i origjinës së gjuhës shqipe nuk është vetëm gjuhësor, por mbi të gjitha etnografik, arkeologjik dhe kryesisht historik…”.

Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

Në qoftë se N. Mjeda thoshte në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe Çabej në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në 1972, se nuk i njohim akoma dialektet e gjuhës shqipe, mendoj se edhe sot jemi pothuajse në ato ujëra…

Nuk dua të pres vullnetin apo të nënvlerësoj punën e bërë këto vitet e fundit nga autorë të ndryshëm mbi historinë e kombit shqiptar, por ndaj për ta mendimin e Spiro Kondës, i cili thotë: “ai që do të marrë përsipër të shkruajë historinë e kombit shqiptar, që nga kohët parahistorike dhe gjer në ditët e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duhet medoemos të ketë këto cilësi, domethënë të jetë:

1. Filolog helenist
2. Filolog latinist
3. Gjuhëtar (glosolog)
4. Indolog
5. Gjuhën shqipe ta ketë shumë amtare dhe ta zotërojë shkencërisht”.

Kjo pika e pestë sot ka shumë rëndësi edhe për kohën virtuale të sotme, ku dua ta them më hapur se ne na duhen studiues që të jenë: dijetarë dhe albanistë (studiues qё ndёrtojnë albanizmin dhe punojnё nё pёrhapjen e tij, term ndryshe nga nacionalizmi). Ndërsa për “il liquido” (e thënë ne gjuhën e Baumanit) e komuniteteve virtuale, po ju lë porosinë e Mustafa Krujës, i cili thoshte: “duhet me i dalë zot gjâs mâ të çmueshme qi ka kombi shqiptar, gjuhës shqipe. Këtë kurrkush s’ka të drejtë t’a dhunojë, t’a përçudnojë…”.

  • (Interesat e mia shkencore janë nё fushёn e e-learning).